All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 40 – 43

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Më pas Allahu i lartësuar fillon të përmendë mirësitë dhe dhuratat e shumta që u pati bërë beni israileve (bijve të Israilit) (kështu u quajtën pasardhësit e Jakubit fillimisht. Por kjo fjalë, më vonë do të simbolizonte jehudët) Thotë i madhëruari:

“O bijtë e Israilit, përkujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia, me të cilat ju begatova dhe plotësojeni premtimin që me keni dhënë! Unë e zbatoj premtimin Tim ndaj jush. Dhe vetëm Mua të më kini frikë!

Besojeni atë, (Kuranin), që e shpalla si vërtetues të asaj që e keni ju (të shpalljeve që ndodhen në duart tuaja), e mos u bëni të parët mohues të tij! Ajetet e Mia (Kuranin, cilësitë e Muhamedit në librat tuaja etj) mos i fshihni (mos i mohoni) për hir të një çmimi të ulët (të kënaqësive të kësaj jete të shkurtër mashtruese, ofiqeve etj). Por vetëm prej Meje ruhuni.

Të vërtetën (që e ka shpallur Zoti) mos e përzieni me të pavërtetën (të cilën e trilloni ju vetë, dhe pretendoni se është shpallje e Zotit). Në këtë mënyrë juve po e fshihni të vërtetën (realitetin), edhe pse e dini (që Kurani, Muhamedi etj, janë  e verteta  e sigurt e sjellë nga Zoti.)

Përkryeni namazin, jepni zekatin, dhe faluni (së bashku) me ata që falen!

 

Shpjegimi  i ajeteve

Ja beni israiledh-dhkuru nia’meti

O bijtë e Israilit, kujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia,

el-leti enamtu alejkum

me të cilat ju begatova,

 

Israili është Jakubi (alejhi selam). Kjo fjalë u drejtohet jehudëve që jetonin në Medine  dhe rreth saj. Këto fjalë vlejnë edhe për ata që do të vinin pas tyre. Allahu i lartësuar i urdhëron ata me një urdhër që i përfshin të gjithë. Dhe thotë: “Përkujtoni, ju të gjithë, mirësinë time me të cilën ju begatova.”

Fjala (niameti - mirësinë time), përfshin të gjitha llojet e mirësive me të cilat Allahu  i lartësuar i begatoi ata, disa prej të cilave Ai do t’i përmendë në këto ajete dhe në të tjera si ato.

Përkujtimi i këtyre mirësive ka qëllime dhe urtësi në vetvete. Ai synon që zemrat tona të jenë mirënjohëse dhe falenderuese ndaj mësimeve të përmendura. Gjuhët tona të jenë lavdëruese të dhuruesit dhe shprehëse me fjalë të ndjenjave të zemrës.

Ndërsa gjymtyrët, të jenë vërtetuese dhe në përputhje të plotë me fjalët që themi dhe me ndjenjat që fshehim në zemër. E vetmja mënyrë që gjymtyrët ta bëjnë këtë vërtet, është nënshtrimi i tyre për t'u përdorur në ato drejtime që dëshiron Allahu i lartësuar dhe është i kënaqur me to.(Gjë të cilën e ka sqaruar me anë të profetëve dhe të librave)

Pra, përsëri kemi të bëjme me një nxitje  për pasimin e mësimeve të marra nga Profeti dhe nga libri i Allahut.

Thotë i Madhëruari (duke  përkujtuar paktin madhështor):

 

Ue eufu bi ahdi

ufi bi ahdikum

Dhe plotësojeni premtimin që më keni dhënë!

Unë e zbatoj premtimin Tim ndaj jush.

 

Allahu i lartësuar i nxit besimtarët që të mbajnë premtimin që i dhanë Atij për ta besuar sinqerisht Atë dhe profetët e Tij. Të mbajnë premtimin që i dhanë për të zbatuar porositë e Tij dhe ligjin e jetës që dërgoi (shpalli) për ta (në të gjitha aspektet e jetës). (Të vetmin ligj që sqaron marëdhëniet e krijesave me Krijuesin, marëdhëniet mes tyre, të drejtat dhe domosdoshmëritë e jetës...  etj.)

Nëse krijesat do ta mbajnë premtimin, Allahu i lartësuar do ta bëjë realitet premtimin e Tij ndaj tyre.

Disa ajete që qartësojnë më shumë kuptimin  e këtij ajeti janë dhe ato të sures Madie 12-14 :

"Në të vërtetë Allahu pat marrë zotimin e beni israilëve. Dhe prej tyre dërguam (caktuam) dymbëdhjetë prijës. Allahu tha: ‘Unë jam (mbrojtës) me ju! Në qoftë se falni namazin, e jepni zeqatin, u besoni të dërguarve të Mi dhe i ndihmoni e rrespektoni (nderoni) ata, shpenzoni për hir të Allahut hua të mirë (për ta marë atë në jetën tjetër prej Tij), pa dyshim Unë do t'jua fal (mbuloj) të këqiat tuaja dhe do t’ju fus në xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj. E kush kundërshton (mohon) pas këtij (zotimi) prej jush, ai e ka humbur rrugën e drejtë.’ Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata, dhe zemrat e tyre i bëmë të forta (të ashpra). Ata i ndryshojnë fjalët (në Teurat) nga domethënia e tyre dhe braktisën (e lanë në harresë) një pjesë të asaj me të cilën ishin urdhëruar. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhëtinë e një pjese prej tyre, përveç një pakice nga ata. Pra, fali ata dhe me butësi, tolero. Allahu i do ata që bëjnë mirë. Ne e morëm zotimin edhe të atyre që thanë: ‘Ne jemi nesara’ por edhe ata e harruan një pjesë të asaj me të cilën ishin udhëzuar, prandaj Ne kemi ndërsyer ndërmjet tyre armiqësinë dhe urrejtjen, deri në ditën e kiametit. E më vonë Allahu do t’i njoftojë ata me atë që bënë (dhe do t’i shpërblejë me drejtësi)."

Pastaj Allahu i lartësuar i urdhëron ata të pajisen me atë mjet, me ato cilësi, që do t'ua  bëjnë të mundur ta mbajnë premtimin e dhënë Allahut të lartësuar. Ai u thotë atyre:

 

ue ij-jaje fer-hebun

dhe vetëm Mua të më keni frikë.

 

Kur njeriu e ka frikën dhe respektin ndaj madhështisë së Allahut, kjo, patjetër, do ta detyrojë t’i përmbahet premtimit duke realizuar dhe përmbushur urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij (duke ruajtur kufijtë).

Më pas vjen një urdhër specifik, i veçantë, një urdhër për diçka, pa të cilën kurrë nuk mund të plotësohet imani i tyre. Madje as nuk mund të quhet iman (besim, i saktë), vetëm besimi i atij që ka plotësuar këtë urdhër të veçantë që Allahu i lartësuar u drejton krijesave.

I madhëruari thotë:

 

Ue aminu bi ma enzeltu  

musad-dikal-lima meakum                                                      

Besojeni atë, (Kuranin), që e shpalla

si vërtetues të asaj që e keni ju (të shpalljeve që ndodhen në duart tuaja)

 

Dhe besojini asaj që Unë e shpalla, e zbrita si vërtetuese të asaj që keni ju. Pra, besojini Kuranit, të cilin, Allahu i lartësuar ia shpalli adhuruesit dhe Profetit të Tij të dashur, Muhamedit (alejhi selam).

Allahu i lartësuar i fton ata që ta besojnë dhe ta pasojnë  Muhamedin (alejhi selam). Ky besim presupozon dhe e bën të detyrueshme edhe besimin dhe pasimin e asaj që  atij iu shpall, (Kuranit dhe traditës së tij, Sunetit). Allahu i lartësuar përmend edhe shkakun pse duhet pasuar ky profet, që t'u shërbejë si nxitës më i madh për ta, dhe u thotë se ky libër që iu shpall këtij Profeti është: musad-dikal-lima meakum Është vërtetues i asaj që keni ju. Ky libër, kjo shpallje, është në përputhje të plotë me atë që keni ju dhe mes tyre (shpalljeve) nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj kundërshtimi. Përse pra duhet ta kundërshtoni (ta mohoni) këtë shpallje.

Nëse ajo çka ofron kjo shpallje është në përputhje të plotë  me traditën e të gjithë të dërguarve, pse refuzimi?!!

( Pse rruga e re me një pakt tjetër? Aq më tepër që është në kundërshtim me vetë të dërguarit).

Madje të parët që duhet të pranojnë këtë shpallje duhet të jeni pikërisht  ju, që jeni të ditur rreth librave (profetëve dhe të mesazheve të tyre). Fjala e Allahut të lartësuar: musad-dikal-lima meakum Është vërtetues i asaj që keni ju, përmban në vetvete edhe një mesazh tjetër. Nëse ju nuk besoni atë që vërteton  dhe argumenton vërtetësinë e librave tuaj të  cilat  i pasoni dhe i ndiqni (siç pretendoni), ju keni hedhur poshtë edhe librat tuaj. Sepse kjo shpallje përmban atë të cilën e sollën si mesazh profetët që ju pretendoni se i pasoni, Musai, Isai etj. Nëse ju përgënjeshtroni shpalljen e fundit, në të vërtetë  keni hedhur poshtë librat tuaj.

(Ja edhe një aspekt tjetër që mos pranimi i shpalljes së fundit është dhe konsiderohet si cenimi i vërtetësisë  dhe autenticitetit të gjithçkaje që keni në duart tuaja.)

Pra, i vetmi vërtetim  rreth mësimeve të sakta që keni mes jush, është burimi i sigurt, ky libër që përmban të vërtetën  e sigurt. La rajbe fihi - Që nuk ka dyshime në të. Çdo burim tjetër lë për të dëshiruar në aspektin e transmetimit direkt. Një shkak tjetër që duhet t'ju bëjë që ta besoni këtë  shpallje është edhe fakti që ky profet dhe cilësitë e Tij, janë të shprehura qartësisht në librat dhe në literaturën (e pandryshuar) të mbetur në duart tuaja. Nëse mohoni ato pjesë të  librave tuaja ku përshkruhet dhe përgëzohet ardhja (shfaqja e këtij Profeti), kjo konsiderohet si mohim  i një pjese të asaj që ju është shpallur juve nga Zoti juaj. Por mohimi i një pjese të shpalljes, konsiderohet  si mohimi i plotë  i saj, ashtu sikurse, ai që mohon dhe nuk pranon të pasojë një profet të vetëm,  konsiderohet si mohues dhe refuzues i  pasimit të të gjithë profetëve.

Allahu i lartësuar pasi i urdhëroi ata për ta besuar këtë profet dhe shpalljen me të cilën ai u pajis,  i ndaloi ata dhe nga e kundërta e kësaj dhe tha:

 

Ue la tekunu eu-uele kafirin bih                                         

e mos u bëni të parët mohues të tij,

Pra, të mos bëheni mohues të Kuranit dhe të Profetit  (alejhi selam). Vëreni me kujdes! Allahu i lartësuar ka thënë: eu-uele kafirin bihi - të parët mohues të tij, dhe nuk ka thënë thjesht:  ue la  tekfuru bihi - dhe mos e  mohoni atë.

Vërtetësia e kësaj fjale, zbulon një padrejtësi të madhe të tyre, sepse, sikurse e përmendëm më sipër, ata duhet të ishin të parët që duhet ta besonin. Por nëse ata bëhen të parët mohues të Tij, kjo do të tregonte nxitimin (e padrejtë) të tyre në mohimin dhe refuzimin e tij (Kuranit dhe Profetit, ndërkohë që pritej e kundërta). Kjo nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër, duke qenë të parët që mohojnë (të vërtetën e qartë), do të bëheshin shembujt e të tjerëve që i pasojnë ata në rrugën e tyre. Ata do të mbartin në shpinën e  tyre edhe gjynahet e pasuesve, të cilët i përhumbën dhe i devijuan nga rruga e drejtë. (Vërtet kjo është një përgjegjësi e madhe dhe qortim shumë i frikshëm). Thotë i madhëruari në  suren Maide 77-79: “Thuaju: O ithtarë të librit! Mos e teproni në fenë tuaj jashtë të vërtetës dhe mos shkoni pas pasioneve (orekseve) të një populli para jush që ka humbur, ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që u largua në tërësi prej rrugës së drejtë. Ata që mohuan të vërtetën nga bijtë e Israilit, u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua, sepse ata kundërshtuan (urdhrat e Zotit dhe të profetit) dhe e tepruan (në armiqësi, padrejtësi dhe në kalimin e kufijve). Ata nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. Sa e shëmtuar ishte ajo që vepronin! Ke për të parë që shumë prej tyre (jehudë dhe krishterë)  miqësohen (dhe solidarizohen) me ata që mohuan. Sa e keqe është ajo që i përgatitën vetes së tyre. Allahu është i zemëruar kundër tyre dhe ata përjetë janë në adhab (në vuajtje të dënimit)."

Thotë gjithashtu në suren Ankebut 12: "Ata që nuk besuan u thanë atyre që besuan: Ejani në rrugën (në fenë) tonë, e ne po i bartim mëkatet tuaja (po qe se është mëkat rruga jonë)! Po ata nuk do të bartin asgjë nga mëkatet e tyre, në të vërtetë ata janë gënjeshtarë. Ata patjetër do të bartin barrën e vet, e me atë të veten edhe barrë të tjera, dhe në ditën e Kiametit do të merren në përgjegjësi për atë që kanë trilluar."

Po, kush është shkaku që i detyron ata të bëjnë këtë zgjedhje? Allahu i lartësuar përmend shkakun e kësaj  dhe i ndalon ata nga kjo vepër. Ai thotë:

 

Ue la teshteru bi ajati                                                                  

themenen kalileu-                                                                                  

Ajetet e Mia (Kuranin, cilësitë e Muhamedit në librat tuaja etj) mos i fshihni (mos i mohoni)

për hir të një çmimi të ulët (të kënaqësive të kësaj jete të shkurtër mashtruese, ofiqeve etj).

Pra, ajetet ( argumentet, shpalljet) e Mia mos i  ndërroni, mos  i shkëmbeni me ato dobi, vlera të pakta që mund të  përjetoni në të gjitha  dimensionet e jetës. Mos i shkëmbeni me ato pushtete dhe ofiqe që, (pa të drejtë), keni frikë se mos ju largohen nëse i përkushtoheni  besimit të drejtë në Allahun dhe ne Profetin e Tij. Me fjalë të tjera, mos shpenzoni ajetet (shpalljet) e Allahut për të blerë  ato pak dobi të përkohshme. Kurrë mos u jepni përparësi dobive të pakta të dynjasë kundrejt besimit dhe pasimit të ajeteve (shpalljeve) të Allahut të lartësuar. (Për të arritur këtë) triumf mbi vetveten,  vjen një urdhër i prerë:

 

Ue ij-jaje fet-tekun 

Por vetëm prej Meje ruhuni.

 

Vetëm prej meje ruhuni (druajuni dhe jini të devotshëm). Pra, vetëm Mua dhe asgjëje tjetër mos iu frikësoni dhe mos iu druani (as ofiqeve, as dobive të përkohshme, asgjëje...). Sepse juve, nëse do t'i druheni vetëm Allahut të lartësuar, kjo do t’ju çojë detyrimisht  që t'u jepni përparësi (urdhrave të Tij) besimit në ajetet (shpalljet) e Tij, kundrejt kënaqësive dhe interesave të kësaj bote të pavlerë dhe të parëndësishme.

Nëse këtë fjalë e kuptojmë nga ana e kundërt do të thoshim: Në momentin që përzgjedhja juaj kalon tek çmimet dhe interesat e ulëta,  kjo do të argumentonte boshllëkun e zemrave tuaja nga takua-ja (frika prej Allahut). Kjo do të argumentonte largimin e frikë-respektit ndaj Allahut të lartësuar dhe mosvlerësim të madhështisë  së Tij.

Më pas i Madhëruari thotë:

 

Ue la telbisul hak-ka bil batili        

Ue tektumul hak-ka ue entum tea’lemun     

Të vërtetën (që e ka shpallur Zoti) mos e përzieni me të pavërtetën (të cilën e trilloni ju vetë, dhe pretendoni se është shpallje e Zotit).  

Në këtë mënyre juve po e fshihni të vërtetën (realitetin), edhe pse e dini (që Kurani, Muhamedi etj, janë "e vërteta" e sigurt e sjellë nga Zoti.)

 

Këtu Allahu i lartësuar na ndalon nga dy gjëra:

1. Na ndalon nga ngatërresa, përzierja e së vërtetës me të pavërtetën.

2. Nga fshehja e së vërtetës, na  ndalon nga mos sqarimi i së vërtetës.

Ai na ndalon nga këto dy gjëra, sepse qëllimi dhe misioni i atyre që u është dhënë dije dhe kanë libra, argumente dhe informacion, është pikërisht e kundërta e asaj që u përmend. Qëllimi i tyre është dallimi i së vërtetës nga e kota dhe sqarimi e qartësimi i plotë i së vërtetës (për ne muslimanët qartësimi i së vërtetës nga e kota bëhet vetëm me argumente autentike e të padiskutueshëm në saktësinë e tyre. E vërteta e sigurt, nuk mund të merret nga asnjë burim tjetër veç këtij).

Këto dy detyra janë të domosdoshme që, ata që e duan udhëzimin ta gjejnë atë udhëzim dhe ata që janë të humbur t’u qartësohet rruga e pendimit dhe e kthimit. Ndërsa atyre që refuzojnë dhe rebelohen, të mos u mbetet asnjë justifikim tek Krijuesi për të argumentuar rebelimin e tyre.

Allahu i lartësuar i shtjelloi argumentet (shpalljet) e Tij dhe i sqaroi ato totalisht, pikërisht për të dalluar të vërtetën nga e kota (nga e pavërteta). Që të qartësohet  rruga që ndoqën të udhëzuarit, nga rruga që ndoqën kriminelët, të padrejtët. (Por kriminelët e vetes dhe të botës...) .

Të gjithë dijetarët që kryejnë këtë punë (dallimin dhe qartësimin) janë mëkëmbës, zëvendësues, pasues të denjë të profetëve. Ata janë udhëzuesit e popujve.

Ndërsa ata që e ngatërrojnë, e përzjenë të vërtetën me të kotën, ata që nuk e zbardhin të vërtetën edhe pse e dinë atë, ata që e fshehin të vërtetën që e njohin shumë mirë dhe për të cilën janë urdhëruar që ta sqarojnë dhe ta shfaqin, pikërisht këta janë ftues për në xhehenem. Sepse njerëzit udhëzohen pikërisht nga dijetarët  e tyre (dhe i pasojnë ata) rreth çështjeve të fesë së tyre. Ata nuk pranojnë nga askush tjetër përveç tyre. E pra, zgjidhni për veten, cilën të doni prej dy mundësive dhe gjendjeve.

Më pas i madhëruari thotë:

 

Ue ekimus-salate ue atuz-zekate   

Uer-keu mear-rakiain

Përkryeni namazin (nga ana e jashtme dhe e brendshme)dhe jepni zeqatin,

Dhe bini në ruku me ata që bëjnë ruku(dhe faluni së bashku me ata që falen)

 

Pra, faluni me ata që falen, sepse ju nëse bëni këtë,  pasi i besuat Profetët e Allahut  dhe shpalljet e Tij, keni kryer dy gjëra të domosdoshme për shpëtimin tuaj. Keni bashkuar dhe barazuar mes punëve të dukshme (të jashtme) dhe atyre të pashfaqura (të brendshme). Keni bashkuar mes dy shkaqeve të lumturisë, sinqeritetit ndaj Krijuesit dhe bamirësisë  ndaj krijesave. Në këtë mënyrë ju keni adhuruar Allahun me adhurimet trupore, shpirtërore dhe me pasuritë tuaja

Fjala e Allahut: Uer-keu mear-rakiain Dhe bini në ruku me ata që bëjnë ruku,  përmban disa dispozita:

1. Ky është një urdhër për të falur namazin me xhemat.

2. Kjo tregon që të falurit e namazit me xhemat është i detyrueshëm (sepse urdhri për diçka presupozon që e urdhëruara të jetë e detyruar.

3. Ky ajet argumenton se rukuja është shtyllë e namazit. Ajo është shtylla pa të cilën namazi është i pa vlefshëm. Sepse të quajturit e namazit me emrin e diçkaje që është pjesë përbërëse e tij (pra me emrin e ruku-së) tregon të qenurit e kësaj pjese të tij, (ruku-së) si pjesë e domosdoshme, e detyrueshme në saktësinë e namazit. Po kështu, të quajturit  e një adhurimi me emrin e diçkaje që bën pjesë në të (që është pjesë përbërëse e tij) tregon domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së kësaj diçkaje në këtë adhurim, që ky i fundit të jetë i saktë, i pranueshëm, i plotë (sipas rastit).

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

27.10.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com