All for Joomla All for Webmasters

KOMENTIMI I SURES El KEHF (8)

. Posted in Tefsir - Suretu El Kehf.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ajeti i tridhjetë e dy:E ti sillu atyre si shembull dy njerëz.”

Ky është një shembull për ata njerëz që mbahen në të madh për shkak të dynjasë dhe nuk pranojnë që të ulen me besimtarin. Ky ajet është i lidhur me ajetin e mëparshëm: “Eti përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje”.

Njeri prej komentatorëve të Kuranit ka thënë se ky ajet ka zbritur për dy burra nga Meka që ishin vëllezër. Njeri prej tyre ishte besimtar e që quhej Ebu Selemeh Abdullah bin Abdulesed bin Hilal bin Abdullah bin Umer bin Mahzum, pra burri i Umu Selemes para se me të të martohej Profeti -alejhi selam-. Tjetri ishte qafir e quhej El Esued bin Abdulesed. Këta dy vëllezër janë përmendur edhe tek fjala e Allahut në suren Safat 51: “Prej tyre njeri flet e thotë se ka patur një farë miku.” Secili prej tyre trashëgoi katër mijë dinar. I pari i dha këto para për hir të Allahut dhe kërkoi diçka prej vëllait të tij. Ky është një shembull për të gjithë besimtarët e për të gjithë qafirët. Në një transmetim tjetër thuhet se kanë qenë dy burra prej beni israilëve e që kishin pasuri të përbashkët. Pasi u ndanë, njeri pasurinë e tij e shpërndau për hir të Allahut, bleu rob dhe i lëshoi, bleu rroba dhe i veshi të varfrit dhe ushqente edhe njerëzit e uritur. Ndërsa tjetri me pasurinë e tij u martua me gra, bleu kafshë dhe lopë, bëri gjithashtu edhe tregti dhe u bë njeriu më i pasur i kohës se tij. Erdhi një kohë kur vëllai i tij i varfër pati nevojë dhe kërkoi që të punësohej tek kopshtet e vëllait të tij të pasur. Shkoi tek ai e pasi ia qau hallin tjetri i tha se a nuk e ndamë pasurinë përgjysmë? Çfarë bëre ti me pasurinë tende? I varfëri i tha se ai kishte blerë me të diçka që ishte më e mirë se pasuria e tij. Tjetri tha se a kështu qenka puna?

“Unë nuk mendoj se do te ndodhë Kiameti.”

E unë po shoh se ti nuk je diçka tjetër vetëm se një njeri i marrë. A nuk po e sheh ti se çfarë kam bërë unë me pasurinë time, derisa arrita gjendjen më të mirë? Dhe pastaj e përzuri vëllanë e varfër prej kopshtit te tij. Më pas Allahu na përshkruan neve ne Kuran se si ndodhi shkatërrimi i kopshtit të tij. Po ashtu, Allahu na ka qartësuar gjendjen e dy vëllezërve në dynja. Ndërsa në suren Safat, 52-61, Allahu na e qartëson gjendjen e tyre në ahiret: “Thoshte: ‘A je ti prej atyre që besojnë se kur të vdesim, të jemi bërë dhe e eshtra të kalbur, do të shpërblehemi për veprat?’ Ai (besimtari) thotë: ‘A vini ju të shikojmë?’ Ai shikon dhe e vëren atë (mikun, vëllanë) në mes te xhehenemit. Ai thotë: ‘Pasha Allahun, për pak më rrëzove edhe mua! E sikur të mos ishte dhuntia e Zotit tim, unë do të isha bashkë me ty në zjarr. E ne nuk do të vdesim kurrë, përveç vdekjes sonë të parë e ne nuk do të dënohemi më. Vërtet, ky është suksesi i madh. Për një shpërblim të tillë le të punojnë punuesit.’ Njërit prej atyre të dyve i dhamë dy kopshte nga rrushi e i rrethuam me hurma e ne mesin e atyre te dyjave bëme edhe bimë të tjera.”

Ajeti i tridhjetë e tre:Të dy kopshtet jepnin frutat e tyre pa munguar asgjë (madje jepnin shtesë) e në mesin e tyre bëmë që të rrjedhë një lumë.”

Ajeti i tridhjetë e katër:Ai kishte edhe një pasuri tjetër. I tha shokut të tij (me mburrje) duke iu krenuar: ‘Unë kam më shumë pasuri sesa ti, e kam krahë më të fortë sesa ti.”

Ajeti i tridhjetë e pesë: “Dhe ai hyri në kopshtin e vet”

I pasuri e mori për dore vëllanë e tij të varfër e u fut në kopsht që t’ia tregonte atij atë.

Po duke qenë dëmtues i vetes”

Ishte i padrejtë ndaj vetes së tij me kufrin e tij. E kushdo që futet në zjarr për kufrin e tij, ai është zullumqar i vetes se tij.

Tha: ‘Unë nuk mendoj se kjo mund të zhduket kurrë.

Ai e mohoi mundësinë e zhdukjes së këtij kopshti.

Ajeti i tridhjetë e gjashtë:Dhe unë nuk besoj se do të ndodhë Kiameti.”

Po ashtu, ai mohoi Kiametin dhe ringjalljen e i dyshimtë thotë:

Por nëse ndodh që të kthehem tek Zoti im, do të gjej ardhmëri më të mirë sesa kjo.”

Pra, po të ndodhë Kiameti, Allahu mua siç më dha mirësi në dynja, do të më japë edhe në ahiret. Bile ka për të më dhënë akoma më tepër të mira. Ai i tha këto fjalë pasi vëllai i tij e ftoi që të besonte në ringjallje.

Ajeti i tridhjetë e shtatë:Atij shoku i vet (besimtar) i tha duke polemizuar me të: ‘A e mohove Atë që të krijoi ty nga dheu, pastaj nga një pikë uji, pastaj të bëri njeri të plotë?’”

Tani vëllai besimtar e këshillon vëllanë e tij qafir që t’i japë fund kufrit të tij duke ia përkujtuar atij krijimin e tij dhe duke i thënë se Allahu e kishte bërë atë të drejtë në qëndrim e jo si kafshët dhe ia kishte dhuruar atij të tëra gjymtyrët e sakta.

Ajeti i tridhjetë e tetë: “Po për mua Ai Allahu është Zoti im e Zotit tim unë nuk i bëj shok asgjë.

I varfri thotë se nuk është politeist. Ky ajet tregon se i pasuri kishte qenë politeist. Kjo për shumë arsye:

1. Ai mendonte se kishte vetë në dorë për t’u pasuruar.

2. Mendonte se Allahu nuk kishte mundësi që ta ringjallte atë e ta kthente tek Ai. Një gjë e tillë do të thotë që  ta quash Allahun si të pamundur për të bëre gjithçka. E kush e quan Allahun të pamundur për të bërë gjithçka që dëshiron Ai, e ka përngjasuar Atë me krijesat, e kush e përngjason Allahun me krijesat, ka bërë shirk.

Përfitimet e ajeteve

1. Që të kuptohet e vërteta më mirë, duhet me sjellë shembuj të afërt për këtë gjë.

2. Mendjemadhësia dhe mburrja ndaj të tjerëve e bëjnë personin që të jetë politeist dhe femohues.

 

Sipas tefsirit të Imam Kurtubi

Burimijetes.com

22.03.2008

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com