All for Joomla All for Webmasters

ISLAMI NUK IMPONOHET ME DHUNË

. Posted in Tefsir ajetesh te ndryshme.

Pin It

 

Allahu i madhëruar thotë: "Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. Kush e braktis tagut-in dhe beson Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet. Allahu është Dëgjues e i Gjithëdijshëm." El Bekare, 256.

 

Shpjegimi i ajetit

 

“Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota”

Allahu i Lartësuar na tregon se në fe nuk duhet të ketë dhunë, sepse është diçka e panevojshme. Dhuna apo detyrimi me pahir bëhet veçse për çështje të errëta, të papranueshme, me shenja e argumente të paqarta, ose për ndonjë çështje shumë të urryer për shpirtin. Ndërsa kjo fe e drejtë është shumë e qartë, e pranueshme dhe e kuptueshme për shpirtin.

Bazat e saj janë shumë të qarta. Rrugët e transmetimit të saj deri tek ne janë të sigurta dhe të verifikueshme. Çështjet e Islamit janë të shtjelluara e të shpjeguara shumë qartë. Me këtë fe është ndarë e drejta nga e gënjeshtërta. Mjafton për një njeri të mençur që t'i hedhë vetëm një vështrim të shkurtër kësaj feje, dhe patjetër që do ta pëlqejë dhe do ta dëshirojë për veten e vet.

Ndërsa qëllimprishurit apo shpirtzinjtë e shohin qartë të vërtetën, por me vetëdije zgjedhin të kotën. Ata e shohin të mirën, por shkojnë tek e shëmtuara. Të tillë njerëz nuk ia vlen të detyrohen për të pranuar këtë fe madhështore. Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, aq më tepër, të këtyre të prishurve. Nuk është e nevojshme që këta të detyrohen të pranojnë fenë e Allahut, sepse është e padobishme dhe e pafrytshme.

Kush e pranon fenë i detyruar, nuk e ka besimin të saktë, madje e ka të papranueshëm. Megjithatë, ky ajet nuk tregon aspak se lufta ndaj qafirëve agresorë është e ndaluar. Kuptimi i tij është se kjo fe, me mrekullinë e saj, e bën çdo mendjekthjellët e zemërpastër që ta pranojë me vullnet të lirë atë, pa qenë e nevojshme që të detyrohet me forcë për një gjë të tillë. Këtu nuk ceket aspak çështja e luftës kundër qafirëve, e cila trajtohet në ajete të tjera. Ky ajet mund të shërbejë si argument që fakton se lejohet marrja e xhizjes edhe nga jomuslimanët e tjerë, përveç të krishterëve e çifutëve, sikurse thonë shumë dijetarë.

 

“Kush e braktis tagut-in dhe beson Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet”

Ai që mohon dhe refuzon adhurimin e gjithçkaje tjetër veç Allahut, dhe i largohet bindjes dhe pasimit të rrugës së shejtanit, dhe pastaj beson sinqerisht Allahun, duke patur një iman të pastër, që e nxit për ta adhuruar dhe për t'iu bindur plotësisht Zotit të tij, pra, ky njeri është lidhur fort me fenë e drejtë dhe të saktë. Ai ka përqafuar fenë, themelet e së cilës janë të patundshme. Kush e pranon këtë fe do të jetë shumë i sigurt dhe i qartë në rrugën e tij, sepse ai është kapur fort pas një lidhjeje që nuk këputet dhe që nuk të lë kurrë në baltë. Ndërsa çdokush tjetër që vepron të kundërtën, e ka zgjidhur e lëshuar këtë lidhje, që është e vetmja mundësi shpëtimi dhe ruajtjeje nga ndëshkimi i përjetshëm. Çdokush që mohon Allahun dhe adhuron idhujt (tagut), shpreson veçse diçka të kotë, që e ka përfundimin në Zjarrin e përjetshëm.

 

“Allahu është Dëgjues e i Gjithëdijshëm.”

Allahu di çdo gjë dhe synimet e çdokujt. Ai do ta shpërblejë secilin me drejtësi, sipas veprave që ka bërë dhe sipas qëllimeve që ka patur. Qoftë ata që u lidhën me të vërtetën dhe ndoqën rrugën e drejtë, qoftë ata që e shpërfillën dhe e lëshuan atë lidhje, të gjithë do të marrin shpërblimin që meritojnë. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon shkakun e zgjedhjeve të ndryshme që bëjnë njerëzit.

 

Tefsiri i Sa'dit

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetes

27.03.2016

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com