All for Joomla All for Webmasters

DOBITË E NATËS SË KADRIT

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

Ebu Hurejre (radiallahu anhu) transmetoi se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Kushdo që fal namaz të natës në natën e Kadrit me Iman (besim të fortë) dhe duke kërkuar shpërblim, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[1]

Ky hadith është dëshmi për dobitë e natës së Kadrit, si dhe faljen e namazit gjatë saj. Kjo tregon në atë se kjo është një natë e madhe, të cilën Allahu e ka nderuar dhe e ka bërë më të vlefshme se njëmijë muaj në lidhje me bekimet që gjinden në veprat e mira të cilat bëhen në të. Kështu, kjo është më e mirë se adhurimi i një mijë muajve dhe është e barabartë me tetëdhjetë e tre vite e katër muaj. Për shkak të kësaj, kushdo që fal namaz të natës me besim të vërtetë dhe duke shpresuar shpërblim në të, do t’i falen mëkatet e kaluara. Janë edhe disa vargje në lidhje me këtë dobi:

Allahu thotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në një natë të bekuar. Vërtet, Ne jemi paralajmërues të përhershëm. Në atë natë dekretohet çdo çështje e parapërcaktimit...”[2]

Prandaj, ajo është një ‘natë e bekuar,’ që do të thotë se ajo posedon mirësi dhe bekime të shumta për shkak të cilësisë së saj dhe shpërblimit të madh që e pret atë që bën vepra të mira në të. Në mesin e bekimeve të tija është edhe ajo se Allahu e ka shpallur Kur’anin në të. Allahu thotë:

“Vërtet, Ne e kemi zbritur atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Në atë natë zbresin engjëjt dhe Rruhu (Xhibrili) me lejen e Zotit të tyre me të gjitha vendimet. (E tërë ajo natë) është paqe, derisa të agojë.”[3]

Ibn Kethir (radiallahu anhu) tha në lidhje me thënien e Allahut: “Në të zbresin engjëjt dhe Rruhu”: “Kjo do të thotë se zbritja e engjëjve shtohet gjatë asaj nate për shkak të bekimeve të mëdha të saj. Engjëjt zbresin së bashku me zbritjen e bekimeve dhe mëshirës, ashtu siç zbresin gjatë kohës kur lexohet Kur’ani dhe i rrethojnë vendtubimet në të cilat përmendet Allahu dhe i hapin krahët e tyre për kërkuesin e vërtetë të diturisë, duke shfaqur kështu respekt për të.”[4]

Kjo natë ndodh vetëm në Ramazan, meqë Allahu e ka shpallur Kur’anin në të. Ai na informoi se shpallja e tij ka ndodhur gjatë muajit të Ramazanit në thënien e Tij: “Vërtet, Ne e kemi zbritur atë (Kur’anin) në natën e Kadrit.”[5]

Dhe thënia e Tij: “Muaji i Ramazanit në të cilin është shpallur Kur’ani.[6]

Kjo do të thotë se shpallja e tij prej Allahut të Dërguarit të Tij (salallahu alejhi ue selam) filloi në të. Thënia e Allahut: “Nata e Kadrit” gjithashtu tregon në nderin dhe pozitën e asaj nate, siç thuhet: “Filan personi ka shumë Kadr”. Lidhja e ‘natës’ me el-Kadr është bashkimi i veçorisë përshkruese ndaj saj, kështu duke ia dhënë domethënien e ‘Një Nate të Ndershme’. Fjala ‘elKadr’, po ashtu mund të jetë referencë ndaj parapërcaktimit dhe rregullimit të çështjeve. Kështu, bashkimi i saj me fjalën ‘nata,’ ka për qëllim tregimin e një vendi apo kohe në të. Pra, domethënia e kësaj është: ‘nata në të cilën dekretohet tërë ajo që do të ndodhë vitin vijues.’ Kjo është e ngjashme me thënien e Allahut: “Në atë natë dekretohet çdo çështje e parapërcaktimit.”[7]

Katade tha për këtë: “Në të dekretohen çështjet e vitit që vjen”[8] dhe Ibn El-Kajjim tha se ky është mendimi korrekt.[9]

Ajo që duket të jetë më korrekte është ajo se asgjë nuk e kufizon mundësinë e këtyre dy kuptimeve, dhe Allahu e di më së miri.

Thënia e Tij: ‘me Iman’ do të thotë me bindje të plotë në atë çka Allahu ka përgatitur për ata që falin namaz gjatë kësaj nate madhështore. Dhe, ‘duke shpresuar shpërblimin’ do të thotë të kërkosh shpërblimin dhe arritjen e shpërblimit.

Kështu, kjo është një natë e madhe, të cilën Allahu e ka zgjedhur për fillimin e shpalljes së Kur’anit. Muslimani duhet ta pranojë peshën e vlerës së saj, duke e ruajtur atë dhe duke e kaluar atë në adhurim me bindje të fortë dhe duke kërkuar shpërblimin e Allahut, me qëllim që Allahu t’ia falë atij të gjitha mëkatet e kaluara. Kjo është ajo për të cilën Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) na pralajmëroi në lidhje me të qenit i shkujdesur ndaj kësaj nate dhe të qenit neglizhent ndaj kalimit të saj në adhurim, e që si pasojë Muslimani të parandalohet prej mirësisë së saj.

Ebu Hurejre transmetoi se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Ramazani ju ka ardhur juve – muaj i bekuar. Allahu e ka bërë obligim agjërimin në të. Gjatë këtij muaji, portat e Xhenetit hapen, portat e Xhehenemit mbyllen dhe djajtë lidhen me zinxhirë.

Allahut i përket një natë në të, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Kushdo që parandalohet prej mirësisë së saj, ai është privuar.”[10]

Muslimani duhet që të lutet shumë në netët në të cilat kërkohet nata e el-Kadrit. Ai duhet të lutet me atë me të cilën Pejgamberi (salallahu alejhi ue selam) e udhëzoi A’ishen (radiallahu anha) kur ajo e pyeti atë: “Çka nëse unë e di se në cilën natë do të jetë nata e el-Kadrit, çfarë duhet të them?” Ai (sallallahu alejhi ue selam) tha: “Thuaj: O Allah, vërtet Ti je Falës, Ti e do faljen, pra më fal mua.”[11]

Ibn Kethir tha: “Është e rekomanduar që të lutemi në të gjitha kohërat dhe (të lutemi) më shumë gjatë muajit të Ramazanit, në dhjetë ditët e fundit të tij dhe në ditët tek të tij. Është shumë e rekomanduar që të kërkohet me këtë lutje: “O Allah, vërtet Ti je Falës. Ti e do faljen, pra më fal mua.”[12]

Abdullah ibn Salih el Feuzan

Burimijetes.com

10.07.2015



[1]Buhari (4/2550 dhe Muslimi (759).

[2]Suretu Duhan 3-4.

[3]Suretu Kadr 1-5.

[4]Tefsir ibn Kethir (8/465).

[5]Suretu Kadr, 1.

[6]Suretu Bekare, 185.

[7]Suretu Duhan, 4.

[8]Transmetuar nga Taberani në Tefsirin e tij (25/65) si dhe Bejheki në librin e tij Feda’il-ul-Eukat (f.216). Zinxhiri i tij i transmetimit është sahih.

[9]Shiko “Shifa’-ul-Alil” të Ibn Kajjim (f.42).

[10]Ky hadith transmetohet nga Ahmed dhe en-Nesa’i. Shiko kontrollimin e Ahmed Shakirit të Musnedit (nr.7148) dhe Sahi etTerghib uet-Terhib të el-Albanit (1490) si dhe Temam-ul-Mineh (395).

[11]Transmetuar nga et-Tirmidhi dhe Ibn Maxhe me zinxhir autentik. (Lutja e transliteruar nga arabishtja është: “Allahume Ineke Afuaun Tuhibul-Afua Fe’afu’ani”).

[12]Tefsir Ibn Kethir 8/472.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com