All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 28 – 29

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Pastaj i madhëruari thotë:

Si e mohoni Allahun,kur (dihet se) ju ishit të vdekur e Ai jua dha jetën; mandej Ai ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall përsëri; E me pas (përfundimisht) tek Ai do të ktheheni (per t'u gjykuar e për të marë dënimin apo shpërblimin)?

Ai (Allahu) gjithçka që ka në tokë, e krijoi për ju, pastaj (me pushtetin e Tij) iu drejtua qiellit. A i përsosi ata shtatë qiej. Ai, për çdo gjë, është i Gjithëdijshmi.

 

Shpjegimi  i ajeteve

Thotë i Urti:

Kejfe tekfurune bil-lahi     -     كَيْفَ تَكْفُرُونَ بِاللَّهِ

Ue kuntum emuaten fe ahjakum -     وَكُنتُمْ أَمْوَاتاً فَأَحْيَاكُمْ

Si e mohoni Allahun,

kur (dihet se) ju ishit të vdekur e Ai jua dha jetën;

Kjo është një pyetje retorike e përdorur për të treguar një ndjenjë habie dhe qortimi njëkohësisht. Si është e mundur pra, që ju  të mohoni Allahun që ju krijoi pasi nuk egzistonit?!! Ai jua dhuroi atë larmishmëri mirësish të pa fund.

 

Thum-me jumitukum thum-me juhjikum -    ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ

Thum-me ilejhi turxheun    -    ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

M'andej, Ai ju bën të vdisni e pastaj ju ringjall përsëri;

E më pas (përfundimisht) tek Ai do të ktheheni (për t'u gjykuar e për të marrë dënimin apo shpërblimin e merituar)?

Më pas, në momentin që afatet tuaja  të jenë plotësuar, Ai ju sjell vdekjen për t’jua dhënë shpërblimet e punëve që kryet në këtë jetë, që në momentin kur hyni në varre. Pastaj ju ringjall juve në ringjalljen dhe grumbullimin e madh, për t'u rikthyer (të vetëm) tek Ai. Për t'u kthyer tek Ai (të vetëm) dhe për t'i marë të plota shpërblimet e punëve tuaja. E pra ju jeni (në të gjitha gjendjet) nën administrimin, përkujdesjen dhe bamirësitë e Tij. Ju jeni të detyruar t’i nënshtroheni urdhërave dhe  ligjit të Tij  hyjnor, do t’i nënshtroheni llogarisë dhe shpërblimit sipas zbatimit të ligjit dhe urdhërave të Tij. A është e mundur që pas gjithë ketij informacioni  ju ta mohoni Atë? A nuk tregon kjo një injorancë të thellë dhe mendjelehtësi  të pamatë? Madje ajo që më shumë ju shkon për shtat juve, (që pritet të kaloni në të tilla gjendje), është besimi në Zotin, të qenurit të devotshëm ndaj Tij. Ju duhet të jeni të friksuar  prej ndëshkimit  dhe të shpresoni fort shpërblimin (e faljen ) e Tij.

 

Huel-ledhi haleka lekum  -    هُوَ الَّذِي خَلَقَ لَكُم

ma fil erdi xhemian  -     مَّا فِي الأَرْضِ جَمِيعاً

Ai (Allahu) e krijoi për ju,

gjithçka që ka në tokë.

Ai krijoi këto të mira  si bamirësi dhe mëshirë për ju që të përfitoni prej tyre, të kënaqeni me to,  dhe të nxirrni mësime e urtësi.

Ky ajet madhështor është argument që vërteton se gjërat në origjinë janë të pastra dhe të lejuara (përveç atyre gjërave për të cilat ka ardhur argument nga sheriati që i konsideron të pista dhe të ndaluara). Gjërat konsiderohen në origjinë fillimisht të pastra, sepse Allahu i madhëruar i solli ato si argument për të treguar mirësitë e Tij. Përjashtim bëjnë vetëm gjërat e pista  dhe të dëmshme të cilat, gjithashtu, nëpërmjet këtij ajeti kuptohet që janë të tilla (të pista dhe të ndaluara). Kjo gjë kuptohet nga i njëjti ajet, sepse ky tregon në vetvete që shkaku i krijimit të këtyre  gjërave  me të cilat Ai na tregon mirësinë dhe mëshirën e Tij,  është që ne të përfitojmë dhe të kënaqemi: haleka lekum i krijoi për ju (e jo për t’ju dëmtuar juve). Ndërsa gjërat që nuk i ka krijuar për këtë qëllim, Ai i ka konsideruar të pista dhe na ka ndaluar nga ato. Me fjalë të tjera: Allahu i lartësuar nuk mund të sjellë si argument të mirësisë dhe mëshirës  së Tij, gjërat e pista dhe të dëmshme. Edhe me ndalesat që Allahu i madhëruar na ka ngarkuar, në vetvete kanë si qëllim mirësinë dhe mëshirën ndaj nesh. Pra, si në gjërat e lejuara, që janë shumë, ashtu edhe në gjërat që na i ka ndaluar, Allahu i madhëruar  tregon ndaj nesh mirësinë dhe mëshirën e Tij, duke na udhëzuar për të mira dhe duke na ndaluar nga të këqijat.

 

Thum-me-steua iles-semai     -      ثُمَّ اسْتَوَى إِلَى السَّمَاء

pastaj (me pushtetin e Tij) iu drejtua qiellit.

(Isteua). Kjo fjalë në Kuran vjen me tre kuptime:

1. Nëse vjen e vetme, e pa shoqëruar  me rrethanorë vendi ( ala: mbi, sipër ), apo (ila: tek, deri tek), ajo ka kuptimin (u plotësua, u përsos). Sikurse ka thënë Allahu i lartësuar për Musain (alejhi selam) në Kasas, 14:

Ue lem-ma belega eshud-dehu ue isteua E pasi ai (Musai)arriti moshën madhore  dhe u plotësua, (u bë i pjekur, u bë i plotë), atejnahu  hukmeu-ue ilma Ne i dhamë atij dituri dhe urtësi.

 

1. Nëse kjo fjalë vjen e shoqëruar nga rrethanorët e vendit (ala, mbi) artëherë ajo ka kuptimin (isteua ala) = u lartësua, u ngrit, mbi sipër.  Sikurse thuhet në fjalën e Allahut të larvdëruar.

Thum-me isteua alal Arsh / Pastaj u lartësua mbi arsh. Isteua ala = u ngrit, u lartësua, mbi, sipër,lart.

Sikurse thotë Allahu  i lartësuar në suren  Zuhruf, 13. Dhe Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet e krijesave) dhe ju mundësoi të udhëtoni hipur në anije ose në kafshë.(Li testeuu ala dhuhurihi)Të uleni mbi todhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që jua dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.

Li testeu ala dhuhurihi - Të uleni, të ngriheni mbi to(sipër tyre). Fjala: li testeu  vjen nga isteua  ala = të ngriheni dhe të qëndroni mbi (to).

2. Nëse vjen e shoqëruar me fjalën ila që do të thotë tek (deri tek) ajo ka kuptimin: synon, ka për qëllim, drejtohet, ka për objektiv. Pra isteua ila = synoi, u drejtua tek. Sikurse ka ardhur edhe në këtë  ajet kur thotë  i Madhëruari:

 

Thum-me-steua iles-semai -    ثُمَّ اسْتَوَى إِلَى السَّمَاء

pastaj (me pushtetin e Tij synoi) iu drejtua qiellit.

Pastaj iu drejtua (synoi) qiellit. Pra, kur Allahu i lartësuar mbarroi krijimin e tokës  synoi dhe iu drejtua krijimit (përsosjes) të qiellit.

 

Fe seu-uahun-ne  seb'a semauat -     فَسَوَّاهُنَّ سَبْعَ سَمَاوَاتٍ

Ai i përsosi ata shtatë qiej

Pra i krijoi, i rregulloi dhe e përsosi  çdo gjë në to.

 

Ue hue bi kul-li shejin alim   - وَهُوَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ                 

Ai, për çdo gjë, është i Gjithëdijshmi.

Sikurse thotë Allahu i madhëruar në një ajet tjetër në suren  Hadid, 4 : “...Ai di gjithçka që futet në tokë dhe gjithçka që del prej saj, ç’ka zbret prej qiellit dhe ç’ka ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu është vështrues i gjithçkaje që ju punoni." Dhe thotë i Madhëruari në suren Ta Ha: “(dije se) Edhe nëse ti e ngre zërn (në lutjet e tua) Ai e di të fshehtën dhe atë që është më e fshehtë (se e fshehta)."

Thotë gjithashtu: "Ai e di atë që e mbani të fshehur  dhe atë që e publikoni.”

Janë të shumta ajetet në Kuran  ku Allahu i lartësuar së bashku me  përmendjen e faktit  që është Krijues, përmend edhe dijen e Tij absolute, sikurse ka ndodhur në këtë ajet. Ai thotë gjithashtu në suren  Mulk, 14: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet që Ai depërton në thellësi të sekreteve, (i njeh hollësitë)?!!”

Këtë bashkim mes këtyre dy cilësive, Allahu i madhëruar  e sjell si argument  për madhështinë e cilësive të Krijuesit. Krijimi i krijesave prej Tij, tregon se Ai është i cilësuar me dije, me urtësi dhe me pushtet absolut për të arritur gjithçka që dëshiron.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

12.07.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com