All for Joomla All for Webmasters

Ka përshtatur që të mos mërziten

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

dhikrAllahu i Madhëruar me mëshirën e Tij të madhe ka bërë që adhurimet të jenë të ndryshme, dhe kjo sepse Ai e njeh natyrën e njerëzve dhe ua ka përshtatur ato në mënyrë që robërit e Tij të mos mërziten dhe mos t'i kapë plogështia.

Kështu Ai i ka ndarë adhurimet duke bërë që një pjesë të jenë adhurime gjymtyrësh, një pjesë adhurime të zemrës dhe një tjetër adhurime të gjuhës; në këtë mënyrë robi është aktiv, dhe i angazhuar vazhdimisht duke u sjellë nëpër adhurime.

Adhurimi i gjuhës është një adhurim i lehtë për gjuhën, i rëndë në peshoren e veprave të mira dhe i dashur për Allahun e Lartësuar. Shpesh herë ne tregohemi neglizhent ndaj adhurimit të gjuhës, ndërkohë që ai është thuajse aspak i mundimshëm, Allahu i Lartësuar për shkak të rëndësisë që ka dhikri, i ka nxitur dhe ftuar robërit e Tij që të jenë prej përkujtuesve.

Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar, përmendeni Allahun me përkujtim të shpeshtë, dhe lartësojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje. Ai është që ju bekon juve bashkë me melaiket që t’u nxjerrin juve prej errësirave në dritë, e Ai është ndaj besimtarëve i mëshirshëm".

Po ashtu Allahu i Lartmadhëruari ka thënë: "Më përkujtoni Mua do ju përkujtoj juve, më falënderoni Mua e mos më mohoni".

Profeti Muhamed salallahu alejhi ue selem ka thënë: "A dëshironi që t’u tregoj për veprat tuaja më të mira, e më të pastrat tek Sunduesi juaj, më të lartat për gradat tuaja, e më të mira se sa të dhuruarit e arit dhe argjendit, më të mira për ju se sa të përballeni me armikun tuaj, ku t'i godisni e t’u godasin?!" Thanë: “Po si jo, o i Dërguari i Allahut.” Tha: "Dhikri (përmendja) e Allahut". Ebu Daudi dhe Ibnu Maxheh

Ebu Hurejre përcjell se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Ua kanë kaluar muferridunët. Thanë: Kush janë ata o i dërguari i Allahut? Tha: Ata dhe ato, që e përkujtojnë Allahun shumë”. (Muslimi)

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur kaloni pranë kopshteve të xhenetit, hyni brenda dhe hani e pini! Sahabët pyetën: “Ku janë këto kopshte të Xhenetit!? Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Tubimet e dhikrit!” (Tirmidhiu, De`avat, 82, Ahmedi, Musned, 3/150)

Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Nuk mblidhet ndonjë tubim në një shtëpi prej shtëpive të Allahut (xhami) për të recituar Librin e Allahut, e për ta studiuar atë në mes tyre, veçse do bjerë mbi ta qetësia, dhe i mbështjell ata Mëshira (e Allahut) e i rrethojnë ata melaiket, e ata i përmend Allahu tek ata që i ka pranë Vetes, e kush neglizhoi ndaj kësaj në realizim, nuk nxitoi për tek fati i tij."

Nga Ebu Hurejra -radijallahu anhu- përcillet se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë: La ilahe ilallahu, vahdehu la sherike leh, lehul-mulku, ue lehul hamdu, ue huve ala kuli shej’in kadijr (Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, i Cili është i Vetëm dhe nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send) është për të sikur t’i lironte dhjetë robër, i shkruhen njëqind sevape, i shlyhen njëqind mëkate, është mbrojtje për të atë ditë nga shejtani derisa të ngryset dhe nuk vjen ndokush me diçka më të mirë se kjo, përveç atij që thotë më shumë se ky.” Buhariu dhe Muslimi.

Gjithashtu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: "Katër fjalë më janë të dashura tek Allahu, nuk ka rëndësi se me cilën prej tyre fillon: Subhanallah (Lavdëruar qoftë Allahu), Elhamdulilah (falenderuar qoftë Allahu), La ilahe il’la Allah (Nuk e meriton të adhurohet zot tjetër përveç Allahut), dhe Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi)" Muslimi

"Dy fjalë, (janë) të lehta për gjuhën, të dashura për Mëshiruesin, (dhe) të rënda në Peshore: “Subhanallahi ue bihamdihi” (Lavdëruar qoftë Allahu e Atij i qoftë falenderimi) “Subhanallahi el-Adhijm”(Lavdëruar qoftë Allahu i Madhërishëm)»(22) Buhari dhe Muslimi

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: "Kush merr abdes në mënyrë të përpiktë e pastaj thotë: Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër me meritë pos Allahut të Vetmit i Cili nuk ka shok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij" do t'i hapen tetë dyer të Xhenetit për të hyrë nga cila derë të dëshiron." (Transmeton Muslimi Tirmidhiu dhe Ahmedi).

 

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Burimi Jetës

29.07.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com