All for Joomla All for Webmasters

KOMENTIMI I SURES EL KEHF (5)

. Posted in Tefsir - Suretu El Kehf.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ajeti i nëntëmbëdhjetë: “Ashtu i zgjuam ata që të pyesin njeri-tjetrin.” Ata lëvizën ngaqë më parë nuk kishin lëvizur dhe kjo me qëllim që vetëm të pyesnin. “Njeri prej tyre foli e tha se sa kemi ndenjur? Ata thane se kemi ndenjur një ditë apo një pjesë të saj.” Ata thanë kështu se kur hynë në shpellë ishte mbrëmje e kur  u ngritën ishte pjesa e fundit e ditës. “Disa thanë se Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur, prandaj dërgojeni njërin prej jush me këtë argjend në qytet.” Në këtë ajet ka katër çështje:

1. Ata ishin të uritur e kishin disa para argjendi ku gjendej piktura e mbretit të mëparshëm të kohës së tyre. Ai që u dërgua ishte më i vogli prej tyre. Qyteti quhej Efisus, ndërsa pas Islamit u quajt Tarasus.

2. Sipas Ibn Abasit, të therurat për ta u lejuan, sepse banorët e atij vendi thernin në emër të idhujve, por në mesin e tyre kishte prej atyre qe kishin fshehur besimin. Ai thotë se masa e gjerë ishin mexhus. Për këtë fjalë thuhet se është ushqim që në të ka shumë bereqet. Ata e urdhëruan këtë që t’u sillte atyre ushqim që kur t’u gatuhej t’u mjaftonte. Thuhet se ky ushqim mund të ketë qenë oriz.

“E t’ju sjellë atë juve e të ketë shumë kujdes (gjate hyrjes në qytet për të blerë ushqim). E të mos i japë të kuptojë askujt për ju.” Pra, të mos lajmërojë askënd për ata.

Ajeti i njëzetë: “Pra, nëse ata kuptojnë për ju, do t’ju vrasin me gurë.” Tek ata për atë që kundërshton fenë e tyre si dënim kishin gurëzimin.

3. Dërgimi i djaloshit me dërhem është argument për marrjen përsipër të blesh diçka për dikë tjetër. Kjo gjë ishte e njohur edhe në kohen para Islamit. Abdurrahman bin Auf i la përsipër një politeisti ruajtjen dhe kujdesin e familjes se tij dhe vet mori përsipër që të kujdeset për familjen e tij në Medine. Një hadith i tillë gjendet tek libri i Buhariut.

4. Veqillëku është një vepër që Allahu e ka lejuar, sepse jo kushdo ka mundësi qe t’i kryejë vetë të gjitha nevojat  e tij, pa ndihmën e të tjerëve. Me këtë ajet janë argumentuar dijetarët për të ngarkuar dikë tjetër të të kryejë një punë tënden. Por veqillëku është i lejuar në gjëra të lejuara.

Gjithashtu, ajeti përmban edhe lejimin e bashkimit të pasurisë, sepse paret ishin të të gjithëve. Po ashtu, është e lejuar që të bashkohet ushqimi e të hanë së bashku edhe pse dikush mund të hajë më shumë se ndonjë tjetër.

Ajeti i njëzetë e një: “Dhe ashtu i zbuluam ato (për njerëzit) e ta kuptojnë (muslimanët ku u dërguan banorët e kehfit në kohen e tyre) se premtimi i Allahut është i sigurtë e katastrofa e përgjithshme është e padyshimtë. Atëherë kur ata po bisedonin për çështjen e tyre dhe thanë: ‘Ndërtojuni atyre një ndërtesë. Zoti i tyre e di më së miri për ta.’ E ata që ishin më shumë thanë: ‘Do t’u ndërtojmë gjithqysh në hyrjen e tyre një xhami.” Në këtë kohë mbreti zullumqar kishte vdekur e në vend të tij kishte ardhur një mbret i mirë. Banoret e këtij vendi ranë në kundërshtim për varrosjen e eshtrave të tyre në varr. Disa prej tyre thanë se ata që grumbullohen janë shpirtrat, ndërsa trupat i ha toka. Çështja arriti deri tek mbreti e as ai nuk dinte se ç’të bënte. Iu lut Allahut që t’ia sqaronte atij këtë çështje. Mbreti lutet dhe Allahu i nxjerr atij grupin e banorëve të kehfit. Kur djali doli për të marrë ushqim, ai u duk atyre si i huaj, po ashtu edhe paratë që kishte ai ishin të një kohe të vjetër. Ai u dërgua tek mbreti besimtar. Pasi e pa mbreti atë, tha se mbase ky është prej grupit të djemve që kishin dalë në kohën e mbretit Dikjanus. Dhe unë, -thotë mbreti,- e kam lutur Allahun që t’i shikoj ata. E pyeti këtë djalë dhe ai e njoftoi atë. Mbreti gëzohet e thotë se mbase Allahu u dërgoi juve argument e më pas i ftoi ata që të shkonin tek shpella. Shkuan me të edhe banorët e këtij qyteti. Kur u afruan tek shpella, djali u tha se do të hynte vetë i pari, që shokët e tij të mos trembeshin. U fut tek shokët dhe u tregoi atyre se ata që ishin jashtë ishin popull musliman. Transmetohet se ata u gëzuan për diçka të tillë dhe dolën tek mbreti. Pasi e respektuan njeri-tjetrin, u kthyen përsëri në shpellë. Transmetimet më të shumta janë se ata vdiqën me të vërtetë, kur djali u tregoi atyre. Ata që ishin të dyshimtë përsa i përket ringjalljes së eshtrave, besuan bindshëm. Kjo qe ta dinte mbreti dhe vartësit e tij se ringjallja është e vërtetë. Mbreti tha që të ndërtonin mbi ta një ndërtesë. Ata që ishin në fenë e djemve thanë që kjo të ishte xhami. Abdullah bin Umer thotë se Allahu ua fshehu njerëzve gjurmët e djemve e nuk i la ata qe t’i shihnin. Thuhet se mbreti deshi që t’i fuste ata në një arkivol prej ari, por pa në ëndërr që ata i thanë atij që t’i fuste ashtu se vërtetë ishin krijuar prej dheut e ne dhe do të shndërrohen.

Këtu futen disa çështje që janë të lejuara e disa që janë të ndaluara. Ngritja e xhamisë mbi varreza e namazi në të është haram. Ebu Daudi dhe Tirmidhiu transmetojnë prej Ibn Abasit se profeti (alejhi selam) i ka mallkuar gratë që vizitojnë varrezat dhe ata që i bëjnë ato vendfalje. Në dy librat e vërtete prej Aishes transmetohet se Umu Habibeh dhe Umu Selemeh kanë përmendur një kishë që e kishin parë në Abisini. Në të kishte skulptura të profetit. Profeti (alejhi selam) tha: “Vërtet, nëse gjendej tek to një njeri i mirë e pastaj vdiste, i ndërtonin faltore mbi varrin e tij e bënin piktura te tilla. Ata janë krijesat më të këqia tek Allahu Ditën e Kiametit.” Dijetarët kanë thënë se ky hadith është argument për ndalimin e ndërtimit të xhamive mbi varret e profetëve dhe dijetarëve.

Po ashtu, transmetohet se profeti (alejhi selam) ka thënë: “Mos u falni drejt varreve e mos u ulni mbi to!” Pra mos të marrim për kible (drejtim) varrezat siç bënin çifutët dhe  të krishterët, sepse një gjë e tillë të çon në adhurimin e idhujve. Profeti (alejhi selam) tregoi kujdes dhe e mbylli një portë që të çon tek një gjë e tillë. Ai ka thënë: “U shtua zemërimi i Allahut ndaj një populli që varret e profetëve dhe njerëzve të mirë i bënë xhami.”

Transmeton Xhabiri prej profetit (alejhi selam) se ai ka ndaluar të shkruhet mbi varr, të ndërtohet mbi të apo të përulësh kokën në drejtim të varrit. Për këtë hadith Tirmidhiu thotë se është hadith hasen sahih. Po ashtu, dijetarët kanë thënë se është urdhëruar për heqjen e ndërtesës dhe mbetet vetëm respekti që njihet për varret, sikurse për varrin e profetit (alejhi selam).

Ngritja e varrit bëhet në masën e një pëllëmbe dheu spërkatet me ujë që të mos e ngrejë era. Imam Shafiu thotë se nuk ka ndonjë gjë nëse baltoset varri. Ndërsa Ebu Hanife e kundërshton këtë. S’ka gjë nëse vendoset tek varri një gurë që të jetë si shenjë. Thuhet se Fatimja vizitonte varrin e Hamzës çdo të xhuma dhe e njihte nga copa e gurit.

Disa dijetarë kanë thënë se varrosja mund të bëhet edhe në një arkë apo tabut. Është mirë që i vdekuri të varroset në një qoshe të varrit të hapur enkas e që quhet lahd. Pastaj behet baltosja e këtij vendi që të mos bjere trualli i varrit mbi trupin e të vdekurit.

Përfitimet e ajeteve

1. Në këto ajete del ne pah Forca, Dija dhe Urtësia e Allahut.

2. Është detyrë kërkimi i hallallit në ushqim, veshje, pije, etj.

3. Vdekja si politeist apo si mohues të bën që të mos gjesh shpëtim në ahiret.

4. Pohimi i ringjalljes, gjë e cila mohohej nga qafirët kurejsh.

5. Vërtetim i fjalës së profetit (alejhi selam) që thotë: “Do të ndiqni rrugën e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë pas pëllëmbe e parakrah pas parakrahu.” E sot, fatkeqësisht, muslimanët kanë ngritur faltore mbi varret e njerëzve të mirë.

 

Sipas tefsirit te Imam Kurtubi

Burimijetes.com

11.02.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com