All for Joomla All for Webmasters

Përse nuk kuptojnë këta njerëz?

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme. Vizita: 842

fShare
17
Pin It

zjarreAllahu i madhëruar thotë: “Thuaj: 'Ai është i Plotfuqishëm t’ju sjellë një dënim prej së larti ose prej së poshtmi, nën këmbët tuaja, ose t’ju ndajë në grupe e të luftoni njëri-tjetrin' Shih se si i sqarojmë Ne Argumentet, në mënyrë që ata të kuptojnë. Populli yt e mohoi këtë Kuran, ndonëse ai është vetë e vërteta. Thuaj: 'Unë nuk jam mbikëqyrësi juaj' Çdo Mesazh ka afatin e vet (të plotësimit), dhe ju do ta kuptoni më vonë."

 

Shpjegimi i ajeteve

 

- Thuaj: “Ai është i Plotfuqishëm t’ju sjellë një dënim prej së larti ose prej së poshtmi, nën këmbët tuaja, ose t’ju ndajë në grupe e të luftoni njëri tjetrin ”

Allahu i Madhërishëm është i Plotfuqishëm që t’ju godasë me ndëshkim nga çdo drejtim dhe me çdo mënyrë, nga sipër ose nga poshtë këmbëve tuaja. Por Ai edhe mund t’ju përçajë e t’ju bëjë që të vuani luftën e ndëshkimin nga njëri tjetri. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka, prandaj kujdes dhe ndaluni nga vazhdimësia në gjynahe dhe në mosbindje ndaj Tij, se do të përpiheni nga ndëshkime, që do t’ju shkatërrojnë dhe do t’ju zhdukin! Megjithëse Allahu tregon se është i Plotfuqishëm që të sjellë këto lloj ndëshkimesh, Ai, duke qenë i Mëshirshëm, e largoi nga ky umet ndëshkimin nga sipër, si nëpërmjet gurëzimit etj., si dhe ndëshkimin nga poshtë, me shembje të Tokës etj. Por Ai ka ndëshkuar shumë prej tyre me mënyrën e tretë, duke i ndarë në grupacione e duke i bërë të luftojnë e torturojnë njëri tjetrin. Allahu ua zbret këtë lloj ndëshkimi, që të marrin mësim ata që marrin mësim dhe që kanë dituri.

 

- "Shih se si i sqarojmë Ne Argumentet, në mënyrë që ata të kuptojnë."

Shiko se si sjellim larmi shenjash, në forma e rrugë të shumta, që të gjitha treguese të së vërtetës. Të gjitha këto shenja i sjellim që ata të logjikojnë e të kuptojnë përse janë krijuar, të kuptojnë realitetin e Sheriatit dhe qëllimet e tij.

 

- "Populli yt e mohoi këtë Kuran, ndonëse ai është vetë e vërteta."

Populli yt e konsideron si gënjeshtër Kuranin, ndërsa ai është e vërteta e padiskutueshme, tek e cila nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim.

 

- Thuaj: “Unë nuk jam mbikëqyrësi juaj”

Unë nuk jam ngarkuar që të regjistroj dhe të ruaj punët tuaja dhe nuk kam të drejtë që t’ju shpërblej për to. Unë jam thjesht një paralajmërues dhe kumtues i qartë i së vërtetës.

 

- "Çdo Mesazh ka afatin e vet (të plotësimit) dhe ju do ta kuptoni më vonë."

Ky afat nuk mund të shtyhet apo të përshpejtohet. Një gjë është e sigurt: ju keni për ta mësuar dhe për t'u përballur me atë.

 

Tefsiri i Sa’dit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi i Jetës

27.07.2018

fShare
17
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com