All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 35 – 39

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Ne i thamë: "O Adem! Ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet dhe hani nga frutat e tij lirisht dhe ku të dëshironi, por mos iu afroni asaj peme, e të bëheni të padrejtë (ndaj vetes tuaj).”

Por djalli i tronditi (i tundoi) ata nëpërmjet saj (pemës) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) në të cilën ishin. Ne u thamë: " Zbritni (dilni prej xhenetit)! Ju (do të) jeni armiq të njëri tjetrit. Në tokë ju do të keni vendbanim e strehim dhe në të do të gjeni furnizim deri në një afat (të caktuar).”

Ademi, prej Zotit të vet, mësoi(pranoi) disa fjalë (lutje) dhe Ai ia pranoi pendimin. Pa dyshim, është Ai, Pranuesi i pendimit, Mëshiruesi. 

Ne u thamë: "Dilni prej tij (xhenetit) që të gjithë. Juve, pa dyshim, do t'ju mbërrijë udhëzim prej Meje. Çdokush që pranon (pason) udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë e as do të brengoset.”

Ndërsa ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet tona, do të jenë banues të zjarrit. Ata, në të (zjarr dhe ndëshkim), do të jenë të përjetshëm."

 

Shpjegimi  i ajeteve

U kulna ja ademu-skun                                                                     

ente ue zeuxhukel xhen-nete                                           

Dhe ne i thamë: " O Adem !

Ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet,

Allahu i lartësuar e krijoi Ademin dhe e dalloi mbi krijesat e tjera. Për t’i plotësuar e përsosur më shumë mirësitë e Tij ndaj Ademit (alejhi selam), Allahu i lartësuar krijoi prej tij (Ademit) një krijesë (femrën) që të shërbeje si qetësim dhe kënaqësi për Ademin (alejhi selam). Ajo do të ishte një vend prehje për të. Allahu i lartësuar i urdhëroi ata që të banonin në xhenet dhe të ushqeheshin prej tij duke u thëne:

 

Ue kula minha ragaden hajthu shi'tuma                        

dhe hani nga frutat e tij lirisht dhe ku të dëshironi;

Dhe hani lirisht prej frutave të tij ku të dëshironi. Hani prej frutave (ragaden) pra shumë, me kënaqësi dhe duke e shijuar.

Ai i lejoi të provojnë nga çdo gjë  që shihnin në xhenet duke u thënë që të hanë (hajthu shituma) pra prej çdo lloji frutash që të dëshirojnë. Allahu i lartësuar i tha Ademit (alejhi selam)  sikurse përmendet në suren Ta he 119: " Ti aty (në xhenet)  nuk ke për të qenë i uritur  e as ke për të mbetur i zhveshur. Aty nuk ke për të patur etje e as nuk do të kesh vapë." Por më pas Allahu i lartësuar duke  dashur t`i sprovoje  për (ndonjë urtësi që Ai e di), u thotë:

 

Ue la tekraba hadhihish-shexherate                                

por mos  iu afroni asaj peme

Një lloj prej llojeve të pemëve  që  gjendeshin në të.

 

Fe tekuna minedh-dhalimin                                                  

e të bëheni të padrejtë (ndaj vetes tuaj).

Kjo tregon se ndalesa e drejtuar e bënte haram (të ndaluar) afrimin tek pema  sepse çdo rast mosrespektimi i kësaj ndalese konsiderohej (dhulmun) padrejtësi.

Por armiku i tyre vazhdoi  t'u bëjë atyre vesvese,  t'ua zbukurojë  dhe t`i tundojë ndaj asaj për të cilën u ndaluan, derisa:

 

Fe ezel-lehumash-shejtanu anha                                         

Por djalli i tronditi ata nëpërmjet saj (pemës)

(E zel-lehuma) pra i tronditinga bazat  dhe qëndrueshmëria e tyre, për të mos thyer urdhrat. Këtë e arriti duke ua zbukuruar shumë të ndaluarën, duke i'u betuar atyre  dhe duke u shtirur  si këshilltar i mirë që u do të mirën. Ata u mashtruan me të dhe iu bindën atij.

 

Fe ahraxhehuma mim-ma kana fih                                       

dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) në të cilën ishin.

Në këtë mënyrë ai i nxori ata nga mesi i atyre mirësive  dhe kënaqësive që përjetuan, për t`u hedhur në  botën e lodhjes , të mundimit dhe të përpjekjeve.

Allahu i lartësuar  i lajmëron për marrëdhëniet  që do të kenë mes njëri tjetrit, njerëzit dhe xhindet, kur thotë:

 

ue kulnahbitu bea’dukum li bea’din adu-u             

Ne u thamë: " Zbritni (dilni prej xhenetit)! Ju  (do të) jeni armiq të njëri tjetrit.

Pasardhësit e Ademit (alejhi selam) do të jenë armiq të Iblisit dhe të pasardhësve të tij. Dihet shumë mirë që armiku përpiqet me çdo rrugë ta godasë armikun e tij  me çdo të keqe, si dhe t'ia ndalojë, ndërpresë të mirat atij me çdo mjet  dhe me çdo rrugë të mundshme. Ky është një kërcënim, për t`u ruajtur prej shejtanit. Thotë Allahu i lartësuar: Djalli është armiku juaj dhe si të tillë konsiderojeni. Ai e thërret grupin (pasuesit) e vet  për t'u bërë banorë të zjarrit.

Dhe thotë në suren Kehf 50: "Vallë a në vend Tim, do ta konsideroni si mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiqtë tuaj?! Sa këmbim i shëmtuar dhe i pa drejtë është ky ( i mohuesve)

Pastaj Allahu i lartësuar përmendi destinacionin e zbritjes  dhe tha:

 

ue lekum fil erdi mustekar-ru-                                            

Në tokë ju do të keni vendbanim e strehim

 

ue  metaun ila hin                                                                          

dhe  në të do të gjeni furnizim deri në një afat (të caktuar)

Dhe për ju toka do të jetë vendqëndrimi dhe vend përjetimi deri në një afat (të caktuar). Në të do të kaloni vitet dhe afatet e jetës suaj, për të shkuar pastaj në tokën për të cilën u krijuat dhe e cila u krijua për ju.

Përjetimi juaj në tokë do të jetë i përkohshëm , kalimtar dhe nuk meriton  të quhet vendprehje, me plot kuptimin e fjalës.

Kjo tokë nuk është veçse një vend kalimi  ku ne furnizohemi  për të shkuar në atë tokën tjetër (xhenetin). Ajo nuk është një vend qëndrimi ku mund të gjejmë prehjen  dhe qetësinë e plotë (e përjetshme).

 

Fe telek-ka ademu mir-rabihi kelimatin                        

Dhe Ademi prej Zotit të vet mësoi, (pranoi)  disa fjalë (lutje)

Pra Ademi (alejhi selam) mësoi disa fjalë e lutje me të cilat e frymëzoi Allahu i lartësuar. Këto fjale ishin: Eraf 23:

kala Rab-bena dhalemna enfusena

Ata të dy (Ademi dhe Hau-ua-ja) thanë: "O Zoti ynë! Ne i bëmë padrejtësi vetvetes

 

Ue il-lem tegfir lena  ue terhamna       

Nëse nuk na fal dhe nuk na mëshiron

 

Le nekunen-ne minel hasirin               

padyshim do të jemi prej të shkatërruarve (dështuarve).

Ademi (alejhi selam) e pranoi gabimin që bëri dhe i kërkoi Allahut të lartësuar që këtë gabim t`ia mbulojë dhe t`ia falë, Përgjigjja ishte (e menjëhershme):

 

Fetabe alejhi                                                                                         

dhe Ai ia pranoi pendimin.

Pra Allahu i lartësuar e pranoi pendesën e Ademit (alejhi selam) dhe e mëshiroi atë.

 

in-nehu huet-teu-uabur-rahim                                             ُ

Pa dyshim, është Ai, Pranuesi i pendimit, Mëshiruesi. 

Pra Ai është (Rahim) Mëshirues ndaj adhuruesve të Tij.

Prej mëshirës së tij është, pikërisht, edhe suksesi  që Ai u jep atyre për t'u penduar, duke i falur dhe duke ua mbuluar të metat e tyre.

Pranimi i pendimit prej Allahut vjen në dy nivele:

Dhënia sukses për t’u penduar

Pranimi i këtij pendimi nëse plotësohen kushtet e pranimit të tij.

 

kulna-hbitu minha xhemia                                                     

Ne u thamë: "Dilni prej tij (xhenetit) që të gjithë.

Allahu i lartësuar përsëriti, përmendjen e zbritjes në tokë të dy të rëndësishmëve, për të njoftuar krijesat për atë që i pret ata në vendbanimin e tyre  të ri (në tokë). Thotë i madhëruari:

 

Fe im-ma je'tijen-nekum-min-ni huda                                 

Juve, pa dyshim, do t'ju mbërrije udhëzim prej Meje.

Në çdo kohë e në çdo periudhë do t`ju vijë prej Meje udhëzim i qartë. Udhëzimi vjen nëpërmjet Profetëve dhe librave që u janë shpallur atyre. Në çdo kohë juve do t`ju vijë ndonjë profet dhe shpallje prej Meje që t`ju udhëzojë në rrugët e afrimit  ndaj Meje  dhe në rrugët e kënaqësisë Time.  Atëherë dijeni se:

 

Fe men tebia hudaje                                                                        

Çdo kush që pranon (pason dhe zbaton) udhëzimin Tim,

Çdo kush prej jush që e pranon udhëzimin Tim dhe këtë pranim e interpreton duke  i besuar të dërguarit dhe librat e Mi, ka një premtim të pakthyeshëm. Çdo kush prej jush që u udhëzua nga mësimet e tyre. Me fjalë të tjera, çdo kush që beson si duhet profetët dhe librat e Mi. Por kush quhet besim i drejtë? Një besim i drejtë kërkon dy gjëra:

Pohimin dhe besimin larg çdo dyshimi të të gjitha informacioneve që të kanë ardhur nëpërmjet librave dhe profetëve,

Zbatimin me rigorozitet të urdhrave dhe largimin  nga ndalesat të cilat janë sqaruar nga profetët dhe janë porositur në ato libra.

Çdo kush që i besoi profetët dhe librat në këtë mënyrë të drejtë, ka një premtim prej Allahut të lartësuar kur Thotë:

fe la haufun alejhim                                                                      

Ue la hum jahzenun                                                                     

nuk do të ketë frikë

e as do të brengoset.  

Ndërsa në një ajet tjetër dhe pikërisht në ajetin 123 të sures Ta Ha , i madhëruari thotë: ”Ai (Allahu) u tha: “Zbritni prej tij (xhenetit) që të gjithë! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. (Premtimi për ju është) Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e profet), kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në të dy jetët), e as nuk ka për t'u trishtuar (në të dy jetët)”.

Fe menit-tebea hudaje

Dhe kush pasoi udhëzimin Tim

 

Fe la jedil-lu ue la jeshka  

nuk ka për të humbur rrugë dhe kurrë nuk do të trishtohet.

 

Allahu i lartësuar ka  premtuar bindshëm 4 gjëra. Por këtë premtim e ka lidhur ngushtë me ndjekjen e udhëzimit të Tij:

Ata do të jenë të ruajtur nga frika (el haufu)

Ata do te jenë  të ruajtur nga mërzitja dhe brenga (el huznu)

Ata do të jenë  të ruajtur nga humbja dhe devijimi (ed-dalale)

Ata do të jenë të ruajtur nga trishtimi i fatkeqësive. Nuk trishtohen (shekau)

Për ta nuk do të ketë as haufun frike, e as huznun brenga . Ndryshimi mes tyre qëndron në faktin se  diçka e keqe dhe e papëlqyeshme, nese ka kaluar sjell në shpirtin tënd  një brenge (el huzn). Ndërsa nëse pritet të ndodhë sjell frikë (el hauf). E pra për atë që ndjek udhëzimin e Allahut (La haufun alejhim) nuk ka frike për ta. (Ue e la hum jahzenun) dhe as do të brengosen. Madje ata do të shijojnë dhe përjetojnë  të kundërtat e këtyre ndjenjave. Ata do të përjetojnë sigurinë, qetësinë dhe prehjen absolute dhe gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu  ai që ndjek udhëzimin e Tij : (Fe la jedil-lu) (Nuk ka për të humbur a devijuar). (Ue la jeshka) ( dhe nuk ka për t'u trishtuar dhe as për të përjetuar fatin e zi). Madje ata do të përjetojnë të kundërtat e humbjes  dhe të trishtimit. Ata  do të jenë të udhëzuarit  dhe ata do të përjetojnë lumturinë dhe gëzimin.

Ai që ndoqi udhëzimet e Allahut  ka për të përjetuar qetësinë, sigurinë, prehjen dhe lumturinë në këtë jetë  dhe në jetën tjetër. Vetëm ata mund të quhen të udhëzuar  në rrugën e drejtë. Të udhëzuarit  nuk do të përjetojnë asnjë lloj frike  dhe as brenga. Ata nuk do të shkelin në ndonjë rrugë të humbur dhe as do ta provojnë trishtimin e përjetshëm. Këta do të arrijnë gjithçka që dëshirojnë dhe do të jenë të shpëtuar dhe të ruajtur nga gjithçka së cilës i druhen dhe të cilën nuk e duan. Ndërsa:

 

Uel-ledhine keferu ue kedh-dhebu bi ajatina

Ndërsa ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet tona,

Pra ata të cilët  nuk e ndoqën udhëzimin e Allahut të sjelle nëpërmjet profetëve dhe librave:

 

Ulaike as'habun-nari                                                                

Ata do të jenë banues të zjarrit.

 

hum fiha halidun                                                                            

Ata, në të (zjarr dhe ndëshkim), do të jenë të përjetshëm".               

Ata do të jenë banorë të zjarrit. Në të do të jenë gjithmonë. Ata nuk kane për të dale kurrë prej tij. Dënimi i tyre  kurrë nuk do të pakësohet dhe ata kurrë nuk do të ndihmohen.

Në këtë ajet dhe në të tjera si ai, Allahu i lartësuar  i klasifikon krijesat në: krijesa të lumtura dhe krijesa të trishtuara. Pra xhindet dhe njerëzit do të klasifikohen në dy grupe. Në këto ajete jepen gjithashtu  edhe cilësitë e secilit grup si dhe punët që i karakterizojnë secilin. Pikërisht këto punë u bënë shkak  për të përfunduar secili grup në vendin që i takon. 

Nga ky ajet kuptohet  që edhe xhindet sikurse dhe njerëzit  do të shpërblehen me të mira  dhe do të meritojnë ndëshkimet  që i patën bërë hak  në këtë jetë. Edhe xhindet sikurse njerëzit do të jenë njëlloj  në përgjegjësinë që do të mbajnë në aspektin e zbatimit të urdhrave dhe të  largimit nga ndalesat.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

26.09.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com