All for Joomla All for Webmasters

JA SI U PËRÇANË NJERËZIT

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i Madhëruar thotë në suren El Bekare ajeti 213:

"Njerëzit ishin dikur një bashkësi e vetme. Pastaj Allahu dërgoi profetët, si përgëzues dhe si qortues. Ai u zbriti atyre edhe Librin me të vërtetën, për të gjykuar njerëzit në çështjet që kundërshtoheshin mes tyre. Pas qartësimit të argumenteve, askush nuk kundërshtoi më, përveç arrogantëve të verbuar nga zilia dhe armiqësia për njëri-tjetrin. Me mëshirën e Tij, Allahu i udhëzoi besimtarët tek e vërteta e çështjeve, për të cilat kishin kundërshtime. Allahu udhëzon në rrugë të drejtë atë që dëshiron.”

 

Shpjegimi i ajetit

“Njerëzit ishin dikur një bashkësi e vetme. Pastaj Allahu dërgoi profetët, si përgëzues dhe si qortues.”

Pra, në fillim, njerëzit ishin të gjithë në rrugë të drejtë dhe adhuronin një Zot, vetëm Allahun. Kështu vazhduan për rreth dhjetë shekuj pas kohës së profetit Nuh (alejhi selam). Pastaj ata u ndanë në dy grupe të mëdha: një grup i qëndroi besnik rrugës së drejtë, duke e adhuruar Zotin të vetëm dhe duke iu bindur veç Atij, ndërsa grupi tjetër filloi të adhuronte zota të tjerë veç Allahut dhe u larguan nga bindja dhe nënshtrimi ndaj Tij. Atëherë, Allahu i Lartësuar dërgoi mes njerëzve, gjatë gjithë kohërave, profetët e Tij, për t'u përcjellë krijesave të vërtetën, të argumentuar dhe të provuar. Ata vinin me argumente të qarta, që nuk u linin krijesave asnjë justifikim para Zotit të tyre, nëse do vazhdonin të ndiqnin rrugën e humbjes.

Disa mendojnë se ajeti tregon se njerëzit ishin të gjithë të bashkuar në rrugën e humbjes. Pra, sipas këtij mendimi tjetër, të gjithë ishin në humbje, të zhytur në kufër, mosbindje ndaj Allahut dhe në shkatërrim total, duke mos pasur as dritë, as iman. Pastaj Allahu i Lartësuar, nga mëshira e Tij, u dërgoi profetë, si përgëzues dhe qortues. Profetët ishin përgëzues për ata që do t’i bindeshin Allahut. Përgëzimi i tyre ishte se frytet e bindjes ndaj Allahut janë nga më të mirat: furnizim i bollshëm, hallall dhe i ndershëm, forcë në trup, mendje e shpirt dhe një jetë e këndshme.

Por, pa dyshim, fryti më i mrekullueshëm që sjell bindja e nënshtrimi ndaj Allahut është arritja e kënaqësisë së Tij dhe e Xhenetit të përhershëm. Zoti i dërgoi profetët edhe si qortues e paralajmërues. Ata qortonin dhe paralajmëronin njerëzit që nuk bindeshin dhe nuk i nënshtroheshin Allahut, se do të shijonin frytet e hidhura të mosbindjes, të cilat janë: furnizimi i vështirë, dobësia, poshtërimi dhe jeta e trishtuar. Por më i hidhur nga gjithçka është zemërimi i Allahut dhe zjarri i Xhehenemit, ku ata do të qëndrojnë përjetësisht.

 

“Ai u zbriti atyre edhe Librin me të vërtetën...”

Allahu i Lartësuar u shpalli profetëve të vërtetën e u dha urdhra të drejtë. Çdo gjë në librat e Zotit është e drejtë dhe sqaruese e themeleve të besimit, të ligjeve dhe dispozitave për jetën. Vetëm nëpërmjet këtyre librave mund t'u jepet zgjidhje kundërshtimeve mes krijesave, siç thotë Allahu i Lartësuar:

 

“...për të gjykuar njerëzit në çështjet që kundërshtoheshin mes tyre.”

Kështu, librat e Zotit kanë zbritur pikërisht për t’u sqaruar njerëzve çështjet për të cilat ata nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, kurdoherë që ka kundërshtime mes njerëzve, është detyrë për ta që ta gjejnë zgjidhjen në udhëzimet e Allahut të Lartësuar, të cilat gjenden në Kuran dhe në Sunetin e Profetit (alejhi selam).

Nëse Kurani dhe hadithet e Profetit (alejhi selam) nuk do të mjaftonin për zgjidhjen e konflikteve mes njerëzve, Allahu i Lartësuar nuk do të na udhëzonte që t’i kërkonim zgjidhjet në ato dy burime. Megjithatë, edhe pse ndjekja e mësimeve të Zotit në librat e shenjtë mundëson bashkimin e njerëzve, ata përsëri u përçanë, sepse i kundërshtuan këto mësime, për shkak të smirës dhe urrejtjes.

 

“Pas qartësimit të argumenteve, askush nuk kundërshtoi më, përveç arrogantëve të verbuar nga zilia dhe armiqësia për njëri-tjetrin.”

Pra, ata u përçanë, për shkak të smirës dhe urrejtjes që vlonte në zemrat e tyre, edhe pas zbritjes së argumenteve të qarta. Ata kundërshtuan mësimet dhe librat e Zotit, ndërkohë që duhet t’u besonin dhe t'i nënshtroheshin atyre. Me këtë veprim, ata humbën dhe u larguan shumë larg nga rruga e drejtë. Ndërsa besimtarët e nënshtruar, respektuesit e mësimeve të Zotit, u udhëzuan drejt së vërtetës, me mëshirën e Zotit të tyre.

 

“Me mëshirën e Tij, Allahu i udhëzoi besimtarët tek e vërteta e çështjeve, për të cilat kishin kundërshtime.”

Allahu i Lartësuar i ka udhëzuar besimtarët e sinqertë të këtij umeti, që të gjejnë të vërtetën në të gjitha çështjet ku janë kundërshtuar popujt e tjerë që kanë patur libër hyjnorë dhe që tashmë kanë humbur rrugën dhe kanë devijuar. Ky ummet është udhëzuar prej mëshirës së Allahut të Lartësuar dhe me vullnetin e Tij, prandaj ka mundur të gjejë rrugën e drejtë për çdo çështje që ka patur kundërshtime.

 

“Allahu udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai dëshiron.”

Allahu i Lartësuar ia bën të gjitha krijesave ftesën e Tij për të ndjekur rrugën e drejtë, sepse Ai është i Drejti. Kështu, krijesat nuk do të kenë asnjë justifikim Ditën e Gjykimit kur të dalin para Tij, siç thotë Allahu: “Përkujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmojmë!”. “Atëherë mos thoni në Ditën e Kiametit: “Ne kemi qenë të pavëmendshëm ndaj kësaj”. Ose: “Prindërit tanë ishin idhujtarë, kurse ne ishim pasardhësit të tyre. A do të na shkatërrosh për atë që kanë bërë ata mohues të së vërtetës?!” Araf: 172-174.

Pavarësisht nga kjo, jo të gjithë iu përgjigjën ftesës së Tij. Jo të gjithëve iu dha suksesi që t'i nënshtrohen dhe dorëzohen Atij, por vetëm ata të cilët Ai i zgjodhi për t'i mëshiruar dhe për t'u dhënë sukses, vetëm ata e gjetën rrugën e vërtetë. Pra, kush është në rrugën e drejtë, e ka gjetur atë vetëm me mëshirën, butësinë, bujarinë dhe bamirësinë e Zotit të Tij. Ndërsa ata që mohojnë, nuk i përgjigjen ftesës, sepse kështu ka vendosur drejtësia dhe urtësia e Allahut të Lartësuar.

 

Tefsiri i Sadit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetes

15.12.2015

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com