All for Joomla All for Webmasters

POZITA E NAMAZIT NË ISLAM

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Namazi zë një vend shumë të rëndësishëm në Islam. Namazi është shtylla e dytë prej pesë shtyllave të fesë islame. Ai është prej adhurimeve (ibadeteve) më të larta dhe më madhështore pas Njësimit të Allahut të Lartësuar (teuhidit), të cilin nuk mund ta zëvendësojë asnjë asnjë ibadet tjetër.

Namazi është shtylla e fesë, sikurse ka thënë Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): "Kreu i çdo çështjeje është Islami dhe shtylla e tij është namazi..." (Tirmidhiu, Nesaiu) Namazi është e para detyrë, që na e ka urdhëruar Allahu i Madhëruar pas Teuhidit (njësimit të Zotit) në natën e Miraxhit, sikurse ka thënë Enesi (radij Allahu anhu): "Namazi u bë farz (detyrim)mbi Muhamedin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem)në Natën e Miraxhit fillimisht  pesëdhjetë kohë. Më në fund, numri i namazeve zbriti në pesë kohë dhe më pas u thirr: "O Muhamed! Te Unë fjala kurrë s'lëviz! Për këtë namaz pesë kohësh ti do të marrësh shpërblimin e pesëdhjetë kohëve namaz." (Tirmidhiu, Nesaiu, Ahmedi)

Namazi do të jetë puna e parë, për të cilën njeriu do të japë llogari në Ditën e Gjykimit. Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: "Puna e pare për të cilin do t'i kërkohet llogari njeriut ditën e kiametit, është namazi. Po qe se namazi i tij është i mirë e i rregullt, do të jenë të rregullta të gjitha punët e tij. Po qe se namazi i tij është i pavlerë dhe jo i rregullt, atëherë do të jenë të parregullta të gjitha punët e tij." (Taberaniu)

Namazi është porosia e fundit që ka këshilluar me të Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) shokët e tij, të theksuar prej tij në çastet kur sëmundja i ishte rënduar aq sa e kishte vështirë edhe për t'i shqiptuar fjalët dhe kur po jetonte frymën e fundit, e ai thoshte: "Kujdesuni për namazin, për namazin!..." (Ibnu Maxheh) Namazi është gjëja e fundit, që do të mbesë nga feja. Nëse lihet namazi, është lënë e tërë feja. Në Kuran kanë ardhur ajete të shumta dhe Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka përmendur  hadithe të panumërta të cilat nxisin për përkujdesjen ndaj namazit, saqë i Lartmadhëruari na ka urdhëruar që të përkujdesemi për të në prezencë dhe udhëtim, në raste frike dhe në kohë sigurie.

I Lartësuari në suretul Bekare, 238-239 thotë: "Ruani faljen e namazeve (të pesë kohëve), sidomos faljen e namazit të mesëm! Dhe ngrihuni të falni namaz për Allahun duke qenë të respektueshëm (kanitine). Nëse keni frikë (prej armikut, prej kusarëve, etj), faleni namazin më këmbë, ose kaluar! Dhe kur të jeni të siguruar, atëherë përmendeni Zotin (faleni namazin)ashtu siç jua ka mësuar Ai, me ato punë që ju nuk i dinit." Allahu i Madhëruar i ka tërhequr vërejtjen rëndë atij i cili i neglizhon namazet.  Allahu i lartësuar thotë: "Atëherë pra, mjerë për ata që falen (për sy e faqe, si hipokritë). Të cilët janë të pakujdesshëm për namazin e tyre." Suretul Maun, 4-5

Ibnu Kethiri në tefsirin e tij transmeton nga Sa'd Ibn Ebi Uekas (radij Allahu anhu) që thotë: E pyeta Pejgamberin (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) mbi ata që falen e të cilët janë të pakujdesshëm për namazin e tyre, e ai më tha: "Ata janë të cilët  nuk e falin namazin në kohë (e vonojnë)"

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë në suren Merjem, 59-60: "Por pas tyre (brezave të mirë)erdhën brezni, që e lanë namazin dhe ndoqën epshet e nepsit (u dhanë pas kënaqësive trupore). Shpejt do të shijojnë shkatërrimin, do të hidhen në xhehen'nem (gaja). Përveç atyre që pendohen, besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi…" Ibnu Kethiri në tefsirin e tij nga el Euzaij rrëfen: "Por pas tyre (brezave të mirë)erdhën brezni, që e lanë namazin..." Nuk e falën namazin në kohë, sepse nëse do ta linin fare do të mohonin (do të bënin kufër)... Kur Umer Ibnu Abdul Aziz lexoi ajetin e sipërpërmendur, tha: Lënia e namazit që përmendet në këtë ajet nuk është braktisja e tij në tërësi, por mosfalja e tij në kohën e vet." Fjala Gaja ka kuptimin: dështim, dëm, shkatërrim e sipas disa shpjegimeve është përroi më i keq në xhehen'nem, prej të cilit të gjitha xhehen'nemet i ruhen fuqisë së zjarrit të tij.

Ibnu Kethiri në tefsirin e tij ka thënë: Ebu Umameh Sadijj Ibnu Axhlan el Bahilij rrëfen se Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka treguar: "Sikur të hedhësh në grykë të xhehen'nemit një gur që peshon dhjetë barrë të rënda nuk e arrin fundin e xhehen'nemit pa kaluar pesëdhjetë pranvera (vjet)derisa përfundon në Gajj dhe Atham." Thashë: Çjanë Gajj dhe Atham? Ai (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) tha: "Janë dy puse në fund të xhehen'nemit ku rrjedh në to gjaku dhe qelbi i banorëve të zjarrit.  Këto dy puse i ka përmendur Allahu i Lartësuar në librin e Tij ku thotë: "...Shpejt do të shijojnë shkatërrimin, do të hidhen në xhehen'nem (gaja)." Dhe "...Ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin."

Për fjalën Gajj janë dhënë shpjegime të ndryshme. Uehb bin Munebeh ka thënë: El Gajj është një lum në xhehen'nem që e ka fundin shumë të largët, nxehtësinë shumë të fuqishme, ushqimin shumë të ndytë. Sikur një pikë prej këtij lumi të pikonte në këtë botë, do të shkatërroheshin të gjithë banorët e saj.

Ibni Abasi ka thënë: El Gajj është një luginë në xhehen'nem ku të gjitha luginat e xhehen'nemit i kërkojnë mbrojtje Allahut prej saj një mijë herë çdo ditë. Kjo luginë është përgatitur për ata që lenë namazin dhe faljen me xhemat. 

Ata'i ka thënë: El Gajj është një luginë në xhehen'nem ku rrjedh në të gjak dhe qelb.

Ka'bi ka thënë: El Gajj është një luginë në xhehen'nem që fundin e ka shumë larg dhe nxehtësinë shumë të fuqishme. Në të ndodhet një pus që quhet El Hejhatu. Sa herë që xhehen'nemi qetësohet (nga nxehtësia), Allahu i Madhëruar e hap këtë pus me anën e të cilit ndizet dhe merr flakë zjarri i xhehen'nemit.

Dahaku ka thënë: El Gajj është humbje dhe shkatërrim. (Lubabut Tefsir)

Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: "Ajo që na dallon ne nga ata është falja (namazi); ai që e ka lënë atë, me siguri ka bërë kufër (ka mohuar)." (Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu) Ta lesh të falmen me qëllim është faj më i madh se vrasja apo zinaja (imoraliteti). Imam Mundhiri (rahimehullah) ka thënë:

Kanë shkuar një turmë prej sahabësh te të qenit lënia e të falurit kufër; ndër ata sahabë është: Umeri, Ibni Mesudi, Ibni Abasi, Muadh Ibn Xhebeli, Xhabir bin Abdullahi dhe Ebu Derdai, qoftë i kënaqur Zoti prej të gjithëve. Dhe disa që nuk janë sahabë si Ahmed bin Hanbeli, Is'haku, Ebu Daudi, Abdullah Ibn Mubareku, Nehaiu, Hakemi, Ibni Ujejne dhe Ejjub Sahtijaniu e të tjerë paçin ndjesë.

Ebu Muhamed Ibnu Hazmi në "el Muhala" rrëfen: Ashtu siç ka ardhur nga Umeri, Abdurrahman Ibnu Auf, Muadh Ibnu Xhebel, Ebu Hurejreh dhe të tjerë sahabë, qoftë i kënaqur Zoti prej të gjithëve, kanë thënë: "Kush le me qëllim një vakt namaz farz (të obliguar)pa e falur derisa të kalojë koha, ai është kafir (pabesimtar)dhe i dalë jashtë rrugës së Allahut (murted)."

Tirmidhiu përcjell nga Abdullah Ibn Shekijk el Ukajbijj (radij Allahu anhu) i cili ka thënë: Ishin sahabët e Muhamedit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) që nuk shikonin lënien e asnjë vepre kufër, përveç namazit. Umeri (radij Allahu anhu) ka thënë: Nuk ka pjesë në Islam për atë që len namazin. Ibnu Hazmi thotë: Nuk ka faj më të madh pas shirkut se lënia e namazit derisa t'i kalojë koha. Shumë nga sahabët, tabiinët dhe dijetarët e hershëm (dhe të mëvonshëm) e kanë konsideruar mosfaljen e namazit kufër ose shirk. E vërteton këtë edhe thënia e imam Buhariut (rahimehullah) i cili kur u pyet në prani të nxënësve se cili është gjykimi për lënësin e namazit, ai pasi u mendua pak tha: Është kafir. Kur nxënësit e pyetën se përse u mendua, ai tha: Solla në mendje fjalët e njëqind dijetarëve dhe asnjëri prej tyre nuk thotë se ai është besimtar. Nga ajeti i sipërpërmendur që ndodhet në suretu Merjem, 59 thuhet se Allahu i Lartësuar ka përgatitur për ata që e lënë namazin dhe ndjekin epshet e nepsit një vend në fund të xhehen'nemit që quhet Gajja.

Sikur të ishte lënësi i namazit prej gjynahqarëve myslimanë, do të ishte në shtresën e sipërme të xhehen'nemit dhe nuk do të ishte në këtë vend që është shtresa më e ulët, sepse ky nuk është prej vendqëndrimeve të myslimanëve, por është prej vendqëndrimeve të kafirave.

Si përfundim mund të themi se, namazi i përfton njeriut pëlqimin e Allahut të Lartë. E bën ta duan engjëjt. Është rruga e të dërguarve. Është drita e njohjes intuitive (marifeh) të Zotit. Është thelbi i besimit. Është pretekst i pranimit dhe plotësimit të lutjes. I bën punët të bekuara e të pranueshme. E shton furnizimin (rizk). I jep prehje trupit. Është armë kundër armiqve. E largon shejtanin. Ndërmjetëson mes falësit të namazit dhe engjëllit të vdekjes. Është kandil dhe shtresë në varr. Është përgjigje për engjëjt Munker dhe Nekir. Është, për të vdekurin, shok rruge gjer në kiamet. Në ditën e kiametit është hije mbi ata që kanë falur namaz. Është kurorë mbi kokë. Është rrobë për trupin. Është dritë që prin. Është një perde mes falësit të namazit dhe njerëzve të tjerë. Është këshilltari i besimtarëve në audiencën e Zotit. Është peshë në peshoren e ditës së llogarisë (mizan). Është kalim nëpër Sirat. Është çelës për në xhen'net. Sepse namazi është madhërim (tesbih), lavdërim dhe falënderim (hamd), këndim Kurani (kiraat) dhe lutje.

Shkurt, tërësia e të gjitha veprave të çmuara e të virtytshme është në namazin e falur në kohë.

Naim Karaj

Burimijetes.com

29.10.2008

Nata e Miraxhit është nata në të cilën Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) udhëtoi nëpër qiej, deri në qiellin e shtatë, ku foli me Allahun e Lartësuar dhe iu shfaqën xhen'neti, xhehen'nemi si dhe shumë skena të Ditës së Gjykimit.

Kanitijneqë rrjedh prej fjalës kunut, ka këto kuptime: Lutem; përmend Zotin; i bindem Zotit; i përulem Zotit; sillem me përvuajtëri; të mos bësh zë; të strukesh dhe të vazhdosh me durim.

Sirat quhet ura që shtrihet mbi xhehen'nem.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com