All for Joomla All for Webmasters

Karakteristikat e Natës së Kadrit

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

nata kadritKur flasim për Natën e Kadrit, duhet të dimë se kemi të bëjmë me një natë madhështore, e cila është si kurorë mbi kryet e netëve të tjera të vitit.

Nata e Kadrit është e veçantë për shumë aspekte, qoftë për nga përmbajtja, dhe qoftë për atë se çka zhvillohet dhe ndodh në këtë natë të bekuar.

Për nga përmbajtja ajo vjen me kuptimet: PLOTËSIM, PËRSOSJE, MADHËSHTI.

Po ashtu Kadër do të thotë: PËRCAKTIM, pra ajo që që përcaktohet se çfarë do të ndodh për një vit në vijim ndodh pikërisht në këtë natë. Kush do lindë e kush do të vdesë, kush do pasurohet e kush do varfërohet, kush do fitojë e kush do të humbë, kush do ngrihet e kush do ulet, e kështu me radhë.

Për vlerën e kësaj nate të pashembullt ka dëshmuar Kurani dhe hadithet e të dashuriit tonë Muhamedit salallahu alejhi ue selem.

Nata e Kadrit, është nga netët e veçanta, të cilën besimtarët përpiqen në mënyrë të habitshme ta gjejnë, ta rrokin e ta përjetojnë; jo për të dëfryer, e as për tu harbuar, por që të garojnë se cili prej tyre do ta mbushë atë me adhurime, përulje, nënshtrim, lute dhe përgjërim për Allahun e Lartësuar.

Allahu i madhëruar për nder dhe për të shfaqur vlerën e kësaj nate, përveçse ka zbritur ajete për të, por ka emërtuar dhe një nga suret e Kuranit me emrin e saj.

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.

E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?

Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj!

Me lejen e Zotit të tyre, në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me të gjitha vendimet.

Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” El Kadr:1-5.

Allahu ka folur për këtë natë edhe në disa ajete të tjera ku thotë:

"Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë". Ed Duhan: 3-4.

Në këto ajete shfaqet qartë madhështia e kësaj nate të bekuar, por cilat janë disa nga karakteristikat e kësaj nate?

  1. Në këtë natë, ka zbritur Kurani: dhe këtë e faktonte ajeti kuranor:

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit". Pra Allahu i Lartësuar e ka zbritur Kuranin të gjithin prej Leuhi Mahfudhit (pllaka e ruajtur), në qiellin e dynjasë në natën më të mirë të vitit, në muajin më të mirë, më pas ia ka zbritur pas robit të tij më të mirë Muhamedit, në vendin më të mirë Meke.

  1. Allahu e ka cilësuar këtë natë, si një natë të bekuar, sikurse e vërteton në ajetin Kuranor: "Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar". Ajo është e bekuar nga Allahu, ndaj dhe e mira dhe begata e asaj nate nuk ka fund.
  2. Në këtë natë bëhet përcaktimi i asaj se çdo të ngjasë për plot një vit, dhe ky është përcaktimi i dytë, pra ajo që merret nga Leuhi mahfudhi dhe u dorëzohet melaikeve për ti zbatuar. Pra në këtë natë përcaktohet çdo gjë që ka të bëj me njerëzit, ngjarje, në lidhje me jetët e tyre, rrisqet, veprat etj; të cilat Allahu i ka përcaktuar me dije dhe urtësinë e Tij madhështore.
  3. Nata e Kadrit është më e vlefshme se 1000 muaj, pra më e vlefshme se 83 vite e katër muaj, ashtu sikur pohon dhe Allahu në suren Kadër. Nëpërmjet kësaj Allahu i Lartësuar nxit për vëmendje të kësaj dite, për vlerën e madhe që kanë punët dhe ibadetet në të; sigurisht dhe shpërblimi i madh që arrihet në këtë natë. Nëse do të shohim me kujdes, shpërblimi i adhurimeve në këtë natë, është sa shpërblimi i një jete, pra plot 83 vite, dhe kjo është një veçori me të cilën Allahu i Lartësuar ka dalluar këtë umet, muslimanët.

Enesi -Allahu qoftë i kënaqur me të!-, transmeton se kur erdhi Ramazani Profeti salallahu alejhi ue selem, u tha njerëzve: "Ju erdhi ky muaj, në të gjendet një natë e cila është më e vlefshme se 1000 muaj, kush privohet nga ajo natë, është privuar nga e gjithë mirësia, dhe prej mirësive të saj nuk privohet vetëm se fatkeqi". Ibën Maxha, sahih Albani.

  1. Në natën e Kadrit zbresin në tokë melaiket dhe Xhibrili më begati, mëshirë dhe çdo të mirë për besimtarët. "Me lejen e Zotit të tyre, në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me të gjitha vendimet". Kjo është nga netët e rralla ku zbresin melaiket të shoqëruara nga Xhibraili, madje duhet thënë se numri i tyre është tejet i madh. Ebu Hurejre –Allahu qoftë i kënaqur me të!- përcjell se Profeti ka thënë: "Nata e Kadrit është në natën e njëzet e shtatë, ose njëzet e nëntë, dhe melaiket në atë natë janë më të shumtë se numri i guralecëve në tokë". Ibën Khuzejme, sahih Albani.
  2. Ajo është një natë e qetë deri në agim: ndaj dhe gjejmë se Allahu e ka cilësuar si të tillë: Ajo është paqe deri në agim të mëngjesit.” Disa dijetarë thonë se në këtë natë shejtani është i pafuqishëm, nuk dëmton e as bën prishje për faktin se prezenca e melaikeve është e lartë, dhe padyshim aty ku gjenden melaiket, nuk mundet të qëndrojë e prezantojë shejtani.
  3. Cilido që e arrin Natën e Kadrit dhe e fal atë me besim dhe shpresë në shpërblim, do ti falen mëkatet e mëparshme. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kushdo që falet në natën e Kadrit, me Iman (besim të fortë) dhe duke kërkuar shpërblimin, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”

Profeti, salallahu alejhi ue selem, përpiqej që këtë natë ta kalonte me adhurim, madje për ta arritur këtë ai hynte në itikaf në xhaminë e tij. Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e shtrëngonte izarin e tij, e kalonte tërë natën zgjuar [në namaz] dhe e zgjonte familjen e tij.”

Po ashtu, është e rekomandueshme të shtohen lutjet në këtë natë. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se ajo kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut! Sikur unë ta dija se cila ishte Nata e Kadrit, si të lutesha në të? Thuaj: “Allahume inneke afuun tuhibbul afua fe afu ani” –O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, pra më fal mua!”

 

Disa shenja të Natës së Kadrit:

 

Nata e Kadrit, është një natë e qetë, e dallueshme nga netët e tjera.

Po ashtu Nata e Kadrit është një natë e shndritshme, edhe pse Hëna është në mbarim të ciklit të saj.

Mëngjesi i natës së Kadrit është i zbehtë, pra Dielli lind pa rreze të forta derisa të ngrihet lart.

 

Bledar Tefik Haxhiu

Burimi i Jetës

20.05.2020

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com