All for Joomla All for Webmasters

ÇFARË PËRFITOJMË PREJ FJALËS ER-RAHMANI ER-RAHIM

. Posted in Tefsir - Suretu El Fatiha.

Pin It

 

Sikurse e kemi përmendur, adhurimi është ngritur mbi tri shtylla kryesore: dashuria për Allahun, shpresa për shpërblimin e Tij dhe frika nga ndëshkimi i Tij. Dashuria përftohet nga hamdi. Hamdi buron nga dashuria për Allahun. Ndërsa kur lexon fjalën Er-Rahmani Er-Rahim, robi mbushet me shpresë e qetësi duke pritur mëshirën e Zotit të tij. Thotë i Lartësuari: "A nuk është më i mirë ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Por, vetëm të mençurit marrin mësim." Zumer 9.

Besimtari në jetën e kësaj dynjaje duhet të jetojë mes frikës dhe shpresës. Njeriu është i mbushur dhe gatuar me prirje të shumta. Ai është i ngarkuar me instikte, epshe, dëshira. Është i prirur drejt pakujdesisë, padrejtësisë, injorancës. Të gjithë bijtë e Ademit janë gjynahqarë, por më të mirët e gjynahqarëve janë ata që pendohen. Prandaj i Lartësuari thotë: "Është Ai që pranon pendimin e adhuruesve të Tij, që i fshin gjynahet dhe që e di se çfarë punoni." El shura 25. Thotë Profeti alejhi selam në hadith: "Allahu e shtrin Dorën e Tij gjatë natës që të pranojë pendimin e gabimtarëve të ditës dhe e shtrin Dorën e Tij ditën që të pendohen gabimtarët e natës".

Porta e xhennetit është e hapur dhe Allahu i Lartësuar ia pranon pendimin robit të tij përderisa ka akoma jetë dhe nuk ka parë melekun e vdekjes, apo siç thuhet në një transmetim: përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt .

Ne jemi krijesa të dobëta dhe xhenneti e zjarri nuk janë në duart tona. Ato janë në dorë të Zotit. Prandaj neve nuk na lejohet të dëshmojmë për dikë që është në xhennet apo në zjarr, vetëm nëse kemi tekst nga sheriati për këtë. Disa njerëz i kalojnë kufijtë dhe i dalin përpara Zotit të Madhërishëm, duke thënë pa argument filani është në zjarr, ky është në xhennet, këtij i pranohet pendimi e atij jo, atë nuk e mëshiron Zoti, atij nuk i pranohet namazi, etj. Transmetohet nga profeti alejhi selam që tregon për një burrë gjynahqar kur pranë tij kalon një besimtar adhurues. Ky adhurues kur pa se gjynahqari po shfaqte një lloj pendimi tha: Uallahi, këtij nuk ka për t’ia falur Allahu. Por Allahu i Madhëruar i shpalli Profetit të asaj kohe: "Thuaj atij: "Kush është ai që del mbi fjalën Time?" Unë ia kam falur gjynahqarit dhe i kam fshirë të gjitha punët e tij." . Kështu pra nuk lejohet të dalësh mbi fjalën e Zotit dhe as të bëhesh gjykatës mes njerëzve.

Uthman Agolli

Burimi Jetes

08.12.2015

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com