All for Joomla All for Webmasters

IMAMËT E UMETIT PËR NGJARJEN MES SAHABËVE

. Posted in ARTIKUJ.

Pin It

Çfarë është transmetuar nga Imamët e Umetit rreth asaj se ç'ka ngjarë mes sahabeve

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi vulën e profetëve, më të mirin e njerëzimit Muhamedin, salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnikë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Duke marrë shkas nga disa shkrime e statuse të publikuara në disa portale të të ashtuquajturve Hanefi-Maturidi, rreth figurës së sahabeve (shokëve të Profetit) dhe asaj se ç’ka ngjarë mes tyre, ku, hera-here si shkak ose i injorancës, ose i dashakeqësisë, hidhet baltë mbi figurën e disave prej sahabeve të Profetit Muhamed, salallahu alejhi ue selem, për të cilët Allahu ka thënë:

﴿ وَالسَّابِقُونَ الْأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهَاجِرِينَ وَالْأَنْصَارِ وَالَّذِينَ اتَّبَعُوهُمْ بِإِحْسَانٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي تَحْتَهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا ذَلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ ﴾

"Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve[1] dhe ensarëve[2], Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!”[3]

Profeti ka thënë: "Mos i shani shokët e mi, sepse nëse ndonjëri prej jush jep sadaka sa mali i Uhudit flori, nuk arrin sa grushti i asaj që kanë dhënë sahabet, e as sa gjysma e tij". [4]

Vendosa të sillja për lexuesin, i cili e dëshiron të vërtetën dhe xhelozon për sahabet, disa transmetime të dijetarëve rreth përfoljes së sahabeve dhe asaj se ç'ka ngjarë mes tyre, duke e lutur Allahun të na bëjë prej atyre për të cilët Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Kush ruan nderin e vëllait musliman, Allahu do t'ia ruaj fytyrën nga zjarri Ditën e Kiametit".[5]

Para se të hymë në temë e shohim me vlerë të pohojmë se transmetimet rreth asaj që ka ndodhur mes sahateve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ndahen në tre kategori:

1.Transmetime të cilat janë gënjeshtra dhe të pa baza.

2. Transmetime në të cilat është shtuar dhe hequr prej tyre, pra që ka patur ndërhyrje në to.

3. Të sakta, por që tregojnë se ata justifikohen në atë që ka ndodhur e në të cilën nuk dalin nga ajo se kanë bërë Ixhtihad[6] dhe ia kanë qëlluar duke fituar dy shpërblime, ose kanë bërë Ixhtihad por kanë gabuar dhe gabimi i është falur.[6]

Padyshim që Sahabet kanë vlerë dhe kontribute të atilla që i bën ata të jenë pjesë e faljes së asaj që ka ndodhur mes tyre; duke i shtuar kësaj edhe faktin se Allahu i ka lavdëruar dhe ka shprehur kënaqësinë e Tij për ta, ndërkohë që Ai e ka ditur se ç'do të ngjajë mes tyre.

Ibën Bata[7] ka përcjellë me zinxhir të saktë nga Abdullah bin Ahmed, nga i ati i tij, nga Ebu Muavije, nga Muxhahid, nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: "Mos i Shani Shokët e Muhamedit, sepse Allahu ka urdhëruar të kërkojmë falje për ta edhe pse Ai e ka ditur që do të ketë mospajtime mes tyre".[8]

Imam Dhehebiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Është pohuar (nga dijetarët) heshtja ndaj shumë prej atyre që ka ndodhur mes tyre dhe luftën që ata patën, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, dhe gjëra të tilla vazhdojnë e na shfaqen nëpër libra dhe dorëshkrime, porse shumica e tyre është përcjellë e shkëputur[9] dhe e dobët dhe disa prej tyre janë gënjeshtër".[10]

Ndërsa Ibën Bata ka thënë: "Pas kësaj ne duhet të heshtim rreth asaj që ka ngjarë mes sahabeve të Profetit, salallahu alejhi ue selem, sepse ata kanë prezantuar të gjitha ngjarjet me të, u paraprinë njerëzve në vlerë dhe Allahu i ka falur ata dhe na ka urdhëruar që të kërkojmë falje për ta dhe t’i afrohemi Atij me dashurinë ndaj tyre. Këtë Allahu e ka bërë detyrë me gjuhën e Profetit të Tij edhe pse e dinte se çfarë do të ndodhte mes tyre dhe se ata do të luftonin me njëri-tjetrin. Ata janë vlerësuar mbi krijesat e tjera sepse atyre u janë falur gabimet dhe ajo se ç’ka ngjarë mes tyre. Prandaj mos shiko në librat që flasin për Sifinin, Xhemelin[11] dhe përplasjet e tjera që kanë ndodhur mes tyre. Mos i shkruaj këto ngjarje për veten tënde dhe as për dikë tjetër; mos i dëgjo prej atyre të cilët i përcjellin ato, sepse kështu kanë rënë dakord dijetarët e këtij umeti duke ndaluar ato që përshkruam. Prej tyre janë: Hamad bin Zejd, Jusuf bin Ubejd, Sufjan Theuri, Sufjan bin Ujejne, Abdullah bin Idris, Malik bin Enes, Ibën Ebi Dhi'ëb, Ibën Munkedir, Ibën Mubarek, Shuajb bin Harb, Ebu Is'hak Fezarij, Jusuf bin Esbat, Ahmed bin Hambel, Bishër bin Harith dhe Abdulvehab Uerrak. Të gjithë ata janë të mendimit se është e ndaluar përcjellja e këtyre ngjarjeve, leximi i tyre dhe dëgjimi, sikurse kanë tërhequr vërejtjen për kërkimin dhe grumbullimin e tyre".[12]

Imam Khatabi ka përcjellë në librin e tij "Uzletu" me zixhir deri tek Ebi Rrashid i cili ka pohuar se erdhi një burrë nga Basra te Abejdillah bin Umer dhe i tha: "Unë jam mesazhieri i vëllezërve të tu në Basra, të cilët të dërgojnë selam dhe të pyesin rreth çështjes së këtyre dy burrave –Utmanit dhe Aliut-, çfarë mendon ti për ta? Ubejdilah tha: “A ke diçka tjetër?” Jo,- iu përgjigj mesazhieri. Atëherë Ubejdilah tha: "Bejeni gati këtë person, pasi e bënë gati iu drejtua dhe i tha: "Dërgoju selam dhe lajmëroi se mendimi im për ta është: "Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni e nuk do të pyeteni për veprat e tyre".[13]

Ndaj dhe Imam Ebu Hanife Allahu e mëshiroftë ka thënë: "Dhe nuk përmendim askënd prej shokëve të Profetit vetëm se për mirë"[14] Mula Ali el Kari thotë në shpjegimin e kësaj fjale: "I Përmendim për mirë edhe nëse prej tyre mund të ndodhë diçka e cila është e keqe, sepse ato janë si rezultat i ixhtihadit, jo si pasojë e qëllimeve të këqija dhe këmbënguljes e urrejtjes".

Po ashtu, Khatabi ka përmendur në librin e tij, por edhe Ebu Nuajm se Imam Shafiu ka thënë: E pyetën Umer bin Abdulazizin: “Çfarë mendon rreth Aliut dhe Uthmanit, Xhemelit dhe Sifinit dhe atë që ka ndodhur mes tyre?” Ai u përgjigj: "Ai është gjak ndaj të cilit Allahu i ka ruajtur duart e mia, kështu që nuk dëshiroj ta përlyej gjuhën time me to (duke i përfolur ata)".[15]

Khalal dhe Ibën Xheuzi kanë përcjellë se Imam Ahmedin e kanë pyetur: “Çfarë thua rreth asaj që ka ndodhur mes Aliut dhe Muavijes, radijallahu anhum?” Ai u përgjigj: "Nuk them për ta vetëm se fjalë të mira, Allahu i mëshiroftë të gjithë".[16]

Në jetëshkrimin e El Hasen bin Ismail Errub'ij në librin Tbakat Hnabile përcillet se ka thënë: Imami i Ehli Sunetit Ahmed bin Hambeli ka thënë: "Kanë rënë dakord nëntëdhjetë burra prej Tabinëve, dijetarëve të selefit dhe fukahave të qyteteve se duhet të heshtim ndaj asaj që ka ndodhur mes sahabeve të Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe se njerëzit më të mirë mbas Profetit, salallahu alejhi ue selem, janë: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu, si dhe dërgimi rahmet për të gjithë sahabet e Profetit, për bashkëshortet dhe krushqinë e tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Kjo është një rrugë të cilën ata e ndoqën, ndaj dhe qëndrimi në të është udhëzim dhe lënia e saj është humbje".[17]

Ibën Adij ka përcjellë nga Shihab bin Kharrash bin Khausheb bin Akhi El Auam bin Khausheb se ka thënë: "Të gjithë ata që kam arritur nga brezat e para të këtij umeti thoshin: Përkujtoni mirësitë e shokëve të Profetit salallahu alejhi ue selem, me anë të cilave zemrat qetësohen dhe afrohen, dhe mos përmendni ato që kanë ndodhur mes tyre e të provokoni njerëzit e t’i bëni të mendojnë keq ndaj tyre".[18]

Lalekai[19], Allahu e mëshiroftë, ka përcjellë nga Ebu Muhamed Abdurrahman bin ebi Hatim se ka thënë: Kam pyetur babain tim dhe Ebu Zur'an rreth medhhebit të Ehli Sunetit në lidhje me bazat e fesë dhe atë me të cilën kanë qenë dijetarët e krahinave si: Hixhazi[20], Iraku, Shami dhe Jemeni dhe më treguan se medhhebi i tyre ishte: Besimi është Thënie dhe vepra, shtohet dhe pakësohet; se Kurani i gjithi me tërësinë e tij është fjala e Allahut i pa krijuar; se caktimi (Kaderi) e mira dhe e keqja janë nga Allahu; se njerëzit më të mirë të këtij umeti pas Profetit, salallahu alejhi ue selem, janë: Ebu Bekri, pastaj Umer bin Khatabi, pastaj Uthman bin Afani, pastaj Ali bin ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur me ta, dhe se ata janë Khalifet (prijësat) e drejtë të cilët ecin sipas udhëzimit, dhe dhjetë të përgëzuarit të cilët i emërtoi Profeti, salallahu alejhi ue selem. Gjithashtu biem rahmet për të gjithë sahabet e Muhamedit dhe heshtim rreth asaj që ka ndodhur mes tyre".[21]

Iben Asakir, kur ka folur për jetëshkrimin e Muavijes, ka thënë: "Ebu Zur'a tregon se nje person erdhi tek xhaxhai i tij dhe i tha: Unë e urrej Muavijen. Përse e pyeti ai? Sepse ai luftoi ndaj Aliut me pa të drejtë ia ktheu burri. Kur dëgjoi këtë Ebu Zur'a i tha: "Zoti i Muavijes është Zot i Mëshirshëm dhe kundërshtari i Muavijes është kundërshtar bujar, atëherë ç'të shtyn të hysh mes tyre?!”[22]

Berbahari[23] ka thënë: "Heshtim rreth luftës që ka ndodhur mes Aliut dhe Muaviejes, Aishes dhe Talhas e Zubejrit, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, dhe nuk grindemi rreth asaj që ka ndodhur mes tyre, porse çështjen e tyre e lëmë ke Allahu".[24]

Khalal ka përcjellë me zinxhir të saktë se dikush e pyeti imam Ahmedin: “Ç'mendon për dikë i cili mendon se i lejohet të flasë rreth problemeve që kanë ndodhur mes sahabeve të Profetit, salallahu alejhi ue selem?” Ebu Abdullai u përgjigj: "Kjo është një sjellje e keqe, duhet qëndruar larg këtyre njerëzve, nuk lejohet qëndrimi me ta dhe u duhet sqaruar njerëzve çështja e tyre".[25]

Imam Ebu Hasen Eshari ka thënë: "Ajo që ka ndodhur mes Aliut, Zubejrit dhe Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me ta, është si pasojë e interpretimit dhe Ixhtihadit. Aliu ka qënë prijës por të gjithë ata kanë qenë kompetent për ixhtihad, po ashtu për ta ka dëshmuar Profeti se janë nga banorët e Xhenetit dhe se do të jenë shehida, gjë që tregon se të gjithë ata ia kanë qëlluar të vërtetës në ixhtihadin që kanë bërë; e njëjta gjë thuhet edhe për atë që ka ndodhur mes Aliut dhe Muavijes, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ato kanë ardhur si pasojë e interpretimit dhe ixhtihadit. Të gjithë sahabet janë njerëz me pozitë të besueshëm e nuk akuzohen në fenë e tyre, Allahu dhe i Dërguari i Tij i kanë lavdëruar si dhe e ka bërë pjesë të adhurimit nderimin, dashurinë dhe largimin nga ajo që cenon personalitetin e dikujt prej tyre, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata".[26]

Ibën Ebi Jezid el Kajravani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Dhe sahabet e Profetit nuk kujtohen veçse me të mira, heshtet rreth asaj që ka ndodhur mes tyre, dhe kërkohet që të gjenden justifikime dhe të mendohet mirë për ta".[27]

Imam Kurtubiu ka thënë: "Nuk lejohet që t’i mvishet askujt prej sahabeve gabimi në formë të prerë, sepse ata të gjithë kanë qenë muxhtehidun në atë që kanë vepruar. Të gjithë ata për ne janë imamllarë, konsiderohet adhurim mbajtja e gjuhës ndaj asaj që ka ndodhur mes tyre, dhe të mos i kujtojmë vetëm se në mënyrën më të mirë për shkak të vlerës që kanë sahabet dhe si pasojë e ndalesës që ka bërë Profeti, salallahu alejhi ue selem, për sharjen e tyre. Vërtet Allahu i ka falur ata dhe ka lajmëruar se Ai është i kënaqur prej tyre".[28]

Imam Tahavi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "I duam sahabet e Profetit, salallahu alejhi ue selem, dhe nuk e tejkalojmë në dashurinë e tyre dhe nuk braktisim askënd prej tyre; i urrejmë ata që i urrejnë dhe i kujtojnë për të keq. Nuk i përkujtojmë veçse për të mirë, dhe dashuria e tyre është fe, besim dhe bamirësi, ndërsa urrejtja e tyre kufër, hipokrizi dhe tejkalim".[29]

Imam Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Ehli Suneti janë unanim (kanë rënë dakord) se është detyrë që të mos cenohet askush nga sahabet për shkak të asaj që ka ndodhur mes tyre, edhe nëse dihet se kush ka qenë në të drejtë prej tyre, sepse ata nuk luftuan në ato përplasje vetëm se si pasojë e ixhtihadit, dhe Allahu e ka falur atë që gabon si pasojë e ixhtihadit, madje është pohuar se ai do të shpërblehet me një shpërblin, ndërsa ai që ia ka qëlluar me dy".[30]

Në përfundim e ndiej detyrë të them se thëniet e dijetarëve rreth kësaj çështje janë më shumë se kaq, madje këto që kemi përmendur nuk janë asgjë përpara asaj që gjendet vërtet në librat e tyre rreth kësaj çështje, por këto transmetime besoj se janë të mjaftueshme për atë që Allahu ia ka hapur zemrën dhe kerkon ta takojë Allahun me zemër të pastër dhe mendim të mirë për miqtë e Tij.

E lus Allahun të na bëjë të qëndrueshëm në fenë e Tij, i kërkojmë mbrojtje Atij nga egoizmi dhe vetëpëlqimi, si dhe nga bëria emër duke u marrë me atë ç'ka ka ndodhur mes sahabeve duke përfolur për ta e duke bërë që të trazohen zemrat e besimtarëve e të zgjidhen gjuhët e tyre ndaj njerëzve më të mirë mbas Profetit Muhamed, salallahu alejhi ue selem.

Robi i varfër dhe nevojtar për faljen e Allahut

Bledar Tefik Haxhiu

Kasim, Arabi Saudite 16.o1.1437 – 30.10.2015

_______________________________

[1] Muhaxhirët (emigruesit) janë besimtarët të cilët emigruan nga Meka për bë Medine.

[2] Ensarët (ndihmësit) janë besimtarët e Medines të cilët strehuan Profetin dhe besimtarët e Mekes dhe ndihmuan në forcimin e Islamit.

[3] Sure Et Teube: 100.

[4] Transmetojnë: Buhari dhe Muslimi në librat e tyre te saktë, Ahmedi në Musned, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu në Sunene.

[5] Transmeton Imam Ahmedi në Musned, dhe Tirmidhiu në Sunen. Hadithi është i saktë sipas vëtë Tirmidhiut, Ahmed Shakir dhe Albanit.

[7] Përpjekjet që bën kadiu (gjykatësi), ose dijetari për të arritur në një përfundim të caktuar i cili përfitohet nga përgjithshmëria e argumenteve fetare.

[8] Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: "Nëse gjykatësi (dijetari) gjykon në saj të ixhtihadit dhe ia qëllon, ai ka dy shpërblime, por nëse gjykon në saj të ixhtihadit dhe gabon, ka një shpërblim dhe gabimi i tij është i falur". Buhariu, Muslimi etj.

[9] Ai quhet Ebu Abdullah Ubejdilah bin Muhamed bin Akberi (304-387h). Ka qenë një imam shembullor, adhurues, njohës i Fikhut dhe Hadithit, nga dijetarët Hanbeli të Irakut. Ka shkruar libra madhështorë, ndër to “Ibanetu el Kubra” dhe “Ibanetu Sugra”.

[6] Vlerat e Sahabeve të Imam Ahmedit: (1/69), dhe (2/1152).

[10] Këtu ky dijetar ka për qëllim se zinxhiri i transmetuesve të këtyre ngjarjeve është i shkëputur, duke mos i njohur disa prej atyre që i përcjellin këto ngjarje

[11] Sijer Alam Nubela: (10/92).

[12] Këto janë luftëra që kanë ndodhur mes sahabeve pas vrasjes së Uthmanit, radijallahu anhu.

[13] Ibanetu: (f, 294).

[14] Uzletu: (f, 44).

[15] Uzletu: (f, 44) dhe Hiljetul Eulija: (5/394), zinxhiri i transmetuesve është i shkëputur. Këtë e ka përmendur edhe Ibnu Asakir në Tarih Dimeshk: (56/133), Ibën Sadi në Tabakat Kubra: (5/394).

[16] Sune Khalal: (2/460), Ibën Xheuzi, Menakib Imam Ahmed: (f, 164).

[17] Tabakat Hanabile: (1/394).

[18] Kamil Ibën Adij: (4/34), Tarijkh Dimeshk Ibën Asakir: (22/215).

[19] Ai është imam Ebu Kasim Hibetullah bin Hasen bin Mensur Rrazi, myftiu i Shafive në kohën e tij, ka vdekur më 418h, prej librave të tij është dhe Sherh Usul Itikad Ehlu Suneti uel Xhemaatu.

[20] Hixhaz quhet zona përrëth Mekes dhe Medines.

[21] Sherh Usul Itikad Ehlu Suneti: (1/176).

[22] Tarijkh Ibën Asakir: (59/141).

[23] Ai është Imam Ebu Muhamed Hasan bin Alij bin Khalef Berbeharij dijetari i Hanbelive, një nga dijetarët e mëdhenj i cili la një mori librash, prej tyre “Sherh Suneh”. Vdiq me 329h.

[24] Sherh Suneh, Berbehari: (f, 102).

[25] Sune Khalal: (h, 512).

[26] El Ibane Ebul Hasen Eshari: (f, 260).

[27] Akijdetu Kajravani: (f, 23).

[28] Xhamiu Ahkam el Kuran: (16/321).

[29] Akide Tahavije: (f, 467).

[30] Fethul Bari: (13/37).

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com