All for Joomla All for Webmasters

JA GJYKIMI I ISLAMIT PËR KËTO PLAGË TË SHOQËRISË

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i Madhëruar thotë: "Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaju: ‘Ato sjellin të këqija të mëdha, por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, e keqja e tyre është më e madhe sesa dobia.’ Të pyesin se çfarë të shpenzojnë. Thuaju: ‘Tepricën’. Kështu jua sqaron Allahu argumentet, që ju të mendoni." El Bekare, 219.

 

Shpjegimi i ajetit

“Të pyesin ty për verën dhe bixhozin.”

Kuptimi: Të pyesin ty, o Profet i Zotit, për ligjin mbi pijet dehëse dhe kumarin. Pijet dehëse dhe bixhozi kanë qenë shumë të përhapura në kohën para Islamit, si dhe në fillim të epokës islame. Me sa duket, njerëzit ndienin diçka dhe donin të qartësoheshin plotësisht rreth këtyre dy fenomeneve kaq të përhapura. Atëherë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që të tregonte se ato kanë edhe dobi, edhe dëme për njeriun. Por dëmi i tyre është më i madh se dobia. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar i udhëzoi njerëzit që, duke përdorur mendjen e tyre, të fillonin e të largoheshin prej atyre gjërave të dëmshme. Kjo qe një formë e përshkallëzuar e caktimit të një ligji, i cili mund të ishte i vështirë që të pranohej menjëherë nga njerëzit. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar përgatiti terrenin, që më pas të sillte dispozitën përfundimtare të ndalimit të këtyre dy veprave të lartpërmendura. Më tej, i Lartësuari thotë:

 

“Thuaju: “Ato sjellin të këqija të mëdha, por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, e keqja e tyre është më e madhe sesa dobia.”

Pra, i Lartësuari na tregon se të këqijat që ato sjellin janë më të mëdha se ndonjë dobi që mund të përfitohet prej tyre. A ka dëmtim më të rëndë sesa dëmtimi që i shkaktohet të menduarit ose pasurisë? Gjithashtu, ato dy vepra të pengojnë nga përkujtimi i Allahut dhe nga falja e rregullt e namazit. Jo vetëm kaq, por ato nxisin edhe armiqësinë e urrejtjen mes njerëzve. E pra, dëme të tilla nuk mund të krahasohen kurrë me ato pak dobi që mund të fitohet nëpërmjet tyre. Duke tregtuar pije dehëse apo duke luajtur kumar, mund të fitohet pasuri, madje, me përdorimin e tyre, njeriu provon një lloj kënaqësie, por përballë dëmeve që ato shkaktojnë, këto ‘dobi’ janë të papërfillshme.

Ky ajet vjen si qortim i ashpër për njerëzit, që ata të largohen prej kënaqësive të fituara në këtë mënyrë. Mendja e shëndoshë duhet t'i japë përparësi gjithmonë asaj që është më e dobishme dhe më larg dëmit. Ajo kurrë nuk mund t’i afrohet diçkaje, dëmi i së cilës është më i madh se dobia e saj. Duke qenë se njerëzit asokohe ishin mësuar dhe ishin lidhur shumë fort me të tilla mënyra argëtimi dhe fitimi, atëherë Allahu i Lartësuar zbriti ajete të tilla nxitëse për të menduar dhe si parapërgatitje për shpirtrat dhe mendjet e besimtarëve, para zbritjes së ajeteve (në suren Maide, 90-92) që i ndalojnë rreptësisht pijet dehëse dhe kumarin. Sigurisht që kjo tregon butësinë, mëshirën dhe urtësinë e Krijuesit për ne.

Fjala “verë” (el ħamru) në ajet nënkupton çdo lloj pijeje dehëse, që e mpin dhe e turbullon mendjen. Ndërsa ‘bixhoz’ (el mejsir) quhen të gjitha ato lojëra, si tavlla, shahu etj., ku palët pjesëmarrëse vendosin pasuri, të cilat i merr ai që fiton lojën. Pra, çdo lloj loje që bëhet për të fituar pasuri në këtë mënyrë është e ndaluar, edhe nëse loja në vetvete mund të jetë e lejuar nga Sheriati.

 

“Të pyesin ty se çfarë të shpenzojnë.”

Kjo është një pyetje për masën e shpenzimit. Sa kërkon Allahu i Lartësuar prej pasurive tona, për të fituar kënaqësinë e Tij? Allahu i Lartësuar e lehtësoi këtë çështje, duke dhënë përgjigjen vijuese:

 

“....Thuaju: “Tepricën”...”

Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se prej pasurive tona kërkon atë që (në arabisht) quhet “el afu”, domethënë ajo pjesë e pasurisë që çdokush e ka të thjeshtë ta japë, sepse është shtesë mbi nevojat e njeriut. Me fjalë të tjera, nëse njeriu ia ka plotësuar vetes dhe familjes së tij kushtet e domosdoshme të jetesës ose gjërat e nevojshme për një jetë normale, atëherë pasuria që tepron pas këtyre quhet “el afu”. Pikërisht nga kjo pasuri kërkon Allahu i Lartësuar që ne të shpenzojmë për hir të Tij. Nevojat e njerëzve ndryshojnë në varësi të vendit, kohës, shtresës së tyre etj. Gjithsesi, çdokush është në gjendje të japë prej pasurisë së tepërt të tij, qoftë edhe një gjysmë hurme. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që ta pranonte ndjesën e njerëzve dhe të merrte prej tyre veçse tepricën e pasurisë. Në këtë mënyrë, Ai urdhëroi që njerëzit të mos ngarkoheshin më shumë sesa mbanin. Këtu duhet kuptuar një fakt shumë i rëndësishëm. Allahu i Lartësuar, me detyrimet që na ka ngarkuar, nuk kërkon që të plotësojë nevojat apo dëshirat e Tij personale, sepse Ai nuk ka nevojë për asgjë. Por Allahu nuk i ka sjellë dispozitat e Tij as që të na rëndojë ne. Përkundrazi, çdo urdhër i Tij synon që të na lumturojë dhe të na lehtësojë çdo çështje, prandaj Ai meriton lavdërimin dhe mirënjohjen tonë të plotë për gjithçka që ka ligjëruar. Pasi e sqaroi çështjen e mësipërme, Allahu i Lartësuar thotë:

 

“Kështu jua sqaron Allahu argumentet...”

Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua sqaron juve çështjet e dobishme. Këto janë argumente që i ndihmojnë njerëzit të dallojnë të vërtetën nga e kota, të saktën nga e gabuara.

 

“...që ju të mendoni (për këtë botë dhe për botën tjetër)”

Kuptimi: Ky lloj sqarimi bëhet që ju të përdorni mendjet tuaja dhe të meditoni thellë rreth urtësive të Sheriatit. Kështu, ju do të bindeni se urdhrat e Allahut shërbejnë për lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ju do ta kuptoni, gjithashtu, se kjo dynja do të mbarojë shpejt dhe do të zhduket, ndërsa ajo që mbetet është jeta e ahiretit dhe çfarë keni përgatitur për të. Në këtë mënyrë, ju do të dini se çfarë duhet të refuzoni e ta nënçmoni dhe çfarë duhet të pranoni dhe ta vlerësoni.

 

Tefsiri i Sadit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetes

16.01.2016

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com