All for Joomla All for Webmasters

KONCEPTI I TURPIT

. Posted in Hadithe me komente.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga Ebu Mes'ud Ukbe bin Amri el-Ensariu, Bedri, radiallahu anhu, transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka deklaruar: “Ajo që njerëzit e kanë hasur nga revelata e parë e më hershme janë fjalët: ‘nëse nuk turpërohesh bëj ç'të duash!'"

Fjalët e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “Ajo që njerëzit e kanë hasur nga revelata e parë” aludojnë në trashëgiminë e cila është bartur nga të dërguarit e parë. Kjo na tregon që njerëzit e parë këtë e kanë bartur prej njëri-tjetrit dhe se e kanë trashëguar gjeneratë pas gjenerate. Hadithi konfirmon se këto fjalë kanë qenë të pranishme, të njohura në revelatën e parë dhe kanë mbetur të tilla gjersa kanë arritur deri te ky umet. Në disa versione thuhet: “Njerëzit nuk kanë hasur nga revelatat e para asgjë tjetër pos kësaj porosie.” E shënon Ubejde bin Zenxheui dhe të tjerët.

Ibën Rexhebi ka thënë: "Turpi ka vazhduar të jetë vepër e pëlqyer me të cilën njerëzit këshilloheshin dhe se ai nuk është anuluar në asnjë shpallje të profetëve të mëparshëm.

Fjalët e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “… nëse nuk turpërohesh, bëj ç'të të duash…" përmbajnë në vete dy kuptime.

Ky nuk është urdhër që njeriu në mungesë të turpit të bëjë ç'të dojë, përkundrazi, ky është qortim i cili në vetvete përbën gjykim dhe ndalesë. Ata që e mbështesin këtë qëndrim e argumentojnë në dy mënyra:

-  ky është urdhër në formë të kanosjes dhe frikësimit, në kuptimin që, nëse nuk ke turp, bëj ç'të duash, por Allahu do të dënojë për këtë, siç thotë vetë Lavdiploti:

 “… E ju pra veproni si të dëshironi, e ta dini që ai sheh atë që punoni.”

“… E ju pra, adhuroni pos Tij çka të doni!"

-  ky është urdhër në formë të konstatimit dhe zbardhjes, në domethënien që ai i cili nuk turpërohet bën ç'të dojë, sepse pengesë për kryerjen e veprave të këqija është turpi, ndaj kush nuk ka turp, do të zhytet në shfrenim dhe vepra të papëlqyera, ndërsa njeriu që ka turp këtë nuk mund t’ia lejojë vetes dhe kjo në bazë të fjalëve të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “Kush gënjen qëllimisht për mua le ta përgatitë për vete vendin në zjarr.”

Këtu është fjala për fel-jetebeua e përdorur në urdhërore, ndërsa ka kuptim të konstatimit, sepse kush shpif për të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) gjithsesi do të përfundojë në zjarr. Këtë domethënie e ka zgjedhur Ebu Ubejdi, Kasim bin Selami, Ibën Kutejbe dhe Muhamed bin Nasri el Meruezi.

Ebu Daudi nga Ahmedi e transmeton një version në të cilin gjendet një mendim i ngjashëm me këtë.

I Dërguari (salallahu alejhi ue selem) turpin e ka futur në iman, siç shënohet në dy "Sahihët' nga Umeri  radiallahu anhu, ku thuhet se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) kishte kaluar pranë një njeriu, ndërsa ky po e qortonte vëllanë me fjalët: “Po turpërohesh së tepërmi”, sikur donte t’i thoshte se turpi e kishte dëmtuar. Atëherë i Dërguari i Allahut, i kishte thënë: “Lere, vërtet turpi është nga imani.”  

Në dy "Sahihët" nga Ebu Hurejre radiallahu anhu shënohet se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka deklaruar: “Imani është shtatëdhjetë –apo gjashtëdhjetë-, e disa degë, më e larta e tyre është fjala La ilahe il  Allah dhe më e ulta është largimi i pengesës nga rruga; edhe turpi është degë prej degëve të imanit."

Nga Ibnu Abasi transmetohet se ka thënë: “Turpi dhe besimi janë paralele, nëse largohet njëri e ndjek tjetri."

Në dy "Sahihët" nga Imran bin Husajni radiallahu anhu, transmetohet se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Turpi sjell vetëm mirë”. Në "Sahihun" e Muslimit thuhet: “Turpi është i mirë i tëri.” ose “Tërë turpi është i mirë.”

El-Eshexhi el-Asri radiallahu anhu, deklaron se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i kishte thënë: “Ti i ke dy cilësi të cilat i Dërguari i Allahut, i çmon.” Cilat janë ato cilësi,- e pyeta unë? I Dërguari u përgjigj: “Butësia dhe turpi”. Unë sërish pyeta: "A ka qenë kjo diçka e lindur, apo është e fituar?" I dërguari u përgjigj: "Jo, kjo ka qenë e lindur." Atëherë deklarova: "Falënderoj Allahun i Cili m’i ka dhuruar këto dy cilësi të cilat Ai i pëlqen.”

Dije se turpi është dy llojesh:

- Turpi i lindur, i cili nuk mund të fitohet. Ky është morali më i lartë të cilin Allahu ia dhuron njeriut dhe e krijon në të. Prandaj i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka deklaruar: “Turpi sjell vetëm mirë.” Ai njeriun e shpëton nga veprimet e këqija dhe morali i ulët dhe e nxitë të stoliset me moral fisnik dhe të përsosur. Dhe në këtë kuptim turpi është cilësi e imanit.

Në dy librat e saktë, të Buhariut dhe Muslimit, përcillet nga Ebu Seid el Hudri se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka qenë më i turpshëm sesa virgjëresha e cila qëndron në dhomën e saj. Nëse ai nuk do ta pëlqente diçka, do ta shihnim këtë në fytyrën e tij.

Umeri radiallahu anhu, ka deklaruar: “Kush turpërohet fshihet, ndërsa ai që fshihet do të jetë i devotshëm, ndërsa kush është i devotshëm është i shpëtuar.”

El-Xherah bin Abdullah el-Hakemi, rahimehullah, -i cili ishte hero i Shamit-, deklaron: “I kam braktisur mëkatet dyzet vjet për shkak të turpit dhe vetëm pastaj më ka arritur devotshmëria e vërtetë.”

- Turpi të cilin njeriu e arrin me njohjen e Allahut, madhështisë së tij, ndjenjës së afrisë dhe e prezencës së Tij, diturisë së Tij gjithëpërfshirëse për çdo gjë, për vezullimet e fshehta dhe atë që fshihet në zemra. Kjo është shkalla më e lartë ë ihsanit.

Në versionin e Ibën Mes’udit thuhet: “Turpi është ta ruash kokën dhe atë që e mban ajo; barkun dhe atë që hyn në të; ta kujtosh vdekjen dhe vuajtjet. Kush e synon ahiretin, do të heqë dorë nga zbukurimet e kësaj bote. Kush vepron kështu, ai turpërohet nga Allahu.” Këtë version Ahmedi dhe Tirmidhiu e shënojnë si fjalë e të Dërguarit, (porse senedi i këtij hadithi nuk është i mirë, sepse në të gjendet Sabah bin Muhamed dhe në realitet hadithi është Meukuf).

Turpi te njeriu mund të lindë duke menduar për të mirat e Allahut dhe për atë se si njeriu pak falënderon për këtë. Nëse njeriu prej vetes e largon turpin e lindur dhe të fituar, atëherë nuk i ka mbetur asgjë që do ta ndalonte nga shfrenimi dhe morali i ulët dhe ai pas kësaj kalon në një gjendje e cila shumë drejtë mund të thuhet gjendje e mosbesimit.

Është thënë se turpi ndahet në dy lloje: turpi për shkak të imanit dhe turpi për shkak të pamundësisë.

Bushejr bin Kab el-Adeuij i ka thënë Imran bin Husajn: “Në disa libra kemi hasur se turpi vjen si pasojë e qetësimit dhe bindjes së Allahut, si dhe nga dobësia." Imrani u zemërua dhe i tha: "Unë të tregoj hadithin e profetit, ndërsa ti nuk bindesh?!"

Imrani ka të drejtë. Turpi të cilin i Dërguari (salallahu alejhi ue selem), e ka lavdëruar është grumbull cilësish të mira të cilat njeriun e nxisin për vepra të mira dhe e largojnë nga ato të këqijat. Mirëpo, nëse njeriu nuk i plotëson obligimet ndaj Allahut ose ndaj njerëzve, nuk mund të arsyetohet me turp, sepse kjo nuk është turp, por pamundësi, dobësi dhe neglizhencë.

Ibën Kajimi ka thënë se turpi buron nga dhjetë shkaqe:

1. Turpi si shkak i krimit. Prej këtij është edhe turpi i Ademit kur filloi të ikte duke vrapuar në Xhenet. Allahu i tha:

-A po ikën të shpëtosh nga Unë, o Adem?

- Jo, o Zot, porse po iki nga turpi që kam për Ty. "Xhamiul hadith" Sujuti (daif)

2. Turpi si shkak i mangësisë. Si turpi i melaikeve të cilët e lartësojnë Allahun ditën dhe natën pandërprerë, e kur të vinë në Ditën e Gjykimit do të thonë: “Subhanallah (i lartësuar je o Allah), nuk të kemi adhuruar ashtu siç duhet.” "Mustedrek" Hakim.

3. Turpi si shkak i madhërimit. Ky është një turp që buron si shkak i njohjes. Sa më shumë ta njohë robi Zotin e tij, aq më të madh do ta ketë turpin nga Ai.

4. Turpi si shkak i madhërimit: Si turpi i profetit prej atyre të cilët i ftoi në gostinë e Zejnebes dhe qëndruan gjatë tek ai. Ai u çua dhe doli sepse i erdhi turp t'u thoshte atyre që të shkonin. Buhari dhe Muslimi.

5. Turpi si shkak i respektit (ndrojtjes). Sikurse turpi i Aliut të cilit i dilte medhiu dhe i vinte turp të pyeste profetin, për shkak se ishte dhëndër i tij. Buhari.

6. Turp si shkak i poshtërimit dhe përçmimit. Si turpi që buron nga robi kur ai i kërkon nevojat e tij Allahut dhe e di fort mirë gjendjen e vetes së tij.

7. Turpi si shkak i dashurisë. Ky është është turpi që buron ndaj atij që e do, saqë edhe nëse e mendon atë në veten tënde, turpi do ta ngacmojë zemrën e tij.

8. Turpi si shkak i adhurimit. Ky turp është i përzier njëkohësisht me frikë dhe dashuri, duke dëshmuar mos përsosmërinë e adhurimit të Tij dhe se nderimi dhe madhërimi i Tij duhet të jetë më i madh se kaq. Kështu kjo gjendje shkakton ke njeriu turp prej Tij.

9. Turp si shkak i nderimit dhe krenarisë. Personi i madh dhe i lartë, turpërohet sa herë që vepron diçka e cila është nën vlerat e personalitetit të tij.

10. Turpi që njeriu ka ndaj vetes së tij. Dhe ky turp buron nga njerëzit e lartë. "Medarixhu Salikin" Vëll, II, f. 605-608.

Mendimi i dytë mbi domethënien e fjalëve të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem): “Nëse nuk turpërohesh bëj ç'të duash!” Në pamje të parë këto fjalë urdhërojnë të bëhet ajo që njeriu ka dëshirë, e kjo do të thotë se nëse dikush dëshiron të veprojë diçka për të cilën nuk turpërohet nga Allahu e as nga njerëzit –sepse ato janë adhurime, ose mirësjellje dhe moral-, atëherë nga këto vepra puno ç'të duash. Këtë mendim e mbështesin disa imamë në mesin e të cilëve janë Shafi’u, Ebu Is’hak dhe El Meruezi. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga imam Ahmedi.

Ngjashëm me këtë është edhe deklarimi i disa prej këtyre dijetarëve kur janë pyetur për këtë pjesë të hadithit kanë thënë: “Të mos bësh fshehtas atë që turpërohesh kur e bën në publik.”

Ebu Ubejdi transmeton nga Xheriri qëndrimin vijues lidhur me hadithin e temës. Kjo është kur njeriu dëshiron të kryejë ndonjë vepër të mirë, por që nuk e kryen atë si shkak i turpit nga njerëzit, apo i syefajsisë. Xheriri thotë se Turpi nga njerëzit nuk duhet të largojë nga ajo që synon, sepse në hadith thuhet: "Nëse ti je në namaz dhe të vjen shejtani e të thotë se ti po shtiresh! Atëherë ti zgjate namazin.” Ibën Mubarek, Ibën Ebi Shejbe dhe Ebu Naim.

Pastaj Ebu Ubejde thotë: “Ky hadith nuk mundet as për nga teksti, as për nga forma që të komentohet në këtë domethënie dhe as njerëzit nuk e kuptojnë kështu.”

Thash se sikur të ishte ashtu siç deklaron Xheriri, atëherë dadithi do të ishte: “Kur të turpërohesh nga ajo prej të cilës nuk duhet të turpërohesh, atëherë bëj ç'të duash!” Pastaj forma e hadithit dhe domethënia e tij nuk do të ishin më sekret dhe Allahu e di më së miri.

Përmendëm më lartë thënien e Ibën Kajimit i cili flet për turpin e melaikeve. Është e vërtetë se melaiket turpërohen, jo vetëm ndaj Allahut, por edhe ndaj besimtarëve të cilët janë të turpshëm. Aishja përcjell:

 Një ditë Profeti (salallahu alejhi ue selem), ishte shtrirë dhe i ishin zbuluar kërcinjtë e tij, ndërkohë në dhomë hyri Ebu Bekri dhe profeti nuk lëvizi, më pas hyri Umeri dhe profeti përsëri nuk lëvizi, ndërsa kur hyri Uthmani ai u ngrit dhe i mbuloi kërcinjtë e tij. Kur Aishja e pyeti më vonë për një gjë të tillë ai tha: “A të mos turpërohem unë nga personi prej të cilit turpërohen melaiket.” Muslimi.

Por duhet të themi se ndonjëherë turpi kthehet edhe si cilësi e urryer dhe kjo vetëm në një rast të vetëm: kur ai e pengon njeriun nga kërkimi i dijes. Buhari dhe Muslimi përcjellin nga Aishja se ka thënë: “Sa të mira që janë gratë e ensarëve! Ato nuk i pengon turpi që të mësojnë për fenë.”

 

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

20.08.2008

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com