All for Joomla All for Webmasters

46 QËNDRIME TË DIJETARËVE LIDHUR ME LEJLETUL KADRIN

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

Dijetarët kanë dalluar shumë lidhur me Lejletul-Kadrin dhe ne kemi hasur në më shumë se dyzet qëndrime rreth saj, mu ashtu siç kemi hasur në një numër të ngjashëm (qëndrimesh) lidhur me çastin e Xhumasë (kur pranohet duaja). Pra, këto të dyja kanë të përbashkët fshehjen, me qëllim që njerëzit të mundohen në kërkimin e tyre.

Qëndrimi i parë: Se ajo (Lejletul-Kadri) është ngritur dhe hequr krejtësisht. El-Mutewelî e citon këtë në et-Tutimmeh nga Rafidhat (Shiat) dhe el-Fãkihãnî në Sherhul-Umdeh nga Hanefitë, dhe duket sikur kjo është një gabim nga ana e tij. Ajo çka es-Serûxhî citon është se kjo është thënie e Shiave. Abdu-Rrezak përcolli nëpërmjet Dawud ibn ebi Asim, nga Abdullah ibn Juhennis:

"I thashë Ebu Hurejres:'Po thonë që Lejletul-Kadr është ngritur", dhe ai u përgjigj:'Kush e thotë këtë, rren'".

Dhe, nëpërmjet Abdullah ibn Sherîk, i cili tha:

"el-Haxhaxh përmendi Lejletul-Kadrin sikur ta mohonte atë, kështu që Zirr ibn Hubeish deshi ta gjuante me guralecë, por njerëzit e tij e penguan".

Qëndrimi i dytë:Se ajo ishte e veçantë për një vit të caktuar dhe ndodhi në kohën e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam). Këtë, po ashtu, e citoi dhe el-Fãkihãnî.

Qëndrimi i tretë:Se kjo është diçka e veçantë për këtë umet dhe nuk bënte vaki në popujt para tyre. Kjo u tha me siguri nga Ibn Habîb dhe të tjerët nga Malikitë, dhe ai e citon këtë nga shumica, kurse autori i elUddeh e citon këtë nga Shafitë dhe e parapëlqeu/zgjodhi këtë (qëndrim). Mirëpo, kjo kundërshtohet nga hadithi i Ebu Dherrit, i transmetuar nga en-Nesa'i, ku ai thotë:

"Thashë:'O i Dërguar i Allahut, a vjen ajo (Lejletul-Kadri) me pejgamberët, në mënyrë që, kur ata vdesin, ajo ngrihet?' Ai tha:'Jo, por mbetet'"[1]

Prova e tij është thënia e Malikut në el-Muwetta:

"Më ka mbërritur se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) e konsideroi jetëgjatësinë e këtij umet të shkurtër në krahasim me jetëgjatësinë e popujve tjerë, prandaj Allahu i dhuroi atij LejletulKadrin".

Mirëpo, ka mundësi që kjo të ketë interpretime të ndryshme, kështu që kjo s'mund ta hedhë poshtë atë që është thënë qartazi në hadithin e Ebu Dherrit.

Qëndrimi i katërt:Se ka mundësi që ajo të ndodhë në cilëndo kohë të vitit, dhe kjo thënie është e mirënjohur nga Hanefitë, e transmetuar nga Kadi Khãn dhe Ebu Bekr er-Rãzi prej tyre. E ngjashmja me këtë është përcjellë nga Ibn Mes'ud, Ibn Abas, Ikrime dhe të tjerët. Mirëpo, el-Muheleb e cilësoi këtë thënie si të rreme dhe tha:

"Ndoshta, mbështetësi i këtij qëndrimi e zhvilloi atë bazuar në ndryshimin e vazhdueshëm të kohës, për shkak të pakësimit të hënave të reja. Mirëpo, kjo s'është e saktë, sepse kjo nuk merret parasysh për agjërimin e ramazanit, kështu që nuk merret parasysh as për gjëra tjera, prandaj nuk qëndron që Lejletul-Kadri del jashtë ramazanit".

Arsyeja e përdorur nga Ibn Mes'ud, siç vërtetohet në Sahih Muslim nga Ubej ibn Kab, ishte se ai dëshironte që njerëzit të mos hiqnin dorë edhe në kohë tjera.

Qëndrimi i pestë:Se ajo është e veçantë për ramazanin dhe bën vaki në cilëndo nga netët e tij. Kjo është thënie e Ibn Umerit, nga i cili e përcjellë Ibn ebi Shejbeh me zinxhir sahi të transmetimit. Po ashtu, Ebu Dawud e përcjellë prej tij dhe ai prej pejgamberit (alejhi selam).[2]

Në el-Hidãjeh ka një thënie të qartë se kjo është thënie e Ebu Hanifes. Kjo, po ashtu, është thënie e Ibnul-Mundhirit, el-Muhãmilît, e disa prej Shafive, dhe mendimi i zgjedhur i es-Subkit në Sherhul-Minhexh, dhe citohet nga Ibnul-Hãxhib si një transmetim. es-Serûxhi tha në SherhulHidãjeh:"Thënia e Ebu Hanifes është se ajo lëviz nëpër tërë ramazanin", kurse dy bashkëmendimtarët e tij thanë që ajo është një natë e veçantë në të, e cila ka mbetur e panjohur. Po ashtu, en-Nesefî tha në el Menzûmeh:

"Lejletul-Kadri lëviz nëpër tërë muajin, mirëpo koha e saktë e saj është e fshehur".

Pra, kjo thënie citohet nga Ibn el-Arabi nga disa persona dhe ky është qëndrimi i gjashtë.

Qëndrimi i shtatë:Se ajo është nata e parë e ramazanit. Kjo është përcjellë nga Ebu Rezîn el-Ukejlî – Sahabiu -, dhe Ibn ebi Asim e përcolli si hadith të Enesit, ku ai thotë:

"Lejletul-Kadr është nata e parë e ramazanit".

Ibn ebi Asim tha:

"Nuk dimë për dikë tjetër ta ketë thënë këtë".

Qëndrimi i tetë:Se ajo është nata e mesme e ramazanit. Shejhu ynë Sirãxhuddîn ibn el-Mulekkin e citoi këtë në Sherhul-Umdeh, ndërsa ajo që kam parë në el-Mufhim të el-Kurtubit është një transmetim i thënies së ajo është nata e mesme e muajit shaban, dhe kështu e citoi esSerûxhî nga autori i et-Tirãz, kështu që, nëse këto dy thënie janë ruajtur si duhet, atëherë kjo është:

Qëndrimi i nëntë:Pastaj e pashë në Sherhus-Serûxhî, ku citohet nga elMuhît, se ajo është në gjysmën e dytë.

Qëndrimi i dhjetë:Se ajo është në natën e shtatëmbëdhjetë të ramazanit. Kështu, Ibn ebi Shejbeh dhe et-Taberãni e përcjellin këtë si hadith të Zejd ibn Erkam, i cili tha:

"S'kam kurrfarë dyshimi se ajo është nata e shtatëmbëdhjetë e ramazanit, nata në të cilën u zbrit Kurani"[3]

Po ashtu, Ebu Dawud e përcjellë atë nga Ibn Mes'ud[4]

Qëndrimi i njëmbëdhjetë:Se ajo është fshehur midis dhjetë netëve të mesme. En-Newewi e citon atë dhe et-Taberî ia atribuon këtë Uthman ibn ebil-Asit dhe el-Hasan el-Basrit, dhe kjo ishte thënia e disa prej Shafive.

Qëndrimi i dymbëdhjetë:Se ajo është nata e tetëmbëdhjetë. Këtë e kam lexuar në dorëshkrimin e el-Kutb el-Halebi, në shpjegimin e tij, dhe Ibn el-Xheuzi e përmend në Mushkil-in e tij.

Qëndrimi i trembëdhjetë:Se ajo është nata e nëntëmbëdhjetë. AbduRrezak e përcjellë këtë nga Aliu. et-Taberî e citon nga Zejd ibn Thãbit dhe Ibn Mes'ud. et-Tahãwi e përcjellë në formë të lidhur nga Ibn Mes'ud.

Qëndrimi i katërmbëdhjetë:Se ajo është nata e parë nga dhjetë të fundit. Nga kjo anoi Shafiu dhe kjo qe thënë me siguri nga një grup i Shafive. Mirëpo, es-Subki tha:

"Ata nuk e thonë me siguri këtë, sepse ata pajtohen që, nëse një person betohet në ditën e njëzet se do ta lirojë robin e vet në LejletulKadr dhe nuk e liron në atë natë, atëherë ai ka thyer betimin e vet, dhe ai nuk lirohet atë natë, por kur të kryhet muaji, sipas thënies së saktë. Pra, kjo bazohet në të qenët e saj në dhjetë të fundit; apo thuhet: kur të kompletohet një vit i plotë, bazuar në të mos qenët e saj e veçantë për dhjetë të fundit, por dikur në ramazan"[5]

Qëndrimi i pesëmbëdhjetë:Sikurse thënia para kësaj, përveçqë, nëse muaji është "i plotë" (dmth tridhjetë ditë), atëherë, në këtë rast, ajo është nata e njëzet, por, nëse ai është "i paplotë" (dmth njëzetenëntë ditë), atëherë ajo është nata e njëzetenjët; dhe po kështu sa i përket tërë muajit, dhe kjo është thënie e Ibn Hazm dhe ai pohoi se ka bashkërenditur transmetimet me këtë. Provë për këtë është ajo çfarë përcjellin Ahmed dhe et-Tahawi nga një hadith i Abdullah ibn Unejs, i cili tha:

"Dëgjova të Dërguarin e Allahut (alejhi selam) të thoshte: 'Kërkojeni atë sonte'". Ai tha: "Dhe ishte nata e njëzetetretë". Një burrë tha: "Kjo është e para nga tetë (netët) e mbetura". Ai tha: "Është e para nga të shtatat e mbetura, meqë ky muaj s'do të jetë i plotë".

Thënia e gjashtëmbëdhjetë:Se ajo është nata e njëzetedytë, dhe nga kush citohet kjo, do të vijojë. Ahmedi e përcolli këtë nga një hadith i Abdullah ibn Unejs se ai e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut ( alejhi selam) lidhur me Lejletul-Kadrin dhe se kjo ishte në mëngjesin e natës së njëzetenjët, kështu që ai tha:"Çfarë është sonte?" Thashë:"Është nata e njëzetedytë". Ai u përgjigj:"Ajo është ose sonte, ose nesër mbrëma"[6]

Qëndrimi i shtatëmbëdhjetë:Se ajo është nata e njëzetetretë. Muslimi e shënon këtë nga Abdullah ibn Unejs, nga pejgamberi (alejhi selam) se ka thënë:

"M'u tregua Lejletul-Kadri dhe pastaj u bëra që ta harroja". Dhe nga ai se ai kishte thënë:

"Thashë:'O i Dërguar i Allahut, ka një pjesë të shkretëtirës ku unë jetoj (dmth jam larg), kështu që më urdhëro lidhur me LejletulKadr". Ai tha:"Eja në natën e njëzetetretë"[7]

Ibn ebi Shejbeh përcjellë me një zinxhir sahih të transmetimit nga Muawijeh se ai tha:

"Lejletul-Kadri është në natën e njëzetetretë".

Is'hak përcolli në Musnedin e vet, nëpërmjet Ebu Hazim, nga një burrë i Benu Bejãdes, i cili ishte Sahabi, nga pejgamberi (alejhi selam); dhe Abdu-Rrezak e përcolli nga Ma'mer, nga Ejûb, nga Nãfi, nga Ibn Umer, nga pejgamberi (alejhi selam):

 "Kush do që ta kërkojë atë, le ta kërkojë në natën e shtatë (nga fundi)".

Ejûbi lahej në natën e njëzetetretë dhe parfumohej. Dhe nga Ibn Xhureixh, nga Ubejdullah ibn Jezîd, nga Ibn Abas:"Se ai i zgjonte familjen e vet në natën e njëzetetretë".

Abdu-Rrezak përcolli nëpërmjet Jûnus ibn Sejf se kishte dëgjuar Se'id ibn el-Musejjibin të thoshte:

"Thëniet e njerëzve janë fiksuar në thënien se ajo është nata e njëzetetretë".

Dhe nëpërmjet Ibrahimit, nga el-Eswed, nga Aisha, dhe nëpërmjet Mekhûlit, se ai e konsideronte atë të jetë nata e njëzetetretë.

Qëndrimi i tetëmbëdhjetë:Se ajo është nata e njëzetekatërt, siç parapriu në hadithin e Ibn Abasit në këtë kaptinë[8], dhe et-Taberî e përcolli nëpërmjet Ebu Nedreh, nga Ebu Se'îd, nga pejgamberi:

"Lejletul-Kadri është në natën e njëzetekatërt"[9]

Dhe kjo është përcjellë nga Ibn Mes'ûd, esh-Sha'bî, el-Hasan, dhe Katadeh. Prova e tyre është hadithi i Wãthiles se Kurani u zbrit në natën e njëzetekatërt të ramazanit[10]

Dhe Ahmed përcolli nëpërmjet Ibn Lehî'eh, nga Jezîd ibn ebi Habîb ibn Ebil-Hajr es-Sunãbihî, nga Bilal, nga pejgamberi (alejhi selam):

"Kërkojeni Lejletul-Kadrin në natën e njëzetekatërt".

Mirëpo, Ibn Lehî'eh gaboi në përcjelljen e tij mbrapa deri te pejgamberi (alejhi selam), meqë Amr ibn el-Hãrith e përcolli atë nga Jezîd me këtë zinxhir si thënie të një Sahabiu pa gjë tjetër pos fjalëve të tij, siç do të vijojë në fund të el-Meghãzî me fjalët:

"Lejletul Kadri është e para nga të shtatat e dhjetë (netëve) të fundit".

Qëndrimi i nëntëmbëdhjetë:Se ajo është nata e njëzetepestë. IbnulArabî e përcjellë këtë në el-Arideh, dhe Ibnul-Xheuzi ia atribuoi këtë Ebu Bekres në el-Mushkil.

Qëndrimi i njëzet:Se ajo është nata e njëzetegjashtë, dhe s'kam parë që kjo të jetë thënë drejtpërsëdrejti, përveç që (Kãdî) Ijãd tha:

"S'ka natë nga dhjetë netët e fundit veçse është thënë për të se ajo (Lejletul-Kadri) është në të".

Qëndrimi i njëzetenjë: Se ajo është nata e njëzeteshtatë. Kjo është thënia kryesore në medhhebin e Ahmedit dhe është një transmetim nga Ebu Hanife, si dhe është thënë me siguri nga Ubej ibn Ka'b, i cili u betua për këtë, siç përcillet nga Muslim. Muslim, po ashtu, e përcolli nëpërmjet Ebu Hazim, nga Ebu Hurejre, i cili tha:

"Ne po diskutonim çështjen e Lejletul-Kadrit dhe ai (alejhi selam) tha:'Cilit prej jush i kujtohet kur hëna u dukë sikur të ishte një enë?'" Ebul-Hasan el-Fãrisî tha:"Domethënë, nata e njëzeteshtatë, meqë hëna ngrihet në të ashtu (si enë)".

Dhe et-Taberanî përcolli nga një hadith i Ibn Mes'ûdit:

"I Dërguari i Allahut (alejhi selam) u pyet rreth Lejletul-Kadrit dhe ai tha:'Cilit prej jush i kujtohet nata me të kuqe?' Thashë:'Mua', dhe ajo ishte nata e njëzeteshtatë".

Këtë e përcolli Ibn ebi Shejbeh nga Umer, nga Hudhejfeh dhe nga disa Sahabë.

Po ashtu, lidhur me këtë, kemi një transmetim te Muslimi nga Ibn Umer:

"Një burrë pa në ëndërr se Lejletul-Kadri ishte në natën e njëzeteshtatë".

Ahmedi përcolli nga Hudhejfe, nga pejgamberi (alejhi selam):

"Lejletul-Kadri është nata e njëzeteshtatë".

Ibnul-Mundhir përcjellë:

"Kush do që ta kërkojë atë, le ta kërkojë në natën e njëzeteshtatë".

Nga Xhabir ibn Semureh me të ngjashme, shënuar nga et-Taberanî në Eswet-tin e tij. Nga Mu'awijeh me të ngjashme, shënuar nga Ebu Dawud.[11] Autori i el-Hiljeh, i cili ishte nga Shafitë, ia atribuoi këtë shumicës së dijetarëve.

Gjithashtu, parapriu sesi Ibn Abas e nxori këtë përfundim në prani të Umerit dhe sesi ai u pajtua me të.

Po ashtu, Ibn Kudame pohoi se Ibn Abas e nxori këtë si përfundim nga një numër fjalësh në Suren, dhe thënia e Tij "ajo" (hije) në Sure është fjala e shtatë mbas njëzetëshit. Kjo iu atribuua disa Malikive nga Ibn Hazm dhe ai kritikoi ashpër këtë. Ibn Atijjeh e përmendi këtë në tefsirin e vet dhe tha:"Kjo është nga kripa (spekulimet) e tefsireve dhe jo diçka e bazuar në dije".

Disa prej tyre e nxjerrin këtë në mënyrë tjetër, duke thënë:

"Lejletul-Kadri përbëhet nga nëntë shkronja dhe përmendet tri herë në Sure, kështu që po i bie njëzeteshtatë".

Autori i el-Kãfî nga Hanefitë dhe, po ashtu, i el-Muhît tha:

"Kush i thotë bashkëshortes së vet:'Ti do të shkurorëzohesh në natën e Lejletul-Kadrit, ajo është shkurorëzuar në natën e njëzeteshtatë, meqë njerëzit besojnë se kjo është Lejletul-Kadri".

Qëndrimi i njëzetedytë:Se ajo është nata e njëzetetetë, dhe arsyetimi për këtë parapriu në thënien e mësipërme.

Qëndrimi i njëzetetretë:Se ajo është nata e njëzetenëntë. Këtë e përcjellë Ibnul-Arabî.

Qëndrimi i njëzetekatërt:Se ajo është nata e tridhjetë. Ijãd e citon këtë si edhe es-Serûxhî në Sherhul-Hidãjeh. Muhamed ibn Nasr dhe etTaberî e përcollën këtë nga Mu'awijeh. Ahmedi e përcolli nëpërmjet Ebu Selemes nga Ebu Hurejre.

Qëndrimi i njëzetepestë:Se ajo është në njërën nga netët tek në dhjetë netët e fundit. Kjo tregohet nga hadithi i Aishes dhe i të tjerëve në këtë kaptinë, dhe kjo është thënia më e qëlluar. Këtë qëndrim e mbanin Ebu Theur, el-Muzenî, Ibn Khuzejmeh, dhe një grup nga dijetarët e medhhebeve.

Qëndrimi i njëzetegjashtë:Është i njëjtë, veçse me shtimin e natës së fundit. Et-Tirmidhi e përcolli këtë nga Ebu Bekreh[12]. Ahmed e përcolli nga një hadith i Ubadeh ibn es-Sãmit.

Qëndrimi i njëzeteshtatë:Se ajo lëviz nëpër të gjitha prej dhjetë netëve të fundit. Kjo u tha nga Ebu Kilãbeh, Malik, Theuri, Ahmed dhe Is'hak, dhe el-Mãwerdî pohoi se kjo është mutefekun alejhi. Pra, kjo sikur ai ta kishte marrë këtë nga hadithi i Ibn Abasit se Sahabët u pajtuan se ajo ishte në dhjetë të fundit e pastaj ata u dalluan rreth asaj se në cilën natë është në veçanti, siç parapriu.

Kështu, të qenët e saj në dhjetë netët e fundit mbështetet nga hadithi i vërtetë i Ebu Se'îd se Xhibrili i kishte thënë pejgamberit ( alejhi selam), kur ai ishte në itikaf, në mes të dhjetë netëve:

"Ajo që po e kërkoni, është përpara jush" dhe një transmetim i kësaj parapriu pak më herët; si dhe përmendja e itikafit të tij (alejhi selam) në dhjetë netët e fundit – në kërkim të Lejletul-Kadrit dhe itikafi i grave të tij mbas tij dhe mundi i tij gjatë tyre – siç qëndron në këtë dhe në kaptinën e radhës.

Ata që mbajnë këtë qëndrimin, dallojnë. Kështu, disa prej tyre thanë që mundësia është e njëjtë për secilën prej netëve; er-Rãfi'î ia atribuoi këtë Malikut, por Ibnul-Hãxhib e cilësoi këtë si të dobët/da'if. Disa prej tyre thanë se disa net kanë gjasa më shumë sesa të tjerat. Kështu, esh-Shaf'i tha:

"Nata në të cilën më së shumti ka gjasë të bjerë është e njëzetenjëta".

Dhe ky është qëndrimi i njëzetetetë.

Apo thuhet: nata më e mundshme është e njëzetetreta, dhe ky është qëndrimi i njëzetenëntë.

Apo thuhet se nata më e mundshme është nata e njëzeteshtatë, dhe ky është qëndrimi i tridhjetë.

Qëndrimi i tridhjetenjë:Se ajo lëviz brenda shtatë netëve, dhe një shpjegim i kësaj parapriu së bashku me hadithin e Ibn Umerit: A do të thotë kjo shtatë netët nga fundi i muajit (dmth nga nata e njëzetekatërt, nëse muaji është tridhjetë ditë, apo nga nata e njëzetetretë, nëse muaji është njëzetenëntë ditë), apo shtatë të fundit duke llogaritur përgjatë muajit? (dmth nga nata e njëzetetretë në cilindo rast). Pra, ky dallim nxjerr: qëndrimin e tridhjetedytë.

Qëndrimi i tridhjetetretë: Se ajo lëviz në gjysmën e dytë (të ramazanit). Kjo u përmend nga autori i el-Muhît nga Ebu Jûsuf dhe Muhamed, dhe Imamul-Haramejn e përcjellë nga autori i et-Tekrîb.

Qëndrimi i tridhjetekatërt: Se ajo është nata e gjashtëmbëdhjetë apo e shtatëmbëdhjetë. El-Harith ibn Usameh e transmetoi këtë nga hadithi i Abdullah ibn ez-Zubejr[13]

Qëndrimi i tridhjetepestë: Se ajo është në natën e shtatëmbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë apo në natën e njëzetenjët. Se'îd ibn Mensur e përcjellë këtë nga një hadith i Enesit me zinxhir da'if.

Qëndrimi i tridhjetegjashtë:Se ajo është nata e parë e ramazanit, apo nata e fundit. Ibn ebi Asim e përcjellë këtë nga një hadith i Enesit me zinxhir da'if.

Qëndrimi i tridhjeteshtatë:Se ajo është në natën e parë, apo të nëntën, apo të shtatëmbëdhjetën, apo në natën e fundit. Ibn Merdeweih e përcjellë këtë në tesfirin e vet nga Enesi me zinxhir da'if.

Qëndrimi i tridhjetetetë: Se ajo është në natën e nëntëmbëdhjetë, njëzetenjët, apo njëzetetretë. Ebu Dawud e përcjellë nga një hadith i Ibn Mes'udit me zinxhir të transmetimit rreth të cilit flitet[14]

Abdu-Rrezak, po ashtu, e përcjellë këtë nga një hadith i Aliut me zinxhir të ndërprerë, dhe, po ashtu, Se'îd ibn Mensur nga një hadith i Aishes me zinxhir të ndërprerë.

Qëndrimi i tridhjetenëntë:Nata e njëzetetretë, apo e njëzeteshtatë, dhe kjo është marrë nga hadithi i Ibn Abasit në kaptinën ku ai (alejhi selam ) thotë:

"Kalimi i shtatave apo edhe shtatë të mbetura".

En-Nu'mãn tha: "Kështu, ne themi se është nata e njëzeteshtatë, kurse ju thoni e njëzetetetë".

Qëndrimi i dyzet: E njëzetenjëta, apo e njëzetetreta, apo e njëzetepesta, siç do të vijojë në kaptinën e radhës nga një hadith i Ubadeh ibn esSãmit[15], dhe Ebu Dawud e përcolli këtë hadith me fjalët:

"(Nata) Nëntëshja e mbetur, shtatëshja e mbetur, pesëshja e mbetur".

Malik tha në el-Mudewweneh: "Nëntëshja e mbetur është (nata) e njëzetenjët, etj".

Qëndrimi i dyzetenjëtë: Se ajo është e kufizuar në shtatë të fundit në ramazan, në përputhje me hadithin e Ibn Umerit në kaptinën paraprake.[16]

Qëndrimi i dyzetedytë: Se ajo është nata e njëzetedytë apo e njëzetetretë, në përputhje me hadithin e Abdullah ibn Unejs, të shënuar nga Ahmed.[17]

Qëndrimi i dyzetetretë:Se ajo është në natën e tretë apo të pestë nga dhjetë të fundit. Ahmedi e përcjellë nga një hadith i Mu'adh ibn Xhebelit, dhe dallimi mes kësaj dhe çfarë parapriu është se "e treta" mund të jetë nata e njëzetetretë dhe mund të jetë e njëzeteshtata. Kështu, kjo rezulton në të qenët e saj në të njëzetetretën, njëzetepestën, apo njëzeteshtatën. Pra, kjo është e ndryshme me thënien paraprake.

Qëndrimi i dyzetepestë: Se ajo është nata e shtatë apo e tetë nga fillimi i gjysmës së dytë. Et-Tahãwî përcjellë nëpërmjet Atijjeh ibn Abdillah ibn Unejs, nga babai i tij:

"Se ai pyeti pejgamberin (alejhi selam) rreth Lejletul-Kadr, dhe ai u përgjigj:'Kërkojeni në gjysmën e dytë' , pastaj ai e pyeti prapë, dhe ai u përgjigj:"Deri te e njëzetetreta". Ai tha:"Dhe Abdullahu rrinte i zgjuar për tërë natën nga e nata e gjashtëmbëdhjetë deri te e njëzetetreta, pastaj pakësonte (ibadetin)".

Qëndrimi i dyzetegjashtë:Se ajo është nata e parë, apo nata e fundit, apo netët tek. Ebu Dawud e shënon këtë në librin e vet el-Merãsîl nga Muslim ibn Ibrahim, nga Ebu Kheldeh, nga Ebul-Alijeh se një beduin erdhi te pejgamberi (alejhi selam), ndërsa ai po falej, dhe i tha:"Kur është Lejletul-Kadri?" Ai u përgjigj: "Kërkojeni në natën e parë, në natën e fundit dhe në netët tek"

Transmetuesit e kësaj janë të besueshëm, por (transmetimi) është mursel (i ndërprerë).

Të gjitha këto thënie që cituam pas të tretës, janë në pajtim se ka mundësi që ajo të arrihet dhe këto inkurajojnë për kërkimin e saj. Ibnul-Arabî tha:

"Ajo që është e sigurt është se ajo nuk dihet".

Kjo është e përshtatshme për t'u llogaritur si qëndrim në vete, dhe enNewewi e kritikoi këtë qëndrim duke thënë:

"Ka shumë hadithe që tregojnë se ka mundësi që ajo të dihet dhe për këtë kanë informuar një grup njerëzish të drejtë, kështu që s'ka vend për mohimin e kësaj".

Et-Tahãwî citoi nga Ebu Jûsuf një thënie se ai e konsideronte të mundshme që ajo të shihet në natën e njëzetekatërt apo njëzeteshtatë. Kështu, nëse kjo vërtetohet nga ai, atëherë kemi të bëjmë edhe me një qëndrim tjetër. Kjo është gjëja e fundit në të cilën hasa nga thëniet e tyre, dhe disa prej tyre mund të jenë të njëjta si të tjerat, edhe nëse së jashtmi duket të kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Qëndrimi më i qëlluar nga të gjitha është se ajo është njëra nga netët tek në dhjetë netët e fundit dhe ajo lëviz (nëpër netët tek të fundit), siç mund të kuptohet nga hadithet e kësaj kaptine.

Kështu, netët më të mundshme janë netët tek nga dhjetë të fundit, dhe nata më e mundshme nga netët tek nga dhjetë të fundit, sipas mendimit të Shafiut, është nata e njëzetenjë apo e njëzetetretë, në përputhje me atë çfarë thuhet në hadithin e Ebu Se'îd dhe Abdullah ibn Unejs. Kurse, sipas mendimit të shumicës, nata më e mundshme është e njëzeteshtata, dhe prova për këtë parapriu.

Dijetarët kanë thënë se urtësia mbrapa fshehjes së Lejletul-Kadrit është që njerëzit të mundohen ta kërkojnë atë, ndryshe nga siç do të ishte rasti sikur të ishte një natë e ditur, e caktuar, meqë atëherë ata do të kufizoheshin në të, siç është përmendur lidhur me çastin e ditës së Xhuma.

Marrë nga “Fet'hul Bari” i El-Hafidh ibn Haxher

Libri i vlerës së Lejletul-Kadrit

Kaptina 3

Kërkimi i Lejletul-Kadrit gjatë dhjetë (netëve) tek në të fundit

(4/262-267)

Burimijetes.com

07.07.2015



[1]Zinxhiri i tij i transmetimit është i dobët, për shkak të Merthed ibn Abdillah, i cili u cilësuar si i panjohur nga edh-Dhehebi… (Sahih ibn Khuzeimeh, 2170; Tuhfetul-Eshrãf, 11977)

[2]Shejh Albani tha (nr.1387):"Da'if/i dobët, dhe e vërtetë është se kjo është mewkûf (i ndalur)".

[3]Transmetuesi nga Zejdi është Heut el-Khuzã'i. El-Buhari tha:"Hadithi i tij është munker: se Lejletul-Kadr është nata e shtatëmbëdhjetë, si thënie e Zejdit, ... edhDhehebi tha:"Nuk dihet se kush është ai". (Mîzãnul I'tidãl & Mexhma'uz-Zewãid [3/181])

[4]4 Shejh Albani tha (nr.1384):"Da'if".

[5]Dmth ai u betua në të njëzetën dhe, bazuar në thënien se Lejletul-Kadr mund të bjerë në cilëndo ditë të ramazanit, robi s'do të lirohet deri të vijë ramazani tjetër dhe nëntëmbëdhjetë ditët e para të kenë kaluar, në mënyrë që në të gjitha ditët e ramazanit do të kenë pasuar betimin.

[6]Hasan-sahih; Sahih Sunen ebi Dawud, 1379.

[7]I cilësuar si hasan-sahih nga shejh Albani në Sahih Sunen ebi Dawud (nr.1380)

[8]8 El-Buhari (nr.2022).

[9]Da'if; Da'ifetul-Xhãmi (nr.4957).

[10]Zinxhiri i transmetimit të tij është hasan; es-Sahîha (nr.1575) e shejh Albanit.

[11](Nr.1386), cilësuar sahi nga shejh Albani.

[12]Sahih, Sahihut-Tirmidhî, 794.

[13]Zinxhiri i tij përmban një transmetues të paemër, që përcjellë nga Ibn ez-Zubejr (elMetãlibul-Alijeh [1191])

[14]Da'if; Da'if Sunen ebi Dawud (1384).

[15]El-Buhari (nr.2023).

[16]6 El-Buhari (nr.2015).

[17]Hasan Sahih: Sunen ebi Dawud (1379).

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com