All for Joomla All for Webmasters

Sekreti i renditjes së familjarëve në suren Abese dhe Mearixh

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

 

familja ne diten e kiametitAllahu i Madhëruar thotë në Kuran:

"E kur të vijë ushëtima (krisma e Kiametit). Atë ditë njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet." Suretu Abese, 34-37.

 

Es sakhah-ushëtima është një nga emrat e ditës së Kiametit. Ibn Kethiri në tefsirin e tij thotë: "Është quajtur kështu ngase ajo do të jetë aq e zhurmshme, saqë gati do t'i shurdhojë veshët." Dhe për ajetet..."Atë ditë ikën njeriu prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe fëmijëve të vet..." do të thotë: “Ai do t'i shohë të afërmit e vet dhe do të ikë e do të largohet prej tyre, ngase trishtimi është shumë i madh." Në një hadith autentik të transmetuar nga Muslimi theksohet se:  “Kur të kërkohet në Ditën e Gjykimit nga pejgamberët e zgjedhur të ndërmjetësojnë tek Allahu për njerëzit, çdonjëri nga ata do të thotë: 'Vetja ime, vetja ime! Sot të lutem të më shpëtosh vetëm mua!'"

 

Madje Isai, i biri i Merjemes, do të thotë: "Sot e lus Allahun vetëm për veten time! Madje nuk e lus Allahun as për Merjemen, e cila më ka lindur!"

 

Prej këtu Allahu i Madhëruar ka thënë: "Atë ditë ikën njeriu prej vëllait të vet, prej nënës dhe babait të vet!".... "Nga trishtimi i asaj dite më i afërmi do të ikë nga më i afërmi e më i dashuri nga më i dashuri.", - thotë Katade.

 

Dhe fjalët e Allahut të Madhëruar: "Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet.." do të thotë se nuk do të ketë kohë të preokupohet me të tjerët.

 

Ibn Abasi transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-la Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: "Do të ringjallemi këmbëzbathur, të zhveshur e të pa bërë synet.." dhe vazhdon hadithi.  Atëherë gruaja e tij e pyeti: "O i dërguari i Allahut, a do të shohim tek njëri-tjetri vendet e turpshme?" I Dërguari alejhi salatu ue selam i tha: "Atë ditë secilit njeri do t'i mjaftojë çështja e vet, nuk ka kohë për të tjerët" apo i ka thënë: "Do të jetë i preokupuar aq tepër sa nuk do të ketë kohë të shikojë." Kjo në suren Abese...

 

Kurse në suretul Mearixh Allahu i Madhëruar thotë:

"Dhe asnjë mik nuk pyet për mikun, edhe pse ata shihen ndërmjet vete, edhe njihen, por ikin prej njëri-tjetrit. Krimineli dëshiron sikur të kishte paguar dënimin e asaj dite me bijtë e vet dhe me gruan e vet e me vëllanë e vet. Edhe me më të afërmit e tij tek të cilët ai mbështetej. Edhe me krejt ç'ka në tokë, vetëm të kishte shpëtuar." Meraixh, 10-13.

 

Fjalët e Allahut të Madhëruar: "Asnjë mik nuk pyet për mikun edhe pse ata shihen ndërmjet vete." i ka komentuar Ibn Kethiri dhe thotë: "D.m.th.: i afërmi nuk pyet për hallin e të afërmit edhe pse e sheh në gjendjen më të keqe, ngase vetja e ka preokupuar dhe nuk ka kohë të merret me të tjerët. Ata që e njohin njëri-tjetrin do të ndalen e do të njoftohen e pastaj do të ikin nga njëri-tjetri, ngase siç thotë Allahu i Madhëruar: "Atë ditë secilit njeri i mjafton çështja e vet."

 

Dhe fjala e Allahut të Madhëruar:

"...Krimineli dëshiron sikur të kishte paguar dënimin e asaj dite me bijtë e vet, me gruan e vet, me vëllanë e vet dhe me të afërmit e tij tek të cilët mbështetej edhe me krejt ç'ka në tokë e vetëm të kishte shpëtuar! Jo, kurrsesi,... ajo para tij është ledha (flaka)!"

 

D.m.th.: prej tij nuk do të pranohet kompensim edhe nëse sjell çdo gjë që është në tokë. Edhe sikur të japë pasurinë më të dashur për të, madje edhe sikur të sjellë pasuri sa madhësia e tokës dhe çdo gjë që është në të. Në Ditën e Gjykimit kur t'i shohë tmerret e kësaj dite, njeriu do të dëshirojë që ta kompensojë veten prej dënimit të Allahut edhe me fëmijën e vet, të cilin në dynja e ka pasur më të dashur se çdo gjë, por nuk do t'i pranohet.

 

Shikojmë në këto dy sure Abese dhe suretul Mearixh renditjen e njerëzve në këto ajete, të personave të dashur e të afërt të njeriut...

 

Në suren Abese renditen... dhe ikën njeriu prej vëllait të vet i pari, pastaj nëna dhe babai, pastaj gruaja, pastaj fëmijët.

 

Kurse në suren Mearixh kemi një renditje të kundërt me të parën. Në fillim janë përmendur fëmijët, pastaj gruaja, vëllai, farefisi dhe të gjithë njerëzit e tokës.

 

Por cila është urtësia e kësaj?

 

Le të shohim tefsirin që u bëhet këtyre ajeteve.

Në rastin e sures Abese është çasti i llogarisë. Në këtë çast njeriu dëshiron të ruajë sevapet e veta dhe të mos ketë njeri që i kërkon hakun që nuk ia ka dhënë në dynja. Prandaj e fillon me vëllanë, sepse ai është njeriu që tregohemi më shumë të pakujdesshëm, për arsye se njeriu preokupohet me të tjerët dhe e harron atë. Pas vëllait përmendet nëna dhe babai, sepse njeriu i respekton prindërit derisa të martohet. Por kur martohet jepet pas familjes së vet, pas gruas dhe fëmijëve të vet dhe lë mangët në hakun e prindërve. Pastaj pas prindërve përmendet gruaja, të cilës burri ia plotëson të gjitha, por ndoshta i ka bërë asaj ndonjë padrejtësi, apo e ka fyer, e ka ofenduar... etj.

 

Pastaj pas gruas përmenden fëmijët në fund, sepse njeriu atyre u kushton të gjithë vëmendjen dhe ndoshta pak u lë prej hakut pa ua dhënë në këtë dynja. Pra në këtë sure renditen të afërmit sipas mundësisë që nuk u janë dhënë të drejtat. Dhe njeriu dëshiron të jetë larg këtyre aq sa nuk jua ka dhënë të drejtat në këtë dynja. Pra, larg vëllait të vet më së shumti, larg prindërve, pastaj gruas edhe fëmijëve. Sepse të parëve (vëllait, prindërve) nuk ua ka dhënë hakun si duhet e këtyre të fundit (gruas dhe fëmijëve) ua ka dhënë hakun më shumë.

 

Në suren Mearixh kemi renditje të kundërt. Në këtë sure është çasti kur afrohet xhehenemi dhe  njeriu është i sigurt se do të hidhet në të dhe në këtë çast ai do me çdo çmim të shpëtojë, edhe nëse kjo kërkon që të sakrifikojë fëmijët e tij që janë gjëja më e shtrenjtë, pastaj këdo që vjen pas tyre në bazë të vlerës që kanë tek ai. Pra fillon me fëmijët me më të shtrenjtët, pastaj me gruan, pastaj me farefisin e pastaj me të gjithë njerëzit.

 

Por shohim se në suren Mearixh nuk janë përmendur prindërit... Përse kjo?

 

Kjo sepse sakrifikimi i tyre për të shpëtuar veten e zemëron Allahun. Njeriu është urdhëruar për respektimin dhe nderimin e tyre. Njeriu e di këtë prandaj nuk guxon t'i përmend prindërit për sakrificë përpara Allahut të Madhëruar. Dhe kjo është urtësia e kësaj renditjeje sipas komentatorëve.

 

Ibn Kethiri për ajetet e sures Abese thotë se ka filluar me të dashurit, pastaj me më të dashurit... me të afërmit, pastaj me më të afërmit.

 

Zemakhsheriu thotë: "Fillon me vëllanë dhe prindërit, sepse ata janë të afërm, pastaj vazhdon me gruan dhe fëmijët, sepse ata janë dhe të afërm dhe të dashur."

 

Ibn Tejmije në një fjalë të tijën për këto ajete thotë:

"Përmenden në fillim kush është më larg dhe në fund kush është më afër, sepse po të përmendej në fillim më i afërmi, nuk do të kishte shumë dobi në përmendjen e të tjerëve. Në fillim nis me përmendjen e vëllait gjë që të jep të kuptosh se kemi të bëjmë me një vështirësi të madhe që të imponon të largohesh prej tij. Pastaj përmenden prindërit gjë që të bën të kuptosh se vështirësia është shumë më e madhe sesa e para. Pastaj përmenden gruaja dhe fëmijët, pra ata që nuk ndahen kurrë prej njeriut në dynja dhe nuk i lë ata në asnjë çast dhe asnjë rast... atëherë largohet edhe prej tyre dhe kuptohet pra nga kjo se gjëma e asaj dite është e papërshkrueshme."

 

Marrë nga:  "Meditime kuranore"

Përgatiti: A. Shehaj

__________

Burimi Jetës

08.07.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com