All for Joomla All for Webmasters

KOMENTIMI I SURES EL KEHF (2)

. Posted in Tefsir - Suretu El Kehf.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë dhe vetëm tek Ai ndihmë dhe falje kërkojmë. Allahut i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve dhe punëve tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe ai që është në humbje nuk mund ta udhëzojë kush tjetër veç Allahut të Madhëruar. Dëshmoj se nuk ka tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë veç Allahut, i vetëm dhe i pa shokë dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Ajeti i dhjetë: “Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: ‘O Zoti ynë na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë.”

Në këtë ajet ka tre çështje:

1. Djemtë e larguar ishin prej njerëzve të nderuar në qytetin e quajtur Dikjus. Mbreti ishte qafir. Ata ishin pasues te fesë se Isait alejhi selam. Mbreti i urdhëroi ata që të adhuronin putat. E meqenëse u njoftua mbreti se këta djem po adhuronin Allahun, i frikësoi ata e ata u larguan natën. Me vete kishin edhe një qen. Mbreti i ndoqi nga pas deri në hyrje të shpellës. Atje gjeti gjurmët e hyrjes së djemve në shpelle dhe nuk gjeti gjurmët e daljes së tyre nga shpella. Hynë brenda e Allahu ua verboi sytë e ata nuk panë asgjë. Mbreti tha që t’ua mbyllte atyre derën e shpellës që ata të vdisnin aty të etur e të uritur.

Muxhahidi transmeton një histori të ngjashme me të parën. Në të, ndër të tjera, thuhet: “...Mbreti i thirri djemtë tek ai dhe u tha që të mendohen, pastaj të ktheheshin nga rruga e tyre. Djemtë pasi u konsultuan mes tyre, vendosen që të largohen prej vendit të tyre. Njeri prej tyre tha se dinte një shpellë në mal e babai i tij i fuste delet në të. Ai tha që të qëndronin aty derisa tua zgjidhte Allahu çështjen.”

Ndërsa për qenin thuhet se ai ishte qen gjuetie. Transmetohet se ata rrugës gjetën një bari që kishte një qen. Ai i ndoqi këta djem në mendimet e tyre dhe qeni shkoi me ta. Sipas Ibn Abasit qeni quhej Hamran, ndërsa emrat e banorëve të kehfit janë të huaj.

2. Ky ajet është argument për largimin nga vendi, prindërit, të afërmit, pasurisë për shkak të frikës nga sprova. Kështu iku edhe profeti alejhi selam dhe edhe ai qëndroi në shpellë. Ata lanë familjet,vendin, vëllezërit duke shpresuar që të mbetet feja e për të shpëtuar prej sprovave të qafirëve. Lejimi i ikjes prej zullumqarit është suneti i profetëve të Allahut dhe të miqve të Tij. Një gjë të tillë e ka quajtur të mirë profeti alejhi selam dhe e kanë quajtur të mirë edhe dijetaret, sidomos kur shfaqen sprovat dhe ngatërresat e njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “E pastaj strehohuni në shpellë.” Disa dijetarë veçimin nga njerëzit e këqij e kanë me punë dhe me zemër, edhe nëse je në mesin e tyre. Ndërsa Ibn Mubarek në tefsirin e fjalës ‘veçim’ apo ‘izolim’ ka thënë: “Të jesh me popullin e nëse e përmendin Allahun, përmende Atë edhe ti me ta, e nëse futen në diçka tjetër, hesht!”

Nga Ibn Umeri transmetohet se profeti alejhi selam ka thënë: “Besimtari që përzihet me njerëzit e i duron mundimet e tyre, është më i mirë se besimtari që nuk përzihet me ta e as që duron mundimet e tyre.”

Imam Kurtubi thotë se në këtë çështje gjendjet e njerëzve janë të ndryshme. Mbase gjen dikë që ka forcë për të qëndruar në vende të ndryshme. E kjo është gjendja më e lartë, sepse këtë gjë pëlqeu Allahu për profetin alejhi selam në fillim të shpalljes. E mbase njeriu mund të veçohet në shtëpinë e tij, duke qenë se kjo është më e lehtë për të. Por, mund të jetë dikush që të përzihet me njerëz e duket sikur është me ta, por në fakt ai i kundërshton ata. Erdhi një burrë tek Uehb bin Munbih e i tha: “Vërtet, njerëzit kanë rënë në atë që kanë rëne. Vetja ime më thotë që të mos përzihem me ta.” Tjetri tha: “Mos e bëj këtë. Ti patjeter duhet të përzihesh me njerëzit e ata duhet patjetër që të përzihen me ty. Ti ke nevojë për ata e ata kanë nevojë për ty, porse ji mes tyre shurdh e dëgjues, i verbër e shikues, i heshtur e folës.”

Nesaiu transmeton se profeti alejhi selam ka thënë: “Habitet Zoti yt nga një bari që është në majën e malit, bën ezanin për namaz e falet. Allahu thotë: ‘Shikoni robin Tim që bën ezanin e fal namazin. E kam falur robin Tim dhe e kam futur atë në xhenet.”

3. Allahu Thotë: “Dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë.”

Ata pasi ikën prej tyre, filluan që të lutnin Allahun duke thënë: “O Allah, na jep neve falje, rrizk dhe na udhëzo për tek e drejta!”

Ibn Abasi thotë se kjo do të thotë që na nxirr të shpëtuar nga kjo shpellë.

Përfitime të ajeteve

1. Qartësohet shkaku i zbukurimit të dynjasë e që është sprovimi i njerëzve me te që të dallohet se kush është zahid i dynjasë.

2. Verifikimi i asaj që çdo gjë që gjendet mbi tokë do të zhduket.

3. Vërtetim i profetësisë së profetit alejhi selam bazuar në përgjigjen e pyetjes së bëre për banorët e shpellës e ai u përgjigj shkurtimisht dhe me detaje.

4. Allahu i përgjigjet duasë së robërve të Tij besimtarë.

 

Sipas Tefsirit të Imam Kurtubi

Burimijetes.com

07.01.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com