All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 83 – 86

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit

83. (Përkujtoni)Kur Ne, morëm zotimin e bijve të Israilit (se do të zbatojnë urdhëresat). (I urdhëruam të) Mos adhuroni askënd përveç Allahut! Të silleni mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimeve, të varfërve! (Edhe) Njerëzve t'u thoni (gjithmonë) fjalë të mira (të vërtetën)!(I urdhëruam) Përkryeni namazin dhe jepni zekatin! Por, përveç një pakice prej jush, ju e thyet zotimin dhe ia kthyet shpinën (rrugës së drejtë).

84. (Përkujtoni)Kur morëm zotimin tuaj që të mos derdhni gjakun tuaj dhe të mos dëboni njeri-tjetrin nga vendi juaj! Ju i pranuat (këto kushte). Edhe ju (të sotmit) jeni dëshmitarë (të vërtetësisë së këtij pakti të të parëve tuaj).

85. Por, jeni pikërisht ju (që dhatë besën), që masakroni njëri-tjetrin. Ndërsa disa të tjerë (prej jush) i dëboni nga vendi i tyre, duke bashkëpunuar (me idhujtarët) kundër tyre (njëri-tjetrit) me poshtërsi dhe padrejtësi. Nëse ata bien robër tek ju, ju e pranoni kompensimin (e ofruar prej tyre) për (t’i liruar) ata (duke zbatuar kështu një urdhër të Teuratit).(Por, kur) Edhe dëbimi i tyre nga vendi është i ndaluar për ju (atëherë pse këtë nuk e zbatoni?!).A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni?! E çfarë ndëshkimi pritet për ata që bënë këtë (poshtërsi)?! Ata, veç poshtërimit në jetën e kësaj bote, në Ditën e Gjykimit do të flaken në dënimin më të ashpër.(Të jeni të sigurt se) Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.

86. (Të tillë)Janë ata të cilët e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër. Atyre, (kurrë), nuk do t’u lehtësohet dënimi, dhe (kurrë) nuk do të ndihmohen (për të shpëtuar prej tij).

Shpjegimi  i ajeteve

Në këto ajete Allahu i lartësuar sjell disa urdhëresa që në vetvete përmbajnë  themelet, bazat e kësaj feje. Këto baza kanë qenë gjithmonë të njëjta, të pa ndryshueshme për të  gjithë popujt dhe për të gjitha kohërat. Allahu i lartësuar, të gjithë profetët i ka urdhëruar  për ruajtjen të paprekshme dhe të pa ndryshueshme të këtyre bazave të besimit dhe të fesë. Këto baza gjithmonë kanë qenë garantuese të mirësive të përgjithshme të të gjithë njerëzimit në çdo vend dhe në çdo kohë. Këto baza kurrë nuk mund të tjetërsohen apo të anulohen nga baza të tjera të ndryshme nga këto.

 Për këtë arsye Allahu i lartësuar na urdhëron edhe në ajete të tjera si Nisa 36: "Adhuroni Allahun e mos adhuroni përveç Tij asgjë tjetër; silluni mirë ndaj prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve të afërt dhe të largët, atij që keni pranë, udhëtarit (që ka mbetur ngushtë) dhe ndaj atyre që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit  arrogantë dhe mburravecë."

Thotë i lartësuari El-En'am  151-153: "Thuaj: “Ejani t’ju lexoj atë që me të vërtetë jua ndaloi Zoti juaj: (Ai ju urdhëroi) të mos adhuroni përveç Tij asgjë, të silleni mirë me prindërit, të mos i vritni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë juve dhe ata; të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta; mos vrisni atë që Allahu e ka ndaluar, veçse me të drejtë. Këto janë porositë e Tij, që ju të mendoni thellë. Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrën më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit; dhe zotimin e dhënë Allahut plotësojeni. Këto janë porositë e Tij, që ju të përkujtoni. Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, që ju të ruheni.

Thotë  i lartësuari Isra 22-39: "E mos konsidero (të barabartë) me Allahun ndonjë zot tjetër (të trilluar), e të bëhesh i qortuar i papërkrahur. Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni asgjë  tjetër veç Tij dhe të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of - oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre! Po thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”. Zoti juaj e di më së miri atë që keni në shpirtin tuaj. Nëse jeni bamirës (keni qëllime të mira), vërtet, Ai ndaj atyre që pendohen është Falës. Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe udhëtarit (atij në kurbet), po mos shpenzo tepër e pa rrugë.

Pa dyshim, tepruesit (ata që shpenzojnë tepër dhe pa vend) janë vëllezër (në veprim) të djajve dhe djalli është mohues (dhe mosmirënjohës) i madh ndaj Zotit të Tij. Nëse detyrohesh t’ua kthesh shpinën atyre (të afërmve etj.), duke kërkuar mëshirën të cilën e shpreson nga Zoti yt (furnizim për t’i ndihmuar ata), atëherë thuaju atyre fjalë të mira (të lehta).  Dhe mos e mblidh dorën tënde të lidhur për qafe (mos u bëj koprrac), e as mos e shtrij atë në tërësi, e të mbetesh i qortuar dhe duarthatë (nga shpenzimi i tepruar dhe i kotë). S’ka dyshim se është Zoti yt Ai që furnizon me bollëk atë që do dhe ia kufizon atij që do. Ai, rreth robërve të vet është i gjithëdijshëm, gjithëshikues. Ju mos i vritni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve! Vrasja e tyre, me të vërtetë, është një mëkat i madh. Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë)! Vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe. Dhe mos e vrisni njeriun që Allahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç se me drejtësi (që e vendos dhe e kërkon sheriati). Kush vritet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë). Le të mos e kalojë kufirin në vrasje, sepse pa dyshim, ai është i ndihmuar (prej Zotit). Mos iu afroni pasurisë së jetimit veçse në mënyrën më të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet. Zbatojini premtimet tuaja (përmbajuni rigorozisht zbatimit të urdhrave dhe largimit nga  ndalesat), sepse për premtimin ka përgjegjësi. Masën mbusheni mirë kur matni (me enë) dhe peshoni me peshojë të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë. Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi. Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, sepse ti as nuk mund ta çash tokën as nuk mund ta arrish lartësinë e maleve. E keqja e të gjitha këtyre (e çdo gjëje që Zoti e ka ndaluar) është e urryer te Zoti yt. Këto janë pjesë nga urtësia që Zoti yt ta shpalli ty. Mos adhuro veç Allahut ndonjë zot tjetër dhe të hidhesh në xhehenem i qortuar dhe i larguar (i dëbuar nga mëshira e tij).

 

Ue idh ehadhna mithaka beni israile                          

(Përkujtoni)Kur Ne, morëm zotimin e bijve të Israilit (se do të zbatojnë urdhëresat).

Për shkak të ngurtësisë dhe ashpërsisë së zemrave të tyre, duhej që, për çdo dispozitë që u shpallej, për çdo urdhër që u drejtohej, t'u merrej fjala e nderit me përbetime të shumta se do të ishin të bindur. Vetëm nëpërmjet të tilla përbetimesh mund të shpresohej se do të zbatonin ndonjë urdhër, sepse zakonisht nuk e mbanin fjalën e dhënë dhe gjithmonë i thyenin urdhrat  dhe dispozitat.

E pra Allahu i madhëruar mori prej tyre fjalën e nderit dhe premtimin e tyre  që:

 

La tea’budune il-lall-llahe                                                          

(I urdhëruam të)Mos adhuroni askënd përveç Allahut!

Ky është një urdhër i qartë  për të adhuruar Allahun si një të vetëm dhe për të mos i bërë shirk. Pikërisht kjo përbën themelin, bazën  e fesë,  mbi të cilën  ndërtohen të gjitha punët. Asnjë punë nuk pranohet nëse nuk është ndërtuar mbi këtë bazë (njehsimin e Zotit në Adhurim). Kjo është e drejta  (haku) Madhështor që ka Allahu i lartësuar mbi krijesat e Tij. Pastaj i madhëruari përmend një detyrë tjetër dhe thotë:

 

Ue bil ualidejni ih'saneu                                                                

Të silleni mirë ndaj prindërve,

 

Ue dhil kurba uel jetama uel mesakini                    

ndaj të afërmve, jetimeve, të varfërve!

Ky është një urdhër  për të gjitha llojet e ihsanit (bamirësisë). Pra ne jemi të urdhëruar t'u bëjmë atyre bamirësi në të gjitha mënyrat, me fjalë dhe me vepra, punë. Ky ajet gjithashtu na ndalon edhe nga e  kundërta e ihsanit (bamirësisë) që është keqtrajtimi dhe shkaktimi i mërzitjes e mundimit. Me fjalë të tjera ky ajet :

1. Na urdhëron që, ndaj prindërve  të jemi bamirës.

2. Na ndalon që ndaj prindërve të mos bëjmë bamirësi . E për më tepër :

3. Na ndalon që ndaj tyre të shkaktojmë mundim. Sepse urdhri për diçka të caktuar presupozon gjithashtu edhe ndalimin nga e kundërta e saj. Dhe dihet që, të kryerit e bamirësisë ka dy të kundërta, të cilat janë:

1. Kryerja e të këqijave dhe keqtrajtimi.

2. Mosbërja bamirësi edhe nëse nuk i keqtrajtojmë.

E para ështëkrim shumë i madh, ndërsa e dyta është pa dyshim e ndaluar, është haram.  Por, sigurisht, që këto dy gabime nuk kanë të njëjtën gradë.

Të njëjtën gjë themi edhe rreth mbajtjes se lidhjeve me të afërmit, me jetimët dhe me të varfrit. Bamirësia, kurrë nuk mund të qartësohet duke numëruar mënyrat e bërjes  mirë ndaj atyre grupeve të përmendura. Bamirësia është njëemër gjithëpërfshirës i fjalëve dhe veprave që kënaqin ato grupe që u përmendën dhe janë në dobi të tyre.

Pastaj Allahu i madhëruar na urdhëron që të jemi bamirës ndaj të gjithë njerëzve. Thotë i madhëruari:

 

Ue kulu lin-nasi husneu                                                           

(Edhe)Njerëzve t'u thoni (gjithmonë) fjalë të mira (te vërtetën)

Fjalë e mirë konsiderohet edhe të  urdhëruarit e njerëzve për punë e fjalë të mira dhe të ndaluarit e tyre nga punët dhe fjalët e këqija. Fjalë e mirë konsiderohet edhe mësimi i dijes, përhapja e selamit (paqes), buzëqeshja etj., etj., nga këto vepra e fjalë të mira.

Duke qenë se njeriu kurrë nuk mund ta përballojë që të jetë bamirës ndaj të gjithë njerëzve me pasurinë e tij, Allahu i lartësuar e urdhëroi atë që të tregohet bamirës ndaj tyre, me diçka të përballueshme nga çdokush. E urdhëroi atë që të tregohet bamirës ndaj çdo krijese me fjalët dhe sjelljet e tij .

Sipas rregullit të përmendur më sipër (që, urdhri për diçka  konsiderohet si ndalese nga e kundërta e saj), ky ajet na ndalon nga përdorimi i çdo fjale të shëmtuar dhe të keqe. Madje kjo ndalesë është e përgjithshme. Ne jemi të ndaluar nga çdo fjalë e keqe dhe e shëmtuar qoftë, edhe kundër qafirëve apo në adresë të tyre. Për këtë arsye Allahu i lartësuar në një ajet tjetër në Kuran na mëson dhe thotë: "Dhe të mos polemizoni me ata që u  është dhënë libri (para jush) veçse në mënyrën më të mirë."  Ankebut, 46.  

Prej edukatës dhe moralit të lartë dhe të shkëlqyer njerëzor me të cilin i ka urdhëruar Allahu adhuruesit e Tij, është edhe fakti që ai i urdhëron ata që të jenë të kontrolluar dhe të kujdesshëm në çdo aspekt. Në fjalët dhe në veprat e tyre. Ai i urdhëron adhuruesit e tij që kurrë të mos jenë të vrazhdë, fyes apo ofendues. Kurrë të mos polemizojnë turpshëm dhe në mënyrë të shëmtuar. Por duhet të jenë simbol i moralit të lartë dhe të shkëlqyer. I ka urdhëruar të jenë të butë, të mëshirshëm, të gjerë dhe tolerantë. Të jenë të mirësjellshëm dhe respektues ndaj çdokujt. Ata duhet të jenë më durimtarët dhe më të vetëpërmbajturit gjatë ballafaqimit me fyerjet dhe mundimet që njerëzit (zakonisht) përplasin kundër tyre. Dhe këtë duhet ta bëjnë duke llogaritur, shpresuar shpërblimin e Allahut të lartësuar dhe në shenjë  impenjimi që të çojnë në vend urdhrin e Tij.

Pastaj Allahu i lartësuar i urdhëron  ata për dy gjëra:

 

Ue akimus-salate ue atuz-zekate                                      

(I urdhëruam)Përkryeni namazin dhe jepni zekatin!     

Sikurse e kemi përmendur më  përpara, që kryerja e namazit simbolizon dhe kultivon sinqeritetin  ndaj të Adhuruarit (Allahut të vetëm dhe të pa shoq),  ndërsa dhënia e zekatit është mishërim dhe kultivim i ndjenjës së  bamirësisë ndaj krijesave, (me fjalë dhe me vepra)  (Shih tek ajeti 2-4 Bekare) .

Kush vështron në këto urdhra dhe ndalesa madhështore kupton shumë natyrshëm se Allahu i lartësuar paraqet shumë qartë, bamirësinë dhe mëshirën e Tij ndaj atyre të cilët i urdhëron  dhe i ndalon  rreth këtyre çështjeve të rëndësishme. Kjo mëshirë bëhet edhe më e dukshme edhe  më e ndjeshme në çastin kur, Allahu i lartësuar, për t'i  bërë njerëzit më të përgjegjshëm  dhe më këmbëngulës në  zbatimin e këtyre dispozitave të dobishme  për ta, u merr fjalën e nderit dhe i detyron të përbetohen për zbatimin e tyre.

E me gjithë këto bamirësi të pamohueshme dhe të shkëlqyera, kush ishte qëndrimi që mbajtën  paraardhësit e jehudëve të sotëm? 

 Thotë i lartësuari:

 

Thum-me  teuel-lejtum                                                                        

Por, ju e thyet zotimin,

Fjala  (Teuel-lejtum - i kthyet shpinën)  të jep të kuptosh se ky prapësim u bë në një mënyrë që të jepte të kuptosh  se, nuk e kishin më dëshirën për t'u rikthyer në besimin dhe në rrugën e drejtë.  Sepse mes atyre që devijojnë  dhe humbasin rrugën e drejtë,  ka edhe nga ata që e dëshirojnë kthimin në të dhe afrimin tek Allahu i lartësuar. Ndërsa këta, u larguan që kurrë të mos ktheheshin. E lus Allahun e lartësuar  të na ruajë nga të tilla shkatërrime  dhe dëshpërime te pa përballueshme.

Nga këto fjali, dikush mund të kuptojë që askush  prej tyre nuk qëndroi në rrugën e drejtë, dhe nuk ndoqi udhëzimin. Por Allahu i lartësuar na lajmëron se mes tyre kishte edhe "burra" që qëndruan  si malet, të pa tundur në rrugën e drejtë. Edhe pse pak,  por ekzistonin. Thotë i lartësuari:

 

il-la kalilem-minkum                                                                       

përveç një pakice prej jush,

 

Ue entum mu'ridun                                                                                                                                            

dhe ia kthyet shpinën (rrugës së drejtë).

Pra , përveç një pakice të cilët i ruajti Allahu i lartësuar,  të tjerët humbën rrugën dhe u dëshpëruan.

Ne ajetet e mëposhtme Allahu i madhëruar na njofton për veprimet e ulta të jehudëve që jetonin në Medine gjatë kohës së Muhamedit alejhi selam. Në Medine, para Islamit, jetonin dy fise të mëdha arabe Eusi dhe Hazrexhi.  Ata ishin ende në shirk. Mes tyre zhvilloheshin luftra të mëdha. Mes tyre, mbërritën në Medine edhe tre fise jehudësh. Benu Kurejdha, Benu Nadir, dhe Benu Kajnuka. Secili nga këta tre grupe jehudësh bëri për aleat një grup prej arabëve të Medinës. Në këtë mënyrë, nëse ndodhte luftë mes fiseve arabe, edhe  jehudet merrnin pjesë nën flamurin e aleatëve përkatës. Në mënyrë të pa shmangshme do të vriste jehudi-jehudin dhe do ta dëbonte a grabiste, nëse ndodhnin të tilla përfundime.   Pastaj, pas lufte, nëse grupet kishin kapur robër lufte, i shkëmbenin me njëri- tjetrin.

Ata, në ligjin e tyre ishin të urdhëruar  që të mos derdhin gjakun e njëri-tjetrit, të mos e dëbonin njëri-tjetrin  prej shtëpive të tyre dhe nëse mes tyre kishte robër,  të nxitonin që t'i kompensonin  dhe t'i lironin robërit jehudë.

Thotë i madhëruari:

 

ue idh ehadhna mithakakum                                                    

(Përkujtoni)Kur morëm zotimin tuaj

 

la tesfikune dimaekum                                                               

që të mos derdhni gjakun tuaj,

 

ue la tuhrixhune enfusekum-min dijarikum           

dhe të mos dëboni njeri-tjetrin nga vendi juaj!

 

thum-me ekrartum ue entum teshhedun                         

Ju i pranuat (këto kushte). Edhe ju (të sotmit) jeni dëshmitarë (të vërtetësisë së këtij pakti të të parëve tuaj).

Por ata, në vend  që t'i zbatonin këto rregulla të vendosura nga Allahu i lartësuar mes tyre, i shkelen ato  pa hezituar.  Ata i  shkelen  dy urdhrat e para dhe e zbatuan të tretën. 

Thotë i lartësuari:

 

Thum-me entum haulai tektulune enfusekum         

Por, jeni pikërisht ju (që dhatë besën), që masakroni njëri-tjetrin.

 

Ue tuhrixhune ferikam-minkum-min dijarihim      

Ndërsa disa të tjerë (prej jush) i dëboni nga vendi i tyre,

 

Tedhaherune alejhim  bil  ithmi uel uduani             

duke bashkëpunuar (me idhujtarët) kundër tyre (njëri-tjetrit) me poshtërsi dhe padrejtësi.

 

Ue ij-je'tukum usara tufaduhum                                       

Nëse ata bien robër tek ju, ju e pranoni kompensimin (e ofruar prej tyre) për (t’i liruar) ata (duke zbatuar kështu një urdhër të Teuratit).

 

Ue hue muhar-ramun alejkum ihraxhuhum                

(Por, kur)Edhe dëbimi i tyre nga vendi është i ndaluar për ju (atëherë pse këtë nuk e zbatoni?!)

Pra ata e morën në konsideratëçështjen e kompensimit të robërve, ndërsa vrasjen dhe dëbimin prej shtëpive  e kryen paturpësisht. Por, Allahu i lartësuar  i qorton ashpër për këtë veprim të shëmtuar, të nxitur nga besimi i tyre i mangët (i dobët).

Thotë i madhëruari:

 

E fe tu'minune bi bea’dil kitabi                                         

ue tekfurune bi bea’d                                                                  

A e besoni një pjesë të librit,

e tjetrën e mohoni?!.

A po e besoni (dhe po e zbatoni) një pjesë të librit (kompensimin e robërve) dhe  pjesën tjetër  po e mohoni ?! ( vrasjen dëbimin  dhe plaçkitjen)

Ky ajet tregon, apo presupozon, të vepruarit e urdhrave dhe të larguarit prej ndalesave. Të  urdhëruarat janë pjesë e imanit. Pastaj i madhëruari na njofton se kush është shpërblimi i atyre që kryejnë të tilla  vepra  (pra që besojnë  një pjesë  të librit dhe e mohojnë një pjesë tjetër të tij)

Thotë i  madhëruari:

 

Fe ma xhezau mej-jefalu dhalike minkum                   

E çfarë ndëshkimi pritet për ata që bënë këtë (poshtërsi)?!

 

il-la hizjun fi hajatid-dun'ja                                              

veç poshtërim në jetën e kësaj bote,

Dhe vërtet, ashtu ndodhi. Allahu i lartësuar i poshtëroi që në këtë jetë. Nëpërmjet profetit të Tij, i vrau, ata që merituan vrasjen, i robëroi, ata që merituan robërinë dhe i dëboi prej vendeve  të tyre, ata që e merituan këtë . Ky ishte poshtërimi në jetën e dynjasë.

 

Ue jeumel kijameti                                                                            

në Ditën e Gjykimit

 

jurad-dune ila eshed-dil adhab                                              

do të flaken në dënimin më të ashpër.

 

Ue mell-llahu bi gafilin am-ma tea’melun.                                                       

(Të jeni të sigurt se)Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju.

Ditën e gjykimit  do të  përjetojnë ndëshkimin më të madh (eshed-del adhab - më të ashprin, më të madhin ndëshkim) .

Pastaj  i lartësuari na njofton për shkakun, që nxiti tek ata besimin në një pjesë të librit dhe mohimin e pjesës tjetër të tij . 

  Thotë i Urti :

 

Ulaikel-ledhinesh-shteraul                                                     

hajated-dunja bil ahirati                                                            

(Të tillë)Janë ata të cilët e vlerësuan

jetën e kësaj bote mbi botën tjetër.

Ata mohuan sepse, nëse nuk do të shkonin në ndihmë të aleatëve të tyre arabë, kundër vëllezërve të tyre jehudë, do të turpëroheshin para njerëzve. Pra, zgjodhën si më të pranueshme, që të thyejnë urdhrin e Zotit dhe të vrasin njëri- tjetrin,  për shkak të turpit prej njerëzve. Por çfarë fituan me këtë?

 Thotë i drejti:

 

Fe la juhaf-fefu anhumul adhabu                                        

Atyre, (kurrë), nuk do t’u lehtësohet dënimi,

 

Ue la hum junsarun                                                                       

dhe (kurrë) nuk do të ndihmohen (për të shpëtuar prej tij).

Pra, kurrë nuk do të gjejnë prehje dhe shpëtim prej dënimit të ashpër në  zjarrin e xhehenemit. Ai do të mbesë  i vazhdueshëm në  ashpërsinë  e tij dhe qetësia do të mbetet një emër i harruar për ta. Askush nuk do t'i ndihmojë për të shpëtuar nga kjo bela ku u zhyten.

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

13.08.2013

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com