All for Joomla All for Webmasters

JA NJË PËRSHKRIM TJETËR PËR MUNAFIKËT

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Thotë i Madhëruari: "Sa për ata, të cilët përqeshin besimtarët, që japin sadaka me vullnet dhe tallen me ata të cilët nuk kanë ç’të japin gjë tjetër veç mundit të tyre, Allahu do t’i përgjigjet talljes së tyre. Ata do të kenë dënim të dhembshëm. Kërko falje për ta ose mos kërko, por edhe nëse kërkon falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t’i falë, sepse ata kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që shkelin kufijtë." Et-Teube 79, 80.

 

Shpjegimi i ajeteve

“Sa për ata, të cilët përqeshin besimtarët, që japin sadaka me vullnet dhe tallen me ata të cilët nuk kanë ç’të japin gjë tjetër veç mundit të tyre, Allahu do t’i përgjigjet talljes së tyre.”

Kjo është një tjetër cilësi e shëmtuar e munafikëve -Allahu i shëmtoftë dhe poshtëroftë!- Sa herë që u jepet mundësia të fyejnë Islamin dhe muslimanët, e shfrytëzojnë të mbushur plot armiqësi dhe urrejtje. Kur Allahu i Madhëruar dhe Profeti i Tij nxitën besimtarët për të dhënë sadaka, muslimanët e sinqertë nxituan të jepnin për hir të Allahut aq sa patën mundësi. Disa dhanë shumë e disa dhanë pak, sipas mundësive. Megjithatë, asnjë nuk shpëtoi pa u thumbuar nga gjuha e hidhur e atyre gjarpërinjve të pistë. Sipas munafikëve, ata që dhanë shumë, e bënë për sy e faqe e për të shitur mend, ndërsa për të varfrit që dhanë pak, thanë: "Allahu nuk ka nevojë për këto sadaka të papërfillshme." Por Allahu i Madhëruar tha se do t’i përgjigjet talljes së tyre:

 

“Ata do të kenë dënim të dhembshëm.”

Ata bënë disa poshtërsi me fjalët e tyre. Së pari, vetë tallja është një vepër e shëmtuar dhe e dënueshme, aq më tepër kur u bëhet besimtarëve. Ajo është gjynah i madh edhe thjesht kur ka lidhje me çështjet e kësaj bote. Prandaj, kur ka të bëjë me çështjet e fesë dhe të besimit, ajo është edhe më e rëndë dhe e rrezikshme. Ai që i bindet Allahut dhe përpiqet për vepra të mira, është detyrë të ndihmohet, mbështetet dhe të nxitet për ta vazhduar rrugën e tij. Por munafikët, me fjalët e tyre, synojnë pikërisht të kundërtën: ata duan t’i pengojnë besimtarët që bëjnë vepra të mira. Po ashtu, tallja me ata që dhanë shumë pasuri si sadaka, se ishin mburravecë dhe pa nijet të pastër, ishte një paragjykim i ulët, një shpifje e pabazë dhe pa dije. A ka poshtërsi më të ulët sesa të akuzosh dikë pa fakte?!

Për ata që dhanë pak pasuri, munafikët thanë se Allahu nuk kishte nevojë për sadakatë e tyre. Kjo u tha me qëllim të ulët dhe të padrejtë. Është e vërtetë që Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë për sadakatë e njerëzve, të shumta apo të pakta qofshin ato, por qëllimi i munafikëve ishte gjetkë: ai kishte ligësi brenda. Është vetë Allahu i Madhëruar dhe i Pasur që i urdhëroi robërit për diçka që ata kanë shumë nevojë: sadaka dhe vepra të mira. "Kush ka bërë ndonjë të mirë që peshon sa një grimcë, do ta gjejë atë! Edhe kush ka bërë ndonjë të keqe që peshon sa një grimcë, do ta gjejë atë!" Zelzele 7-8. Fjalët e munafikëve ishin plot ligësi dhe synonin të pengonin njerëzit nga punët e mira, prandaj i Madhëruari u tall me ta, madje ka përgatitur dënim të dhembshëm:

 

“Kërko falje për ta ose mos kërko, por edhe nëse kërkon falje shtatëdhjetë herë, Allahu nuk do t’i falë,...”

Ky ajet tregon se, sado që të kërkosh falje për munafikët, Allahu i Madhëruar nuk ka për t'i falur ata. Qëllimi nuk është te numri i herëve. Domethënë, edhe nëse kërkon falje më shumë se shtatëdhjetë herë, Allahu i Madhëruar përsëri nuk ka për t’i falur ata. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: "Njësoj është: kërkon apo nuk kërkon falje për ta, sepse Allahu nuk ka për t’i falur kurrsesi! Nuk ka dyshim se Allahu nuk i udhëzon zullumqarët." Munafikun, 6. Pastaj i Madhëruari tregon shkakun e mospranimit të istigfar-it dhe lutjeve për ta:

 

“...sepse ata kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”

Mohuesit nuk i sjellin asnjë dobi lutjet e të tjerëve. Edhe veprat e tij janë të papranueshme, përderisa vazhdon të jetë kafir dhe vdes si i tillë.

 

“Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që shkelin kufijtë.”

El Fasikin janë të shfrenuarit. Kështu quhen ata që kalimi i kufijve të Allahut u është bërë cilësi e pandashme. Ata nuk pranojnë kurrsesi që të largohen nga kjo rrugë dhe nuk e ndërrojnë atë me asgjë tjetër. Veprojnë kështu, sepse janë zhytur tërësisht në shfrenimin e tyre. Kur u vjen e vërteta e qartë e Allahut, ata nuk e pranojnë, madje e refuzojnë me forcë. Për këtë arsye, i Madhëruari - me urtësinë dhe drejtësinë e Tij - i ndëshkon ata, duke i privuar nga udhëzimi dhe atëherë ata kurrë nuk mund ta gjejnë më rrugën e drejtë. 

 

Tefsiri i Sa'dit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetës

17.07.2016

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com