All for Joomla All for Webmasters

Mos u nxito!

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

mosunxitoGjëja e parë që duhet të kesh parasysh kur shfaqen fitnet apo ndryshojnë situatat, është të jesh i butë, jo i nxituar dhe i vetëpërmbajtur.


Ky është një rregull i rëndësishëm: të jesh i butë, i pa nxituar dhe i vetëpërmbajtur.

Tri cilësi:

E para është butësia (rifk).

Profeti (salallahu alejhi ue selem), siç transmetohet në një hadith autentik, thotë:
“Nëse butësia gjendet diku, ajo e zbukuron atë dhe nëse largohet, e shëmton atë.”(Muslimi, kapitulli: Mirësia e butësisë)

Dijetarët duke komentuar këtë hadith, thonë se fjalët këtu janë përgjithësuese, ndaj butësia përfshin çdo gjë. E pra, butësia në të gjitha rastet është e lavdëruar. Kjo që thashë, është përmendur edhe në një tjetër hadith autentik të Profetit -salallahu alejhi ue selem-, ku thotë:
“Allahu e do butësinë në çdo çështje.” (Buhariu, kapitulli: Butësia në çdo çështje)

Këto fjalë Profeti -salallahu alejhi ue selem- ia tha Aishes së ndershme dhe po kështu e ka titulluar edhe imam Buhariu kapitullin ku ka cituar këtë hadith. Në çdo çështje duhet të jesh i butë dhe i qetë, e mos ji i dhunshëm. Pas butësisë asnjëherë nuk do të bëhesh pishman. Kudo që ndodhet butësia, e zbukuron atë, i zbukuron mendimet, qëndrimet, ndjenjat, gjykimet... Ndaj ji i qetë dhe mos u nxito, mos shko pas atyre që nxitohen, por tregohu i qetë dhe zbato hadithin e Profetit tënd -salallahu alejhi ue selem:

“Nëse butësia gjendet diku, ajo e zbukuron atë!” Kapu pas së bukurës dhe pas të mirës dhe ruaju nga e shëmtuara që largon nga fjalët dhe veprat e tua butësinë dhe qetësinë!

E dyta është mosnxitimi (enat).

Profeti -salallahu alejhi ue selem- i tha Eshexh Abdulkajsit:

“Ti ke dy cilësi, të cilat i pëlqen Allahu dhe i Dërguari i Tij; vetëpërmbajtjen dhe mosnxitimin.” (transmeton Muslimi nr, 24)


Maturia është një virtyt i lartë, ndaj edhe Allahu në Librin e Tij thotë:
“Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë, vërtet që njeriu është i nxituar.”(El-isra,11)

Dijetarët, duke komentuar këtë ajet, thonë se këtu kemi të bëjmë me një kritikë për njeriun, sepse është i nxituar. Kjo është një cilësi e keqe për të gjithë ata që e kanë, ndaj edhe Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk ishte një njeri i nxituar.

E treta: është vetëpërmbajtja (hilm).

Vetëpërmbajtja është një cilësi e lavdëruar, sidomos në raste fitnesh. Nëpërmjet saj dhe maturisë, njeriu mund t’i shohë gjërat ashtu siç janë, mund t’i shohë në mënyrë realiste. Në librin e Muslimit na tregohet se El-musteurid el-kurejshi ndodhej me Amr ibn Asin dhe i pari tha:

Kam dëgjuar se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), ka thënë:
“Kur të bëhet Kiameti, romakët do të jenë njerëzit më të shumtë.”

Amr ibn El-Asi i tha: Shiko se çfarë po thua! Dhe ai iu përgjigj: Çfarë të keqe ka që të them atë që ka thënë i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem)
Atëherë Amri: Nëse është kështu, atëherë kjo vjen ngase romakët kanë katër cilësi.


E para: ata janë njerëzit më të vetëpërmbajtur në rast fitnesh.

E dyta: janë njerëzit që përmenden më shpejt pas një fatkeqësie... Amri përmendi të katër cilësitë dhe u shtoi atyre edhe një të pestë.

Dijetarët, duke komentuar këtë thënie, janë shprehur se Amr ibn El-As nuk kërkon që të lavdërojë romakët, jomuslimanët. Jo! Ai do t’u sqarojë muslimanëve se arsyeja pse romakët do të jenë dhe mbesin njerëzit më të shumtë kur të bëhet Kiameti, është se ata kur ndodhin fitne, janë njerëzit më të vetëpërmbajtur. Pra, ata kanë aq maturi dhe vetëpërmbajtje, sa t’i shohin dhe t’i trajtojnë gjërat me qetësi, që të ruajnë veten dhe shoqërinë e tyre.
(ky koment, ne mënyrë të përmbledhur, është marë nga Es-senusi dhe El-ubeji ne komentimin e tyre te Sahih Muslimit)


Ky është një sqarim i rëndësishëm, sepse Profeti -salallahu alejhi ue selem- na informoi se Kiameti nuk do të bëhet derisa romakët të jenë njerëzit më të shumtë. Pse?! Amri tha: “sepse ata kanë katër cilësi...” E para, e cila na intereson edhe neve këtu, është se ata janë njerëzit më të vetëpërmbajtur në raste fitnesh. Pra, kur shfaqen fitnet, tregohen të vetëpërmbajtur, nuk nxitohen dhe nuk irritohen, për të ruajtur shoqërinë e tyre të krishterë nga vrasjet dhe trazirat. Ata janë të vetëdijshëm se nëse plasin trazira, do të shfarosen. Ndaj për shkak të kësaj cilësie që kanë, ata do të mbeten njerëzit më të shumtë derisa të bëhet Kiameti.

"Unë habitem se si nuk e përvetësojmë një cilësi të tillë kaq të mirë që e kanë këta njerëz! Ndërkohë që na takon të jemi më të mirë se gjithë të tjerët. Maturia dhe vetëpërmbajtja janë të lavdëruara në çdo çështje, sepse këto cilësi të ndriçojnë mendjen në raste fitnesh dhe tregojnë mençurinë dhe largpamësinë e njeriut.

Ky është edhe rregulli i parë, të cilit i janë përmbajtur pasuesit e Sunnetit dhe Xhematit, kur shfaqen fitnet dhe pështjellohen situatat.

Marrë nga: “Rregullat fetare që duhet të ndjekë një musliman në rast fitnesh.”

Salih b. AbdulAziz Al Shejh

Përktheu: Justinian Topulli

Burimi Jetës

01.04.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com