All for Joomla All for Webmasters

SURJA EL FATIHA

. Posted in Tefsir - Suretu El Fatiha.

Pin It

Eudhu bil-lahi minesh-shejtanir-raxhim

 

Sure Mekije

***

1.     Me emrin e Allahut të Mëshirshmit, Mëshiruesit.

2.     Lavdia i takon plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve.

3.     Të Mëshirshmit, Mëshiruesit.

4.     Sunduesit të ditës së gjykimit.

5.     Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.

6.     Na udhëzo ne rrugën e drejtë.

7.     Në rrugën e atyre të cilët i begatove,

     jo në rrugën e atyre që merituan Zemërimin dhe as në rrugën e të humburve.

 

Shpjegimi  i ajeteve

 

Bismil-lahi.

Me emrin e Allahut.   

 

Pra filloj (leximin e Kuranit) me përmendjen dhe përkujtimin e të gjitha emrave të Allahut (duke shpresuar begatitë dhe mirësitë e shumta që të sjellë ky përkujtim).

Themi: me të gjitha emrat e Allahut sepse fjala emër (ism) اسم, edhe pse është në numrin njëjës, duke qenë se bën pjesë në grupin emëror “pronë-pronar”, sipas rregullave gramatikore të arabishtes, ai është përfshirës i të gjitha emrave të Allahut.

Pra grupi emëror:بسم الله  “Me emrin e Allahut” në  arabisht do të thotë: ”Me të gjitha emrat e Allahut.

 

Allah.   

Allahuështë i adhuruari. Është Ai, i vetmi që meriton të veçohet duke e adhuruar. Është Unik në të  merituarit e adhurimit, për shkak të cilësive hyjnore  me të cilat është i cilësuar, cilësi këto që tregojnë se Ai është i përkryer dhe madhështor në çdo aspekt.

 

Er-rahmanir-rahim.

Të Mëshirshmit, Mëshiruesit.

 

Këto janë dy emra  që tregojnë se Allahu i lartësuar është posedues i mëshirës së gjerë, të madhe, e cila  ka përfshirë çdo gjë, ka prekur çdo gjallesë. Mëshirë të cilën në formën e saj të plotë e ka posaçëruar vetëm për të devotshmit (mutekinët), pasuesit e denjë të të dërguarve dhe profetëve të Tij. Vetëm këta do t’i përfshijë mëshira e Tij absolute (e plotë)   مطلقة(muţlaķa). Ndërsa të tjerët nuk do të shijojnë veçse një pjesë të saj.

 

Mësoje se ndër rregullat themelore konsensuale mes dijetarëve të parë (selef) dhe imamëve të drejtë është:  Besimi i drejtë në fushën  e  emrave dhe cilësive të Allahut të lartësuar, si dhe të dispozitave që lidhen me ato. Kështu p.sh.: besojnë që:

Allahu i lartësuar  është:

1.     (Er-rahmanu Er-rahim)  الرحمن الرحيم   I Mëshirshëm, Mëshirues.

2.     Është posedues i kësaj mëshire me të cilën është emërtuar dhe cilësuar (pra nuk është një emër pa kuptim).

3.     Besojnë që kjo mëshirë lë gjurmë dhe është ndikuese tek të tjerët. (Pra është një aftësi vepruese e gjurmëlënëse.)

 

Kështu pra, të gjitha mirësitë, pa përjashtim, janë gjurmë të mëshirës së Tij, janë rezultat i kësaj mëshire gjurmëlënëse. Kështu besojnë në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij.

 

Të njëjtën gjë themi për emrin:( Alim) عليم I Ditur.

1.     Ai është i Dijshmi.

2.     Posedon dije (pra nuk është thjesht një emër pa domethënie).

3.     Me anë të kësaj dije është i gjithëditur për gjithçka, di gjithçka.

 

(Kadir ) قدير I  Plotfuqishëm.

1.     Është i Plotfuqishmi.

2.     Posedon pushtetin për të bërë gjithçka.

3.     Me këtë pushtet ndikon dhe lë gjurmët që dëshiron mbi gjithçka dhe arrin gjithçka që dëshiron.

 

El hamdu lil-lahi.

Lavdia i takon vetëm Allahut.

 

(El hamdu)  الحمد- është lavdërimi i Allahut të lartësuar për shkak të cilësive të përkryera dhe të veprave të Tij të mrekullueshme, të cilat karakterizohen dhe e kanë pikënisjen nga drejtësia dhe bamirësia e Tij. Pra, vetëm Atij  i takon lavdia e plotë në të gjitha këndvështrimet.

 

Rab-bil alemin.  

Zotit të botëve.

 

(Er-rabbالرب- është Kujdestari që kujdeset  për të gjithë botët (alemine)  العالمينfillimisht duke i krijuar ato, pastaj duke u krijuar atyre  të gjitha kushtet  e nevojshme për ekzistencën e tyre. Përkujdeset duke i furnizuar ata me ato mirësi të mëdha, të cilat nëse nuk do të ishin, nuk do të mund të ekzistonin fillimisht, apo të vazhdonin ekzistencën (në vazhdimësi)(Krijesat) Nuk shijojnë ndonjë mirësi që të mos e ketë pikënisjen prej Allahut (Mëshiruesit të lartë e të lavdëruar).

 

Përkujdesja e Allahut të lavdëruar për krijesat e Tij është dy llojesh:

1.     Terbijetun  am-meh .  تربية عامة- Përkujdesje e përgjithshme;

2.     Terbijetun  has-sah  -   تربية خاصةPërkujdesje e posaçme.

- Përkujdesja e përgjithshme konsiston në krijimin  e krijesave dhe të furnizimit të tyre, si dhe në udhëzimin e tyre në ato gjëra te dobishme, nëpërmjet të cilave  rregullohet vazhdimësia e tyre në këtë jetë (dynja).

- Ndërsa përkujdesja e posaçme, sikurse e ka edhe emrin, është specifike vetëm për të zgjedhurit, për të dashurit e Tij. Ai përkujdeset që t’i edukojë dhe t’i brumosë ata me besim (iman). U jep sukses që ta arrijnë imanin dhe gjithmonë synon  që t’ua përsosë  atë.  Përkujdeset që gjithmonë të mbajë larg, gjithçka që qëndron mes tyre dhe imanit dhe që i pengon ata  për ta arritur atë. Me fjalë të tjera, kjo është përkujdesja për dhënien sukses në arritjen e çdo të mire dhe në largimin (e ruajtjen) nga çdo e keqe.

 

Ndoshta është pikërisht kjo, arsyeja  e fshehtë, që shumica e lutjeve të drejtuara Allahut të lartësuar nga profetët, është bërë duke përmendur emrin e Tij (Rabb)الرب Zot (Kujdestar, Krijues, Furnizues, Administrues). Sepse të gjitha kërkesat e tyre  kanë të bëjnë me Rububijen, përkujdesjen e Tij të posaçme.

 

Nga sa u tha më sipër, kuptohet që fjala e Allahut (Rab-bul alemine) رب العالمين Zoti ibotëve,  vërteton faktin që Allahu  i lartësuar është Unik, Absolut, në aspektin e Krijimit, Administrimit  dhe bamirësisë ndaj krijesave të Tij. Ai është Unik, Absolut në panevojshmërinë e Tij ndaj të tjerëve, ndërkohë që të tjerët  janë pafundësisht të varfër dhe nevojtarë,  të nevojshëm ndaj Tij nga çdo aspekt dhe konsideratë.

 

Maliki jeumid-din.

Sunduesit të ditës së gjykimit.

 

 (El-malik) المالكMbretëruesi, Sunduesi, Poseduesi.

(El-malik) është i cilësuari me cilësinë e mbretërimit (sundimit), cilësi kjo, e cila  i jep të drejtën për të urdhëruar dhe për të ndaluar, për të shpërblyer dhe  për të ndëshkuar, për të vepruar mbi të nënshtruarit, mbi mbretërinë dhe pasurinë e Tij, në të gjitha aspektet dhe përmasat që i lejon mbretërimi dhe pushteti i Tij absolut.

 

Maliki jeumid-dinSunduesit të ditës së gjykimit.

Allahu i madhëruarnë këtë fjalë,ka përmendur pushtetin, sundimin dhe mbretërimin e Tij në ditën e gjykimit, e cila është dita e kiametit, dita në të cilën njerëzit do të shpërblehen sipas asaj që kanë paraqitur, të mirë apo të keqe. Ai e përmendi pushtetin e Tij në ditën e gjykimit, sepse atë ditë, krijesave do t’u shfaqet i kthjellet dhe i pastër, pushteti, mbretërimi, sundimi i Allahut. Atë ditë, ato (krijesat) do ta shohin të plotë  dhe të kthjellët, mbretërimin, drejtësinë dhe urtësinë e Krijuesit. Atë ditë do të zhduket ç’do lloj pushteti e mbretërimi  nga duart e krijesave dhe i gjithë pushteti do të jetë qartësisht në Dorë të  Krijuesit,  edhe pse kështu ka qenë gjithmonë dhe Ai ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë, Sunduesi dhe  Mbretëruesi  i ditës së gjykimit  dhe i të gjitha ditëve të tjera.

 

Atë ditë, përpara Tij, do të jenë të barabartë mbretërit dhe ata poshtë tyre, skllevërit dhe të lirët. Të gjithë do të jenë të përulur, të nënshtruar ndaj madhështisë së Tij, syulur para Krenarisë së Tij. Të gjithë do të jenë në pritje të gjykimit të Tij, duke shpresuar shpërblimin (mëshirën) e Tij, të frikësuar nga ndëshkimi (zemërimi) i Tij.

 

Ij-jake nea’budu ue ij-jake  nesteain.       

Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm  tek Ti mbështetje (ndihmë)kërkojmë.

 

Pra, të posaçërojmë vetëm Ty në përkushtimin e adhurimeve  dhe për kërkimin e ndihmës, mbështetjes, mbrojtjes. Kjo kuptohet në këtë mënyrë, sepse në fjalinë “Ty të adhurojmë dhe tek Ti mbështetemi” përemri vetor Ty dhe Ti  janë vendosur në renditjen e fjalisë, përpara foljes (kallëzuesit) dhe kjo e vë theksin tek përemri  dhe e posaçëron atë duke i dhënë fjalisë këtë kuptim:

 

Ty të adhurojmë       =   Vetëm Ty të adhurojmë.

Tek ti mbështetemi   =   Vetëm Tek Ti mbështetemi.

 

Pra, vetëm Ty (o Allah) të adhurojmë dhe nuk adhurojmë askënd tjetër veç Teje. Mbështetjen dhe ndihmën  e kërkojmë veç tek Ti, tek askush tjetër.

 

Në këtë ajet ka përmendur adhurimin, përpara mbështetjes dhe kërkimit të ndihmës, edhe pse mbështetja dhe kërkimi i ndihmës është një adhurim në vetvete. Pra, ka përmendur atë çka është përfshirëse e të gjitha adhurimeve, përpara asaj që është një adhurim i posaçëm (mbështetjen). Këtë e ka bërë për t’i dhënë përparësi hakut të Allahut (adhurimit), kundrejt hakut të robit  (mbështetjes dhe kërkimit të ndihmës nga Allahu i madhëruar dhe Bujar)

.

 (Ibadeti) العبادة(Adhurimi):është një fjalë përfshirëse e të gjitha atyre punëve dhe fjalëve të dukshme  apo të padukshme, të cilat i do Allahu dhe është i kënaqur me to.

 

(Istiane)الاستعانة (Mbështetjakërkimi i ndihmës):  është  kërkimi i ndihmës prej Allahut  për të arritur një të mirë dhe për t’u ruajtur nga një e keqe, duke qenë  plotësisht i bindur dhe i qetë  që kjo ndihmë do të të ofrohet.

 

Preokupimi  me adhurimin e Allahut  dhe me kërkimin e ndihmës  prej Tij, është ajo që siguron lumturinë  e përjetshme dhe sigurinë nga çdo e keqe. Nuk ka asnjë mundësi shpëtimi veç preokupimit me këto dy të rëndësishmet.

 

Asgjë nuk mund të quhet adhurim “ibadet”  nëse nuk plotëson dy kushte:

 

1.     Të synohet me të, kënaqësia e Allahut;

2.     Të jetë e argumentuar nga tradita e Profetit alejhi selam(pra ta ketë këshilluar dhe përshkruar ai).

 

Në përmendjen e (istianes) - (mbështetjes, kërkimit të ndihmës), pas përmendjes së adhurimit(ibadetit), qëndron një e fshehtë tjetër. Fakti që adhuruesi,  në adhurimet e tij,  gjithmonë ka nevojë për ndihmën e Atij  të cilin e adhuron, sepse nëse Allahu nuk e ndihmon,  ai nuk do të ketë kurrë mundësi të vazhdojë adhurimin e Allahut, duke zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave. Pastaj thotë i  madhëruari (duke i mësuar  adhuruesit si të  luten):

 

Ihdinas-siratal mustekim.                        

Na udhëzo në rrugën e drejtë.

 

Pra, na i trego, na udhëzo dhe na jep sukses, për të vazhduar në rrugën e drejtë, në rrugën e qartë  që të çon tek Allahu i lartësuar dhe tek xhenetet e Tij. Në këtë mënyrë ne kërkojmë udhëzimin dhe suksesin prej Allahut të madhëruar për dy gjëra:

 

1.     Për njohjen e së vërtetës (hakut).

2.     Dhe për të punuar me të (pra sipas asaj që presupozon ajo njohuri e vërtetë).

 

Ne kërkojmë prej Allahut, udhëzimin në rrugën e drejtë dhe udhëzimin përgjatë kësaj rruge. Kështu pra, kërkesa për udhëzimin dhe dhënien sukses, bëhet fillimisht për të hyrë në këtë rrugë dhe pastaj për të qenë i vazhdueshëm, i qëndrueshëm në këtë rrugë. Udhëzimi për të hyrë në rrugën e drejtë, është udhëzimi për të kuptuar dhe pranuar Islamin dhe për të braktisur çdo fe tjetër. Ndërsa udhëzimi përgjatë kësaj rruge,  konsiston në dhënien sukses për të njohur imtësitë e kësaj feje, si dhe për të punuar sipas asaj që presupozojnë dispozitat e saj.

 

Kjo lutje është nga lutjet më gjithëpërfshirëse dhe më të dobishme për robin. Pikërisht,  për këtë arsye, u bë e detyrueshme  që ai të lutet me të në çdo rekat namazi që e fal për Allahun, si dhe për shkak të nevojës së tij  imediate  në këtë aspekt .

 

Kjo rrugë e drejtë është pikërisht dhe vetëm:

 

Siratal-ledhine enamte alejhim.                                                    

Rrugën e atyre të cilët i begatove.

 

Rruga e profetëve, të sinqertëve (sidikinëve), dëshmorëve dhe të mirëve (salihine).

 

Gajril magdubi alejhim.                                       

Jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin.

 

Pra, rruga e drejtë nuk është rruga që ndoqën të mallkuarit  dhe ata që merituan zemërimin e Allahut, të cilët e njohën të vërtetën  dhe më pas e braktisën atë,  sikurse vepruan jehudët dhe shëmbëlltyrat e tyre.

 

Ue led-dal-lin.                

Dhe as në rrugën  e të humburve.

 

Pra, rruga e drejtë, gjithashtu nuk është as rruga që ndoqën të humburit,  të cilët e braktisën, e shpërfillën të vërtetën nga përhumbja dhe padituria e tyre, sikurse vepruan krishterët dhe shëmbëlltyrat e tyre.

 

Kjo sure edhe pse e shkurtër, ka përmbledhur mes rreshtave të saj  atë që asnjë sure në Kuran nuk e ka së bashku. Ajo ka përmendur dhe sqaruar  të tre llojet e teuhidit:

 

1.     Teuhidin Rububije,të cilin e kuptojmë  nga fjala e Allahut të madhëruar :

Rabul alemin.رب العالمين-Zoti i botëve...

2.     Teuhidin uluhije, i cili mund të përkufizohet si: Njësimi, unifikimi, konsiderimi i Allahut si i vetmi që meriton adhurimet tona. Kjo kuptohet nga fjala e Allahut të madhëruar:

Allah - الله   që në kuptimin e saj gjuhësor  d.m.th.:  i adhuruar.

 Ij-jake neabudu  - Vetëm ty të adhurojmë.

3.     Teuhidin esmau ue sifat. Pra, unifikimin e Allahut në meritueshmërinë e emrave dhe cilësive të Tij absolute.

 

E thënë me fjalë të tjera, ky lloj teuhidi konsiston në pohimin apo pranimin  e faktit që Allahu i lartësuar është i emërtuar me emra  të bukur, dhe është i cilësuar me cilësi të përkryera, emra dhe cilësi të cilat Ai i ka pohuar për vetveten  dhe të cilat i ka deklaruar për Të, Profeti i Tij.

 

Ky pohim bëhet natyrshëm e me thjeshtësi,  larg çdo keqinterpretimi dhe duke mos u përpjekur të mohohet ndonjë emër apo cilësi e Tij. Bëhet duke u larguar  nga (teatil) mohimi i cilësive, nga(temthil)  krahasimi i tyre me cilësitë e krijesave, si dhe nga (teshbihu) përngjasimi, përafrimi apo shëmbëllimi  me diçka tjetër. Për këtë, sikurse dhe u përmend, tregon fjala (hamd)   حمدdhe kuptimet e saj.

 

Gjithashtu, kjo sure është argument edhe për vërtetësinë e institucionit të profecisë gjë të cilën e kuptojmë nga fjala e Allahut të madhëruar:

 

Ihdinas-siratal mustekim - Na udhëzo në rrugën e drejtë.Sepse udhëzimi në rrugën e drejtë nuk mund të realizohet pa ekzistencën e profetëve, të zgjedhurve të Zotit dhe pa shpalljet e Zotit.

 

Kjo sure flet edhe për shpërblimin dhe llogarinë që i pret krijesat për punët që patën kryer. Ky kuptim merret nga fjala e Allahut të madhëruar:

 

Maliki jeumid-din - Sunduesit të ditës së gjykimit

Dhe llogaria e shpërblimi, atë ditë, do të jetë me drejtësi, sepse fjala  din do të thotë: shpërblim me drejtësi.

 

Kjo sure vërteton bindshëm besimin e drejtë  në fushën e përcaktimit të Allahut dhe gjithashtu pohon faktin që robi është i lirë të veprojë. Ndryshe nga çka thonë grupet e humbura, të ashtuquajtura Kaderie apo Xhebrie, të cilët ose e zhveshin robin nga çdo lloj kompetence  dhe mundësie veprimi, ose i japin  atij pavarësi, mundësi dhe fushë veprimi absolute dhe të pavarur prej dëshirës dhe vullnetit  suprem  të Allahut të madhëruar.

Madje në ketë sure kundërshtohen të gjitha grupet e humbura e kjo përfshihet në fjalën e Allahut të madhëruar:

 

Ihdinas-siratal mustekim - Na udhëzo në rrugën e drejtë.   Sepse rruga e drejte është e  ndërtuar mbi dy shtylla:

1.     Njohje e së vërtetës;

2.     Puna me të. 

 

Dhe dihet se çdo grup i humbur, është i tillë  sepse ka neglizhuar në njërën prej dy të rëndësishmëve.

 

Kjo sure ka nxitur, gjithashtu, edhe për sinqeritet në adhurimin  ndaj Allahut  dhe në kërkimin e ndihmës e mbështetjes vetëm prej Tij. Kjo kuptohet nga fjala e Allahut të madhëruar:

Ij-jake neabudu ue ij-jake nestein - Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimijetes.com

03.04.2009

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com