All for Joomla All for Webmasters

Kur e keqja kthehet në traditë

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

kohaNga Abdullah ibn Mesudi (r.a) përcillet se ka thënë:


“Si do të jetë halli juaj, kur një fitne t’ju jetë pështjellë si rrobë, saqë me të, do të rritet i vogli dhe do të plaket i rrituri dhe ajo do të shndërrohet në sunnet. Nëse ajo ndryshohet një ditë, do të thuhet: Kjo është e keqe!


- Kur do të ndodhë kjo? – u pyet.


- Kur të pakësohen besnikët, shtohen prijësit, pakësohen dijetarët dhe të shtohen lexuesit tuaj; kur të mos mësohet për fenë dhe me veprat e ahiretit të përfitohet dynjaja.”

(Darimi 1/75, Tergib ue Terhib 1/94 etj.)

Edhe pse kjo thënie nuk i atribuohet Profetit (alejhi salatu ue selam), për nga përmbajtja ajo ka të bëjë me gjëra, të cilat nuk mund të bazohen vetëm në opinionin njerëzor të Ibn Mesudit, por duhet të kenë edhe burim hyjnor nga shpallja, pra, se ai duhet të ketë dëgjuar dhe kuptuar diçka nga Profeti në këtë drejtim.


Në këtë thënie, Ibn Mesudi, duke iu drejtuar njerëzve të kohës së tij, iu tregon atyre, se do të përballen në të ardhmen me ndonjë sprovë, ku diçka e gabuar do të kthehet në zakon e traditë, saqë njerëzit do të jetojnë aq gjatë me të, aq sa do ta konsiderojnë atë, si pjesë të fesë. Dhe nëse kjo praktikë do të ndryshohet një ditë, apo do të tentohet të ndryshohet, ky ndryshim do të kontestohet si i keq. Kjo tregon se kur e gabuara dhe e keqja zgjaten në praktikën e njerëzve, ato kthehen në diçka të pranuar tek ta, ndaj dhe kjo na tërheq vëmendjen, se praktikat fetare nuk duhet të lidhen vetëm me zakonin e njerëzve dhe traditën e tyre, por mbi të gjitha me argumentet bazë të fesë, sepse tradita e njerëzve, jo gjithmonë është argument për saktësinë e saj fetare. Tradita e vërtetë fetare është ajo që lidhet gjithmonë me origjinën, me burimin e fesë dhe rrjedh në mënyrë të pandërprerë prej saj dhe jo diçka, e cila praktikohet për një kohë të gjatë, sado qoftë ajo, ndërkohë që në krahasim me traditën burimore, ajo është më e re.


Më pas, Ibn Mesudi shpjegon se ky fenomen do të ndodhë, kur njerëzit të kenë humbur besën, dhe praktikisht ata që mbajnë fjalën dhe janë besnikë të parimeve, të jenë më të pakët. Kur të shtohen si rezultat i përçarjes prijësit dhe udhëheqësit politikë, apo edhe për shkak të zgjerimit të territoreve nën sundimin e muslimanëve. Kur të pakësohen dijetarët e fesë, ata që e kuptojnë më së miri atë, thelbin dhe dispozitat e saj, dhe krahas kësaj, veprojnë me këtë dije. Por, ndërkohë do të shtohen njohësit sipërfaqësorë të dijes fetare, që janë kënduesit e Kuranit, apo edhe lexuesit e shumtë të dijes, por kjo, megjithatë nuk i bën ata dijetarë, sidomos nëse ata nuk e praktikojnë atë që dinë. Në të njëjtën kohë do të dominojë mësimi me rigorozitet dhe përqendrimi tek dijet jofetare, ose ka për qëllim se dija e fesë mësohet pa sinqeritet dhe për hir të dynjasë dhe e gjitha kjo padyshim, do të sjellë për njerëzit ndryshim në praktikën e tyre fetare, sepse ata do t’i japin përparësi jetës së kësaj bote, duke përfituar të mirat e saj, madje edhe me adhurime dhe punët e mira që bëhen për hir të Zotit.


Ajo që duhet vënë theksi këtu dhe lexohet qartë nga kjo thënie është se: mungesa e dijes fetare dhe e thellimit në të, e sidomos sipërfaqësia e njohjes së saj, shton gjasat e shtimit të mediokritetit dhe sharlatanizmit, për të mos folur pastaj për mungesën e sinqeritetit dhe prirjeve egoiste njerëzore, që marrin hov në një situatë të tillë.


Kjo situatë nuk vlen vetëm për kohën e sotme, por për çdo kohë të ngjashme, të cilat nuk kanë qenë të rralla në historinë e myslimanëve. Edhe pse duket sikur kjo fjalë të jetë thënë posaçërisht për epokën tonë, ndërkohë, është fakt se historia riciklon veten në një mënyrë ose në një tjetër, sepse në thelb, njeriu është po ai, ndaj edhe gjendjet dhe situatat nëpër të cilat kalon, janë të ngjashme. Kjo na shpie në një konkluzion tjetër tashmë, që edhe kurimi për të njëjtat sëmundje është i ngjashëm. Dhe dihet që është rruga e profetëve. Kështu që nga kjo kuptojmë se, pse shpesh vonohet kurimi i një problemi social e fetar, ndërkohë që për të, bëhen përpjekje nga shumë drejtime dhe shumë njerëz me nijet të mirë. Fakti është se shpesh, ajo që mendohet si kurë, nuk është e tillë, e mund të rezultojë dëmtuese, ose edhe minuese e kurës së vërtetë. Dhe kura e sëmundjeve sociale e fetare, ashtu si ato të shëndetit trupor, nuk shpiket, por kërkohet. E gjen ai, që di ku ta kërkojë dhe e pranon ai, që nuk harron kurrë burimin e së vërtetës, që na ka folur për sëmundjen dhe ilaçin njëkohësisht.

 

Burimi i materialit: fb i Hoxhë Justinian Topullit, 21.09.2019.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com