All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 62 – 66

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

Thotë i Madhëruari  duke gjykuar  rreth grupeve të cilëve u dha libra:

62. Vërtet, ata që i besuan (të gjithë profetët), jehudët, krishterët, sabi'inët, (pra) çdo kush prej tyre që besoi (sinqerisht) Allahun dhe botën tjetër (llogarinë dhe shpërblimin), dhe (përveç besimit në të gjithë profetët), bëri vepra të mira (sipas udhëzimeve të Muhamedit, profetit të fundit për të gjithë botën), ata e kanë shpërblimin tek Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë  dhe as nuk do te brengosen.

63. (Përkujtoni)Kur Ne patëm marrë prej jush besën tuaj (për bindje ndaj Meje) dhe (ndërkohë) ngritëm mbi ju (kodrën) Tur! (Ju thamë): "Merreni seriozisht, në konsideratë, atë (Teuratin) që jua dhamë dhe përkujtoni (mësoni) atë që është në të! Në këtë mënyrë, pa dyshim, do të jeni të ruajtur (do të bëheni të devotshëm).

64. Por edhe pas asaj (besës) ju (si zakonisht) ia kthyet shpinën (udhëzimeve  të Zotit). Po të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, do të ishit prej të dëshpëruarve (në të dy jetët).

65. Ju, tanimë, e keni të njohur çështjen e atyre nga mesi juaj, të cilët nuk respektuan (urdhrin për) të shtunën. Ne u thamë: "Shndërrohuni në majmunë të përbuzur" (për shkak te mosbindjes)!

66. Atë (shndërrim të tyre) e bëmë, për të marrë mësim (e përvojë) ata që e përjetuan (me sy) dhe brezat pasardhës. Por (kjo vlen) edhe si këshillë për të devotshmit (për ata që ruhen).

 

Shpjegimi  i ajeteve

Thotë  i Madhëruari:

In-nel-ledhine amenu                                                                      

Vërtet, ata që i besuan (të gjithë profetët),

 

Uel-ledhine  hadu  uen-nesara ues-sabi'ine             

jehudet, krishterët, sabi'iinët

Ky gjykim që do të përmendet më poshtë, vlen posaçërisht vetëm për ata të cilëve u është dhënë libër qiellor. Madje edhe sabi'iinët, konsiderohen prej grupacioneve krishtere. Thotë i  Madhëruari duke sqaruar cilësitë e të shpëtuarve  prej tyre :

 

Men amene bil-lahi uel jeumil ahiri                                    

(pra) çdokush prej tyre që besoi (sinqerisht) Allahun dhe botën tjetër (llogarinë dhe shpërblimin)

 

Ue amile salihan                                                                                 

dhe (përveç besimit në të gjithë profetët), bëri vepra të mira (sipas udhëzimeve të Muhamedit, profetit të fundit për të gjithë botën);

Na njofton i Madhëruari  rreth besimtarëve të këtij umeti dhe të umeteve  që kaluan prej jehudeve, krishtereve dhe sabi'iineve,  të cilët kanë disa cilësi:

1.    Amene bil-lahi- besimi tek Allahu, uel jeumil ahiri - tek dita e fundit, e llogarisë

2.    (Ue amile saliha dhe punët e mira)që imponon miratimi dhe besimi i sinqertë ndaj profetëve të tyre.

      Këta do të përjetojnë shpërblimin e madh që është përgatitur për ta tek Allahu, si dhe prehjen dhe sigurinë e madhe pranë Tij.

 

Fe lehum exhruhum ainde rab-bihim                                   

ata e kanë shpërblimin tek Zoti i tyre.

 

Ue la haufun alejhim ue  la hum jahzenun.              

Për ta nuk ka frikë dhe as nuk do të brengosen (sepse ata besuan Allahun, librat, të dërguarit, në mesin e të cilëve edhe Muhamedin).

Ata nuk do ta provojnë frikën dhe as do të brengosen. Ndërsa çdo pjesëtar i këtyre umeteve që mohoi Allahun, profetët dhe ditën e fundit, ai do të përjetojë të kundërtën e këtyre që u përmendën dhe do të jetë i zhytur në frikë dhe në trishtim.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ky është thjesht një njoftim rreth këtyre umeteve, që ka të bëjë me periudhën para dërgimit të Muhamedit alejhi selam (ndërsa pas dërgimit të Muhamedit alejhi selam, askush nuk ka për të shpëtuar, veçse pasi të pranojë Muhamedin alejhi selam si profetin e Allahut dhe ta pasojë atë.)

Kryesisht, ky është pasqyrimi i gjendjes së tyre, me të dyja anët e monedhës. Kjo bëhet për të larguar ndonjë keqkuptim që mund të lindë në shpirtrat e njerëzve, kur lexojnë ajetet e Kuranit. Allahu e di më së miri, por, shkaku i këtij pasqyrimi të gjendjes së këtyre umeteve, vjen për të sqaruar se, jo të gjithë pjesëtarët e këtyre popujve, të parët e të cilëve u qortuan, dhe mangësitë e shumta të të cilëve u trajtuan, i përfshin i njëjti përshkrim. Pra, Allahu i lartësuar dëshiroi t'i përshkruajë  me cilësi  të qarta ata të cilët nuk i përfshinte përshkrimi i sipërpërmendur me ato cilësi  dhe vepra të ulëta.

Ndoshta, përmendja fillimisht e gabimeve të brezave të parë të jehudëve, të jepte, gabimisht, të kuptoje  një lloj  posaçërimi  të  jehudëve me të tilla cilësi të ulëta. Prandaj i Madhëruari sjell një tablo gjithëpërfshirëse të të gjithë popujve, duke përmendur cilësitë e të shpërblyerve dhe cilësitë e të dënuarve nga secili popull, gjatë kohëve që jetuan (pra, jo vetëm të jehudëve). E gjithë kjo për të larguar çdo keqkuptim dhe për të qartësuar të vërtetën. I lavdëruar qoftë Ai që brenda librit të Tij ka sjellë çdo gjë që  habit mendjet e të gjithë botës (e në veçanti të dijetarëve).

Më pas, i Madhëruari  i rikthehet qortimit të  beni israilëve për punët e ulëta të të parëve të tyre. Ai thotë:

 

Ue idh ehadhna mithakakum                                                     

(Përkujtoni)Kur Ne patëm marrë prej jush besën tuaj (për bindje ndaj Meje),

Pra, përkujtoni  kur Ne morëm premtimet tuaja të forta, të përforcuara dhe në momente kërcënimi kur:

 

Ue rafea'na feukakumut-tura                                                    

dhe (ndërkohë) ngritëm mbi ju (kodrën) Tur!

Kur mbi ju qëndronte kodra Tur dhe Allahu i  lartësuar ju drejtua juve dhe ju urdhëroi:

 

hudhu ma  atejnakum bi ku-uetiu-                                        

(Ju thamë):"Merreni seriozisht ,në konsideratë,  atë (Teuratin) që jua dhamë

Pra,  pranojeni  atë që ju zbriti  prej ligjeve të Teuratit . Pranojini me seriozitet  dhe me përgjegjësi të madhe, duke treguar durim ndaj urdhrave të Allahut. Por jo vetëm kaq:

 

Uedh-kuru ma fihi                                                                           

dhe përkujtoni(mësoni)atë që është në të!

Përkujtoni vazhdimisht  atë që ndodhet në librin tuaj,  duke e lexuar vazhdimisht  dhe duke e studiuar dhe mësuar prej mësimeve të tij. Nëse e bëni këtë ka shpresë të madhe për ju që:

 

leal-lekum tet-tekun.                                                                         

Ne këtë mënyre, pa dyshim, do të jeni të ruajtur (do të bëheni të devotshëm).

Me shpresë pra që të shpëtoni, të ruheni  prej dënimit të Allahut dhe prej zemërimit të Tij. Ose, me shprese që të bëheni prej atyre që janë të ruajtur nga të këqijat, duke u stolisur në këtë mënyrë me takua (devotshmëri).

Por edhe pas marrjes së premtimit tuaj,  në të tilla kushte të jashtëzakonshme:

 

Thum-me teuel-lejtum-min  bea’di dhalik                           

Por edhe pas asaj (besës) ju (si zakonisht) ia kthyet shpinën (udhëzimeve të Zotit).

Pra, pas gjithë këtij premtimi të paharrueshëm që dhatë në ato situata të pashlyeshme nga kujtesa, ju refuzuat dhe kthyet shpinën. Kjo e bëri më se të meritueshme që, mbi ju, të bien më të mëdhatë ndëshkime.  Por megjithatë:

 

Fe  leu la fadlull-llahi alejkum ue rahmetuhu            

Po të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush,

 

Le kuntum-minel hasirin.                                                         

do të ishit prej të dëshpëruarve (në të dy jetët).

 

Thotë i Lartësuari:

 

Ue lakad  alimtumul-ledhinea' tedeu minkum        

fis-sebti                                                                                                   

Ju, tanimë, e keni të njohur çështjen e atyre nga mesi juaj

Të cilët nuk respektuan (urdhrin për) të shtunën.

Pra është shumë e njohur  për ju çështja  e atyre  që u sprovuan ditën e shtunë, historinë e të cilëve Allahu i lartësuar e ka sjellë gjerësisht dhe imtësisht të sqaruar në suren Earaf   163 – 168:

“Dhe pyeti ( o Muhamed) për fshatin që ishte në breg të detit dhe ata e shkelnin rendin e të shtunës (në të cilën  e kishin të ndaluar gjuajtjen e peshqve)! (Ata e thyenin urdhrin) Kur në të shtunën e tyre peshqit u vinin sheshazi mbi ujë, ndërsa në ditën që nuk festonin nuk u vinin. Kështu i sprovuam ata, sepse ata i kalonin kufijtë (në shkeljen e ligjeve të Zotit). Dhe kur një grup prej tyre thanë: “Përse e këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do ta dënojë me një dënim të ashpër?” Thanë (këshilluesit): “ Si arsyetim para Zotit tuaj dhe me shpresë që të ruhen (t’u largohen gabimeve)”. Por, kur ata e braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që ndalonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan (u treguan të padrejtë), i ndëshkuam me një dënim të ashpër, për shkak se ata ishin të shfrenuar. E kur ata e tejkaluan me arrogancë të hapët në atë që ishin të ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur. (Përkujto o i dërguar) kur Zoti Yt shpalli qartas se, mbi ta do të vendos, deri në ditën e Kiametit, sundimin e dikujt që ka për t'i ndëshkuar ata me ndëshkimin me të keq. Vërtet Zoti yt është ndëshkues i shpejtë dhe Ai pa dyshim është Falës, Mëshirues. Ne i shpërndamë ata nëpër tokë grupe-grupe. Prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i provuam me të mira dhe me të këqija, në mënyrë që të tërhiqen (nga rruga e keqe).”

Ky gabim i madh e bëri të meritueshëm që mbi  ta, pa përjashtim, të godasë ashpër zemërimi i Allahut të lartësuar, duke i shndërruar në majmunë (dhe në derra) të shëmtuar dhe të poshtëruar.

 

Fe kulna lehum kunu kiradeten hasi'in                          

Ne u thamë: "Shndërrohuni në majmunë të përbuzur" (për shkak të mosbindjes)!

Këtë ndëshkim,  Allahu i  lartësuar  ua  la  brezave të asaj kohe dhe të kohëve të mëvonshme si: (nekale)  si masë ndëshkuese  dhe si meuidha - përkujtim. E bëri këtë, që para Allahut të lartësuar, të mos ketë asnjë justifikim, në të tilla shkelje ligjesh dhe urdhrash. E la si kërcënim që njerëzit t'i largohen dhe t'i frikësohen seriozisht mosbindjes ndaj Tij. Allahu i sjell kërcënimet, edhe pse në fund të fundit,  ato nuk mund të jenë përkujtim i dobishëm veçse për të devotshmit (të druajturit, të frikësuarit, të ruajturit). Ndërsa të tjerët nuk përfitojnë aspak prej këtyre përkujtimeve dhe argumenteve të qarta kërcënuese. 

Thotë i Lartësuari:

 

Fe xhealnaha nekalel-lima bejne jedejha                     

Ue  ma halfeha ue meuaidhatel-lil mut-tekin.              

Atë (shndërrim të tyre) e bëmë, për të marrë mësim (e përvoje) ata që e përjetuan (me sy), dhe brezat pasardhës. Por (kjo vlen) edhe si këshillë për të devotshmit (për ata që ruhen).

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

24.04.2011

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com