All for Joomla All for Webmasters

8 DOBI NË DITËN E XHUMA

. Posted in Hadithe me komente.

Pin It

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Kush merr gusël (lahet) ditën e xhuma pastaj shkon herët në xhami, është njësoj sikur të ketë bërë kurban për Allahun një deve. Kush shkon në orën e dytë, është njësoj sikur ka bërë kurban një lopë. Kush shkon në orën e tretë, është sikur të ketë bërë kurban një dash me brirë. Kush shkon në orën e katërt, është njësoj sikur ka bërë kurban një pulë dhe kush shkon në orën e pestë, është njësoj sikur ka dhënë një kokërr vezë. Në kohën që del imami, vijnë engjëjt dhe dëgjojnë dhikrin (hutben).

 

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!):

Prej dobive të hadithit:

 

Dobia e parë:Mirësia e larjes ditën e xhuma. Më herët përmendëm se larja për namazin e xhumasë është obligim.

 

Dobia e dytë:Mirësia e shkuarjes herët në xhami ditën e xhuma. Argumenti për këtë është shtimi i shpërblimit për atë që shkon më herët.

 

Dobia e tretë: Pohimi i drejtësisë së Allahut të Madhëruar në shpërblim. Ku Ai e ka bërë atë (shpërblimin) në varësi të veprës. Kështu që, kush shkon më herët në xhami shpërblimi i tij është më i madh.

 

Dobia e katërt:Kujdesi i Allahut të Madhëruar për robërit e Tij ku ka caktuar në dyert e xhamive engjëj, të cilët shkruajnë emrat e njerëzve që prezantojnë ditën e xhuma.

 

Dobia e pestë:Engjëjt e dëgjojnë hutben. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Në kohën që del imami, vijnë engjëjt dhe dëgjojnë dhikrin (hutben).

 

Dobia e gjashtë:Fjala e Allahut të Madhëruar: “besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun” është për qëllim hutbja bashkë me namazin. Ndërsa fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “dhe dëgjojnë dhikrin (hutben)” është argument se hutbja quhet “dhikër/përmendje”.

 

Dobia e shtatë:Nuk është prej Sunetit që imami të vij herët në xhami ditën e xhuma. Bazuar në fjalën e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Në kohën që del imami.” Ndërsa ajo që veprojnë disa imamllarë, Allahu ua shpërbleftë me të mira, të cilët vijnë herët në xhami ditën e xhuma e pastaj ulet në safin (rreshtin) e parë dhe falin namaz vullnetar (nafile), lexojnë Kuran dhe kur vjen koha e namazit ngrihen (hipin në minber) dhe japin selam, kjo nuk është prej Sunetit.

Themi: Më e mira për ty (si imam) është të qëndrosh në shtëpi derisa të vijë koha e namazit e pastaj të vish në xhami. Kjo është ajo që tregon Suneti. Prandaj çdo gjë (fjalë, vepër) që është në përputhje me Sunetin është më e mirë (se sa ajo që bie ndesh me Sunetin).

 

Dobia e tetë:Mirësia e renditur në hadith është e lidhur me larjen (gusulin) e pastaj me ardhjen (herët në xhami). Nëse njeriu mjaftohet vetëm me marrjen abdes (dhe nuk lahet), ai nuk e përfiton këtë shpërblim, sepse hadithi është i qartë: “Kush merr gusël (lahet) ditën e xhuma pastaj shkon herët në xhami.” Kështu që, në bazë të asaj që kemi zgjedhur (themi): Nëse personi nuk lahet ai është gjynahqar.

 

 

“Sherhu Umdetil Ahkam”

Përktheu: Unejs Sheme

Burimi Jetës

12.08.2016

 

 

Pin It

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Burimi Jetes 2007-2019 - Dizajnuar nga: www.burimijetes.com