All for Joomla All for Webmasters

Përshkrimi i një hoxhe dhe një udhëheqësi të mirë

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme. Vizita: 1616

fShare
0
Pin It

 

udheheqesiAllahu i lartësuar thotë: "Në sajë të mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi me ta. Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje. Fali dhe kërko falje (nga Allahu) për ta! Këshillohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu Allahut! Allahu i do ata që i mbështeten Atij." Al Imran, 159.

Shpjegimi i ajetit

“Në sajë të mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi me ta.”

Kuptimi: Nga mëshira e Allahut të Lartësuar për ty dhe për shokët e tu, është edhe butësia që Ai të dhuroi ty. Me mëshirën e Zotit tënd, ti, o Muhamed, u pajise me virtytet më të mira, dhe për këtë shkak, njerëzit të duan, janë mbledhur të gjithë rreth teje dhe zbatojnë gjithçka që ti u urdhëron.

“Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje.”

Pra, nëse do të ishe me moral të ulët dhe i ashpër, ata do të largoheshin prej teje, sepse është normale që njerëzit të largohen për shkak të cilësive të tilla. Morali i keq i largon njerëzit dhe ngjall urrejtjen e tyre. Morali i mirë i udhëheqësit të fesë është një faktor shumë i fortë që tërheq njerëzit në fenë e Allahut të Lartësuar dhe ua bën atë të dashur, pa përmendur këtu gradën e lartë tek Allahu i Lartësuar. Ndërsa morali i keq, nga ana tjetër, i udhëheqësit të fesë është shkak shumë i fortë që i largon njerëzit nga feja e Allahut të Lartësuar dhe ua bën atë shumë të urryer, pa përmendur ndëshkimin e merituar që e pret atë personalisht prej Allahut të Drejtë dhe Madhështor.

Mendoje pak mirë! Kur Allahu i Lartësuar i drejtohet në këtë mënyrë Profetit të Tij, që ishte i ruajtur nga çdo cilësi e ulët, çfarë mund të thuash për të tjerët?! A nuk del si detyra më urgjente që ne të pajisemi me moral të lartë, që t'i trajtojmë njerëzit me mënyrën më të bukur, siç na ka mësuar Profeti i Zotit, mësuesi ynë më i madh?! Pa dyshim, butësia, toleranca, falja, morali i mirë, bashkimi i radhëve dhe afrimi i zemrave, duke zbatuar urdhrat dhe porositë e Allahut të Lartësuar, si edhe afrimi i njerëzve në fenë e Allahut të Lartësuar, duhet të jenë synimet tona më të rëndësishme. Pastaj Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të jetë falës dhe tolerant ndaj besimtarëve:

“Fali dhe kërko falje (nga Allahu) për ta!”

Tregohu falës dhe tolerant ndaj mangësive dhe dobësive të tyre në adhurimet ndaj Allahut të Lartësuar. Kjo është një porosi e vyer për të patur dy cilësi të mrekullueshme: faljen dhe bamirësinë.

“Këshillohu me ta për të gjitha çështjet,...”

Këshillohu me ata për çështjet që kërkojnë mendim më të gjerë. Këshillimi me të tjerët ka dobi të mëdha, qoftë për çështjet e fesë, qoftë për çështjet e dynjasë. Së pari, ai është respekt i ndjenjave dhe personalitetit të tyre. Së dyti, ai largon dilemat ku zakonisht bien njerëzit, kur janë në situata të vështira. Nëse në gjendjet e jashtëzakonshme, udhëheqësi mbledh elitën e vendit dhe fillon me ta një diskutim dhe këshillim të sinqertë, kjo do të qetësojë dhe kënaqë zemrat e tyre dhe, rrjedhimisht, ata do ta duan dhe respektojnë atë. Ky gjest tregon se ai nuk është një tiran apo sundimtar arrogant dhe egoist, por tregon se ai shqetësohet dhe interesohet për dobinë e përgjithshme dhe zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Rezultat tjetër është që ata, me bindje dhe respekt, do të shpenzojnë të gjitha energjitë dhe vlerat e tyre për të ekzekutuar urdhrat e tij, sepse e shohin që ai synon dobinë dhe rregullimin e përgjithshëm. Ndërsa kur udhëheqësi nuk është i tillë, nuk mund të shpresojë se do të gëzojë dashurinë e pastër dhe bindjen e plotë të vartësve të tij. Duke u këshilluar, ndriçohet mendja, sepse kështu përdoret pikërisht në fushën për të cilën është krijuar. Sa më shumë mendje dhe aftësi gjykuese të hyjnë në përdorim, aq më e mirë është zgjidhja që jepet. Këshillimi sjell zgjidhje më të sigurta dhe më të pranueshme për çështjet e rëndësishme dhe të koklavitura. Duke këqyrur të gjitha aspektet e çështjes, njeriu që kërkon këshillë nuk del kurrë i humbur. Ai rrallë mund të gabojë në veprat e tij. Por edhe nëse dështon apo gabon, ai nuk do të qortohet nga populli dhe inteligjenca e vendit, sepse vendimet janë marrë bashkërisht dhe të diskutuara hollësisht mes tyre.

Nëse Allahu i Lartësuari i drejtohet me një porosi të tillë Profetit të Tij, njeriut me dijen më të gjerë, me gjykimin më të plotë dhe me zgjedhjen më të saktë, atëherë ç’mund të mendohet për të tjerët poshtë tij?

Porosia: “Konsultohu me ta për të gjitha çështjet” duhet të qëndrojë para çdo udhëheqësi si detyra më kryesore. Pastaj i Lartësuari thotë:

“...e kur të vendosësh, atëherë mbështetu Allahut! Allahu i do ata që i mbështeten Atij.”

Kuptimi: Kur të marrësh vendimin përfundimtar, pas këshillimit me këshilltarët, atëherë mbështetu Allahut për realizimin e vendimit. Mbështetu plotësisht në ndihmën dhe suksesin e Allahut, duke u distancuar plotësisht nga mundësitë dhe forcat e tua. Pra, kërkoje suksesin veç nga Allahu i Plotpushtetshëm, që është i Vetmi në dorën e të Cilit është ndihma dhe suksesi. Aq më tepër që Allahu i Lartësuar i do ata të cilët i mbështeten Atij dhe drejtohen tek Ai për të gjitha çështjet e tyre.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetës

28.05.2017

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com