All for Joomla All for Webmasters

NDIHMOJENI NEVOJTARIN KUR JENI NË UDHËTIM

. Posted in Hadithe me komente.

Pin It

 

Nga Ebu Seid el-Hudriju – radijallahu anhu – përcillet të ketë thënë:

“Derisa ishim në një udhëtim me Pejgamberin – sal-lallahu alejhi ue sel-lem – erdhi një njeri i hipur mbi deve dhe filloi ta hidhte shikimin sa në të djathtë e sa në të majtë. Atëherë, i Dërguari i Allahut – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – tha: ‘Atij që i ka tepruar ndonjë kafshë që shalohet le t'ia japë atij që nuk ka dhe ai të cilit i ka tepruar ushqim le t'ia japë atij që nuk ka ushqim.’

Tha: “Përmendi sa përmendi nga llojet e pasurisë, derisa menduam se askush nga ne nuk ka të drejtë në tepricë.”

Këtë hadith e shënojnë Muslimi dhe Ebu Davudi. Ky është citati i Muslimit.

 

Domethënia e hadithit

Një ditë prej ditësh Ebu Seid el-Hudriju, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe një grup i sahabëve ishin në udhëtim me Pejgamberin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Një njeri i hipur mbi deve erdhi dhe filloi të shikonte sa djathtas e sa majtas, në mënyrë që t'ua bënte me dije njerëzve se ka nevojë për ndihmë.

I Dërguari i Allahut – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – urdhëroi që ai i cili ka diçka më tepër sesa ajo që i nevojitet nga devetë, ushqimi a të ngjashme me to, ta ndihmojë atë që nuk e ka ndonjërën prej tyre.

I Dërguari i Allahut – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – kërkoi prej tyre që t'i ndihmojnë nevojtarët me çdo gjë shtesë për të cilën nuk kanë nevojë, qoftë ushqim, pije, rroba, enë a deve.

Prandaj, sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, menduan se asgjë nga pasuria, e cila tejkalon nevojat e tyre nuk u përket atyre, por duhet ta shpenzojnë atë duke i ndihmuar nevojtarët.

 

Dobitë e hadithit

1. Islami është fe e ndihmës dhe e mëshirës.

2. Duhet t’i ndihmojmë nevojtarët me çdo gjë që tejkalon nevojat tona, qoftë ajo diçka që shalohet, që hahet, që pihet a e ngjashme me këto.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Burimi Jetës

11.06.2016

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com