KOMENTIMI I SURES EL KEHF (7)

. Posted in Tefsir - Suretu El Kehf.

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ajeti i njëzetë e shtatë: “Lexo çka të është shpallur nga libri i Zotit tënd! Nuk ka kush që mund t’i ndryshojë fjalët e Tij.

Taberiu ka thënë se kuptimi i këtij ajeti është se s’ka asgjë që ta ndryshojë atë që Allahu me  Fjalën e Tij ua premtoi mëkatarëve dhe atyre që e kundërshtojnë Atë.

“E përveçse tek Ai nuk mund që të gjesh strehim.”

E ti o Muhamed, nëse nuk e ndjek dhe e kundërshton Kuranin, nuk ke për të gjetur strehim.

Këtu mbaron historia e banorëve të Kehfit. Thuhet se Profeti -alejhi selam- dërgoi Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun tek banorët e shpellës dhe ata hynë tek ata e u dhanë atyre selam prej Profetit -alejhi selam-. Ata ua kthyen atyre selamin. Pastaj u treguan atyre se Muhamedi ishte i dërguari i Allahut e ata pranuan Islamin. Thuhet se ata hynë në shpellë pas Isait -alejhi selam-, por ka mundësi që ata të jenë futur edhe pas kohës së Musait -alejhi selam-, sepse për të pyetur rreth çështjes së tyre, politeistët kurejsh shkuan tek çifutët.

Ajeti i njëzetë e tetë: “Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje.”

Selman el Farisij ka thënë: “Erdhen tek Profeti -alejhi selam- Ujejneh bin Hisn dhe El Akra bin Habis dhe i thanë profetit -alejhi selam-: ‘O i Dërguari i Allahut, po të ulesh ti në krye të mexhlisit e të drejtohesh nga ne, të lesh ata të tjerët (muslimanët fukarenj që kishin veshur rroba prej leshi), ateherë ne do të qëndrojmë me ty, do të të dëgjojmë e kemi për të marrë mësim prej teje’. Pastaj Allahu e zbriti këtë ajet. Ajeti përmban kërcënim me zjarr për mohuesit. U ngrit pastaj Profeti -alejhi selam- dhe erdhi në fund të xhamisë. Aty gjeti ata që e përkujtonin Allahun dhe tha: “Falenderimi është vetëm për Allahun që nuk më morri shpirtin, derisa më urdhëroi që ta bëjë veten time të durueshëm ndaj burrave të këtij umeti.”

“E që kanë për qëllim kënaqësinë e Tij. (Ata kërkojnë që t’i binden Allahut). Dhe mos i hiq sytë prej tyre e të kërkosh bukuritë e kësaj bote.”

As Profeti -alejhi selam- nuk donte që ta bënte një gjë të tillë, por edhe Allahu e urdhëroi që të mos e bënte një gjë të tillë. Ky ajet është i ngjashëm me ajetin: “E nëse do t’i bëje shok Allahut do të të ishin asgjësuar veprat e tua.”

Edhe pse Allahu e kishte ruajtur Profetin e Tij prej shirkut.

Dhe mos iu bind atij që ia kemi shmagur zemrën e tij prej përkujtimit Tonë!”

Ibn Abasi thotë se ky ajet ka zbritur për Umejeh bin Halef el Xhumehij, sepse ai e ftoi Profetin -alejhi selam- për një gjë që ai e urrente; t’i përzinte fukarenjtë e t’i afrohej atij paria e Mekës. Allahu zbriti ajetin  dhe qartëson se Ai ia ka vulosur atij zemrën e nuk e pranon teuhidin. Dhe ai ndjek epshet e veta (politeizmin “Sepse puna e tij ka mbaruar.”

Ajeti i njëzetë e nëntë: “E ti thuaj: ‘E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë le të besojë e kush të dojë le të mohoje’.”

Pra, ti o Muhamed thuaj se kjo është e vërteta dhe se vetëm në dorë të Allahut është udhëzimi dhe humbja. Atë që Ai e udhëzon ai bëhet besimtar. Allahu të vërtetën ia jep edhe dikujt që është i dobët e një tjetri që edhe pse është i fortë dhe i pasur, ia ndalon atë. Ju, o mohues, po të doni besoni e nëse doni mohoni. Ajeti përmban një kërcënim me kuptimin që nëse ju do të mohoni, Ai do t’ju fusë juve në zjarr e nëse do të besoni do t’ju fusë në xhenet.

Ne kemi përgatitur zjarr për jobesimtaret që muret e tij i rrethojnë ata. E nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që i përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije e vend i keq është ai.”

Dahaku ka thënë se ky ujë është një ujë i zi, xhehenemi, pemët dhe banorët e tij janë të zinj, bazuar në ajete të tjera thuhet se ai është një lloj uji, që po e pive të këputen zorrët, derisa ata të dalin nga pas.

Ajeti i tridhjetë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim që Ne nuk e humbim shpërblimin e atij që është bamirës.”

Ajeti i tridhjetë e një: “Të tillët e kanë xhenetin e Adnit, në të cilin rrjedhin lumenj.”

Pasi përshkroi Allahu më parë dënimin e qafirave, përmend tashmë shpërblimet e besimtarëve. Ai i siguron besimtaret se kurrë nuk do të humbasë shperblimin e tyre. Ndërsa ata që bënë punë të mira duke mos qenë besimtarë, veprat e tyre janë të asgjësuara.

Aty stolisen me rrathë të artë dore.”

Në xhenet besimtarët kanë për të vënë byzylyk prej ari. Tek libri i Muslimit thuhet se Enesi ka thenë: “Byzylykët e besimtarëve do të arrijnë deri tek vendi i abdesit.” Komentatorët e Kuranit kanë thënë se meqenëse mbretërit në dynja venë byzylyk, Allahu e bëri që për xhenetlinjtë në xhenet të ketë byzylyk.

Dhe ata veshin rroba të gjelberta prej mëndafshi të hollë e të trashë.”

Janë zgjedhur rrobat me ngjyrë të gjelbër për shkak se i përshtaten shikimit.

E aty janë të mbështetur në shtretër.” Prej floriri sipas Ibn Abasit.

Sa shpërblim i mrekullueshëm që është dhe sa vend i bukur që është ai!”

Ky vend kaq i bukur është xheneti. Kjo fjalë është e kundërt me fjalën:  “E sa vend i keq që është ai!”, pra zjarri. Transmetohet prej Beraé bin Azeb se një arab erdhi tek Profeti -alejhi selam- në haxhin e lamtumirës, ndërkohë që ishte në Arafat. Arabi tha: “Një burrë prej muslimanëve më lajmëroi për ajetin: ‘Ata që besuan  dhe bënë vepra të mira’.” I tha Profeti -alejhi selam- atij: “Dhe ti nuk je larg prej tyre. E as ata nuk janë larg teje. Ata janë Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu. Bëja të qartë popullit tënd se ky ajet ka zbritur për ata të katër.”

Përfitimet e ajeteve

1. Janë te dështuar ata që i kthejnë shpinën librit të Allahut.

2. Inkurajim për t’u ulur me të varfrit, duke lënë uljen me ata që janë dhënë pas dynjasë e që i japin përparësi asaj.

3. Është detyrë e ftuesit sqarimi i së vërtetës.

4. Dënimi i zjarrit është dënimi më i keq, ndërkohë që begatitë gjenden ne xhenet.

 

Sipas tefsirit të Imam Kurtubi

Burimijetes.com

15.03.2008