All for Joomla All for Webmasters

DITA E RRENAVE

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet i takojnë Allahut, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje. Begatia dhe mirësia e Allahut qofshin mbi Profetin (alejhi salatu ue selam), shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri Ditën e Gjykimit.

Gënjeshtra e prillit

Është përhapur mes njerëzve, sidomos tek masa e gjerë e tyre, ajo që quhet "Dita e rrenave", e cila është më 1 prill, duke pretenduar se në këtë ditë lejohet të gënjesh pa ndonjë kriter.

Për sa i përket kësaj dite, nuk dihet me ekzaktësi nga e ka bazën.

Disa thonë se kjo gjë ka filluar me festimin e pranverës kur barazohet nata me ditën më 21 mars... Kurse disa të tjerë thonë se ka filluar në Francë në vitin 1564.

Disa të tjerë thonë se ka qenë qysh në kohët e mëparshme në festat pagane dhe lidhet me një histori të caktuar në fillim të stinës së pranverës që ishte nga gjurmët e paganizmit. Thuhej që gjahu në këto ditë fshihet në disa vende në ditët e gjuetisë gjë e cila u bë edhe baza e kësaj gënjeshtre në këtë ditë në fillim të prillit.

Peshku i prillit

Francezët gënjeshtrën e prillit e quajnë “Peshku i prillit”. Shkak për këtë emërtim është sepse Dielli kalon nga ylli i peshkut tek ai që vjen pas tij. Ose për një emër që e ka kuptimin e peshkut dhe që do të thotë “dënim” gjoja sikur Isa (alejhi selam), siç pretendojnë të krishterët, është dënuar në fillim të muajit prill.

Tek disa jobesimtarë, mohues të Allahut, quhet dita e budallenjve, ashtu siç e quajnë anglezët dhe kjo për shkak të gënjeshtrave që ndoshta i besojnë ata që i dëgjojnë duke rënë pre e tyre dhe për këtë tallen me to.

Gënjeshtra e parë që thuhet se ka ndodhur në prill, është ajo që e kanë përmendur revista “Dreak”, në ditën e dytë të Prillit në vitin 1698. Kjo revistë përmendi se disa njerëz morën një ftesë për të parë larjen e zezakëve në kullën e Londrës në ditën e parë të prillit, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Ndodhia më e famshme që njihet në Evropë në fillim të prillit është se gazeta angleze“Ifend star” në mars të vitit 1746 njoftoi se nesër (në fillim të prillit) do të jetë një panair me gomarë. Njerëz të shumtë shkuan për të parë këtë shfaqje duke pritur me orë të tëra. Kur pyetën për orarin e shfaqjes  nuk morën asnjë informacion duke e kuptuar se ata vetë nënkuptonin gomarët.

Shumë prej muslimanëve festojnë gënjeshtrën e 1 prillit, por pak prej tyre e dinë kuptimin e saj.

Kur muslimanët sundonin Spanjën para 1000 vjetësh afërsisht, kishin një forcë të papërballueshme nga armiqtë e tyre të cilët shpresonin që ta fshijnë fenë islame nga faqja e dheut.

U përpoqën që të pengonin shtrirjen muslimanëve në Spanjë, por nuk mundën. Përpjekjet vazhduan edhe më shumë, por përsëri nuk i mundën dot.

Pas kësaj dërguan spiunët e tyre në Spanjë për të studiuar dhe zbuluar forcën e muslimanëve që nuk po thyhej. Shkaku ishte se përkushtimi i madh ndaj fesë islame i bënte ata kaq të fortë.

Kur ata e zbuluan këtë gjë, filluan të mendojnë në strategjinë e mposhtjes së kësaj force. Bazuar në këtë strategji, filluan të dërgojnë pije alkoolike dhe cigare në Spanjë falas.

Këtë taktikë që ndoqi Perëndimi filloi që të japë rezultatet e saj të para. Besimi i njerëzve filloi të dobësohej, sidomos tek brezi i rinisë. Rezultati përfundimtar ishte Spanja ose Andalusi i atëhershëm u thye dhe e futën nën sundimin e tyre duke mbyllur kështu sundimin e muslimanëve që kishte më shumë se 8 shekuj në atë vend. Kështjella e fundit ishe në qytetin Granada në fillim të prillit dhe për këtë e quajtën mashtrimi i prillit. Në të vërtetë kjo thënie është e dobët duke ditur se muslimanët nuk janë përzënë nga Spanja në këtë kohë.

Nga ai vit deri tani e festojnë këtë ditë dhe i konsiderojnë muslimanët si budallenj. Ata nuk i bëjnë budallenj vetëm ushtrinë që humbi në Granada, por të gjithë muslimanët. Kur ne e festojmë këtë ditë ose praktikojmë gënjeshtrën tregojmë injorancën tonë duke i ndjekur ata verbërisht në këtë mendim poshtërues.

Pasi e mësuam të vërtetën le t’i premtojmë vetes se nuk do ta festojmë këtë ditë, të marrim mësim nga e kaluara, ta zbatojmë Islamin dhe mos e lëmë besimin të dobësohet.

Nuk ka shumë rëndësi origjina e kësaj gënjeshtre se sa na intereson gjykimi i gënjeshtrës në këtë ditë. E themi me vendosmëri se kjo gjë nuk ka ndodhur në kohët e para të lulëzimit të fesë islame dhe nuk e ka bazën nga muslimanët, por nga armiqtë e tyre.

Ndodhitë e gënjeshtrës së 1 prillit janë të shumta. Ka prej atyre njerëzve që i gënjyen se i ka vdekur fëmija apo gruaja apo disa nga njerëzit e dashur dhe nuk e përballoi dot këtë gjë derisa ra i vdekur përdhe. Ka prej tyre që i kanë njoftuar se e kanë hequr nga puna apo i ka rënë zjarr në shtëpinë e tij apo ka ndodhur një aksident dhe u paralizua në vend. Disa prej tyre i ka goditur hemorragji cerebrale apo ndonjë sëmundje tjetër.

Disa të tjerë gënjejnë burrin se kanë parë gruan e tij me një burrë tjetër gjë që çoi në vrasjen e gruas  së tij apo divorcin e saj.

Kështu tregimet të këtij lloji dhe ngjarjet të tilla nuk kanë të mbaruar, të gjitha këto për shkak të gënjeshtrës që e ka ndaluar feja, logjika dhe të gjithë njerëzit e mençur.

Gënjeshtra është një nga gjërat më të ulëta, për të cilën kanë tërhequr vëmendjen të gjitha fetë, kanë rënë dakord të gjitha natyrat e pastra të njerëzve dhe logjika e shëndoshë.

Nga ana tjetër, sinqeriteti dhe fjala e vërtetë, është një nga shtyllat  që mban botën, baza e sjelljeve të lavdëruara, epiqendra e profetësive dhe rezultati i devotshmërisë, i cili nëse do të mungonte, do të shkatërroheshin të gjitha fetë.

Ai që ka gënjeshtrën si cilësi, është zhveshur nga të quajturit njeri, sepse njeriu dallohet nga krijesat e tjera ngase flet dhe shprehet.

Në fenë tonë të pastër, gënjeshtra është e ndaluar nga Allahu në Kuran dhe nga Profeti (alejhi salatu ue selam). Po kështu, të gjithë dijetarët janë të një mendimi për këtë. Gënjeshtari s’ka përfundim të mirë, as në këtë botë e as në botën tjetër.

Shfaqja e parë e gënjeshtrës në trupin e njeriut fillon në gjuhën e tij duke e prishur atë. Pastaj kalon tek gjymtyrët e tjera duke prishur veprat e tyre, ashtu siç bëri me gjuhën kur i prishi fjalët e saj. Kështu gënjeshtra pushtoi, gjuhën, trupin dhe gjendjen e njeriut. Në këtë mënyrë ajo mbizotëron duke mbartur me vete shkatërrim dhe epidemia e saj sa vjen e shtohet, nëse nuk kurohet me, me ndihmën e Allahut me ilaçin e sinqeritetit, duke çrrënjosur këtë lëndë të neveritshme. Prandaj edhe baza e punëve të lavdëruara është sinqeriteti dhe fjala e drejtë, kurse të kundërtat e tyre, si hipokrizia, mendjemadhësia, vetëpëlqimi, paaftësia, dembelizmi, frika, poshtërsia, etj, e kanë origjinën nga gënjeshtra. Pra, çdo punë e mirë, qoftë e dukshme apo e padukshme, ndërtohet mbi sinqeritet dhe çiltërsi. Allahu i Lartësuar i ndëshkon gënjeshtarët duke e dekurajuar nga përfitimet, interesat dhe punët që kanë dobi. Nga ana tjetër e shpërblen të sinqertin duke i dhënë sukses që të përmbushë detyrimet  e tij qoftë të kësaj bote apo edhe të tjetrës.

Feja islame nuk e lejon gënjeshtrën, vetëm se në disa raste në të cilat nuk përmban padrejtësi, derdhje gjaku apo cenim nderi, por në to ka shpëtim të njeriut  dhe pajtimi mes dy personave apo dashuri mes dy bashkëshortëve, siç do e përmendim më poshtë.

Në fenë islame nuk ka ndonjë ditë apo moment në të cilin lejohet gënjeshtra duke u folur të tjerëve gjithçka që të vjen në mendje.

Gënjeshtra është e ndaluar (haram)

Allahu i lartësuar thotë në Kuran: "Vërtet, gënjeshtra trillojnë vetëm ata, që nuk u besojnë shpalljeve të Allahut; pikërisht ata janë gënjeshtarët e vërtetë". (Nahl, 105)   

Ibn Kethiri thotë: “Allahu i Lartë na lajmëron se i Dërguari i Tij (alejhi salatu ue selam), nuk është shpifës dhe as gënjeshtar, sepse ata që shpifin gënjeshtra për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nuk besojnë në argumentet e Allahut dhe janë të njohur për gënjeshtra. Kurse Profeti (alejhi salatu ue selam) ka qenë njeriu më i sinqertë, më i çiltër dhe më i përsosur në dije, në vepra dhe në besim. Ai ka qenë i njohur për sinqeritetin e tij derisa e quajtën "besniku". Prandaj, kur Herakliu - mbreti i romakëve - e pyeti Ebu Sufjanin dhe ndër ato pyetje ishte: A e akuzonit për gënjeshtra para se të thoshte atë që tha (pra, se ishte i Dërguari i Allahut)?

- Jo, i tha Ebu Sufjani.

Atëherë Herakliu tha: S'mund ta lente gënjeshtrën ndaj njerëzve dhe të gënjente ndaj Allahut.” (Tefsir Ibn Kethir 2/588)

Ebu Hurejre (radijallahu anhu) thotë se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: "Shenjat e hipokritit janë tre: Kur flet gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur i lihet diçka amanet tradhëton". (Buhariu dhe Muslimi)

Imam Nueuiu thotë: “Mendimi më i sakte i shumicës së dijetarëve është se këto janë veçoritë e hipokrizisë, ai që i ka këto cilësi, iu përngjan hipokritëve dhe ka moralin e tyre.”

Gënjeshtra më e urryer, gënjeshtra ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

Kjo është gënjeshtra më e madhe dhe ai që e bën këtë është i kërcënuar me ndëshkim të rëndë, madje disa dijetarë kanë thënë se ky person nuk është musliman. Allahu i lartë ka thënë: "Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo ëshjtë e lejuar e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë ". (Nahl, 116)

Aliu (radijallahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Mos gënjeni ndaj meje, sepse ai që gënjen ndaj meje, le të hyjë në zjarr". (Buhariu)

Kurse Ebu Hurejre (radijallahu anhu) thotë se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: "Kush gënjen ndaj meje, le ta përgatisë vendin e tij prej zjarri". (Buhariu dhe Muslimi)

Gënjeshtra në shitblerje

Gënjeshtra në shitblerje është nga gënjeshtrat në të përhapura mes nesh. Kjo ndodh sepse njeriu kërkon me çdo kusht që të përfitojë materialisht pavarësisht rrugës dhe formës që i sjellin këtë fitim. Sa shpesh dëgjojmë në Pazar, tregtarë dhe shitës të cilët betohen disa herë për një mall se është i mirë ose më i miri apo se është origjinal e kështu me radhë. Më kujtohet fjala e një dijetari që thotë: “Kur një prodhues qumështi e shkruan mbi kapakun e kartonit se qumështi është 100% origjinal, nëse vetëm një për qind do të ishte ujë apo diçka tjetër, kjo do llogaritej tek Allahu gënjeshtër.”

Transmeton Ebu Dherri (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: "Tre personave, Allahu nuk ju flet Ditën e Kiametit, nuk i shikon, nuk i pastron nga mëkatet dhe për ata ka një dënim të dhembshëm, (e përsëriti tre herë këtë). Ebu Dherri tha: O i Dërguari i Allahut, kush janë këta njerëz që kanë humbur? Ai u përgjigj: Ai i cili i mban rrobat e gjata (poshtë nyjës së këmbës, sepse tregon mendjemadhësi), ai që jep sadeka dhe ua përmend atë, dhe ai që shet mallin e tij me betim të rrejshëm". (Muslimi)

Nga Hakim ibn Hizam (radijallahu anhu) thotë se i Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: "Ata dy persona që  shesin dhe blejnë me njëri-tjetrin, kanë të drejtë ta blejnë apo ta kthejnë mallin, përderisa nuk janë ndarë nga njëri tjetri. Nëse thonë të vërtetën dhe tregojnë gjithçka për mallin që shesin, Allahu ju jep begati, por nëse  fshehin (mangësitë e mallit)dhe gënjejnë, shit-blerja e tyre nuk ka bereqet". Buhariu dhe Muslimi)

Dijetari i njohur Ibn Tejmije ka thënë: Allahu ka urdhëruar për sinqeritet dhe fjalë të drejta dhe e ka ndaluar gënjeshtrën dhe fshehjen e së vërtetës kur kjo është e nevojshme. Allahu i Lartë ka thënë: “O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju.” (Maide, 8)

Ndalimi i gënjeshtrës në ëndërr

Siç veprojnë disa, duke pretenduar se ka parë një ëndërr, por në të vërtetë nuk e ka parë atë. Pastaj në mëngjes fillon të tregojë gënjeshtra.

Transmeton Ibn Abasi (radijallahu anhuma) se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Kush tregon një ëndërr që nuk e ka parë, i kërkohet (Ditën e Kiametit)që të lidhë dy kokrra elbi me njëra-tjetrën, gjë që s’mund ta bëjë dot. Kush dëgjon fjalët e një grupi njerëzish, pa dëshirën e tyre, Ditën e Kiametit i lëshohet plumb në vesh. Kush bën një formë krijese me shpirt (skulpturë, pikturë, etj,)i ngarkohet atij që t’i japë shpirt dhe nuk e bën dot” ( Buhariu)

Menaui ka thënë: “Lidhja e dy kokrrave të elbit, zakonisht nuk është e mundur, prandaj ai dënohet derisa ta bëjë këtë dhe s’mund ta bëjë një gjë të tillë. Pra, atij i vihet si detyrë që të bëjë atë që s’ka mundësi, me qëllim që të dënohet për një kohë të gjatë. Pse dënimi i gënjeshtrës në gjumë është më i madh, megjithëse gënjeshtra kur njeriu është zgjuar mund të ketë dëm më të madh, si dëshmia e rreme për vrasje etj? Kjo sepse gënjeshtra në gjumë është gënjeshtër ndaj Allahut, sepse ëndrra është një pjesë e profecisë dhe ajo që është pjesë e pofecisë është nga Allahu dhe gënjeshtra ndaj Krijuesit është më e shëmtuar se ajo ndaj krijesës.” (Fejdul Kadir 6/99)

Ndalimi i të folurës për gjithçka që dëgjon

 Transmeton Hafs Ibn Asim se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: ”I mjafton njeriut që të gënjejë duke treguar gjithçka që dëgjon.” (Muslimi)

Dijetarët kanë thënë se kuptimi i këtij hadithi është ndalimi i njeriut që të flasë me gjithçka që dëgjon, sepse ai zakonisht dëgjon  të vërteta dhe gënjeshtra. Duke treguar gjithçka që dëgjon ai konsiderohet se ka gënjyer, sepse ka thënë diçka që nuk ka ndodhur. E përmendëm më sipër se gënjeshtra është: Lajmërimi për diçka që në të vërtetë nuk ka ndodhur dhe nuk është kusht që ta bëjë këtë me qëllim, por veprimi me qëllim është kusht që të quhesh mëkatar.

Gënjeshtra në shaka 

Disa njerëz mendojnë se gënjeshtra lejohet kur është me shaka. Ky është edhe justifikimi që bëjnë njerëzit për gënjeshtrën e 1 Prillit apo në ditët e tjera të vitit. Kjo gjë është gabim dhe nuk ka bazë në fenë e pastër islame. Gënjeshtra është haram qoftë me seriozitet apo me shaka. Gënjeshtra kur bën shaka nuk lejohet ashu siç nuk lejohet në raste të tjera.

Transmeton Ibn Umeri se Profeti (alejhi salatu ue selam ) ka thënë: “Unë vërtet bëj shaka, por gjithmonë them të vërtetën.”  (Sahihul Xhami)

Ebu Hurejre tregon se i ka thënë Profetit (alejhi salatu ue selam): O I Dërguari i Allahut, ti bën shaka me ne. Profeti (alejhi salatu ue selam ) tha: “Unë them vetëm të vërtetën”.  (Tirmidhiu)

Abdurrhaman ibn Ebi Lejla thotë se shokët e Profetit (alejhi salatu ue selam) ishin duke ecur me Profetin (alejhi salatu ue selam). Njërin prej tyre e zuri gjumi. Dikush nga ne shkoi dhe i mori shigjetën. Kur personi u zgjua u tremb. Njerëzit filluan të qeshnin. Profeti (alejhi salatu ue selam) i pyeti: Pse qeshni? Ata iu përgjigjën: Ne i morëm këtij njeriu shigjetën dhe ai u frikësua. Profeti (alejhi salatu ue selam) tha: “ Nuk i lejohet muslimanit që të frikësojë muslimanin”. (Ebu Daud)

Transmeton Abdullah Ibn Saib nga babai i tij dhe ai nga gjyshi i tij se e ka dëgjuar Profetin (alejhi salatu ue selam) duke thënë: “ Mos ia marrë ndonjëri prej jush pasurinë e vëllait të tij as me shaka as me seriozitet dhe kur ta marrë le t’ia kthejë atë”. (Ebu Daudi)

Gënjeshtra kur loz me fëmijët

Duhet të kemi kujdes kur lozim me fëmijët, sepse kjo gënjeshtër shkruhet tek ai person që gënjen, siç ka tërhequr vëmendjen për këtë Profeti (alejhi salatu ue selam). Abdullah Ibn Amir (radijallhu anhu) tregon se një ditë më thirri nëna dhe më tha hajde merre (diçka që kishte në dorë).  Profeti (alejhi salatu ue selam) ishte tek ne dhe e pyeti nënën: Pse e thirre? Ajo i tha: Desha t’i jap disa hurma. Profeti (alejhi salatu ue selam) i tha: “Nëse nuk do t’i jepje gjë, do të shkruhej gënjeshtër”.  Kurse Ebu Hurejrja (radijallahu anhu)  tregon se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “ Kush i thotë një fëmije hajde të të jap diçka dhe nuk ia jep, i shkruhet atij gënjeshtër”. (Ebu Daudi)

Gënjeshtra për të qeshur

 Shumë njerëz mendojnë se kur gënjen për të qeshur të tjerët, jo vetëm që nuk ke marrë mëkat, por kjo pëlqehet sepse i gëzon ata, mirëpo kjo nuk është aspak e vërtetë. Profeti (alejhi salatu ue selam) duke thënë: “Mjerim për atë njeri që flet duke gënjyer që të qeshin të tjerët, mjerim, mjerim për të”. (Tirmidhiu)

Shkaqet e gënjeshtrës

Arsyet dhe shkaqet që i shtyjnë njerëzit të gënjejnë janë të shumta prej tyre janë:

1. Frika e pakët nga Allahu dhe mosdhënia rëndësi se Allahu të shikon dhe dëgjon në çdo moment.

2. Përpjekja për të ndryshuar të vërtetën, me dëshirën për të fituar ose për t’i ulur vlerën një malli apo edhe për t’u mburrur.

3. Përshtatjet me njerëzit me të cilët qëndron dhe tërheqja e vëmendjeve të tyre me tregime dhe informacione të pavërteta.

4. Mosmbajtja e përgjegjësisë dhe përpjekja për të ikur nga e vërteta në kohë krize.

5. Të bërit e gënjeshtrës traditë qysh në vegjëli, e cila vjen nga edukimi i ulët. Ky njeri që kur ishte  në moshë fëmijërore i ka parë e dëgjuar prindërit e tij duke gënjyer dhe ka ndjekur shembullin e tyre deri sa e ka bërë gënjeshtrën një pasion dhe zakon të pandarë nga vetja e tij.

6. Mburrja me gënjeshtrën duke e konsideruar atë si mprehtësi dhe zgjuarsi.

 Dënimi i gënjeshtrës

Për gënjeshtrën janë transmetuar ndëshkime shkatërruese në këtë botë dhe dënime poshtëruese në ahiret.

Hipokrizi në zemër

Allahu thotë: “Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri ditën kur do të dalin para tij, sepse ata e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën”. (Teube, 77)

Abdullah Ibn Mes’ud (radijallahu anhu) ka thënë: Njeriun konsiderojeni hipokrit nëse ka tre gjëra: Kur flet gënjen, kur premton nuk e mban premtimin dhe kur i lihet një amanet tradhëton. Pastaj lexoi ajetin e mësipërm. (Ibn Ebi Shejbe).

Udhëzim për në shthurje dhe në zjarr

Transmeton Abdullah Ibn Mesud (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “ Sinqeriteti është mirësi, dhe mirësia të udhëzon për në xhenet. Njeriu vazhdon të kërkojë sinqeritetin derisa të shkruhet tek Allahu i sinqertë. Kurse gënjeshtra është shthurje dhe shthurja të çon në zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë derisa të shkruhet tek Allahu gënjeshtar”. (Buhariu dhe Muslimi)

San’ani, një dijetar u shquar, thotë: Ky hadith tregon se ai i cili e thotë gjithmonë të vërtetën, kjo gjë i bëhet zakon. Kush gënjen qëllimisht dhe nuk thotë të vërtetën, i bëhet gënjeshtra një veti. Me praktikim vazhdojnë cilësitë e mira apo të këqijat. Hadithi tregon vlerën e madhe që ka sinqeriteti dhe se kush është i sinqertë e ka vendin në xhenet. Po kështu hadithi është një argument për shëmtinë që ka gënjeshtra dhe se ai që gënjen përfundon në zjarr. Ky dënim është vetëm për në ahiret, pa llogaritur dënimin e kësaj bote. Sepse të sinqeritetin e duan njerëzit, dëshmia e tij pranohet tek gjykatësi, është i dashur dhe i pëlqyer ku flet, kurse gënjeshtari është plotësisht në kundërshtim me të sinqertin. ( Subulus Selam)

Mospranimi i dëshmisë

Ibn Kajimi thotë: Shkaku më i fortë që kthen dëshminë, gjykimin për një çështje të caktuar apo transmetimin e hadithit të një njeriu është gënjeshtra, sepse kjo e fundit është shkatërrim për të gjitha ato.

Dëshmia e rreme barazohet me dëshminë e të verbrit se ka parë hënën apo dëshminë e shurdhit se ka dëgjuar filanin të pohojë diçka. Gjuha gënjeshtare është në pozicionin e një gjymtyre që nuk funksionon, madje edhe më keq. Cilësia më e ulët  që ka njeriu është gjuha gënjeshtare. (I’lamul Muaki’in 1/95)

Nxirja e fytyrës në dynja dhe në ahiret

Allahu ka thënë: “Ditën e Kijametit i shikon atë që gënjyen për Allahun me fytyra të zeza”. ( Zumer, 60)

Ibn Kajimi ka thënë: Për këtë Allahu i ka vënë gënjeshtarit ndaj Tij dhe të Dërguarit, një shenjë dalluese dhe ajo është errësirë dhe nxirje në fytyrë.

Gënjeshtra ka një ndikim të madh në nxirjen e fytyrës. Atë e mbulon një perde urrejtje që e dallon çdo njeri i sinqertë. Njeriut të sinqertë Allahu i jep një autoritet. Ai që e shikon e do, kurse gënjeshtarit i jep Allahu poshtërsi e urrejtje dhe kush e shikon e urren dhe e përbuz. (I’lamul Muaki’in 1/95)

Çarja e gojës së gënjeshtarit deri te kafka

Transmeton Semure bin Xhundub (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi salatu ue selam)  shpesh herë i pyeste shokët e tij a ka parë ndonjëri prej jush ndonjë ëndërr dhe i tregonin atë që kishin parë. Një ditë tha: “Mbrëmë erdhën dy njerëz më morën dhe më thanë eja me ne. Kur arritëm në një vend, gjetëm një njeri që ishte shtrirë në shpinë dhe një tjetër qëndronte në këmbë me një kanxhë prej hekuri me të cilën i shqyente gojën barbarisht deri tek kafka dhe bashkë me gojën edhe hundën e sytë. Pastaj shkonte nga ana tjetër i vepronte si me të parën. Sapo mbaronte njërën anë, ana tjetër shërohej dhe kthehej siç ishte. Përsëri shkonte dhe ia shqyente ashut siç veproi herën e parë. Thashë Subhanallah (I lartësuar është Allahu)! Kush janë këta dy njerëz? Ata më thanë ec me ne ... Pastaj në fund dy engjujt i treguan për ata dy personat duke i thënë: Ai njeriu që ishte i shtrirë dhe i shqyhej goja barabarisht deri te kafka bashkë me hundën dhe sytë e tij, është një njeri që sapo del nga shtëpia gënjen derisa gënjeshtra e tij të shpërndahet kudo”. (Buhariu) 

Thëniet e dijetarëve për gënjeshtrën

Abdullah ibn Mesud ka thënë: Njeriu thotë të vërtetën dhe kërkon atë derisa në zemrën e tij të mos ketë vend as sa një majë gjilpëre nga shthurja. Po kështu ka njerëz që e kërkojnë gënjeshtrën derisa të mos ngelë në zemrën e tij as sa maja e gjilpërës nga sinqeriteti.

Gjithashtu ka thënë: Gënjeshtra nuk lejohet as me shaka as me seriozitet dhe lexoi fjalën e Allahut:“ Keni frikë Allahun dhe jeni nga të sinqertit”. (Teobe 119) l

Ebu Bekri (radijallahu anhu) ka thënë: Kurrë mos gënjeni sepse gënjeshtra bie në kundërshtim me besimin.

Sad ibn ebi Ukas ka thotë: Besimtari mund t’i bëhet natyrë ndonjë cilësi e keqe, përveç tradhtisë dhe gënjeshtrës.

Umeri (radijallahu anhu) ka thënë. Besimtari nuk e arrin besimin e plotë derisa të lejë gënjeshtrën edhe kur bën shaka.

Aliu (Zoti qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Gjynahu më i madh tek Allahu është gjuha gënjeshtare, kurse, pendimi më i keq është ai i Ditës së Kiametit.

Malik ibn Dinari (Allahu e mëshiroftë ka thënë) : Sinqeritet dhe gënjeshtra luftojnë brenda zemrës së njeriut, derisa ta nxjerrë njëri shokun e tij.

Jezid ibn Mejsere (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Gënjeshtra vadit pemën e çdo të keqje, ashtu siç vadit uji rrënjët e pemëve.

Kurse Umer ibn Abdul Aziz thotë: Nuk kam gënjyer ndonjëherë, që kur jam mësuar të vishem vetë.

Gënjeshtra e lejuar

Gënjeshtra lejohet në tre raste: Në luftë, në pajtimin e dy personave dhe gënjeshtra e burrit ndaj gruas dhe anasjelltas me qëllim që të mos ndahen dhe të shtohet dashuria mes tyre.

Transmeton Umu Kulthum (radijallahu anha) se ka dëgjuar Profetin (alejhi salatu ue selam) duke thënë: “Nuk quhet gënjeshtar ai i cili pajton njerëzit me njëri-tjetrin ose thotë fjalë të mira”. (Buhariu dhe Muslimi)

Transmeton Esma bint Jezid se Profeti (alejhi salatu ue selam) duke thënë: “Gënjeshtra lejohet vetëm në tre raste; Kur burri i flet gruas së tij me qëllim që ajo të jetë e kënaqur, gënjeshtra në luftë dhe gënjeshtra për të pajtuar mes njerëzve”. (Tirmidhiu)

Largohu nga gënjeshtra, ky ves kaq i shëmtuar

Vëllai im! Nëse dëshiron të shikosh se sa vesi ultë dhe i keq është gënjeshtra, shiko gënjeshtrat që përdorin të tjerët dhe se sa shumë e urren ti këtë gjë dhe personin që e praktikon. Muslimani duhet që të ripërtërijë pendimin tek Allahu nga çdo gjynah, ashtu siç duhet të kërkojë format që e ndihmojnë për ta lënë dhe për të qëndruar larg gënjeshtrës.. Disa nga këto shkaqe janë:

1. Mendo madhështinë e Allahut para se të gënjesh dhe ki besim tek Ai se do të ndihmojë nëse je i sinqertë dhe thuaj gjithmonë të vërtetën.

2. Të jesh i sigurt se ajo që është caktuar nga Allahu patjetër që do ta marrësh, prandaj mos përdor forma të ndaluar që të biesh në zemërimin e tij.

3. Njohja e atij që quhet gënjeshtar, për shkak të gënjeshtrës së tij dhe dënimit të madh që merr ai, duke e kujtuar dhe përmendur këtë tek tubimet dhe bisedat me të tjerët.

4. Edukimi i vetes për të mbajtur përgjegjësinë e duhur dhe thënien e të vërtetës edhe pse nga ana e jashtme duket sikur është një e metë, sepse e gjithë e mira është tek sinqeriteti.

5. Zëvendësimi i bisedave dhe tubimeve të gënjeshtrës me atë të përmendjes së Allahaut, fjalëve me të mira dhe prezantimit i ligjëratave të dobishme.

6. Ruatja e gjuhës dhe kërkimi llogari i saj sa më shumë.

7. Bindja se gënjeshtari ka një nga cilësitë e hipokritëve.

8. Ta ndjejë se gënjeshtra e ka përfundimin në shthurje dhe shkatërrim, kurse sinqeriteti në vepra të mira dhe xhenet.

9. Edukimi i fëmijëve me edukatën islame të pastër,  dhe theksimi i cilësisë së sinqeritetit duke dhënë shembullin ideal të sinqeritetit pra tyre.

10. Ta dijë gënjeshtari se besimi ndaj tij tek njerëzit do të bjerë shpejt, e cila është edhe një humbje në këtë botë dhe në tjetrën. Prandaj jo më kot populli ynë thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, sepse e vërteta del në shesh herët a vonë.”

Profeti (Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë:” Sinqeriteti është qetësi dhe siguri, kurse gënjeshtra është dyshim.” (Tirmidhiu)

I lutemi Allahut që të na udhëzojë në rrugë të drejtë, të na bëjë nga at njerëz që gjithmonë thonë të vërtetën dhe të na largojë nga gënjeshtra. Amin!

Përgatiti: Irfan Tota

Burimijetes.com

01.04.2010

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com