All for Joomla All for Webmasters

DISPOZITAT E FESTËS SË FITËR BAJRAMIT

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

1. Namazi i festës është detyrë (vaxhib) për çdo burrë dhe grua sipas fjalës më të saktë të dijetarëve. Transmetohet nga Ummu Atije, radijAllahu anha, se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, na urdhëroi që t’i nxjerrim ato në namazin e fitër bajramit dhe Kurban Bajramit: vajzat e vogla, ato me të përmuajshme dhe ato që rrinë mbyllur në dhomat e tyre (të rejat e pamartuara ende). Ato me të përmuajshme qëndrojnë mënjanë dhe nuk falen, por dëshmojnë të mirën dhe lutjen e muslimanëve”. Buhariu dhe Muslimi.

Ky është medh’hebi i Ebu Hanifes, fjala e Shafiut dhe një prej dy fjalëve të Ahmedit. Këtë (mendim) ka zgjedhur shejhul islam Ibën Tejmije dhe shejh Albani.

2. Sunet është që ditën e festës muslimani të filloj me larjen.Ky është veprimi i ta parëve tanë të mirë (selefëve) dhe nuk saktësohet në lidhje me këtë ndonjë hadith merfua (i ngritur tek Profeti alejhis-selam). Por kjo transmetohet nga disa selefë si p.sh.: Aliu, radijAllahu anhu, Esh-Shabij, Atau, Katadeh dhe Shafiu. Ibën el-Mundhir (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur se një gjë e tillë transmetohet dhe nga Alkameh, Urvetuh dhe En-Nekhi, Maliku (Allahu i mëshiroftë të gjithë!).

3. Sunet është që personi të vesh rroba të bukura për ditën e festëse në veçanti për namazin e festës.

4. Suneti është që falja e namazit të festës të bëhet në musal-la(vend të hapur). Transmetohet nga Ebu Seidi, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dilte në musal-la në ditën e Bajramit, dhe gjëja e parë që bënte ishte falja e Bajramit…” hadithi. Mutefekun alejhi.

5. Suneti është që të shkohet në këmbëdhe jo hipur në mjet dhe të hahen hurma (numër tek) para shkuarjes për faljen e namazit të festës. Transmetohet nga Enesi, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk nisej për në namazin e fitër bajramit para se të hante disa hurma, të cilat i hante me numër tek.” Buhariu.

Aliu radijAllahu anhu thotë: “Është prej sunetit që kur shkon për Bajram, të shkosh në këmbë dhe të hash diçka para se të dalësh.” Hadith i mirë (hasen). Tirmidhiu (530).

6. Ndryshimi i rrugës në ditën e festës. Xhabiri, radijAllahu anhu, thotë: “Kur ishte ditë feste, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërronte rrugë kur kthehej.” Buhariu.

Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “Kur i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, shkonte për Bajram, kthehej nga rrugë tjetër dhe jo nga e njëjta rrugë që shkonte.” Muslimi.

7. Namazi i festës nuk ka sunete para, por nëse për ndonjë arsye namazi i festës falet në xhami, atëherë personi kur futet në xhami fal dy rekate për xhaminë.

8. Namazi i festës falet para mbajtjes së hutbes. Ibën Umeri, radijAllahu anhu, ka thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekri dhe Umeri e falnin namazin e Bajramit para hutbes”. Buhariu dhe Muslimi.

Transmetohet nga Tarik bin Shihab, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “Mervani nxori minberin jashtë ditën e Bajramit dhe filloi me hutben para namazit. Dikush u ngrit dhe i tha: “O Mervan! Po kundërshton sunetin! Nxore minberin në ditën e Bajramit, ndërkohë që ai nuk nxirrej asnjëherë (në kohën e Profetit alejhis-selam) dhe fillove me hutben para namazit të Bajramit…” Hadithi, Muslimi.

9. Namazi i festës (së Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit) nuk ka ezan as ikamet.Transmetohet nga Xhabir bin Semura, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “E kam falur Bajramin me të Dërguarin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, më shumë se një apo dy herë dhe nuk thirrej as ezan as ikamet”. Muslimi.

Ibën Abasi dhe Xhabiri, radijAllahu anhuma, thonë: “Nuk thirrej ezan as në namazin e Fitër Bajramit as në atë të Kurban Bajramit”. Mutefekun alejhi.

10. Namazi i festës ka dy rekate.Transmetohet nga Umeri, radijAllahu anhu, se ka thënë: “Namazi në udhëtim është me dy rekate, namazi i Kurban Bajramit është me dy rekate, namazi i Fitër Bajramit është me dy rekate, namazi i xhumasë është me dy rekate; kështu janë të plota dhe të pashkurtuara, (e kam dëgjuar këtë) nga gjuha e Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem." Hadith autentik. Ibën Maxheh (1063) dhe “Irvaul Galil” (638).

11. Suneti është që në namazin e festës të lexohet “Sebbihisme rabbikel eala” dhe “Hel etake hadijthul gashije”.Transmetohet nga Neuman bin Beshir, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “Në namazet e dy bajrameve dhe në namazin e të xhumasë i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, lexonte “Sebbihisme rabbikel eala” dhe “Hel etake hadijthul gashije”. Thotë: “Dhe nëse bashkohej Bajrami dhe e xhumaja në të njëjtën ditë, ai i lexonte ato dy sure në të dyja namazet”. Muslimi etj.

12. Kur dita e festës korrespondon me ditën e xhuma.Transmetohet nga Zejd bin Erkam, radijAllahu anhu, të cilin Muavija e pyeti: “A ke dëshmuar ndonjëherë me të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, bashkimin e dy festave?” Ai tha: “Po! Në fillim të ditës ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, fali Bajramin, pastaj e la të lirë faljen e të xhumasë, dhe tha: “Kush dëshiron ta falë të xhumanë, le ta falë.” Hadith autentik. “Sahihu Ebi Daud” (981).

Transmetohet nga Uehb bin Kejsan, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “U bashkuan dy festa në kohën e Ibën Zubejrit, radijAllahu anhu, dhe ai e vonoi daljen (për faljen e Bajramit) deri sa dielli u ngrit lart. Pastaj doli dhe mbajti hutben, pastaj zbriti dhe fali Bajramin dhe nuk e fali të xhumanë. Unë ia përmenda këtë gjë Ibën Abasit, kurse ai tha: “Ia ka qëlluar sunetit.” Hadith autentik. Nesaiu (1592).

Ebu Daudi transmeton gjithashtu nga Atai se ai ka thënë: “U bashkua dita e xhuma me ditën e Fitër Bajramit, në kohën e Ibën Zubejrit, e ai tha: “Na janë bashkuar dy festa në një ditë. Pastaj i bashkoi ato të dyja dhe i fali me dy rekate në mëngjes, dhe nuk fali asgjë tjetër deri sa fali ikindinë.” Hadith autentik. Ebu Daudi (1072).

Prej dijetarëve ka që thonë se nëse dita e festës korrespondon me ditën e xhuma, njeriu nëse nuk shkon për faljen e xhumasë atëherë nuk e fal as namazin e drekës, është dhe shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!). “el-Huda uen-Nur” audiokaseta me nr. (15)

13. Numri i tekbirëve në namazin e festës.“I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bëri dymbëdhjetë tekbire në namazin e Bajramit: shtatë në rekatin e parë dhe pesë në të dytin....” Hadithi, Ibën Maxhe (1279).

“I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në dy namazet e Bajrameve bëri shtatë tekbire në rekatin e parë para leximit, dhe pesë tekbire në rekatin e dytë para leximit”. Hadith autentik. Tirmidhiu (536).

14. Namazi fetës ka vetëm një hutbe dhe gjatë mbajtjes së hutbes së festës nuk thuhen tekbire.Hadithi se “I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, bënte tekbir mes fjalëve të hutbes. I shtonte tekbiret gjatë hutbeve të bajrameve” nuk saktësohet. Ibën Maxheh (1287) dhe “Irvaul Galil” (647).

15. Kush dëshiron qëndron për të dëgjuar hutben e festës dhe kush do, largohet.Transmetohet nga Atai e ky nga Abdullah bin Saib, radijAllahu anhu, se ai ka thënë: “Profeti alejhis-selam tha: “Ne do të mbajmë hutbe; kush dëshiron të qëndrojë ulur për (të dëgjuar) hutben, le të qëndrojë, e kush dëshiron të largohet, le të largohet”. Hadith autentik. “Irvaul Galil” (629).

Unejs Sheme

Burimijetes.com

16.07.2015

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com