All for Joomla All for Webmasters

TEFSIRI I SURES EL BEKARE – AJETET 97 – 99

. Posted in Tefsir - Suretu El Bekare.

Pin It

 

97.       Thuaj: “Kush është armik i Xhibrilit (le të vdesë prej marazit),(sepse është pikërisht ai)  që me urdhrin e Allahut e zbriti Kuranin në zemrën tënde, si vërtetues të asaj që u shpall para tij dhe si udhëzues e përgëzues për besimtarët”.

98.       Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit (ai është mosbesimtar), Allahu, pa dyshim, është armik i mosbesimtarëve.

99.       Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) argumente të qarta, të cilat nuk i mohon askush, përveç fasikinëve (atyre që kalojnë kufijtë e përcaktuara nga Zoti nëpërmjet profetëve).

 

Shpjegimi  i ajeteve

 

ķul men kâne adu-uel-li xhibrîle                                         قُلْ مَن كَانَ عَدُوًّا لِّجِبْرِيلَ

Thuaj: “Kush është armik i Xhibrilit (le të vdesë prej marazit)

 

Fe in-nehû nez-zelehû alâ ķalbike                                             فَإِنَّهُ نَزَّلَهُ عَلَى قَلْبِكَ

Bi idhnil-lâhi                                                                                                  بِإِذْنِ اللّهِ

(sepse është pikërishtai)  që e zbriti Kuranin në zemrën tënde,

me urdhrin e Allahut

 

     Pra, thuaju këtyre një fakt (këta janë jehudët) të cilët  pretenduan se shkaku që i pengonte ata të besojnë, është pikërisht afërsia dhe miqësia jote me engjëllin Xhibril a.s. Ata pretenduan se po të ishte dikush  tjetër prej melaikeve të Allahut, do të të besonin ty dhe do të miratonin shpalljen që t'u zbrit ty. Thuaju atyre se, ky është thjesht  pretendim dhe një kontradiktë juaja e radhës. Është thjesht një justifikim bosh i juaji, është një shprehje mendjemadhësie e paturpshme e juaja ndaj Allahut. Sepse ju e dini shumë mirë se është Xhibrili a.s, ai, nëpërmjet të cilit Allahu i lartësuar, ia zbriti Kuranin Muhamedit (alejhi selam)  dhe e brymosi  në zemrën e tij . Është Xhibrili a.s që ka zbritur me shpalljet tek të gjithë profetët para teje. Pra, ai nuk është tjetër veçse  një i ngarkuar me mision prej Allahut të madhëruar, është thjesht një i dërguar dhe i urdhëruar prej Zotit tek profetët.

Të mos harrojmë, gjithashtu, se ky libër të cilin, së fundmi, Xhibrili a.s e solli prej Allahut të  lartësuar tek profeti i fundit, është miratues, vërtetues dhe në përputhje të plotë me shpalljet e tjera të sjella tek njeriu po nëpërmjet tij, sepse ai nuk sjell tek njerëzit  veçse atë që ka lejuar dhe urdhëruar Zoti i tij dhe i njerëzve, Allahu i lartësuar.

 

 Thotë i madhëruari:

 

muŝad-diķal-limâ bejne jedejhi                                                 مُصَدِّقاً لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ

si vërtetues të asaj që u shpall para tij

 

     Pra, këtë Kuran Xhibrili a.s e solli në zemrën tënde me lejen e Allahut  të lartësuar që të jetë vërtetues, garantues, saktësues i shpalljeve  të mëparshme. Në këtë  shpallje nuk mund dhe nuk duhet të ketë asnjë kundërshtim apo kontradiktë.

Por jo vetëm kaq :

 

Ue hudeu-ue bushrâ lil mu'minîn                                       وَهُدًى وَبُشْرَى لِلْمُؤْمِنِينَ

dhe si udhëzues e përgëzues për besimtarët”

 

     Ky libër është udhëzues dhe tregues i rrugës së shpëtimit prej të gjitha llojeve të devijimit dhe përhumbjes. Ai përmban udhëzimin e plotë, të mjaftueshëm  për të shpëtuar dhe për t'u ruajtur nga rrugët e humbjes dhe të shkatërrimit. Ky është kuptimi i të qenurit të kësaj shpalljeje të sjellë nga Allahu i lartësuar nëpërmjet Xhibrilit a.s. (Hudâ - udhëzim). Gjithashtu,  kjo  shpallje të cilën e refuzoni është (Bushrâ - përgëzim) është një lajm i mirë, i gëzueshëm, lumturisjellës, rreth mirësive që i presin pasuesit dhe besimtarët e tij, në të dyja jetët. Ky libër është  përgëzim  për besimtarët në jetën e dynjasë dhe në jetën e pa fund, për të mirat që i presin.

    Atëherë, çfarë  kuptimi ka armiqësia me një të dërguar të Allahut, me një melek, i cili sjell të tilla mirësi prej Allahut të lartësuar dhe Mëshirues? A nuk tregon kjo, në  të  vërtetë, armiqësi dhe rebelim kundrejt vetë Zotit të  botëve, i Cili e dërgoi atë? A nuk tregon kjo, mohim dhe refuzim të paskrupullt dhe të padrejtë të argumenteve dhe udhëzimeve të Tij?

Nëse armiqësia ndaj Allahut, ndaj profetëve dhe ndaj librave (shpalljeve) të Tij do të kishte një përshkrim ekzakt, ky do të ishte përshkrimi më i qartë i saj. Allahu i përshkruan ata që patën të tilla pretendime e justifikime si (kâfirîn - mohues të  tij) dhe deklaron gjithashtu se Ai është armiku i tyre.

 

Thotë i lartësuari:

 

Men kâne adu-uel-lil-lâhi ue melãiketihî                    مَن كَانَ عَدُوًّا لِّلّهِ وَمَلآئِكَتِهِ

Ue rusulihî ue  Xhibrîle ue Mîkâle                                       وَرُسُلِهِ وَجِبْرِيلَ وَمِيكَالَ

Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij,

i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit (ai është mosbesimtar)

 

Fe in-nell-llâhe adu-ul-lil kâfirîn.                                        فَإِنَّ اللّهَ عَدُوٌّ لِّلْكَافِرِينَ                                    

Allahu, pa dyshim, është armik i mosbesimtarëve.

 

E si  të mos i konsiderojë armiq ata të cilët kur pretendojnë armiqësinë dhe urrejtjen e tyre ndaj Xhibrilit a.s, në të vërtetë ata urrejnë Allahun, dërguesin e Xhibrilit? Në këtë mënyrë ata urrejnë të gjithë melaiket e tjerë, profetët dhe shpalljet e tyre?

A nuk e meritojnë këta të quhen (kâfirûn - mohues)?

    E me gjithë këto pretendime të kota të tyre,  Allahu i lartësuar pohon diçka shumë të  mrekullueshme për këtë Kuran, edhe pse ata nuk  i kënaq një gjë e tillë.

 

Ue laķad enzelnã ilejke âjâtin bej-jinât                           وَلَقَدْ أَنزَلْنَا إِلَيْكَ آيَاتٍ بَيِّنَاتٍ

Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) argumente të qarta

 

Ky Kuran do të jetë udhëzim për atë që e kërkon  udhëzimin  prej tij.  Ndërsa për ata që i kthejnë shpinën ky do të jetë dëshpërim sepse me sqarimet dhe qartësimet e tij, ata nuk do të kenë asnjë justifikim para të madhëruarit. 

Ata nuk do të kenë asnjë justifikim, sepse ky Kuran është aq i qartë, aq i kthjellët, aq i sigurt në gjithçka që lajmëron, që urdhëron, që ndalon, që ligjëron, sa që nuk mund të lihet në harresë dhe të neglizhohet nga askush.

 

Thotë i lartësuari:

 

Ue mâ jekfuru bihã il-lel fâsiķûn.                                      وَمَا يَكْفُرُ بِهَا إِلاَّ الْفَاسِقُونَ                                   

të cilat nuk i mohon askush, përveç fasikinëve (atyre që kalojnë kufijtë e përcaktuara nga Zoti nëpërmjet profetëve).

Pra, atë nuk e mohon askush përveç atyre që kanë dalë jashtë kontrollit të vetvetes, kanë dalë jashtë kufijve  të Allahut. Ata që shpërfillin bindjen ndaj të madhëruarit dhe janë të zhytur në mendjemadhësinë dhe rebelizmin e tyre (të pa kuptueshëm).  

 

Tefsir i Abdurrahman Es-Sa'dij

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com 

15.02.2015

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com