All for Joomla All for Webmasters

Disa premtime për ata që i binden Zotit dhe Profetit

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme. Vizita: 2623

fShare
0
Pin It

lutjeAllahu i Lartësuar thotë: "Sikur Ne t’i urdhëronim ata të flijonin veten, ose të linin shtëpitë e tyre, shumë pak prej tyre do ta bënin këtë. Sikur të vepronin ashtu siç këshilloheshin, kjo do të kishte qenë më e mira për ta dhe një përforcim më i madh (në besimin e tyre). Atëherë, Ne, do t’u jepnim atyre shpërblim të madh nga ana Jonë dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata! Ky është shpërblimi që vjen prej Allahut dhe mjafton që Allahu Di gjithçka." En-Nisa, 66-70.

 

Shpjegimi i ajeteve

 

“Sikur Ne t’i urdhëronim ata të flijonin veten, ose të linin shtëpitë e tyre, shumë pak prej tyre do ta bënin këtë.”

Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse do të na ngarkonte me përgjegjësi të vështira, siç janë lufta apo lënia e pasurive dhe e vendeve tona, atëherë, përveç një pakice, askush nuk do t’i bindej dhe nuk do të arrinte t’i kryente këto detyrime. Kështu, kjo është një nxitje për të falënderuar, lavdëruar dhe treguar mirënjohje ndaj Allahut të Lartësuar për lehtësimin e fesë, të cilën na e ka ngarkuar ta zbatojmë. Kjo është një fe e thjeshtë dhe e mundshme të zbatohet nga çdokush. Ky ajet tregon se, kur besimtari sheh gjendjen e tij të mirë dhe veprat e tij prej adhuruesi, dhe pastaj sheh veprat dhe gjendjen e të humburve, që janë jashtë rruge, ai duhet t’i jetë mirënjohës për këtë Zotit të Lartësuar.

 

“Sikur të vepronin ashtu siç këshilloheshin, kjo do të kishte qenë më e mira për ta dhe një përforcim më i madh (në besimin e tyre).”

Pra, nëse njerëzit do të zbatonin porositë e Zotit, në çdo kohë e gjendje dhe me vullnet të plotë e dëshirë për t’i kryer në formën më të plotë të mundshme, atëherë shpirtrat e tyre do të ishin të sigurt. Njeriu duhet të përqendrohet tërësisht në çështjet e rëndësishme nëpërmjet të cilave kryhet dhe arrihet adhurimi i Zotit dhe zbatimi i porosive të Tij, si dhe të shpenzojë të gjitha aftësitë e veta për t’i përkryer ato, sepse në varësi të përpjekjeve të sinqerta në këto drejtime, atij i janë premtuar shumë mirësi. Mirësitë e Zotit nuk mund të arrihen me dembelizëm. Shih se çfarë u premtohet të sinqertëve dhe punëtorëve të palodhur, që përpiqen maksimalisht për të plotësuar porositë e Zotit të tyre:

Së pari, “kjo do të ishte më mirë për ta”, domethënë, do të jenë prej vepërmirëve, sepse kanë cilësitë, fjalët dhe veprat që i karakterizojnë të mirët, të cilët u binden urdhrave dhe u largohen ndalesave. Po ashtu, ata nuk kanë cilësitë e të këqijve, sepse kur dikush ka cilësi të mira, kjo tregon se është i ruajtur nga të kundërtat e tyre.

Së dyti, “do t’i forconte më shumë”. Pra, për ta premtohet përqendrim dhe forcim në fenë e Zotit. Për shkak të veprave të mira, Allahu i Lartësuar ua përforcon edhe më shumë besimin dhe i ndihmon që të jenë të përqendruar në rrugën e drejtë. Besimtarët i zbatojnë porositë e Zotit dhe të Profetit të Tij, prandaj ata forcohen në jetën e kësaj bote që të jenë të qëndrueshëm në besim edhe kur goditen nga sprovat. Në çdo kohë dhe çdo gjendje, me ndihmën e Zotit të tyre, ata do të jenë plotësisht të durueshëm për të zbatuar urdhrat, për t’iu larguar ndalesave, si dhe për t’i qëndruar si besimtarë në momente sprovash.

Edhe në fatkeqësi, ata shprehin kënaqësinë me caktimin e Zotit. Ata i ndihmon Zoti që të vazhdojnë në këtë rrugë, e pastaj të shpërblehen me të mira e të shpëtojnë nga të këqijat, për shkak të besimit dhe përpjekjeve të tyre për të punuar dhe jetuar sipas këtij besimi. Madje, kjo ndihmë nuk vjen vetëm në jetën e dynjasë. Ajo do t’u jepet besimtarëve edhe në momentin e vdekjes, por edhe në varr, kur të merret në pyetje. Gjithashtu, nëse robi përpiqet vazhdimisht që të jetojë dhe punojë sipas porosive të Zotit të tij, kjo sjellje do t’i bëhet natyrë e tij, dhe kështu ai do të ndiejë mall dhe kënaqësi me adhurimet dhe me mënyrën e jetesës si besimtar. Pra, edhe në këtë këndvështrim, ata që jetojnë dhe punojnë për të zbatuar porositë e Allahut të Lartësuar do të jenë të përqendruar dhe të patundur në bindjen ndaj Tij.

 

“Atëherë, Ne, do t’u jepnim atyre shpërblim të madh nga ana Jonë...”

Allahu i Lartësuar premton për ata që punojnë maksimalisht dhe sinqerisht për të plotësuar porositë e Tij se do t’u japë një shpërblim të madh. Ky shpërblim do t’u jepet në dynja dhe në ahiret, i tillë që të kënaqet jo vetëm trupi, por edhe shpirti. Sigurisht që shpërblimi në Xhenetin e përjetësisë është më i mrekullueshëm. Atje ka gjëra që syri nuk i ka parë, që veshi nuk i ka dëgjuar dhe që zemra nuk i ka menduar e ëndërruar.

 

“...dhe do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.”

Këtu Allahu i Lartësuar thekson edhe një herë se atyre që punojnë dhe përpiqen për të zbatuar porositë e Tij, Ai do t’ua forcojë udhëzimin në rrugën e drejtë. Kjo tregon se sa rëndësi ka të jesh i udhëzuar në rrugën e drejtë. Për Zotin, kjo është mirësia më e madhe që Ai u ka dhuruar besimtarëve. Nuk ka mirësi më të madhe sesa Zoti të të udhëzojë në rrugën e drejtë, që ta adhurosh sipas mënyrës që Ai e dëshiron dhe kënaqet. Kjo rrugë e drejtë është e ndërtuar mbi dije të saktë, të vërtetë e të sigurt, mbi dashurinë për Allahun e Lartësuar dhe për adhurimin e Tij. Pasuesit e kësaj rruge ndihmohen nga Allahu i Lartësuar për t’i dhënë përparësi çdo gjëje që e kënaq Atë. Lumturia dhe shpëtimi nga çdo e keqe janë të kushtëzuara vetëm me pasimin e kësaj rruge të drejtë. Kush është udhëzuar në rrugën e drejtë, atij i është dhënë e gjithë mirësia dhe është shpëtuar nga çdo e keqe. Në përfundim, e lus Allahun të na ndihmojë që t’i bindemi dhe që të zbatojmë porositë e Tij!

 

“Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata!”

Çdokush që i bindet Allahut dhe Profetit të Tij, qoftë mashkull apo femër, do të jetë së bashku me ata të cilët Allahu i begatoi me plot të mira. Por cilët janë ata që Zoti i ka begatuar me shumë të mira? Ata janë, së pari, profetët, të cilët Zoti i privilegjoi me Shpalljen, duke i bërë udhërrëfyes të njerëzimit për në rrugën e Zotit. Pastaj janë siddikun-ët, domethënë të sinqertët ose të vërtetët, të cilët kanë besuar plotësisht, pa as më të voglin dyshim, gjithçka që kanë predikuar profetët. Ata e kanë njohur të vërtetën, e kanë pranuar, pohuar dhe besuar atë, kanë punuar dhe jetuar sipas këtij besimi dhe, pasi e kanë plotësuar veten, kanë ftuar edhe të tjerët në rrugën e lumturisë. Më pas vijnë dëshmorët, ata të cilët kanë luftuar dhe janë përpjekur në rrugën e Zotit, që të lartësohet fjala dhe feja e Tij, dhe që kanë dhënë jetën për këtë kauzë të lartë. Të tjerët janë vepërmirët, pra, ata të cilët kanë punuar në zbatim të porosive të Zotit dhe të Profetit. Fjalët dhe veprat e tyre janë të mira sepse bazohen në këto porosi dhe kryen me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin. Si përfundim, çdokush që i bindet Allahut dhe Profetit në kryerjen e urdhrave dhe largimin nga ndalesat, ka premtimin se do të jetë i nderuar duke qenë bashkë me të gjithë të lartpërmendurit.

 

“Ky është shpërblimi që vjen prej Allahut”

Pra, shoqërimi me ta në Xhenet do të jetë një lumturi e madhe. Atje do të qëndrojnë përjetësisht pranë Zotit të botëve. Kjo është një dhuratë pikërisht nga Zoti i Lartësuar. Është Ai që u jep sukses dhe i ndihmon që të jenë të tillë dhe, pas kësaj, u dhuron shpërblim të shumëfishuar nga bujaria dhe mëshira e Tij, shpërblim të cilin kurrë nuk do ta arrinin me punën e tyre.

 

“dhe mjafton që Allahu Di gjithçka.”

Kjo është një këshillë dhe nxitje që të përpiqemi maksimalisht për plotësimin e porosive të Zotit, në mënyrë që Ai të na përforcojë në këtë rrugë. Allahu i Lartësuar është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Ai e di se cilët meritojnë shpërblim të madh, domethënë se cilët punojnë të mbështetur në dije dhe në fe të saktë dhe cilët punojnë me sinqeritet, për të kënaqur Krijuesin e tyre.

 

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetës

12.06.2017

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com