All for Joomla All for Webmasters

Pasioni i fshehtë

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

dyfetabukeDiku, rreth tre shekuj pas ardhjes së Profetit (alejhi selam), në Basra jetonte një njeri i ditur. Ai tregon se, një vit vendin e kaploi zia e urisë, njerëzit po vdisnin nga mungesa e ushqimit dhe nuk gjendej kurrgjë për të ngrënë.

Kisha gruan dhe një fëmijë, uria na kishte pllakosur dhe ishim tejet të dobësuar. Vendosa ta nxjerr në shitje shtëpinë vetëm për të siguruar pak ushqim. Nisa të rend në kërkim të ndonjë të interesuari për blerjen e saj. Në kërkim e sipër, në rrugë u hasa me dikë të njohur dhe nisa t’i shpjegojë vendimin për të shitur shtëpinë. Ai më zgjati dy feta bukë të lyera me pak ëmbëlsirë në mes dhe më tha t’ia çoj familjes e të mos e shes shtëpinë.

Nxitimthi, i gëzuar u nisa për në shtëpi. Rrugës më del përpara një grua me foshnjën e saj në krahë. Ajo i hodhi shikimin ushqimit që mbaja në dorë dhe më tha:

- Zotëri, fëmijën e kam jetim dhe po më vdes urie, të lutem jepi pak ushqim, Zoti të bekoftë!

Fëmija i saj më hodhi një shikim të cilin zor se kam për ta harruar. M'u duk sikur parajsa kish zbritur në Tokë dhe më thoshte: - Do jem jotja po e ushqeve këtë fëmijë dhe nënën e tij!

Ia zgjata ushqimin gruas dhe i thashë: -Merreni, ushqehuni! Për Zotin, nuk kam as argjend e as flori, kam edhe unë në shtëpi dikë që po pret të shuaj urinë sikur edhe ju. Gruaja u përlot, ndërsa fëmija u qesh në fytyrë sapo preku ushqimin.

Vazhdova rrugën i zhytur në pikëllim, këmbët nuk më bënin të eci për në shtëpi. U mbështeta ulur rrëzë një muri dhe me mendje bluaja se ku mund të gjej dikë të ma blejë shtëpinë. Ndërkohë që isha ashtu, i zhytur në mendime, më kalon pranë dashamiri që me dhuroi ushqimin. Ai dukej sikur fluturonte nga gëzimi.

Ç’bën këtu? - më tha -, të është mbushur shtëpia plot hare e pasuri...

Lavdi Zotit, - i thashë. E nga erdhi kjo pasuri, o vëlla?!

Erdhi një tregtar nga qyteti dhe pyeste për babanë tënd apo për fëmijët e tij, - më tha. Me vete kishte disa deve plot me mallra dhe ushqime.

I shastisur e pyeta: -Po çne, si, nga erdhi?!

Ai është tregtar nga Basra, -tha- dhe babai yt i ka pas lënë atij një shumë parash në ruajtje që prej 30-vjetësh. Gjatë asaj kohe ai falimentoi dhe u largua në një qytet tjetër. Atje u rimëkëmb biznesi i tij, e pas kaq kohësh ai po kthehet sërish në Basra për të jetuar dhe ka ardhur të të kthejë edhe borxhin që i ka patur babait tënd bashkë me fitimet e gjeneruar prej atij borxhi prej 30-vitesh.

Gëzimi im nuk kish kufij. Falënderova Zotin që më lehtësoi nga pesha e fukarallëkut.

Pas disa ditësh kërkova për gruan dhe fëmijën e saj jetim, i gjeta dhe i ndihmova pa u kursyer.

Me pasurinë që tashmë kisha, nisa të bëj tregti. Kujtoja përherë vuajtjet e mia në varfëri ndaj edhe një hise të pasurisë e veçova ta ndaj për nevojtarët. Pasuria nuk pakësohej, ajo sa vinte dhe shtohej.

Më kapi një ndjenjë vetëkënaqësie, mendoja me veten time se tashme engjëjt po m'i shkruanin e po m'i mbushnin plot me punë të mira librat e llogarisë sime. Kisha një vetëbesim se tashmë isha prej njerëzve të dashur të Zotit. Terë këto sevape që po bëja...

Një natë tek flija, pashë në ëndërr sikur isha në Ditën e Gjykimit; njerëzit turma-turma shtyheshin. Pashë njerëz trupmëdhenj të ngarkuar me gjynahe të cilat ishin të formësuar në pamje të ndryshme.

Përpara mu vendos peshorja e cila do më peshonte veprat e mia sa isha gjallë. U vendosën fillimisht gabimet e mia në një krah, e më pas punët e mira në krahun tjetër. Gabimet e mia peshonin shumë më tepër se të mirat që kisha bërë.

Nisën të heqin nga peshorja punët e mira një e nga një. Sa herë më hiqej nga peshorja një punë e mirë, poshtë saj gjendej edhe një (pasion i fshehtë). Herë vinte në formën e syfaqësisë, herë në formën e mendjemadhësisë e, herë në formën e lëvdatave që merrja nga njerëzit.

Mbeta i shtangur! Si ka mundësi?!

Dëgjova një zë: - A i ka mbetur gjë më këtij?!

Thanë:- I ka mbetur vetëm kjo...! Zgurdullova sytë të shikoj çfarë kishte mbetur...?

Pash vetëm ato dy feta bukë, që ia dhashë asaj gruaje dhe foshnjës së saj jetim. U tremba, u ndjeva i humbur, me kapi paniku. Unë kisha arritur të jepja me qindra dinarë njëherazi, por ato bamirësi nuk po më bënin dobi në këtë ditë. Zhgënjimi ishte i paimagjinueshëm...

U morën ato dy feta bukë dhe u vendosën në peshore. Peshorja nisi të balancohej. Më pas u hodhën edhe ato pika lot, që derdhi ajo grua e mjerë, kur pa prej meje zemërgjerësinë që tregova karshi saj, duke i dhënë ushqimin që kisha për gruan dhe fëmijën tim. Peshorja po balancohej edhe më shumë, balancohej e balancohej deri sa një zë thirri: - Shpëtoi...!

Ëndrra i doli...

“Mos neglizho asnjë të mirë që mund të bësh, mjafton edhe ta shikosh vëllanë tënd me fytyrë të qeshur. Frikësoju prej dënimit të zjarrit qoftë edhe me një kafshatë që dhuron...”

Morali: Nuk mbetet për ne, në peshoren e punëve Ditën e Gjykimit, asnjë punë e mirë që nuk ka qenë e kulluar sinqerisht për hir të Zotit. Mos të na ekzaltojë ajo që bëjmë, sado e madhe qoftë pasuria. Ajo është pasuri, që Allahu na e ka lënë në dorë, për të na sprovuar; si do ta përdorim atë...

Allahu na bëftë punëmirë, të sinqertë...!

 

Histori e përmendur në librin “Inspirimet e Lapsit” e Mustafa Sadik

Përktheu: B. Kasemi

____________

Burimi i Jetës

13.08.2017

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com