All for Joomla All for Webmasters

JA KUSH HYN NE MËSHIRËN E ZOTIT

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i madhëruar thotë: "...Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka. Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin dhe për ata që besojnë në argumentet Tona, për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab, të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill, që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja, që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, që u heq barrën e rëndë dhe prangat. Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij – këta janë ata të shpëtuarit." El Ea'raf 156, 157.

 

Shpjegimi i ajeteve

“Ai tha: ‘Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka.”

Me ndëshkimin Tim godas atë Unë që dëshiroj prej atyre që kanë ndjekur rrugën e keqe e që e meritojnë zemërimin Tim. Ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka prej botës së sipërme dhe të poshtme, të drejtët dhe gabimtarët, besimtarët dhe mohuesit. Nuk ka ndonjë krijesë që të mos e ketë përfshirë mëshira e Allahut të Lartësuar dhe që të mos ketë shijuar mirësinë, dhuratat dhe bujarinë e Tij. Por mëshira e posaçme, e cila fal lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit, u dhurohet vetëm atyre që kanë këto cilësi:

 

“Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin...”

Mëshira e posaçme është për të devotshmit, që zbatojnë urdhëresat dhe ruhen nga gjynahet. Ajo është, gjithashtu, për ata besimtarë që japin zekatin, si shpenzim i detyrueshëm për ata që e meritojnë atë.

 

“...dhe për ata që besojnë në argumentet Tona...”

Ata të cilët besojnë Shpalljet dhe argumentet e Zotit. Që besimi në Shpalljen dhe argumentet e Allahut të jetë i plotë, ai duhet të jetë i shoqëruar me një kuptim korrekt të tyre. Veç kësaj, është i domosdoshëm edhe zbatimi i tyre. Gjithashtu, besimi i vërtetë dëshmohet me pasimin e rrugës së Profetit (a.s), në të gjitha aspektet, të brendshme apo të jashtme, shpirtërore apo fizike, themelore apo dytësore. Një cilësi tjetër të atyre që meritojnë mëshirën e Allahut të Lartësuar është:

 

“...për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab...”

Allahu i Madhëruar e veçon rëndësinë e besimit te Profeti i Tij i përzgjedhur, duke e dalluar mbi besimin e të gjithë profetëve. Ky profet, i cili nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, është Muhamed Ibn Abdilah Ibn Abdul Mutalib (s.a.u.s). Ajetet kanë objektiv të veçantë bijtë e Izraelit, për t’u bërë të qartë se besimi në profetin Muhamed (a.s) është kusht i domosdoshëm që ata të konsiderohen si besimtarë të vërtetë. Ata duhet ta besojnë dhe ta pasojnë këtë Profet madhështor, si dhe të jetojnë sipas Shpalljes së tij. Këto ajete tregojnë qartë se besimtarë të vërtetë janë ata të cilët e pasojnë profetin Muhamed (a.s.) dhe pikërisht këta e meritojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar Profetin (a.s) si ‘umij’, sepse ai ishte pjesë e popullit arab, që konsiderohej si një popull analfabet, që nuk dinin shkrim e lexim dhe nuk kishin dituri rreth librave. Gjithashtu, ata nuk kishin asnjë libër qiellor, përpara Kur’anit, nga ku të merrnin mësim. Dihet botërisht se ata ishin popull që nuk kishin njohuri për librat e Zotit. Ky është Profeti që, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:

 

“...të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill...”

Ata e gjejnë të përshkruar në Teurat dhe Ungjill me emrin dhe me cilësitë e tij. Një ndër cilësitë më të rëndësishme të profetit Muhamed (a.s.) ishte shpallja e Kur'anit, si mesazh për botën mbarë. Profeti (a.s.) ftoi njerëzimin për të pranuar dhe për të jetuar sipas normave të mrekullueshme të shpallura nga Zoti i Urtë e i Gjithëditur.

 

“...që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja...”

Ky profet urdhëron në çdo gjë që është e mirë, e dobishme dhe e pastër. Ai i ndalon nga çdo gjë që është e keqe dhe e shëmtuar për logjikën e shëndoshë dhe për natyrën e pastër të njeriut. Ai urdhëron për namaz, për zekat, për agjërim, për haxh, për mbajtjet e lidhjeve farefisnore, për bamirësi ndaj prindërve, për sjellje të mirë ndaj komshiut, madje edhe ndaj shërbëtorëve dhe robërve. Ai urdhëron për të qenë bamirës dhe të dobishëm me të gjitha krijesat. Ai urdhëron për çiltërsi dhe sinqeritet, për ndershmëri e drejtësi dhe për të qënë këshillues i dashur. Nga ana tjetër, ky profet ndalon nga kufri dhe idhujtaria, nga vrasja dhe imoraliteti, nga alkooli dhe çdo gjë që shkatërron logjikën e njeriut, nga çdo lloj padrejtësie ndaj krijesave, nga mashtrimi, gënjeshtrat, nga krimet dhe shfrenimet e nga të gjitha llojet e ligësive. Në fakt, nga argumentet më të forta e më të qarta që dëshmojnë se Muhamedi (a.s.) ishte vërtet i dërguari i Allahut të Lartësuar janë pikërisht normat e ligjet që ai vendosi, për t’u treguar njerezve se çfarë është hallall dhe çfarë është haram:

 

“...që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet...”

Ai quan të lejuar çdo gjë që është e këndshme dhe e mirë, qofshin ushqime, pije apo gjëra e çështje të tjera. Gjithashtu, ai bën të ndaluar për njerëzit çdo gjë që është e pisët, e shëmtuar dhe e dëmshme për ta. Allahu i Madhëruar e përshkruan më tej Profetin e Tij, duke thënë:

 

“...që u heq barrën e rëndë dhe prangat”

Feja e tij është e thjeshtë, e lehtë dhe e bukur për t’u zbatuar. Ajo nuk të ngarkon me detyrime të rënda dhe të papërballueshme, as nuk të vështirëson me pranga e zinxhirë. Kështu, të gjithë ata që besojnë këtë profet do të përfitojnë mëshirën e plotë të Allahut të Madhëruar:

 

“Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij...”

Janë ata që e besojnë Muhamedin (a.s.) dhe e mbështesin atë, e respektojnë dhe e ndjekin udhëzimin e tij. Përveç kësaj, ata ndihmojnë të përhapin mesazhin e tij tek të tjerët. Gjithë këtë peshë ata e mbajnë duke ndjekur dritën që zbriti Allahu i Lartësuar. Kjo dritë është Kurani, nëpërmjet të cilit ata ndriçohen dhe dalin nga errësirat e idhujtarisë dhe injorancës. Nëpërmjet Kuranit, ata gjejnë rrugën e drejtë në çdo udhëkryq që hasin.

 

“...këta janë ata të shpëtuarit.”

Të tillët kanë për të fituar mirësitë dhe kanë për të shpëtuar nga ligësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Ndërsa ata të cilët nuk e besojnë profetin Muhamed, nuk e ndihmojnë dhe nuk e respektojnë rrugën e tij, ata që nuk ndjekin dritën që Allahu i Lartësuar shpalli nëpërmjet Tij, ata janë të shkatërruarit, që nuk do të mund të shpëtojnë nga ndëshkimi në dynja dhe ahiret.

 

 

Tefsiri i Sa'dit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetës

 

05.07.2016

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com