All for Joomla All for Webmasters

KONCEPTI I PËRQENDRIMIT

. Posted in Hadithe me komente.

Pin It

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet dhe lavdërimet qofshin vetëm për Allahun e Lartësuar,  i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe çfarë ka në mes tyre. Vetëm Atij i përulemi dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë e shpëtim. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin  Muhamed dhe mbi familjen e tij  të pastër, si dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga Sufjan bin Abdullah –radijallahu anhu-, transmetohet të ketë thënë: “O i Dërguar i Allahut, më thuaj në Islam një fjalë që të mos pyes për të askënd pas teje?" Profeti tha: “Thuaj besova Allahun pastaj ndiq rrugën e drejtë.” Muslimi.

Në transmetimin e Ebu Daudit ka ardhur se Sufjan bin Abdullah –radijallahu anhu-, i ka thënë Profetit: "Më thuaj diçka që t'i përmbahem asaj" Ai i tha: “Thuaj besoj në Allahun, pastaj përmbahu kësaj.”

Në këtë hadith del qartë kujdesi që tregonin sahabët e Profetit (salallahu alejhi ue selem), të cilët ishin njerëzit më të preokupuar për njohjen e fesë. Ata ishin të parët ndaj çdo të mire dhe pyetja e këtij sahabi është një argument i qartë për këtë.[1]

Ky sahab, kërkonte nga profeti t’ia mësonte ndonjë porosi universale e cila do t'i mjaftonte, ndaj dhe Profeti (salallahu alejhi ue selem), e përmblodhi të gjithë Islamin dhe Imanin në këto dy fjalë. Ai e urdhëron sahabin që ta rinovojë besimin me gjuhën e tij, por njëkohësisht duke e ndier atë me zemrën e tij, pastaj e urdhëroi që t'i përmbahet punëve të mira dhe të largohet nga të ndaluarat, sepse përqendrimi nuk mund të vijë nëse njeriu është i devijuar në urdhrat e Allahut.[2]

Por cila është dobia e përqendrimit?

Përqendrimi ka dobi të shumta, të cilat herë kthehen në këtë botë e herë në tjetrën. Allahu në lidhje me këtë thotë:

 “Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm” El Xhin, 16.

Imam Taberi –Allahu e mëshiroftë!- ka thënë: “Nëse jobesimtarët në Mekë do të kishin besuar dhe do të përqendroheshin në besimin e drejtë, do t'i jepeshin atyre bollëk dhe furnizim pa masë.”[3]

Kadi Ijad –Allahu e mëshiroftë!- ka thënë në lidhje me përqendrimin: “Kjo është nga thëniet përmbledhëse (universale) të Profetit (salallahu alejhi ue selem), e cila është në përputhje me fjalën e Allahut të Lartësuar:

 “Me të vërtetë, atyre që thonë: 'Zoti ynë është Allahu', e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: 'Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzohuni Xhenetit që ju është premtuar'.” Fusilet 30.

D.m.th.: e njësuan Allahun dhe besuan në të, më pas ndoqën rrugën e drejtë dhe nuk devijuan prej teuhidit. Ata u përqendruan në bindjen e Allahut të lartësuar derisa u erdhi vdekja.

Ajet tjetër i ngjashëm me këtë është dhe fjala e Allahut:

 “Padyshim se për ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe pastaj qëndrojnë të vendosur në këtë Besim të Pastër Islam, për këta nuk do të ketë aspak frikë dhe as nuk do të pikëllohen. Të këtillët do të jenë banorët e Kopshteve të Begatë për të banuar atje përherë, si shpërblim për çfarë patën punuar.” El Ahkaf, 13-14.

Duke komentuar pjesën e ajetit: “qëndruan të vendosur” Ebu Bekri –radijallahu anhu-, ka thënë: “Nuk i kanë shoqëruar Allahut asgjë, nuk i kanë drejtuar vëmendjet tek askush tjetër dhe kanë qëndruar në atë se vetëm Allahu është Zoti i tyre.”

Kështu që, nëse zemra përqendrohet në njësimin e Allahut, frikën e Tij, nderimin e Tij, dashurinë, shpresën dhe mbështetjen e Tij dhe refuzon çdo gjë tjetër në vend të Tij, atëherë edhe gjymtyrët e tjera do të drejtohen në bindjen e Tij. Sepse Zemra është mbreti i të gjitha gjymtyrëve dhe ato janë ushtria e saj, kështu që nëse drejtohet dhe përqendrohet mbreti, do të drejtohen e përqendrohen edhe ushtarët. [4]

Umer bin Hatabi –radijallahu anhu-, kur ishte në mimber lexoi ajetin: “Ata që thonë: 'Zoti ynë është Allahu' dhe pastaj qëndrojnë të vendosur në këtë” pastaj tha: Nuk kanë bërë dredhinë e dhelprës.”[5]

Ndërsa Kushejri –Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Istikamja (Përqendrimi), është gradë me anën e së cilës arrihet përmbushja dhe plotësimi i veprave, si dhe me anën e saj arrihen mirësitë dhe sistemohen. Ndaj ai i cili nuk është i përqendruar, do t'i humbi mundi, dhe do t'i dështoj përpjekja.”[6]

Ndërsa Uasitij –Allahu e mëshiroftë!- ka thënë për të: “Istikamja është një virtyt me anën e së cilës plotësohen vlerat dhe me humbjen e saj, humbin edhe ato.”[7]

Në këtë kuptim është e gjithë ajo që kanë thënë mufesirinët për istikamen në këto ajete, madje e tillë është dhe ajeti me të cilin Allahu i drejtohet Profetit (salallahu alejhi ue selem):

“Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” Hud, 112.

Ibnu Abasi - radijallahu anhu- ka thënë: “Nuk i ka zbritur profetit në Kuran ajet më i vështirë sesa ky ajet.”[8]

Me këtë ajet Allahu Lavdiplotë e urdhëron të dërguarin dhe besimtarët që janë me të, të jenë të vendosur në rrugën e drejtë dhe të mos kalojnë kufijtë e asaj që janë urdhëruar dhe ka bërë të ditur se Ai i shikon veprimet e njerëzve dhe se është i njohur me to.

“Ndaj, ti thirr dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar, dhe mos i ndiq epshet e tyre.” Shura, 15.

Katade –past rahmet-, ka thënë: “Allahu e ka urdhëruar Muhamedin (salallahu alejhi ue selem), të jetë i vendosur në besimin e Allahut.”

Vendosmëria do të thotë të jesh i vendosur në pasimin e rrugës së drejtë. Ky është besimi i vërtetë pa kurrfarë devijimi majtas e djathtas. Me këtë nënkuptohen të gjitha bindjet, të fshehura dhe publike, si dhe të gjitha ndalesat, ndaj dhe kjo porosi i ka përfshirë të gjitha vetitë e Islamit.[9]

Nga të gjitha këto që përmendëm del qartë nevoja që kanë besimtarët për të qenë të përqendruar në këtë fe, po megjithatë besimtari vazhdimisht duhet t;i kërkojë Allahut falje dhe të pendohet për mangësitë e tij në përmbushjen e këtij urdhri hyjnor. Allahu thotë:

﴾“…ndaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij!” Fusilet, 6.

Këtu tregohet se mangësitë në paluahtshmërinë e urdhëruar janë të pashmangshme, gjë që shlyhet me kërkim falje dhe pendim.

Kjo është e ngjashme me thënien e Profetit (salallahu alejhi ue selem), drejtuar Muadhit: “Frikësoju Allahut kudo që të jesh, dhe pasoje të keqen me të mirë që ta fshijë atë.”[10]

Profeti na lajmëron se njerëzit nuk mund t'i japin hakun Istikames (palëkundshmërisë në fe ashtu siç duhet). Theubani –radijallahu anhu- transmeton se Profeti (salallahu alejhi ue selem), ka thënë:

 “Jini të palëkundur, por nuk do të mundeni (ta përmbushni ashtu sikur duhet).Dhe dijeni se puna juaj më e mirë është namazi dhe se nuk kujdeset ta ruajë abdesin veçse besimtari.”[11]

Prandaj që njerëzit të mos bëheshin pesimistë dhe ta linin përmbajtjen në këtë fe, Profeti i ka urdhëruar duke u thënë:

“O ju njerëz, ju nuk mund të punoni gjithçka që ju kam urdhëruar, porse synoni (palëkundshmërinë) dhe përgëzohuni.”[12]Megjithatë është për t'u theksuar se ajo që flet më shumë mbi përqendrimin dhe devotshmërinë e zemrës në fenë e Allahut është gjuha, sepse gjuha është zëdhënësi i zemrës. Ebi Seid el-Hudri - radijallahu anhu-, transmeton në formën meukuf dhe merfu: “Kur njeriu zgjohet, të gjitha gjymtyrët e tij e paralajmërojnë gjuhën: ‘Ki frikë Allahun, sepse ne varemi prej teje! Nëse ti je e vendosur, atëherë edhe ne do të jemi të vendosur, por nëse t'i devijon, atëherë edhe ne do të devijojmë.”[13]

Përmbledhje e dobive që fitohen nga hadithi:

1. Kujdesi që tregonin sahabët për të pyetur rreth çështjeve të fesë.

2. Mënyra se si Sufjan bin Abdullah e pyeti Profetin, tregon për zgjuarsinë dhe mprehtësinë e tij.

3. Besimi në çdo gjë që ka ardhur në librin e Allahut dhe sunetin e Profetit.

4. Obligueshmëria e të qënurit i përqendruar ndaj së vërtetës, derisa të të arrijë vdekja.

5. Besimi është fjalë të cilën e vërteton vepra. Kështu Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk u mjaftua vetëm me fjalën: “Thuaj i besova Allahut”, por i bashkëngjiti atij porosinë tjetër: “pastaj përqendrohu”. Kështu thënien e tij besova do ta vërtetonin veprat.

6. Thënia e Profetit: “pastaj përqendrohu”, përmban në vetveten e saj përpjekjen dhe angazhimin, sepse përqendrimi në fenë e Allahut nuk vjen vetëm se pas përpjekjes dhe durimit.

7. Ky hadith ka përmbledhur fenë sepse përqendrimi është kryerja e të gjitha urdhrave dhe të pëlqyerave, si dhe largimi nga çdo e ndaluar dhe e urryer, dhe nuk ka dyshim se kjo është feja me të cilën ka ardhur i dërguari Muhamed (salallahu alejhi ue selem).

8. Rruga për të fituar Xhenetin është arritja e përqendrimit në fenë e Allahut.

 

Bledar Haxhiu

 

Burimijetes.com

          

21.09.2008

 


[1]"Fet’h Kauijul Metin fi Sherhi Arbain" i dijetarit: Abdulmuhsin el-Abad f. 66.

[2]Sherh En-Neueui ala Muslim, vëll. II, f. 8-9.

[3]Tefsir Taberi, vëll. 29, f. 127.

[4]"Tuhfetu Rrabanijeti fi Sherh Arbaun Neueuijeti" i dijetarit Ismail bin Muhamed Ensari, f. 21.

[5]E ka përmendur këtë Ibën Mubarek në librin "Zuhd" f. 325, Imam Ahmedi në librin "Zuhd" f. 601. Shiko "Xhamiu ulum uel Hikem" vëll. II, f. 22.

 [6]"Sherh En-Neueui ala Muslim II ", f. 8-9.

[7]Burimi i mësipërm.

[8]Burimi i mësipërm.

[9]"Enciklopedia e dijenisë dhe Urtësisë" e dijetarit Ibën Rexheb el-Hanbeli, f. 253. Versioni i plotë në shqip.

[10]Tirmidhiu nr. 1987. Hadithi është i saktë.

[11]Ahmedi 5/277, Ibën Maxha nr. 277, po ashtu e ka nxjerrë dhe Imam Malik, Ibën Ebi Shejbe etj. Hadithi është i saktë.

[12]Ahmed dhe Ebu Daud. Hadithi është i mirë.

[13]Tirmidhiu, 2407.

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com