All for Joomla All for Webmasters

JA KUSH JANË TË SINQERTË DHE TË DEVOTSHËM

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i Madhëruar thotë në suren El Bekare ajeti 177:

"Mirësia nuk është që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit. Mirësi e vërtetë është e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, librat dhe profetët; e atij që, prej pasurisë që e do, u jep të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsave dhe për lirimin e robërve; e atij që fal namazin e jep zekatin; dhe e atyre që, kur premtojnë, e mbajnë fjalën e dhënë; e atyre që janë të durueshëm në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Vetëm këta e tregojnë sinqeritetin e tyre dhe vetëm këta janë të devotshëm.”

 

Shpjegimi i ajetit

 

“Mirësia nuk është që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit.” Kuptimi: Bamirësia që u kërkohet adhuruesve nuk është thjesht kthimi drejt lindjes apo perëndimit, që të lodheni aq shumë me të tilla diskutime e polemika të gjata, shumica e të cilave sjellin veçse përçarje dhe armiqësi. Kjo fjali i ngjan shumë për nga ndërtimi thënies së Profetit (s.a.u.s): “I fortë nuk është ai që arrin të mundë tjetrin me forcë. I fortë është ai që e përmban veten gjatë zemërimit.”

 

“…Mirësi e vërtetë është e atij që beson Allahun…”

Pra, që beson se Ai është i Vetëm dhe Absolut, me cilësitë më të larta, larg çdo mangësie që i përshkruajnë krijesat.

 

“…Ditën e Fundit…”

Ky nocion përfshin, në fakt, gjithçka që do të ndodhë pas vdekjes, ashtu siç na e ka përshkruar Allahu dhe Profeti i Tij.

 

“…engjëjt…”

Engjëjt, për vërtetësinë e të cilëve na ka dëshmuar Allahu dhe Profeti i Tij, në Kuran dhe në Sunet.

 

“…librat…”

Domethënë, të gjithë librat që Zoti ia ka zbritur njerëzimit, nëpërmjet profetëve. Më madhështori i tyre është Kurani, prandaj çdokush duhet të besojë në vërtetësinë e gjithçkaje që përmendet në të, dhe duhet ta marrë seriozisht çdo dispozitë e ligj të sjellë në të, për të rregulluar jetën njerëzore.

 

“…dhe profetët…”

Pra, duhen besuar të gjithë profetët në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë Vula e tyre, Profeti i fundit, Profeti i mëshirës, Muhamedi (s.a.u.s).

 

“…e atij që, prej pasurisë që e do, u jep të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsarëve dhe për lirimin e robërve”

“El mâle” quhet çdo pasuri që është nën pronësinë e njeriut, qoftë ajo e madhe apo e vogël. Pra, shprehja e bamirësisë së njeriut është shpenzimi i pasurisë që ai zotëron, në fushat në të cilat na ka nxitur Allahu i Lartësuar që të shpenzojmë. Madje, njeriu duhet të shpenzojë nga kjo pasuri edhe atëherë kur pasuria është shumë e nevojshme dhe robi e ka të vështirë që të japë.

Allahu i Lartësuar thotë: “…prej pasurisë që e do”. Pra, shenjë e bamirësisë është edhe shpenzimi i asaj pasurie që robi e dëshiron ta ketë pranë dhe të mos e shpenzojë. Dihet që pasuria është shumë e dashur për njeriun dhe ai e ka shumë të vështirë që ta japë atë, prandaj shpenzimi i saj është tregues bamirësie. Në të njëjtën kohë, ai që e shpenzon pasurinë e tij, edhe pse e do shumë atë, duke synuar që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, ka dëshmuar për imanin e tij të pastër.

 

Por cili konsiderohet si shpenzues i pasurisë nën presionin e dashurisë për të?

I tillë konsiderohet ai që shpenzon atë pjesë të pasurisë që e do më shumë dhe ai që jep ndërkohë kur rrezikon varfërinë.

I pari, edhe pse ka pasuri tjetër për ta shpenzuar, jep pikërisht atë pjesë që është më e dashura dhe më e çmuara për të, sikurse thotë i Lartësuari në suren Al Imran, ajeti 92: “Nuk keni për ta arritur devotshmërinë e vërtetë, derisa të jepni nga ajo (pasuri) që e doni.”

Ndërsa i dyti, është njeriu që jep sadaka, ndërkohë që ka shumë pak pasuri, sepse ai jep nën trysninë e frikës nga varfëria dhe skamja. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon se kujt i jepen këto pasuri:

 

“…të afërmve…”

Pra, të parët njerëz që e meritojnë bamirësinë me pasuri, me vepra, me ndjenja dhe me fjalë, janë të afërmit. Të afërmit janë njerëzit që, kur ata lumturohen, edhe ti gëzohesh, e kur ata trishtohen, edhe ti trishtohesh. Të afërmit janë ata që të gjenden pranë në kohë nevoje. Kështu, ndër bamirësitë më të mëdha është ruajtja e lidhjeve me të afërmit, duke i ndihmuar me pasuri apo duke u thënë fjalë të mira e ngushëlluese. Sigurisht, kjo bëhet në varësi me nevojat e tyre dhe të shkallës së afrimitetit me ta.

 

“…jetimëve…”

Ndër njerëzit që meritojnë më së shumti bamirësi janë jetimët, të cilët nuk kanë mundësi që të sigurojnë jetesën e tyre dhe të jenë të pavarur. Kjo është një shprehje e mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar për krijesat e Tij. Ai është më i kujdesshëm, më i dashur e më i mëshirshëm për robin, sesa prindi për fëmijën e tij. Allahu i Lartësuar i urdhëron njerëzit që të shpenzojnë pasurinë e tyre për fëmijët që nuk i kanë prindërit, në mënyrë që ata të mos e ndiejnë mungesën e përkujdesjes së tyre. Një gjë është e sigurt: Kush e mëshiron jetimin e tjetrit, ta dijë se edhe jetimi i tij do të mëshirohet.

 

“…të varfërve…”

Të varfrit kanë të drejta në pasurinë e të pasurve, sepse këta të fundit duhet të ndihmojnë që t’ua largojnë varfërinë atyre, ose, së paku, t'ua lehtësojnë atë. Pra, të pasurit duhet të japin çfarë të munden, për të ndihmuar vëllezërit e tyre të varfër.

 

“…udhëtarëve të mbetur në rrugë…”

Prej atyre që duhen ndihmuar, janë edhe udhëtarët që kanë mbetur në mes të rrugës për shkaqe të ndryshme dhe janë larg vendit dhe pasurisë së tyre. Allahu i Lartësuar na nxit që ne të japim prej pasurisë sonë, me qëllim që t'i ndihmojmë këta nevojtarë të përfundojnë udhëtimin e tyre. Dihet shumë mirë se udhëtimi ka të papritura dhe nevoja të shumta. Për këtë arsye, ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka begatuar me të mira materiale dhe me qetësinë pranë vendit dhe pasurisë së tyre, duhet të tregohen mëshirues e bamirës ndaj atij që gjendet larg vendit, pasurisë dhe njerëzve të tij. Ndihma jepet sipas rastit, për shembull, duke e furnizuar me ushqim për udhëtimin e tij, duke i mundësuar mjetin e transportit, duke e ndihmuar të plotësojë detyrimet që e pengojnë të kthehet në vendin e tij etj.

 

“…lypsarëve…”

Kështu quhen ata të cilët nevoja i shtyn që të kërkojnë. I tillë është, për shembull, dikush që nuk arrin të paguajë ndonjë gjobë të detyrueshme ndaj shtetit, ose dikush që u kërkon njerëzve që të japin për ndërtimin e një xhamie, shkolle, për shërbime të përgjithshme etj. Këta duhen ndihmuar, edhe pse mund të jenë të pasur, porse nevoja urgjente i shtyn që të kërkojnë.

 

“…dhe për lirimin e robërve…”

Domethënë, për çlirimin nga skllavëria, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose duke ndihmuar skllavin që ka bërë marrëveshje me zotërinë për të blerë lirinë e tij. Këtu hyn edhe çlirimi i muslimanëve të burgosur ose të kapur rob nga qafirët ose nga tiranët.

 

“…e atij që fal namazin e jep zekatin…”

Një shprehje e bamirësisë, të cilën jemi urdhëruar ta kryejmë, është edhe falja e namazit e dhënia e zekatit. Tashmë është përmendur disa herë që Allahu i Lartësuar e përmend faljen e namazit bashkë me dhënien e zekatit, për shkak se janë dy adhurimet më të mira dhe dy mënyrat më efikase për t'iu afruar Zotit të botëve. Ato janë adhurime që përfshijnë zemrën, trupin dhe pasurinë e robit. Namazi dhe zekati janë matësit e imanit dhe treguesit e sigurisë që gjendet në zemrën e robit për vërtetësinë e premtimit të Zotit.

 

“…dhe e atyre që, kur premtojnë, e mbajnë fjalën e dhënë…”

Këtu flitet për premtimin për të kryer diçka që Allahu e ka bërë të detyrueshme, ose që vetë robi ia bën të detyrueshme vetvetes. Në fakt, në këtë përkufizim hyjnë të gjitha të drejtat e Allahut të Lartësuar mbi robërit e Tij, sepse Allahu i Lartësuar ua ka bërë të detyrueshme adhuruesve që të plotësojnë detyrimet ndaj Tij, të cilat ata me vetëdije i kanë pranuar, duke premtuar se do t'i plotësojnë. Këtu përfshihen edhe të drejtat e krijesave, të përcaktuara nga Allahu i Lartësuar, që të plotësohen në marrëdhëniet mes tyre. Këtu bëjnë pjesë edhe përbetimet e robit, të cilat nuk i ka bërë të detyrueshme Allahu i Lartësuar, por vetë robi ia bën detyrim vetvetes; edhe këto, pra, duhet të çohen në vend dhe të plotësohen.

 

“…e atyre që janë të durueshëm në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës.” Bamirësi tjetër që është urdhëruar të kryhet, është edhe durimi i shprehur në tri momentet e përshkruara në ajet.

 

“…në skamje”

Pra, bamirës të vërtetë janë ata që tregohen të durueshëm në gjendje varfërie. I varfri ka nevojë për durim, për shumë arsye dhe në shumë drejtime. Ai ka nevojë për durim të madh që të përballojë dhimbjet trupore dhe psikologjike, të cilat i përjetojnë veç të varfërit. Nëse të pasurit gëzojnë dhe shijojnë kënaqësi të ndryshme, i varfëri vuan. Kur ha një ushqim që nuk i pëlqen, ai vuan. Kur ndien nevojën të vishet mirë dhe nuk mundet, ai vuan. Kur shikon të tashmen dhe të ardhmen që e pret, dhe ndihet i pasigurt për të, ai vuan. Kur ndien ftohtë dhe nuk gjen me çfarë të ngrohet, ai përsëri vuan. Të gjitha këto, pra, janë sprova, të cilat jemi urdhëruar t’i durojmë, duke llogaritur shpërblimin e Allahut të Lartësuar për to.

 

“…në sëmundje”

Pra, të duruarit gjatë sëmundjeve të të gjitha llojeve. Për çdo sëmundje që godet njeriun është i nevojshëm durimi. Kur është sëmurë, shpirti dobësohet dhe trupi ndien dhimbje. Sëmundjet janë shumë të vështira për t'u përballuar, sidomos kur ato zgjasin. Në të tilla kushte, njeriu është i urdhëruar të tregohet i durueshëm, që të arrijë shpërblimin e pamasë, të përgatitur nga Allahu i Lartësuar për durimtarët.

 

“…në flakën e luftës”

Një nga situatat që kërkon durimin më të madh është koha gjatë betejës kundër armiqve, për të cilët jemi urdhëruar që t'i luftojmë. Durimi në këtë rast është nga veprat më të vështira për shpirtin, sepse janë momente kur njeriu e ndien afër frikën nga vrasja, plagosja apo kapja rob. Për këtë arsye, durimi në luftime është shumë i nevojshëm. Në fakt, luftëtarit në rrugën e Zotit të Madhëruar i lehtësohet durimi kur llogarit shpërblimin e Allahut të Lartësuar dhe faktin që ndihma vjen prej Zotit të gjithësisë, i Cili ka premtuar fitore dhe ndihmë për durimtarët.

 

“Vetëm këta e tregojnë sinqeritetin e tyre dhe vetëm këta janë të devotshëm.”

Pra, vetëm ata që kanë cilësitë e lartpërmendura janë të sinqertë, që e vërtetojnë besimin e tyre me vepra. Ata kanë besim të drejtë, vepra të mira dhe moral të lartë. Ata janë të sinqertë, që e vërtetojnë besimin, me anë të veprave të tyre. Por ata meritojnë të quhen edhe “të devotshëm”, sepse ata i largohen haramit dhe i zbatojnë me përpikëri urdhrat e Zotit të tyre. E si të mos u përmbahen dispozitave të vendosura nga Zoti i tyre, kur dihet se ato janë kultivuese të çdo cilësie të lartë.

Mbajtja e premtimeve dhe e përgjegjësive i përfshin të gjitha fushat e jetës dhe të fesë, ndërsa adhurimet e cituara në këtë ajet janë adhurimet më të mëdha të Islamit. Ai që tregohet rigoroz në zbatimin e tyre, me siguri që në adhurimet e tjera do të jetë shumë i rregullt. Këta janë bamirësit, të sinqertët e të devotshmit. Shpërblimi që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për të tillë njerëz, në këtë jetë dhe në jetën tjetër, është i pamundur të tregohet e përshkruhet në një libër të vetëm si ky, me të tilla përmasa.

 

Tefsiri i Sadit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetes

28.11.2015

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com