All for Joomla All for Webmasters

Si pastrohet shpirti

. Posted in ARTIKUJ. Vizita: 162

fShare
0
Pin It

pastrim shpirtiShpirti pastrohet duke i braktisur haramet dhe duke i zbatuar urdhëresat. Allahu i Madhërishëm thotë: “Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten.”[1] Gjithashtu ka thënë: “Pra, ka shpëtuar ai i cili është pastruar.”[2]Në lidhje me këtë ajet, Katade, Ibn Ujejne dhe të tjerë kanë thënë: “Ka shpëtuar ai i cili e ka pastruar shpirtin me respektin ndaj Allahut dhe me vepra të mira.” Kurse Ferr-rrai dhe Zexhaxhi kanë thënë: “Ka shpëtuar shpirti të cilin Allahu e ka pastruar dhe ka dështuar shpirti të cilin Allahu e ka poshtëruar.” Po ashtu këtë e ka përmendur edhe Valibiu prej Ibn Abbasit radijallahu anhum, por me sened (zinxhir transmetimi) të ndërprerë (munkati’). Andaj mendimi më i saktë në lidhje me kuptimin e këtij ajeti është ai i pari, edhe për nga kuptimi etimologjik, edhe për nga ai terminologjik.

Allahu e ka përmendur pastrimin në shumë ajete. Ja disa prej tyre: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit)...”[3]

“E nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni. Kjo është më e ndershme për ju.”[4]

“Të cilët nuk e japin zekatin.”[5]

“Po ti nuk ke përgjegjësi pse ai nuk pastrohet.”[6]

“E sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve).”[7]

Ajeti na e bën të qartë se pastrimi arrihet me braktisjen e të këqijave apo mëkateve. Për atë Allahu ka thënë: “Thuaju besimtarëve t’i ndalin shikimet (prej haramit).”[8]

Kjo është kështu për shkak se braktisja e punëve të këqija është punë shpirtërore dhe se shpirti e di se veprat e këqija janë të qortuara dhe të urryera, kështu që njeriu lufton me veten (nefsin) e tij kur ajo e thërret në këto vepra të këqija, nëse është i bindur në librin e Zotit dhe nëse është besimtar i fjalëve të Pejgamberit alejhi selam. Andaj bindja, besimi, urrejtja si dhe lufta me vetveten, janë punë që i kryen vetëm shpirti i pastër dhe me to pastrohet, ose në të kundërtën nëse punon punë të këqija, ajo fëlliqet dhe poshtërohet sikurse bima që mbin me shkurre.

Shpërblimi ose dënimi është vetëm për veprat e pranishme, ndërsa për një vepër që nuk ekziston aspak, nuk ka as shpërblim e as dënim, por ka mosshpërblim dhe mosdënim. Allahu i Madhërishëm urdhëron në të mirë dhe ndalon nga e keqja dhe të gjithë dijetarët janë të pajtimit se ajo që kërkohet me urdhër është punë që ekziston, por nuk pajtohen në lidhje me ndalimin se puna që kërkohet a ekziston apo jo? Disa kanë thënë: ekziston, e kjo është braktisja. Ky është mendimi i shumicës. Gjithashtu thuhet: ajo që kërkohet është mosekzistimi i së keqes dhe të mos e bëjë këtë.

Ndërsa konkludimi është se kur besimtarit i ndalohet një vepër e keqe, ai medoemos duhet mos t’i afrohet asaj, të vendos braktisjen e saj dhe në të njëjtën kohë ta urrejë kryerjen e saj dhe padyshim se kjo është vepër ekzistuese. Por, besimtari i cili e di se kjo vepër ekziston, ai mund të mos ketë dëshirë ta bëjë atë vepër, siç e urren prej natyrës së tij që ta hajë mishin e ndonjë ngordhësire.

Megjithatë ai obligohet të ketë bindje se ajo vepër është haram dhe të vendos për braktisjen e asaj vepre duke synuar respektimin e Ligjdhënësit, ndërsa kjo është një pjesë shtesë e urrejtjes për nga natyra. Kjo vepër ekziston dhe njeriu shpërblehet për të, mirëpo jo sikur shpërblimi i atij që e mbledh veten dhe mundohet me mish e me shpirt të largohet nga kërkimi i haramit. E nëse urrejtja e tij ndaj harrameve është nga imani dhe ky iman e ka pushtuar vendimin e natyrës së tij, atëherë ky iman është rangu më i lartë i tre llojeve të imanit dhe ky njeri është posedues i shpirtit të bindur plotësisht dhe është më i lartë se poseduesi i shpirtit qortues, i cili e bën mëkatin e pastaj e qorton veten për të dhe bie në dilemë a ta bëjë mëkatin apo jo?!

Mirëpo atij që nuk i shkon mendja se Allahu e ka ndaluar atë vepër e as që dëshiron ta bëjë, bile edhe nuk e bën, atëherë ai as nuk dënohet e as nuk shpërblehet, pasi që për të ajo nuk ka qenë vepër ekzistuese për të cilën mund të shpërblehet apo dënohet. Ka edhe prej atyre që thonë: ajo që kërkohet është që ai të mos e bëjë veprën. Nëse e ka për qëllim se kjo kërkesë mjafton që të mos dënohet, atëherë ka të drejtë në këtë. Mirëpo nëse e ka për qëllim se ai shpërblehet për këtë vepër mosekzistuese, atëherë e ka gabim. Andaj, pasi mosbesimtari nuk e beson Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai medoemos do angazhohet me punë të tjera që e largojnë prej besimit, ndërsa braktisja e punëve është mosbesim për të cilën dënohet. Për këtë arsye, kur Allahu e përmend dënimin e mosbesimtarëve me zjarr të Xhehenemit, Ai i përmend veprat që ekzistojnë dhe të cilat e poshtërojnë shpirtin. Andaj teuhidi dhe imani janë veprat më të mëdha me të cilat pastrohet shpirti, nga ana tjetër shirku është vepra më e madhe që e poshtëron shpirtin. Veç kësaj, shpirti pastrohet edhe me vepra të mira dhe me sadaka (lëmoshë). Kjo është e tëra të cilën e kanë përmendur selefët rreth ajetit: “Ka shpëtuar ai që është pastruar”, të cilët thonë se kuptimi i ajetit është se është pastruar prej shirkut dhe prej mëkatit me pendim. Ndërsa mendimi i Ebu Seidit, Atasë dhe Katades është se qëllimi i ajetit është se ka shpëtuar ai që ka dhënë sadekatul-fitr, por nuk kanë dashur të thonë se ky është i tërë qëllimi i ajetit, porse qëllimi i tyre është se ai i cili e jep sadekatul-fitrin dhe e falë namazin e bajramit, ky ajet e ka përfshirë këtë por edhe atë pas saj. Andaj, Jezid bin Hubejbi sa herë që dilte për ta falë namazin, jepte sadaka para namazit, qoftë ajo edhe një qepë. Haseni për ajetin: “Ka shpëtuar ai që është pastruar”,[9] ka thënë se qëllimi është te ai që punët i ka të pastra. Ndërsa mendimi i Ebul-Ehuesit është se pastrimi i të gjitha punëve, kurse Zexhaxhi thotë se ka shpëtuar ai që është pastruar me respektin ndaj Allahut të Madhërishëm.

 

Ibn Tejmie, "Virtytet e larta morale", f.100-103.

Burimi i Jetës

11.03.2018

[1]Esh Shems, 9.

[2]El A'la, 14.

[3]En Nur, 30.

[4]En Nur, 28.

[5]Fusilet, 7.

[6]Abese, 7.

[7]En Nur, 21.

[8]En Nur, 30.

[9]El A'la, 14.

fShare
0
Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2018 - Dizajnuar nga: Burimijetes.com