All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 44 – 48

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

44.   Si i urdhëroni (i ftoni) njerëzit për mirësi (për vepra të mira) dhe e harroni vetveten, kur ju e lexoni librin (Teuratin)?!A nuk po mendoni?!

45.   Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz! Vërtet, ajo është (arritje) e madhe, (e vështirë), por jo (nuk është e tillë) për ata që kanë frikë (Zotin dhe llogarinë para Tij).

46.   Të cilët janë të bindur se do ta takojnë Zotin e vet dhe se, pa dyshim, tek Ai do të kthehen (për t'u gjykuar dhe shpërblyer).

47.   O bijtë e Israilit! Përkujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia, me të cilat ju begatova! Unë ju pata dalluar mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).

48.   Ruajuni asaj dite, kur askush, askujt nuk do të mund t’i kryejë asgjë! Atë ditë nuk pranohet për të (jobesimtarin) ndonjë ndërmjetësim. Nuk pranohet për të kompensim, e ata (fajtorët), nuk kanë për t'u ndihmuar.

 

Shpjegimi  i ajeteve

E te'murunen-nase bil bir-ri                                         

Si i urdhëroni (I ftoni) njerëzit për mirësi (për vepra të mira),

Allahu i lartësuar thotë: A po i urdhëroni njerëzit për punë të mira...., Fjalët  (bil bir-ri) për punë të mira nënkuptojnë ose kanë si qëllim imanin (besimin), dhe mirësitë  që ai presupozon që të kryhen të nxitura prej tij. Kjo pyetje përmban në vetvete  qortim dhe habi. Pra si është e mundur që i urdhëroni njerëzit për të mira (për iman dhe punë me të) dhe pastaj:

 

Ue tenseune enfusekum                                                                

dhe e harroni vetveten,

Pra harroni që fillimisht ta urdhëroni vetveten për këto mirësi ?!! Pastaj shton edhe nje fakt që më shumë të shton habinë :

 

ue entum tetlunel kitab                                                             

kur ju e lexoni librin (Teuratin)?!

 

E fela tea’kilun                                                                                 

A nuk po mendoni?!

     E fela teakilun -  a nuk logjikoni. Kur ju e lexoni librin i cili ju urdhëron juve  të jeni të parët  praktikues të imanit dhe të punëve të tij, si mundet ta harroni vetveten?!  A nuk mendoni pak në këtë fakt?!

Allahu i lartësuar e ka pajisur njeriun me mendje me anë të së cilës ai dallon gjërat  që i sjellin dobi dhe mirësi. Me anë të mendjes ai arrin të kuptoje gjithashtu çdo gjë  që e dëmton. Kjo mendje e shtyn njeriun që të jetë i pari veprues i asaj  për të cilën ai urdhëron të tjerët,  dhe të jetë i pari që i largohet asaj prej së cilës i  qorton dhe i ndalon të tjerët. Kështu pra, ai që urdhëron të tjerët për diçka, dhe vetë nuk e vepron atë, apo që i ndalon të tjerët  nga diçka, dhe vetë e vepron atë, është i mangët dhe nuk mendon dhe as gjykon drejt. Kjo vepër tregon paditurinë e tij të thellë. Kjo mangësi dhe dobësi e mendjes  bëhet më e qartë, më e spikatur,  kur ai është i vetëdijshëm për këtë, i ka kuptuar argumentet,  dhe megjithatë përsëri vazhdon të urdhërojë për punë të mira  duke mos i vepruar vetë, dhe të ndalojë nga punët e këqija dhe t'i veprojë vetë ato.

    Ky ajet edhe pse ka zbritur duke iu drejtuar jehudëve, ai është gjithëpërfshirës. Thotë Allahu i madhëruar: "O ju që besuat, pse e thoni atë që nuk e veproni. Është shumë e urryer tek Allahu që ta thoni  atë që nuk e veproni.” Saf, 2-3.

    Por kjo nuk do të thotë që, meqë nuk e praktikon  atë për të cilën urdhëron apo  ndalon të tjerët,  ta lerë edhe urdhërimin për të mira  dhe ndalimin nga të këqijat. Ky ajet është qortim për ata që nuk i plotësojnë të dyja këto detyra. Është e kuptueshme se njeriu ka dy detyra:

1.  T'i urdhërojë të tjerët për të mira dhe t'i ndalojë ata nga të këqijat;

2.  Urdhërimi fillimisht i vetvetes për këto punë të mira dhe ndalimi i saj  nga të këqijat.

    Kështu pra, lënia e njërës prej detyrave nuk mund të jetë justifikim për lënien e tjetrës. Përsosmëria i takon atij që i plotëson të dyja dhe mangësia është me atë që i lë të dyja. Kurse ata që bëjnë njërën dhe lenë tjetrën,  qëndrojnë mes dy gradave. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër mund të themi se, shpirtrat  janë të prirura që të mos i nënshtrohen atij, punët e të cilit janë në kundërshtim me fjalët që thotë. Ndikimi që japin punët e kryera,  tek ata, është më i madh se ndikimi a gjurmët që lenë fjalët e thëna e të pa shoqëruara me punë.

 

Ues-teinu bis-sabri ues-salah                                           

Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz,

    Allahu i lavdëruar na urdhëron  që, për të kërkuar ndihmë për të gjitha çështjet tona, t`i kthehemi sabrit, durimit. Të kërkojmë ndihmë me të gjitha llojet e durimit. Llojet e durimit janë të shumta, por nga më kryesoret mund të përmendim:

1.  Durimi që duhet të tregohet në bindjen ndaj Allahut  të lartësuar (urdhrave të Tij) derisa ta kryejmë atë, në më të mirën formë. Ky quhet (es-sabru ala ta'ati   sabri në bindje ndaj Allahut)

2.  Durimi ndaj poshtërsive dhe mosbindjes (es-sabru an el mea'sijeti. Pra durimi që duhet të tregojmë për t`u  larguar nga ndalesat dhe që të mos i shkelim kufijtë e Allahut.

3.  Durimi gjatë fatkeqësive të dhimbshme, të cilat Allahu i lartësuar i ka përcaktuar që të na godasin (es-sabru ala el bela). Ky durim konsiston në pranimin me zemër të kënaqur, të këtyre përcaktimeve, duke mos shprehur as më të voglin zemërim apo pakënaqësi kundrejt këtyre përcaktimeve.

    Durimi dhe vetëpërmbajtja në këto situata, në të cilat Allahu i lartësuar na urdhëron të tregohemi të durueshëm dhe të vetëpërmbajtur, janë një ndihmë shumë e madhe  për zgjidhjen e çdo çështjeje  dhe kapërcimin e çdo situate

    Ai që ndjek rrugën e durimit, Allahu i lartësuar  ka për t`ia lehtësuar  rrugët e durimit  dhe patjetër do ta bëjë të durueshëm.

   Të njëjtën gjë mund të themi edhe për namazin,  i cili është barometri (treguesi) i imanit (besimit me zemër), dhe i cili të ndalon dhe të frenon  nga çdo punë e shëmtuar, e shfrenuar dhe e irrituar. Me të tillë namaz mund të gjesh rrugëzgjidhje dhe ndihmë për çdo çështje dhe çdo problem.

 

Ue in-neha le kebiratun il-la alel hashiain.                 

Vërtet, ajo është (arritje) e madhe, (e vështirë), por jo (nuk është e tillë) për ata që kanë frikë (Zotin dhe llogarinë para Tij).

   Për ata është i thjeshtë,  ky lloj kërkimi ndihme. Për ta është  i lehtë për t`u arritur me të tilla mjete. Është e thjeshte sepse të tillë (hashi'ine), i bën (el hushu'u) (përulja, frikërespekti, ndrojtja) ndaj Allahut. Të tillë i bën (hashjelull-llahi) (frikërespekti  ndaj Allahut) dhe shpresa për të arritur shpërblimin e madh të Tij

     Frikërespekti për Allahun dhe shpresa e madhe për shpërblimin  e Tij, e nxisin robin që të arrijë atë formë kërkimi-ndihme,  nëpërmjet asaj mënyre të vështirë. (durimit dhe namazit). Madje këtë mënyrë  të kërkimit të ndihmës,  ai e bën i kënaqur dhe me zemër të qetë, në momentin kur kujton shpërblimin e Allahut, frikën dhe ndrojtjen nga ndëshkimi. Ndërsa ata të cilët nuk i kanë këto ndjenja (frikën dhe shpresën), pra nuk janë (haashi'ine) ( të përunjur), ata nuk kanë ndonjë gjë që t`i shtyjë të ndërmarrin  të tilla mënyra, për të kërkuar ndihmë dhe rrugëzgjidhje. Edhe nëse në ndonjë moment do të perpiqeshin të bënin ndonjë gjë të tillë, kjo do të ishte shumë e rëndë  dhe shumë e vështirë për t'u përballuar  nga shpirtrat e tyre, të cilat nuk janë pajisur me ndjenjën e ( hushu-it) (të përuljes, dhe frikërespektit). Por çfarë është ndjenja e (hushu-it) e cila është lehtësuesja e vetme në këtë çështje?

(El hushu'u)është ndjenja e përuljes së zemrës ndaj Allahut. Ajo është ndjenja e prehjes dhe qetësisë që ndjen zemra (në praninë, apo) kur kujton Allahun. Ajo është një lloj  përulësie përpara Krijuesit e shoqëruar me një ndjenjë nevoje, varfërie për mëshirën e Tij. Kjo përulje, vjen  si pasojë e besimit të patundur që ka adhuruesi, se do të takohet me Allahun e lartësuar. Ky besim është burimi i këtyre ndjenjave. Prandaj i madhëruari, duke shpjeguar cilësitë e hashi'inëve, thotë:

 

El-ledhine jedhun-nune                                                                  

en-nehum-mulaku rab-bihim                                                  

Të cilët janë të bindur

se do ta takojnë Zotin e vet

      hashi'inejanë ata që (jedhun-nune janë të sigurt)  se (mulaku rab-bihim do ta takojnë Zotin e tyre) dhe Ai ka për t'i shpërblyer për veprat e tyre.

 

Ue en-nehum ilejhi raxhiun                                                         

dhe se, pa dyshim, tek Ai do të kthehen (për t'u gjykuar dhe shpërblyer).

     Janë ata të cilët, janë  të sigurt se një ditë prej ditësh (ilejhi raxhiun  do të kthehen  përsëri tek Ai)  që i solli në jetë.

    Është pikërisht përkujtimi i këtij takimi  të rëndësishëm, ai që ua lehtësoi atyre adhurimet që ata i kryhen për Allahun. Ky takim i ngushëlloi ata  gjatë fatkeqësive dhe sprovave. Ky takim ua lehtësoi dhe  u dha frymëmarrje gjatë sfidave dhe belave të mëdha. Takimi me Allahun ua lehtësoi atyre largimin nga punët e ndaluara e të këqija. Pikërisht  për ata janë përgatitur mirësitë e përjetshme  mes atyre  vendbanimeve të larta. Ata që nuk shpresuan takimin me Allahun, e kanë tmerrësisht të vështirë të kërkojnë ndihmë dhe rrugëzgjidhje me namaz apo me ndonjë tjetër adhurim përkushtuar Allahut të lartësuar.

   Më pas Allahu i lartësuar  u rikujton edhe një herë beni Israilëve mirësitë e Tij  ndaj tyre   që kjo t`i përkujtojë dhe t’u shërbejë  si qortim dhe si nxitje (për të qenë mirënjohës dhe të bindur). Thotë i Lartësuari:

 

Ja beni israile -dhkuru ni'meti                                         

O bijtë e Israilit! Përkujtoni (jini mirënjohës për) të mirat e Mia,

 

el-leti enamtu alejkum                                                               

me të cilat ju begatova!

 

Ue en-ni fad-daltukum alel alemin                                   

Unë ju pata dalluar mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).

     Pastaj Ai i kërcënon ata, për t`iu frikësuar ditës së kiametit. Atë ditë askush nuk mund t`i bëjë dobi askujt. Thotë i madhëruari:

 

Uet-teku jeumen                                                                                

la texhzi nefsun an-nefsin shej'eu-                                 

Ruajuni asaj dite,

kur askush, askujt nuk do të mund t’i kryejë asgjë!

      Askush, sa do i nderuar dhe i madh qoftë,  melek, profet,  apo njeri i mirë,  nuk ka në dorë asnjë mundësi ndihme  për askënd. Ata nuk mund të ndihmojnë  askënd, sado i dashur apo i afërt të jetë  ai që kërkon ta ndihmosh.

    Pra:

la texhzi nefsun - nuk i ndihmon  askush(sado i lartë e i nderuar qoftë),

An nefsin(Nuk i bën dobi)  askujt prej njerëzve sado të afërt dhe të dashur qofshin.

Sheja - asgjë.

     Pra askush, kushdo qoftë, nuk ka asnjë lloj mundësie të çdo aspekti, për të ndihmuar askënd, kushdo qoftë ai.

E vetmja ndihmë për njeriun, vjen prej  punëve që paraqiti.

Edhe ndërmjetësimet janë të pa pranueshme pa lejen dhe pa kënaqësinë e Allahut të lartësuar. Thotë i lartësuari:

 

Ue la jukbelu minha shefa'atun                                              

Atë ditë nuk pranohet për të (jobesimtarin) ndonjë ndërmjetësim.

      Përveç ndërmjetësimit që plotëson dy kushte:

1.  Të jepet leja nga Allahu   i lartësuar për këtë ndërmjetësim.

2.  Allahu i lartësuar të jetë i kënaqur me  atë për të cilin ndërmjetësohet. Dhe dihet shumë mirë që Allahu i lartësuar nuk kënaqet nga puna e askujt, vetëm nëse ajo  punë plotëson dy kushte:

1.  Punët të kryhen me sinqeritet për Allahun, duke kërkuar kënaqësinë e Tij.

2.  Punët të kryhen konform traditës së profetit  dhe mësimeve të tij.

 

    Nuk pranohet as ndërmjetësim dhe as  kompensim. Thotë i Madhëruari:

 

ue la ju'hadhu minha adlun                                                     

Nuk pranohet për të kompensim,

     Thotë i lartësuari në Kuran, Zumer, 47: "E sikur e tërë ajo çka ka në tokë e edhe një herë aq, të ishte e atyre që nuk besuan, do ta jepnin si kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në Ditën e Kiametit. E prej Allahut do t’u prezantohet (një  lloj dënimi), që as nuk kanë mundur ta mendojnë."

   Por kompensimi nuk do të pranohet prej tyre dhe as  do të ndihmohen.

 

Ue la hum junsarun                                                                       

e ata (fajtorët), nuk kanë për t'u ndihmuar.

    (La junsarun  nuk do të ndihmohen) d.m.th që prej atyre nuk do të largohet ajo që i druhen dhe asnjë krijesë nuk ka asnjë lloj  mundësie të të bëjë dobi apo të të largojë ndonjë dëm.

    Fjala e Allahut La texhzi nefsun an nefisin sheja /askush askujt nuk do të mund t’i kryejë asgjë, pra nuk mund t'i sjellë asnjë lloj dobie; tregon pamundësinë për të bëre dobi.

Ndërsa fjala e Tij: Ue la hum junsarun e ata (fajtorët),as që do të ndihmohen   tregon pamundësinë e tyre  për të larguar të keqen dhe të dëmshmen.

    Në fjalën e Allahut:

la jukbelu minha shefa'atun  -dhe nuk pranohet prej saj asnjë  ndërmjetësim,  dhe në fjalën e Tij:

ue la ju'hadhu minha adlun   -  dhe nuk pranohet për të kompensim; kemi një qartësim të një fakti shumë të rëndësishëm. Në momentin që njeriu kuptoi se, as të mirat  mund të arrihen dhe as të këqijat mund  të largohen duke e kërkuar këtë prej krijesave, ai kthehet sinqerisht për t'ia kërkuar këto, të vetmit që mund t`ia dhuroje. Arritja  e të mirave dhe largimi i të këqijave nuk mund të bëhet as me kompensime dhe as me ndërmjetësime, sikurse ndodh mes krijesave. Atë ditë askush nuk ka nën pronësinë e tij  asnjë thërrmijë dobie apo dëmi. Kjo është një ftesë e hapur  që, adhuruesi te lidhet fort  dhe sinqerisht vetëm me Allahun  e lartësuar, duke i kërkuar të mirat  veç prej Tij dhe duke kërkuar mbrojtje nga çdo e keqe vetëm tek Ai. Kjo është një ftesë për ta adhuruar  Atë si Një të vetëm, sepse vetëm Ai  e meriton adhurimin tonë, dhe vetëm tek Ai mbështetemi për t'i përkryer adhurimet tona.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

27.12.2010

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com