All for Joomla All for Webmasters

NJË POROSI, ZBATIMI I SË CILËS NUK DUHET VONUAR

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i madhëruar thotë: "O ju që keni besuar! Shpenzoni një pjesë nga ajo me të cilën Ne ju kemi furnizuar, para se të vijë një ditë, kur nuk do të ketë më as tregti, as miqësi dhe as ndërmjetësim. Jobesimtarët, ata janë zullumqarë.” El Bekare, ajeti 254.

 

Shpjegimi i ajetit

- “O ju që keni besuar! Shpenzoni një pjesë nga ajo me të cilën Ne ju kemi furnizuar, para se të vijë një ditë, kur nuk do të ketë më as tregti, as miqësi dhe as ndërmjetësim.”

Ky urdhër për të shpenzuar vetëm një pjesë të pasurisë, është mëshirë prej Allahut të Lartësuar, i Cili i nxit besimtarët që të japin prej pasurisë së tyre, qoftë pjesën e detyrueshme, qoftë edhe të pëlqyeshme. Kjo tregon mëshirën e Tij për ta, sepse çdo shpenzim për hir të Zotit do të ketë shpërblim të madh Ditën e Gjykimit, atë ditë kur çdokush do të ketë nevojë qoftë edhe për një thërrmijë mirësie, që të shpëtojë prej ndëshkimit të Xhehenemit.

Atë ditë, çdo njeri do të dëshironte që të jepte si kompensim të gjithë tokën të mbushur me flori, veç që të shpëtonte nga ndëshkimi i tmerrshëm. Por, atë ditë nuk pranohet asnjë kompensim nga krijesat. Atë ditë nuk do të bëjë dobi as i dashuri, as miku e shoku, as pushteti dhe as lidhjet e ngushta. Asgjë e asnjë nuk mund ta shpëtojë robin, as me ndërmjetësim e as me pasuri.

Ajo është dita e dështimit për të humburit. Ajo është dita e dëshpërimit për të padrejtët. Atë ditë do të dëshpërohen të gjithë ata që neglizhuan të drejtat e detyrimet e tyre dhe ata të cilët nuk i dhanë hakun atij që e meritonte, domethënë ata që nuk i plotësuan detyrimet ndaj Allahut dhe detyrimet ndaj krijesave. Ata e kanë shpërfillur hallallin dhe e kanë tepruar me harame.

Megjithatë, padrejtësia më e madhe është kufri, mohimi i Zotit dhe të adhuruarit e dikujt tjetër veç Tij. Adhurimet të cilat njeriu duhet t'ia përkushtojë Allahut të Lartësuar, qafiri ia përkushton dikujt tjetër, duke adhuruar krijesat, në vend të Krijuesit. Prandaj i Madhëruari thotë:

“Jobesimtarët, ata janë zullumqarë.”

Nga kjo fjali kuptohet një lloj përkufizimi i padrejtësisë vetëm te këta njerëz. Pra, të padrejtët dhe mizorët më të mëdhenj janë pikërisht dhe vetëm mohuesit. Vërtet që kufri ose shirku është padrejtësia më e madhe, siç thotë Allahu i Lartësuar në suren Lukman:

“Shirku është pa dyshim, padrejtësia më e madhe.”

 

Tefsiri i Sa'dit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetes

17.03.2016

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com