All for Joomla All for Webmasters

A E SHEH VETEN NË KËTO AJETE?

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i lartësuar thotë: "Besimtarët dhe besimtaret janë miq e mbrojtës të njëri tjetrit; ata urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, falin rregullisht namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu do t’i mëshirojë ata. Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë. Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u ka premtuar kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë dhe vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit. Por lumturia më e madhe është kënaqësia e Allahut. Kjo është fitorja e madhe." Et-Teube 71, 72.

 

Shpjegimi i ajeteve

Pasi tha se munafikët janë miq të njëri tjetrit, Allahu i Madhëruar na thotë se edhe besimtarët janë miq të njëri tjetrit, por besimtarët përshkruhen me të tjera cilësi:

 

“Besimtarët dhe besimtaret janë miq e mbrojtës të njëri tjetrit;...”

Si meshkujt, edhe femrat besimtare, janë miq të njëri-tjetrit. Ata e duan njëri-tjetrin. Ata i përkasin njëri-tjetrit dhe ndihmojnë njëri tjetrin. Pjesë e detyrimeve të tyre të ndërsjella është që ata:

 

“...ata urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, falin rregullisht namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”

‘El Mearuf’ quhet besimi, veprat, fjalët e cilësitë e mira që Zoti i do dhe ka urdhëruar që të pajisemi me to. Besimtarët urdhërojnë njëri-tjetrin për ‘mearuf’ dhe, sigurisht, ata janë të parët që i kryejnë vetë ato.

‘El Munker’ quhet çdo besim, vepër, fjalë e cilësi e keqe që Zoti nuk e do dhe na ka ndaluar prej tyre. Besimtarët ndalojnë njëri tjetrin nga këto gjëra dhe janë vetë të parët që largohen prej tyre. Gjithashtu, të gjithë besimtarët i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kështu, ata arrijnë të përqendrohen në rrugën e drejtë dhe e mbajnë njëri-tjetrin fort në të. Këtë e bëjnë vazhdimisht dhe kurrë nuk lëkunden, derisa të largohen nga kjo botë e të takojnë Zotin e tyre, duke qenë me besim të pastër, me vepra të mira e të sinqerta. Këta janë ata për të cilët Allahu i Madhëruar thotë:

 

“Allahu do t’i mëshirojë ata.”

Këta do t’i përfshijë i Madhëruari në mëshirën e Tij, që të siguron nga çdo e keqe, dhe do t’i mbulojë me bamirësinë e Tij, që të ofron çdo të mirë.

 

“Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë.”

Allahu është i Plotfuqishmi, Krenari, Ngadhënjimtari, Mposhtësi dhe Nënshtruesi i gjithçkaje. Por, me gjithë pushtetin e Tij absolut, Ai është edhe i Urtë. Ai e vendos çdo gjë në vendin e vet që i takon. Ai meriton që të lavdërohet për gjithçka që ka krijuar dhe për çdo ligj që na ka caktuar. Më pas, Allahu i Madhëruar përmend shpërblimet e mëdha që ka përgatitur për të zgjedhurit e Tij:

 

“Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u ka premtuar kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë dhe vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit.”

Në Xhenet ka vetëm mirësi, lumturi dhe gëzim; ai është i pastër nga ligësitë e brengat. Nëpër kështjellat e Xhenetit rrjedhin lumenj të mëdhenj. Rreth tyre gëlon bimësia e dendur, e stolisur me vendpushime e bukuri të papara e të padëgjuara. Kopshtet e hijshme e lumturuese ujiten nga lumenj të kristaltë. Vetëm Allahu i Lartësuar i di hollësisht se si janë begatitë që fshihen në ato kopshte të bukura. Lumturia e banorëve nuk ka të përshkruar kur të mësojnë se do të jenë atje përjetësisht. Ata nuk do të dëshirojnë asnjëherë të largohen nga ai vend. Xheneti është rregulluar e zbukuruar nga vetë i Madhëruari për të devotshmit. Të mrekullueshme do të jenë pamjet që do të shikojnë, vendet ku pushojnë dhe kënaqësitë që do të shijojnë në çdo çast. Ata kurrë nuk do të mendojnë për t'u larguar nga ai vend i bekuar. Vetë Allahu i Madhëruar ka ndërtuar për të devotshmit dhoma të tejdukshme e të stolisura me smeralde e diamante. Kur je jashtë, mund të shikosh bukuritë e brendshme, ndërsa kur je brenda, shijon pamjet e mrekullueshme jashtë. Këto vendbanime të hijshme, në të cilat qetësohen shpirtrat, tërhiqen zemrat dhe lumturohen adhuruesit, do të jenë të përjetshme. Por mbi të gjitha këto kënaqësi, qëndron diçka shumë më e madhe:

 

“Por lumturia më e madhe është kënaqësia e Allahut. Kjo është fitorja e madhe.”

Kënaqësia e Allahut, që i përfshin banorët e Xhenetit, është më e madhe se kënaqësitë e tjera që ata përjetojnë atje. Madje, kënaqësitë e Xhenetit nuk mund të kuptohen dhe të përjetohen pa kënaqësinë e Allahut dhe vështrimin drejt Tij. Shikimi i Fytyrës së Zotit dhe lumturia që sjell kënaqësia e Tij mbi adhuruesit e vet, ka qenë motivi që frymëzon adhuruesit dhe objektivi drejt të cilit vrapojnë të dashuruarit pas Zotit. Kënaqësia e Zotit të tokës dhe qiejve është lumturia më e madhe e Xhenetit.

Tefsiri i Sa'dit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetës

11.07.2016

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com